-Më shumë se me zgjidhjen e menjëhershme të statusit të Kosovës, Bashkimi Evropian është i preokupuar me kërkimin e udhës për vendosjen e pranisë së tij në Kosovë-


Shtruarja e temës

Me gjithë konstatimet e shumë përsëritura të Bashkimit Evropian se status – quoja në Kosovë është e paqëndrueshme, duket se është  vetë Bashkimi Evropian ai që po “inkurajon” status – quon, “me fizkulturat e veta rreth Kosovës”.

Së pari, edhe pse  takimi i parë i drejtpërdrejtë në mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në Nju - Jork nuk solli, sikurse edhe pritej, asnjë rezultat konkret, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Ishinger, deklaroi se “është arritur kompromis midis palëve që negociatat të vazhdojnë deri më 10 dhjetor”, afat ky që, përndryshe, ishte paraparë si afat për “bisedime shtesë”.

Së dyti, edhe pse Treshja ndërmjetësuese synon “intensifikimin e punës drejt arritjes së një marrëveshjeje para përfundimit të mandatit të saj”, “Deklarata e Nju- Jorkut “ u thotë palëve “në vesh” se Grupi i Kontaktit,pas datës 10 dhjetor 2007, do t’i raportojë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për “rezultatin e negociatave” dhe në këtë mënyrë, topin prej Grupit të Kontaktit që “e mban tash në duart e veta” sërish “do t’ia kthejë” Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Së treti, edhe pse “vetshpalljen e pavarësisë së Kosovës”, Bashkimi Evropian e sheh, pothuajse,  si “zgjidhje të vetme” në mungesë të një rezolute të OKB-së për statusin e ardhshëm të Kosovës, ai kërkon prej Kosovës “vetpërmbajtje” , ndërsa prej të dyja palëve “përkushtim serioz  për të arritur një marrëveshje”.

Së katërti, edhe pse në Bashkimin Evropian deklarojnë se dihet për qëndrimet e ndryshme të disa vendeve në lidhje me “pavarësinë e Kosovës” që e bëjnë gati të pamundshëm konsensusin e 27 shteteve-anëtare të tij, në anën tjetër, thuhet se “do të shfrytëzohet koha në përpjekje për të gjetur një zgjidhje”.

Së pesti, edhe pse takimi i rradhës në Bruksel “ shihet  si shpresëdhënës” nga Bashkimi Evropian, meqë pritet “te ule në tavolinë nivelet më të larta të palëve”, nga zyrtarë të tij po  dëgjohen   deklarata se nuk shihen  sinjale  prej palëve se do të arrijnë ndonjë marrëveshje.    

Mbi bazën e këtyre pesë pikave, mund të nxirret përfundimi se çështja e Kosovës që nga mbarimi i luftës në Kosovë(1999) nuk u shtrua si duhet nga ana e bashkësisë ndërkombëtare.

Mospërfillja e çështjes së Kosovës si “çështje e vetë Kosovës”

 
Edhe pse Kosova u vendos nën qeverisjen e OKB-së, me Rezolutën 1244 Kosova vazhdoi të konsiderohet formalisht “pjesë e ish- Jugosllavisë”, e cila nuk ekzistonte më.Në këtë mënyrë, në negociatat e akorduara prej bashkësisë ndërkombëtare prej të cilave, sinqerisht, askush nuk priste asgjë, Kosova nuk u përfill si “çështje e vetë Kosovës”, do të thotë e shqiptarëve, serbëve dhe të tjerëve që jetojnë në të, por edhe si “çështje e Serbisë”, fakt ky që jo vetëm e inkurajoi, por edhe e faktorizoi Serbinë deri në atë masë sa të ushtrojë  ndikim shumë të fuqishëm në pamundësinë e arritjes së “një marrëveshjeje”, meqë u bë përpjekje “që të vendoset një  balancë në mes të palëve të pabalancuara”.

Në vend se çështja e Kosovës të shihej si çështje vetëm e shqiptarëve, serbëve dhe të tjerëve që jetojnë në të, bashkësia ndërkombëtare e kualifikoi atë  si çështje të Kosovës dhe të Serbisë dhe në këtë mënyrë, pothuajse paralizoi mundësinë e “arritjes së marrëveshjes”, sepse kërkoi kompromis “ndërmjet ish- pushtuesit dhe çlirimtarit”,duke inkuruajuar, në këtë mënyrë, vetë zgjidhjen e çështjes së Kosovës jashtë Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke pasur parasysh se Rusia, në këtë format bisedimesh, ruan  mundësinë, jo vetëm për t’u  kërcënuar  me veto, por edhe për të vënë veto në rezolutën e cila do të mund eventualisht të nxirrej në votim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

 

 

Arsyet  e përgatitjes së “skriptit ligjor”

 

 

Edhe pse Bashkimi Evropian është, edhe vetë i vetëdijshëm, se kjo është një “skemë që nuk do të funksionojë ”, prapëseprapë mendon që çështjen e Kosovës, sërish t’ia adresojë Këshillit të Sigurimit , ndërkohë që vetë  “ndërmerrë veprime”,siç është rasti me  përgatitjen e një “skripti ligjor”, nëse “do  të dështonin  negociatat për Kosovën” dhe nëse “nuk do të nxirrej  një rezolute e re për të në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Përgatitja e “skriptit ligjor”që po bëhet si “nismë  evropiane” e Grupit të  Kontaktit, pandehet të jetë  “masë preventive” e Bashkimit Evropian “për të qenë i gatshëm të veprojë menjëherë, në rast të dështimit të negociatave”.

Përgatitja e “skriptit ligjor” veçsa e forcon bindjen se:

e para, Brukseli zyrtar ende “nuk mund të veprojë me një zë”rreth Kosovës;

e dyta, se ai ende nuk “e ka zvogëluar  hapësirën kontradiktore të një numri të vendeve të BE-së, të cilat ende nuk pajtohen që plani Ahtisaari të fillojë së zbatuari pa nxjerrjen e një rezolute në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”.

E vërteta e përgatitjes së “skriptit ligjor” rreth Kosovës nuk është koncepti

i zgjidhjes së çështjes së Kosovës, por “gjetja e formulës” për të vendosur misionin e Bashkimit Evropan në Kosovë, duke pasur parasysh se brenda tij ka dallime edhe në lidhje me këtë çështje.

 

 

Shqetësimet e Bashkimit Evropian

 

 

Kjo nismë nxjerr në sipërfaqe, më së paku, dy lloj shqetësimesh të Bashkimit Evropian.

Së pari, shqetësimin “për të nxjerrë sa më shumë përkrahje nga blloku i 27 vendeve të Bashkimit Evropian”.

Së dyti, shqetësimin “për mundësinë e largimit të kontigjenteve të disa vendeve anëtare të tij”nga Kosova, nëse diplomacitë e atyre vendeve do të deklaroheshin  kundër pavarësisë së shpallur nga ana e Kosovës.

Këtyre dy shqetësimeve, mund t’i bashkohet edhe një shqetësim tjetër: qëndrimi i Gjermanisë, për shkak të hezitimeve që ajo po shpreh kohëve të fundit në lidhje me deklarimin e pavarësisë nga ana e Kosovës .

Në shtypin gjerman, për çdo ditë, mund të lexoni se Gjermania nuk dëshiron që të veprojë njëanshëm në njohjen e pavarësisë së Kosovës kur ajo eventualisht të shpallej.Ndoshta në një kohë të mëvonshme do të mësojmë se sa janë për Gjermaninë më të rëndësishme se Kosova “lidhjet dhe interesat ekonomike” të saj me Rusinë.

Sidoqoftë, çështja e statusit të Kosovës është bërë një shqetësim serioz, madje edhe për vetë amerikanët, të cilët, nuk pushojnë së deklaruari se “do ta njohin pavarësinë e Kosovës, me rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB ose edhe pa të”.

Siç dihet, Shtetet e Bashkuara “janë të rrethuara” edhe me disa probleme të tjera që Uashigtonit zyrtar i dalin si “vështërsi shtesë” për “t’ a dërguar Kosovën në stacionin e fundit”.  Janë Iraku dhe Afganistani që i shqetësojnë Shtetet e Bashkuara.Eshtë edhe Irani që,poashtu, shqetëson Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por është edhe Bashkimi Evropian që shqetëson Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësisht mungesa e një konsensusi brendapërbrenda tij  në lidhje me Kosovën.Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuara me përçarjen brendapërbrenda Bashkimit Evropian për statusin e ardhshëm të Kosovës.

 

 

Qëndrim “i butë” i Bashkimit Evropian

 

 

Pra, shqyrtimi sërish i kthehet  Bashkimit Evropian, sepse ai,ç’ është e vërteta, ai  mban pjesën  e vet të përgjegjësisë  për shkak të një qëndrimi, ende “të butë”, ndaj disa vendeve anëtare, të cilat  po pengojnë arritjen e një konsensusi brendapërbrenda tij në lidhje me të ardhmen e Kosovës.

Një koment i botuar në shtypin amerikan, këtyre ditëve, me titull: “Evropë, tunde bishtin”, sikur i përgjigjet pyetjes pse Evropa ende nuk po tregohet e aftë “që të udhëheqë në Ballkan që është oborri i saj”.Një qëndrim i tillë “i butë” i Evropës po “egërson” Serbinë, nga ana tjetër, prandaj me të drejtë komentatori në shtypin amerikan, konstaton se “Tani bishti po e tund qenin dhe kjo e bën Evropën të duket jashtëzakonisht e dobët, nëse jo edhe plotësisht hipokrite”.

Ndërkohë që zgjasin këto dilema të Evropës rreth Kosovës, ndeshemi me një inflacion të paparë të deklaratave në lidhje me të ardhmen e Kosovës.

Kryeministri slloven, Jansha, deklaron se “procesi i kërkimit të zgjidhjes së statusit të Kosovës po i afrohet fundit”, por ky fund, sipas tij, nuk është fundi i këtij viti, siç ishte trumbetuar nga të gjitha anët në diplomacinë evropiane. Jansha  do të jetë numri 1  i Bashkimit Evropian pas 1 janarit 2008,kur Sllovenia merr kryesimin e rradhës me BE-në, dhe premton se “BE- ja Ballkanit do t’i kushtojë një vëmendje të veçantë”, ndërsa si çështje më urgjente lidhur me rajonin do ta  konsiderojë  “statusin e ardhshëm të Kosovës”.Arsyetimi i tij për Kosovën nuk është diçka  që nuk e kemi dëgjuar  edhe në kohën e kryesimit gjerman të Bashkimit Evropian:

se Kosova “paraqet një rast të veçantë”;

se ky rast është “ i pakrahasueshëm me çfarëdo situate tjetër kontraverse që mund të duket e ngjashme përbrenda territorit të BE-së ,në territorin e ish-Bashkimit Sovjetik apo kudo tjetër në botë ”.

Komisari i Zgjerimit i BE-së, Olli Rehn, kërkon “marrëveshje sa më të shpejt” rreth Kosovës, ndërkohë që premton se Bashkimi Evropian “ mund për një zgjidhje me marrëveshje që të mos lërë  gur pa rrotualluar nësë duhet”, por prêt që Beogradi dhe Prishtina “të jenë konstruktivë”. Problemi qëndron se z.Rehn nuk e thotë “se si do të jetë zgjidhja, nëse të dy palët nuk merren vesh”, edhe vetë i bindur në të, sepse deklaron se “Një zgjidhje me marrëveshje do të ishte zgjidhja më e mirë, nëse një gjë e tillë është e mundur”. Ajo që nuk është fare e kontestueshme në fjalën e tij është se “Vazhdimi i agonisë vetëm se do ta shtojë rrezikun e jostabilitetit në Kosovë”.

 

Cka nuk duhet pritur ?

 

 

Kjo mund të jetë arsyeja që ekspertët perëndimorë  paralajmërojnë Bashkimin Evropian: “Evropë, përgatitu për Planin B”, duke nënvizuar se:

E para,se nuk duhet pritur marrëveshje Prishtinë – Beograd;

E dyta,se  nuk duhet pritur ripërtritje të Rezolutës 1244;

E treta, se duhet marrë një vendim“.

Pse nuk duhet pritur marrëveshje Prishtinë – Beograd, e dinë të gjithë.Arsyet janë bërë shumë herë të qarta.

Pse nuk duhet pritur një ripërtritje të Rezolutës 1244, pritet të qartësohet më shumë se ç’ është bërë deri më sot.

Cështja më e hapur mbetet : se duhet marrë një vendim.

Rreth marrjes së vendimit sillet e tërë çështja: KUSH VENDIM, CFARE VENDIMI, NE C’KOHE VENDIM ?

 

 

 

 

 

 

 

Porosia

 

Vendimin duhet ta merrë, askush tjetër, veçse Kosova.

Kosova duhet të deklarohet shtet i pavarur dhe sovran, në gjithë territorin e saj, pa kushtëzime, sepse Kosova i ka pranuar  kushtëzimet, vetëm nëse do të kishte një njohje kolektive të shtetit eventual të saj.

E hapur mbetet : në ç’ kohë ?

Një këshillë duhet pasur para vetës : „Vetëm me kohë mund të fitohet koha“.

Ndryshe, Evropa do të vazhdojë me fizkulturat e veta rreth Kosovës.

Kush mban mend nga historia, mban mend edhe fizkulturat e Evropës në të kaluarën e

Shqiptarëve.

Aty qëndron arsyeja pse Shqiptarët besojnë më shumë  në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në diplomacinë e saj.

Amerikanët e kanë thënë të vetën dhe kanë premtuar se do ta bëjnë atë një realitet.

Eshtë në Kosovën që të nxjerrë mësim nga ai premtim.

Thuhet me të drejtë se „Ora nuk është për ta mbajtur, por për t’iu përmbajtur“.