Shtruarja e temës

Kësaj rradhe nuk është tema që përzgjodhi kohën, por e kundërta, koha që e përzgjodhi temën.

Tema është mjaft serioze që t’i qasësh në “mënyrë relaksuese”; është mjaft tensionuese që t’i  qasësh në “mënyrë krejt të qetë”; është mjaft e ngrohtë që t’i qasësh në “mënyrë krejtësisht të ftohtë”.


Gjendja në të cilën ndodhet sot çështja shqiptare përgjithësisht, 95 vjet pas Pavarësisë së Shqipërisë, sikur sugjeron shqyrtimin e saj nga një kënd i veçantë: më shumë politik, se historik; më shumë meditues, se verbalizues; më shumë kritik, se oportunizues, sepse :

 

edhe 95 vjet prej Pavarësisë së Shqipërisë, çështja shqiptare është me shumë të panjohura;

edhe 95 vjet prej Pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët jetojnë të pjesëtuar për gjashtë;

edhe 95 vjet prej Pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët nuk kanë një strategji kombëtare se si t’i qasën realizimit të aspiratës së tyre shekullore;

edhe 95 vjet prej Pavarësisë së Shqipërisë, çështja shqiptare nuk kundrohet dhe nuk shtrohet si  një dhe e bashkuar, prandaj kemi:

një Shqipëri kombëtarisht të cunguar;

një Kosovë, pa status të përkufizuar ;

një Kosovë Lindore, nga të huajt të sunduar;

një entitet shqiptar në Maqedoni, të pabashkuar;

një komunitet shqiptar në Mal të Zi, kombëtarisht të paemancipuar;

një Camëri, pothuajse të harruar;

shqiptarë në Turqi, gati të asimiluar;

një mërgatë shqiptare, partiakisht gati të shpartalluar;

një diplomaci shqiptare, ende të paunifikuar;

një politikë kombëtare, ende të paformësuar.

Thelbi i fjalës sime nuk është shprehja e skepticizmit ose mbjellja e mosbesimit për të ardhmen e shqiptarëve, sepse po të thuhej fjala e fundit, e para, në të ardhmen më të afërt ose më të largët, Ballkanin do ta dominojnë shqiptarët ,por mobilizimi për të mos na u përsëritur historia dhe e kaluara e hidhur.

Po kalojmë nëpër njërën nga periudhat më të vështira të historisë sonë si komb i ndarë. Jemi më afër “saktësimit të diagnozës” se “caktimit të terapisë”.

 

 

Cfarë duhet të kemi parasysh ?

 

E para, se çështja shqiptare nuk është zgjidhur as në segmentet e veçuara, dhe as në tërësinë e saj.

E dyta, se janë shumë të ndërvarura dhe të ndërkushtëzuara zhvillimet politike në hapësirën shqiptare që, shprehur figurativisht, do të duhej të kuptohej se : pa qenë mirë në Shqipëri, nuk do të bëhet mirë në Kosovë; pa qenë mirë në Kosovë, nuk do të jetë mirë me shqiptarët në hapësirën tjetër shqiptare.

E treta, se janë shumë të ndërlikueshme proceset politike që po zhvillohen në hapësirën shqiptare, se janë shumë të ndërlikueshme shkaqet që po shkaktojnë ato procese dhe se janë shumë të ndërlikueshme veprimet që duhen të ndërmirren për krijimin e kushteve për t’u bashkuar në një zë : si një popull dhe si një komb, në kohën kur, ç’ është e vërteta, nga njëra anë, po rritemi si popull, e nga ana tjetër, ende po na kërcënon rreziku që të tkurremi si komb.

 

 

Një histori e shkurtër

 

 

Me gjithë pretendimet që të mos “ i kthehemi historisë”, por të shikojmë “me sy përpara”, kthimi historisë, qoftë edhe fragmentarisht, është i themeltë, për shkak se ne shqiptarët patëm një të kaluar të bujsheme dhe se historia jonë nuk iste tjetër veçse histori  e ndrydhjes së qenies sonë kombëtare.Nëse do të përmblidhej, qoftë edhe me një fjali të vetme, e kaluara jonë e hidhur, do të mund të nxirrej përfundimi vërtet i parrëzueshëm se Evropa  cënoi rëndë tërësinë tonë territoriale dhe  bëri përpjekje që të na shlyejë nga harta gjeopolitike e saj. Përfundimi i dytë, gjithashtu i parrëzueshëm, që do të mund të nxirrej në lidhje me pushtimin e tokave tona nga Serbia, Mali i Zi dhe Greqia, është se as  Serbia, as Mali i Zi dhe as Greqia “nuk kishin mbështetje historike për të përligjur lakmitë e veta ndaj trojeve shqiptare”. Copëtimi i trojeve shqiptare dhe aneksimi i më tepër se gjysmës së tyre ndodhi nga ana e monarkive fqinje.Serbia qe e para që bëri pastrimin etnik që në luftën ruso-turke(1877-78), ndërsa pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër(1913), qeveritë e Beogradit, Cetinës dhe Athinës, filluan dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike dhe i dërguan të mërgonin në Turqi, sa më larg prej kufijve të tyre.Edhe pas vitit 1918, Jugosllavia vazhdoi për dekada, fushatën e dëbimit të shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.Edhe pse gjatë Luftës së Dytë Botërore, prej aleatëve të mëdhenj shqiptarëve iu premtua  respektimi i parimit të vetëvendosjes, procedurat ndodhen ndryshe.Kthimi i shkurtër në histori është në të vërtetë, një thirrje që “ t’i kthehemi vetës sonë dhe përgjegjësive tona, në mënyrë që të nxjerrim mësim nga e kaluara, që të mos pësojmë në të ardhmen si komb”.

 

Cfarë nuk kemi mësuar nga e kaluara ?

 

Nga e kaluara jonë e hidhur nuk kemi nxjerr mësim në mënyrë që sot të ndërgjegjësohemi që, jo vetëm të mendojmë, por edhe të shprehemi dhe të veprojmë, si një popull dhe si një komb politik. Në fjalët dhe në fjalimet tona ende ka shumë porosi folklorike , pa vra ndërgjegjën se: po të bëhej me sharki a me çifteli, ne shqiptarët të parët në Hënë do të kishim mbërri!

Duhet të pushojmë ta fajësojmë historinë dhe Evropën për padrejtësitë ndaj nesh, sepse ato janë të pakontestueshme. Neve na duhet konsolidimi kombëtar pikërisht që të mos na përsëritet e kaluara. Na duhen qëndrime të përbashkëta për çështje të përbashkëta.Ne, sikur, ende nuk e ndiejmë nevojën që të funksionojmë si një tërësi kombëtare. Prandaj, energjinë tonë krijuese do të duhej ta shpenzonim dhe ta shteronim në rrafshin kombëtar, në projekte kombëtare.Ne ende improvizojmë, se sa që krijojmë mendërisht. Ende kemi më shumë përsëritje të mendimit, se sa mendim të ri; verbalizëm më shumë se sa meditim; oportunizëm më shumë se sa shqyrtim kritik. Për çështjen tonë ne bëjmë,të thuash, gjumë ditën, kur të tjerët për çështjen e vet nuk bëjnë gjumë as natën. 

 

 

 

Kosova

 

 

Nuk ka dyshim se bërja e shtetit të Kosovës paraqet  projektin kombëtar më serioz të shqiptarëve sot.

Me shtyrjet e vazhdueshme të procesit për zgjidhjen e  statusit politik të Kosovës, ndërkohë që po paralajmërohen shtyrje të tjera, përkundër zotimeve të disa vendeve të Perëndimit se, në rast të mungesës së marrëveshjes së  Prishtinës e Beogradit “do ta njohin pavarësinë e mbikqyrur”,  Kosova ka hy në një periudhë të re vonimesh , stagnimesh dhe paqartësish. Kosova, sikur u gjend, “para fillimit të ri”, e jo “para fillimit të fundit”.Me gjithë deklarimet se çështja e Kosovës, sikur “ka marrë fizionominë e një çështjeje të zgjidhur”, ajo ende “mbëshitillet me një mjegullnajë diplomatike” në lidhje me sanksionimin e statusit të saj politik-juridik dhe ndërkombëtar.

Në këtë “mjegullnajë”, nxiten ndjenja të skajshme: në njërën anë, optimizëm i pamatur dhe, në anën tjetër, pesimizëm i kulmuar.Që të dyja ndjenjat mund të prodhojnë pasojat e veta. Optimizmi i pamatur “mund të çojë në shkujdesje të tepruar, ndërsa shkujdesja e tepruar në çmobilizim të energjive”. Pesimizmi i kulmuar “mund të çojë në veprime të papërmbajtura dhe të pakontrolluara”, siç shprehet një analist yni.Asnjëra nga këto ndjenja nuk i duhen Kosovës.

Duhet kultivuar ndjenjën realiste, e cila duhet të burojë drejtpërdrejtë nga realiteti, nga kahet që kanë marrë dhe që mund të marrin proceset në vijim.

Për Kosovën, sot e nesër, duhet të gjykohet si nga miqtë, ashtu dhe nga armiqtë që i ka dhe që mund t’i. ketë.Nuk janë shuar ende orekset e fqinjëve të Kosovës për gllabërime të reja tokash të saj që do të mund të çonin në tkurrje të vazhdueshme të territorit të saj.Siç dihet, ndër popujt e Evropës, shqiptarët kanë pësuar copëtimin territorial më të madh.

Tri aftësi na kanë munguar dhe për rrjedhojë, mungesa e tyre ka prodhuar ato ndjenja të skajshme:

Së pari, aftësia për ta kuptuar realitetin ashtu siç është ai dhe për të ndërtuar një qëndrim ndaj tij.

Së dyti, aftësia për ta vlerësuar objektivisht forcën tonë për t’i bërë realitet objektivat tona.

E treta, aftësia për të kuptuar se cilat forca jasht nesh, sinqerisht, përkrahin dhe mbështesin realizmin e objektivave tona.

Sikur të mos na mungonin këto tri aftësi, do të kishim mund shumë më heret se sot, të nxjerrnim disa përfundime:

E para, se në konfliktet etnike përgjithësisht, “vështirë gjendet  një zgjidhje ideale  

që do të miratohej nga të dyja anët, ose që, do të kënaqte secilën prej tyre veç e veç”.

E dyta, se në rast të moszgjidhjes së konfliktit, ”do të mund të kërcënohet rreziku i përjetësimit të tij”.

E treta, se “kapacitetet (ende) të ulta të shqiptarëve që pa ndihmën e ndërkombëtarëve t’ a mbyllin kapitullin e Kosovës” me realizimin e vullnetit të popullit, “nuk do të mund të ofronin garanci të mëdha”.

Kosova po kalon në,më së paku, tri procese transitore:

I pari, “nga një fazë konfliktuale”, të shoqëruar me një luftë të tmerrshme e shkatërruese, në “një gjendje të paqes dhe rindërtimit”.

I dyti, “nga një sundim absolutist” i sistemit komunist e monist, në “një gjendje të demokracisë politike dhe të pluralizmit”.

I treti, “nga një okupim klasik”, në “një gjendje të lirisë”.

Kosova është “në pritje të një statusi” i cili do ta shpjerë në  “të ardhmën e saj të pretenduar”, megjithëse , nuk do ta  dërgojë “në stacionin e fundit”.Më shumë se “zgjidhja e plotë” dhe “statusi përfundimtar”, në horizont shihen zgjidhja e parrumbullakuar dhe statusi kalimtar.

Se vërtetë do të ndodhë kështu, paralajmërohej në raportin e ambasadorit Kai Eide, në vitin 2005:

një, se “Cështja e Kosovës do të zgjidhet ndryshe” nga ajo e ish-republikave të Jugosllavisë që do të thoshte se Kosova do të suspendohet nga e e drejta për të vendosur vetë për të ardhmen e vet, dhe

dy, se serbët e Kosovës në veriun e saj “do të gëzojnë një autonomi të gjerë”.

Prandaj, Kosovës iu imponua që të hyjë në negociata me Serbinë; prandaj prej Kosovës u kërkua që, paraprakisht, të miratojë projektin  e decentralizimit, po sikurse edhe planin për të ashtuquajturën “trashëgimi serbe” dhe kornizat e legjislacionit mbi të drejtat politike të pakicës serbe që u detajizuan në Planin e Ahtisaarit.

Zgjidhja  e çështjes së Kosovës nuk do të mund të quhej “e rrumbullakuar” nëse ajo nuk do të shoqërohej me njohjen e plotë të subjektivitetit politik- juridik dhe ndërkombëtar të saj.

Statusi politik i Kosovës nuk do të mund të quhej “përfundimtar” nëse në Kosovë do të vazhdojë të ketë një prani të fuqishme, jo vetëm ushtarake, por edhe ndërkombëtare civile dhe nëse veriu i Kosovës do të ketë një status të veçantë,etj.

Pra, me vendosjen eventuale të statusit të ri politik të Kosovës, mbi parimet e Planit Ahtisaari, procesi i zgjidhjes së çështjes së saj nuk do të përmbyllej në përputhje të plotë me vullnetin e popullit dhe as nuk do të përfundohej, as “në mënyrën më të qartë” dhe as në “përmbajtjen më të plotë”.

Megjithatë, një fakt është shumë domethënës. Nëse do të pavarësohej, Kosova do të dalë nga një “marrëdhënie e dominimit”, pra e të qenit e dominuar prej Serbisë.

Ashtu siç po zhvillohen rrjedhat e procesit, e ardhmja e Kosovës do të vazhdojë të jetë një proces që do të synojë, pas shpalljes eventuale të pavarësisë në Kuvendin e Kosovës, një kontratualitet me OKB-në, me BE-në dhe me NATO-n.

Cështje mbi çështjet do të jetë sovraniteti që, sipas fjalorit të së drejtës ndërkombëtare, paraqet një cilësi të subjektit të së drejtës ndërkombëtare mbi bazën e së cilës cilësi e ka pushtetin, është i pavarur nga çdo pushtet tjetër dhe e ka pushtetin më të lartë.

Edhe pse as sovraniteti dhe as pavarësia nuk janë absolutisht të pakufizueshme, në shembullin e Kosovës, qoftë për shkak të pranisë ndërkombëtare, qoftë për shkak të pamundësisë të shtrirjes së qeverisjes në gjithë territorin, kufizimet e sovranitetit dhe të pavarësisë së Kosovës si shtet, do ta bëjnë atë të invalidueshëm , pa mundësi të shprehjes së tij në kuptimin e plotë, as politik dhe as gjeografik.

Arsyet  për një prani relativisht të theksuar të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë janë nga më të ndryshme, prej vlerësimit të saj për kapacitetin ende të ulët të institucioneve të Kosovës për ta administruar plotësisht vendin, nëpërmjet të ndjenjës që, pothuajse është shndërruar në qëndrim të saj, për shkallën e lartë të mosbesimit ndërmjet shqiptarëve e serbëve, deri te njëfarë marrëveshje, të pashkruar, për kufizimin e sovranitetit dhe të pavarësisë së Kosovës.

Mund të ngritën, edhe me këtë rast, më së paku, dy shqetësime të mëdha.

Një, mundësia e përsëritjes së UNMIK-ut, nëpërmjet të BE-së që, në njëfarë mënyre do të nënkuptonte edhe përsëritjen e Bosnjës në Kosovë.Në këtë mënyrë, do të mund të krijohej një mentalitet i ri vartësie në Kosovë.

Dy, mundësia e izolimit të territoreve ku jetojnë serbët, me pasojë prishjen e kompaktësisë territoriale deri te  defunksionalizimi i institucioneve të Kosovës në një pjesë të territorit të saj.

Që të dyja këto gjendje do të mund të kërcënonin me rrezikun e invalidimit të statusit të ri politik që po mëtohet të vendoset nga bashkësia ndërkombëtare.

Ndërsa, shqetësim në vete sot paraqet vendimi : të shpallësh apo jo pavarësinë, pa pëlqimin e qendrave ndërkombëtare të vendimmarrjes. Këshilla jonë është: asnjë shtet nuk ka ekzistuar, para se të formohej.

Kosovës për qeverisje të plotë i duhet sovranitet dhe pavarësi e pacunguar.Qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare sikur nuk kanë ende parasysh se Kosova është pushtuar gjatë luftërave ballkanike (1912-13), “në kundërshtim me aspiratat e shqiptarëve që kishin shprehur në Lëvizjen nacional-çlirimtare 1878-1912”.Shqiptarët ishin kundër “përfshirjes së tyre në shtetin serb”.

Serbia po përpiqet që kërkesat e veta ndaj Kosovës t’i mbështes në “të drejtën historike”.Po kujtojmë se ambiciet imperialiste me “të drejtën historike” nuk kanë mundur t’i mbrojnë as Anglia, as Franca, as Spanja, as Portugalia, as Hollanda që, me shekuj, kanë mbajtur vende e popuj të shumtë”.Prandaj, me shkatërrimin e perandorive  koloniale, janë krijuar mbi 120 shtete të reja.

Ekzistojnë, më së paku, katër grupe shkaqesh që favorizojnë pavarësinë e Kosovës dhe mbi të cilat do të duhej të mirrej vendimi për sovranitetin dhe pavarësinë e plotë të Kosovës.

Së pari, meqë Kosova është aneksuar nga Serbia në udhë jolegjitime, pavarësia e Kosovës në asnjë mënyrë nuk mund të jetë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.C’ është e vërteta, pavarësia e Kosovës përpara se të kualifikohej si “një rast klasik i secesionit të një pjese  të një shteti sovran”, siç shprehen serbët, do të duhej të kundrohej, në fakt, si një “anulim aneksimi ilegjitim”. Në të vërtetë, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar kishte rënë vetë Serbia, e cila me 1912 e aneksoi Kosovën, nëpërmjet pushtimit ushtarak.Prandaj, në vend se Serbia të pranojë veprimin e saj ilegal që ka bërë duke shkelur ligjin ndërkombëtar , me aneksimin e Kosovës, tash përdor një argument të paqëndrueshëm shkencërisht, historikisht dhe aktualisht, për “të ruajtur sovranitetin mbi Kosovën” të cilin, siç dëshmojnë faktet, e mbajti në mënyrë jolegjitime për një periudhë shumë të gjatë, pa pyetur asnjëherë popullin shumicë të Kosovës dhe pa i marrë atij pëlqimin.Qëndrimet posesive serbe ndaj Kosovës që i referohen historisë, janë dyfish të pathemelta:qoftë “në aspektin metodologjik të cilësimit të karakterit kombëtar të territorit”, qoftë “në aspektin e së vërtetës materiale”, meqë Kosova përkundër pohimeve serbe, “nuk është as djep i popullit serb, as djep i shtetit serb”.

Së dyti, vendimi mbi të ardhmen e Kosovës nuk mund të injorojë pozitën kushtetuese të Kosovës në ish-Jugosllavi, me gjithë faktin se nuk gëzonte statusin e republikës, por ç’është e vërteta, ishte pjesë përbërëse e ish- Jugosllavisë, me territor dhe kufijtë e vet, të cilët nuk mund të ndryshoheshin pa pëlqimin e saj.Kosova ishte drejtpërdrejtë e përfaqësuar në Federatën e ish-Jugosllavisë, po sikurse republikat e saj, e jo nëpërmjet të Serbisë, sepse ashtu do të kishim një situatë paradoksale “të inkuadrimit të Serbisë në Serbi dhe të tri Serbive me tri vota në Federatë”, ndërsa njësitë tjera “do të kishin nga një votë”. Se Kosova nuk ishte pjesë e Serbisë dëshmojnë shumë fakte historike dhe juridike.

Së treti, e ardhmja e Kosovës nuk mund të kundrohet e krahasueshme me secesionizmin në disa nga vendet e botës.Këtë duhet ta kenë parasysh ato shtete që ende mbahen të rezervuara ndaj pavarësisë eventuale të Kosovës.Ato do të duhej t’i kërkojnë dhe t’i gjejnë “pikat e përbashkëta”me disa vende të botës që janë pajtuar me heqjen e sovranitetit mbi territore të tjera.Kështu, raportet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës janë të krahasueshme me ato ndërmjet Indonezisë dhe Timorit Lindor. Singapori është një vend tjetër që duhet marrë parasyh.Rasti i Kosovës ka ngjashmëri edhe me atë të Namibisë.Prandaj, pavarësia eventuale e Kosovës nuk duhet krahasuar me secesionizmin në disa anë të tjera të botës, ku lëvizjet secesioniste “nuk janë duke vepruar në territore të aneksuara që në mënyrë të njëanshme(kundër vullnetit të popullit dhe të sovranëve të mëhershëm)u janë bashkuar shteteve aktualisht ekzistuese, por ato janë duke operuar në territore që kanë qenë pjesë e këtyre shteteve në kohën kur këto shtete kanë filluar së ekzistuari”, siç është rasti me Transdnjestrovle në Moldavi ose me Osetinë Jugore dhe Abkhazinë në Gjeorgji..Më në fund, shqiptarët e Kosovës nuk janë të krahasueshëm as me katalonët, uelsianët, baskët,skocezet,korsikanët..., sepse ata nuk u përballen, sikur shqiptarët e Kosovës, me dëbim masiv, nga shtetet që i kontrollojnë.

Së katërti,ekzistimi i Shqipërisë si shtet shqiptar, nuk mund të qëndrojë si pengesë  për statusin shtet i pavarur dhe sovran të Kosovës, po sikurse që, të sjellim shembuj nga historia e krijimit të shteteve, “as ekzistimi i Rumanisë nuk qe pengesë për krijimin e shtetit të Moldavisë ose që ekzistimi i Francës nuk paraqiste pengesë për kantonet-shtete në Zvicër”.

Më në fund, edhe nëse Kosova do të konstituohej si shtet i shqiptarëve (ashtu dhe do të duhej të ndodhte),” ekzistimi dy shteteve shqiptare në Ballkan do të ishte më parë hendikep, se sa përparësi gjeopolitike e popullit shqiptar në Ballkan”, duke pasur parasysh synimet historike të shqiptarëve për të jetuar së bashku.Kosova i përmbush të gjitha kushtet e qenies shtet i pavarur dhe sovran.Nëse bëhet fjalë për territorin, në OKB janë të anëtarësuara 34 shtete me territor më të vogël se sa Kosova.Nëse bëhet fjalë për popullatën, në OKB janë të anëtarësuara 58 shtete me popullatë më të vogël se sa Kosova.Nëse bëhet fjalë për pranimin  ose jo të shteteve të reja, në OKB në periudhën prej 1990 – 2002, janë pranuar 34 shtete të reja.Prandaj, nuk thuhet kot se “Aty ku janë të pranishme faktet, fjalët bëhen të panevojshme”.

Mbi bazën e argumenteve dhe fakteve që u theksuan më lartë, sado qoftë në vija të përgjithshme, statusi i ri politik, juridik dhe ndërkombëtar i Kosovës do të duhej të ishte ekuivalent , pa asnjë mëdyshje, me pavarësinë dhe sovranitetin, me subjektivitet të njohur ndërkombëtar, në gjithë territorin e saj, përfshirë pjesën veriore të Kosovës dhe të ashtuquajturat komuna me shumicë serbe.Për Kosovën janë të papranueshme persiatjet dhe kërkesat serbe, të kamufluara në projektin për decentralizimin, për krijimin e dy entiteve ose për ndarjen e Kosovës.Vetëm një shtet me territor të unifikuar dhe shtrirje të institucioneve dhe të ligjeve të tij në gjithë atë territor, do të mund të pengonte invalidimin e tij.       

 

 

 

 

 

Gjendja e çështjes shqiptare në segmentet e tjera të veçuara të saj

 

 

Shqiptarët në Maqedoni ende përballen me një pozitë denigruese.Deklarimi i pavarësisë së Maqedonisë ndodhi pa u sqarua pozicioni i etnikumit shqiptar dhe pjesëmarrja e tij në rregullimin kushtetues të këtij vendi, pra pa u përkufizuar premisat dhe raportet brendapërbrenda formacionit të ri shoqëror. Për pasojë, regjimi sllavo-maqeonas nuk ndërtoi një qëndrim të drejtë ndaj shqiptarëve etnikë, duke mos ngritur një mekanizëm konsensual që do të mund të ndalonte mundësinë e majorizimit të shqiptarëve dhe të të drejtave të tyre që, fromalisht, u njiheshin më parë, me gjithë pamundësinë e realizimit të tyre në praktikë.Në këtë mënyrë, Kushtetuta e Maqedonisë e vitit 1991 u bë gjeneratori themelor i krizës në raportet shqiptaro- sllavo-maqedonase, për shkak të pozitës denigruese kushtetuese –juridike të shqiptarëve në të, në mënyrë të veçantë për shkak të trajtimit të tyre si pakicë kombëtare.Bashkësia ndërkombëtare u angazhua për një “marrëveshje historike” ndërmjet shqiptarëve dhe sllavo-maqedonasëve që, megjithatë, qoftë me parimet dhe zgjidhjet dhe në mënyrë të veçantë, me zbatimin e tyre në praktikë, nuk aresyetoi kualifikimin që iu dha.Marrëveshja e Ohrit nuk i promovoi shqiptarët si popull autokton, me tiparet e theksuara demografike të numrit të tyre dhe të  koncentrimit të lartë dhe të gjerë  në trojet e veta etnike, si dhe të përbashkëta jetësore në këtë republikë dhe, mbi këtë bazë, konservoi për ta statusin e denigrues të “pakicës kombëtare”, madje pa i përmendur fare, përveç se në kuadër të “bashkësive” që përbëjnë “shtetin shumetnik”, edhe pse shqiptarët, në fakt, përbëjnë grupin më të shquar etnik tek i cili është rritur vetëdija se ai është subjekt politik që, si krejtësisht i barabartë me popullin maqedonas, ka të drejtë të jetë bartës i sovranitetit dhe shtet- formues, kështu që Marrëveshja e Ohrit nuk e eliminoi shkaktarin themelor të krizës në Maqedoni-trajtimin e shqiptarëve si minoritet. E ardhmja e Maedonisë mund të ndërtohet vetëm me përkufizimin e saj si shtet i popujve që nënkupton njohjen e subjektivitetit shtet-formues dhe kushtetues – juridik të barabartë të popullit shqiptar në Maqedoni, si pikënisje për nxjerrjen e një kushtetute të re të saj. Në Maqedoni duhet të vendoset një koncept i ri shtetëror “që pamundëson dominimin sistemor të një etnikumi mbi tjetrin” dhe që i cilëson shqiptarët si popull autokton, si pjesë integrale e popullit shqiptar në Ballkan, në hapësirën kontinuele gjeografike ku ai jeton në shumicë etnike, pra që nuk i cilëson si “pakicë kombëtare”, por si popull me të drejtën e vazhdueshme dhe të pashteruar të vetëvendosjes kombëtare.Avancimi i statusit kushtetues- juridik i shqiptarëve në  Maqedoni ka mbështetje në shumë argumente e fakte  të pakontestueshme historike, politike dhe kushtetuese – juridike, nga të cilat po përmendim tri më kryesorët.

Një, se shqiptarët në Maqedoni kanë qenë gjithmonë, pra historikisht, element konstitutiv i shtetësisë së Maqedonisë, nga Republika e Krushevës( 1903), ASNOM- i (1944) dhe Kushtetuta e  Maqedonisë(1974).

Dy, se ata jetojnë në trojet e veta etnike dhe janë popull autokton në ato troje;se ata i veçon kompaktësia e tyre etnike, territoriale,historike,kulturore dhe gjuhësore;se ata në trojet e veta etnike janë popull shumicë dhe se ata nuk mund të trajtohen si “pakicë kombëtare”:as për nga numri i popullsisë së përgjithshme, as për nga shkalla e vetëdijës dhe as për nga zhvillimi shpirtëror dhe kulturor i tyre.

Tre, se shqiptarët në Maqedoni përbëjnë një grup të shquar etnik dhe vetëdija e tyre mbi përkatësinë asaj  bashkësie të vjetër etnike nuk mund të injorohet njëanshëm.

Shqiptarët që jetojnë në Jug të Serbisë që, në fakt, përbën Kosovën Lindore, sistematikisht janë të rrethuar me represionin dhe dhunën e pushtetit serb. Represioni dhe dhuna e pushtetit serb në komunat shqiptare (Preshevë, Bujanoc e Medvegjë), janë rritur në mënyrë të veçantë pas artikulimit të kërkesave të shqiptarëve  për autonomi politiko –territoriale të tyre, me të drejtë bashkimi me Kosovën. Kjo kërkesë e tyre u shpreh nëpërmjet një referendumi të mbajtur me 1 e 2 mars 1992.Regjimi serb shqiptarët e këtyre trevave asnjëherë nuk i ka trajtuar si subjekt të rëndësishëm politik në mënyrë që të përfillë kërkesat legale dhe legjitime të tyre.Përkundrazi, ka shuar me represion dhe me dhunë çdo përpjekje të shqiptarëve për avancimin e pozitës politike e kombëtare të tyre, edhe pse ata, në fakt, përbëjnë shumicën e popullsisë në ato territore. Pretendimet e Serbisë për të mbajtur “nën pushtim” Kosovën Lindore nuk mund t’i qëndrojnë kohës sepse, më  në fund, komunat shqiptare të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës “ i janë bashkëngjitur Serbisë” në kohë paqeje, e jo si pasojë lufte.E drejta e popullit për vetëvendosje nuk konsumohet me një herë.Shqiptarët e Kosovës Lindore gjithnjë e më shumë po theksojnë përkushtimin e tyre për t’i  (ri)lidhur fatet me Kosovën, duke mos e konsideruar Serbinë, as si shtet të vetin dhe as si “ombrellë sigurie” për të ardhmene e tyre. Serbia, në të vërtetë, është sjellur dhe vazhdon të sillet armiqësisht ndaj shqiptarëve etnikë dhe ky fakt përbën thelbin e krizës në marrëdhëniet e shqiptarëve dhe të serbëve dhe e bën shumë të themeltë kërkesën e tyre për t’ iu (ri)kthyer etnisë së vet.Madje, madje, kërkesën e shqiptarëve  për t’u bashkuar me Kosovën nuk duhet konsideruar si vetëm dhe kryesisht, kundërpërgjigje të tyre represionit dhe dhunës që kanë ushtrua dhe vazhdojnë të ushtrojnë serbët mbi ta, por si e drejtë legale dhe kombëtare e tyre, e mbështetur në parimin e vetëvendosjes, të prononcuar edhe në të drejtën ndërkombëtare, si faktori më përcaktues për fatet dhe të ardhmen e popujve të rrezikuar.

Me gjithë ca nismave që janë ndërmarrë për të përmirësuar pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi, ata vazhdojnë të trajtohen si qytetarë të rendit të dytë dhe të jenë të privuar nga liritë dhe të drejtat kolektive kombëtare.E kaluara e shqiptarëve në këto troje ishte e hidhur, po sikurse që mbetet denigruese pozita e tashme kushtetuese – juridike  e tyre, ndërkohë që pushteti malazias shtihet i shurdhër për shumë kërkesa legale dhe të ligjshme të shqiptarëve për emancipimin qytetar e kombëtar të tyre, kështu që ata përherë ndihen të diskriminuar në raport me malaziasit. Përfaqësimi i shqiptarëve në pushtet dhe në jetën publike përgjithësisht është fare i pakonsiderueshëm.Duke u nisur nga fakti se ata jetojnë në trojet e veta etnike, në një rrip të pandërprerë territorial me shqiptarët e tjerë në Ballkan, nuk mund të injorohet kërkesa e vazhdueshme e tyre për ndryshimin e statusit kushtetues të tyre në mbarë republikën, veçanërisht për zgjerimin dhe forcimin e pushtetit lokal në trevat ku përbëjnë shumicën e popullsisë, po sikurse që nuk mund të injorohet as e drejta e tyre për vetëvendosje, në kushtet dhe rrethanat, që mund t’i krijojë e ardhmja e Ballkanit dhe e popujve që jetojnë në të.

Kapitull më vete paraqet çështja çame, e cila përmendet ndonjëherë ”sa ndërgjegjë për të larë”.Prania e shqiptarëve në Greqinë fqinje është shumë e hershme.Shqiptarët etnikë banojnë prej mijëra vjetësh në trojet e tyre, të cilat janë në vazhdimësi të pandërprera me territorin e Shqipërisë dhe të cilat kanëe qenë për mijëra vjet pjesë përbërëse e territorit shqiptar, pavarësisht nga kufijt që u vendosën në vitin 1913.Cështja çame mbetet e hapur, por e paaktualizuar, as sa duhet dhe as si duhet nga shteti shqiptar.Ka mbetur i pazgjidhur problemi i pronave të shqiptarëve në Camëri, po sikurse që ka mbetur i pazgjidhur problemi i njohjes, në shkallë të kënaqshme, i të drejtave dhe lirive kombëtare të shqiptarëve që jetojnë aty. Cështja çamë kërkon trajtim politik. Ky është thelbi i problemit.”Cështja çame është përdorur për pazare politike me qëllim krijimin e një stabiliteti ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë”. Qeveria e Shqipërisë po e neglizhon këtë çështje. Nuk ka dyshim se çështja çame mbetet njëra “nga pikat kyçe” , nga ato pika që “mbajnë pezull“ marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy vendeve. Përfundimi është iu qartë: “nuk mund të ketë marrëdhënie të mira ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, nëse nuk zgjidhet çështja çame”: kthimi i çamëve në tokat e tyre, e drejta e pronës dhe të gjitha të drejtat e tjera që burojnë nga dokumentet e së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

 

 

Shqipëria

 

 

 

 

Shqipëria po kalon nëpër një periudhë në të cilën konsolidimi i rendit demokratik dhe ndërtimi i shtetit ligjor paraqesin detyrë mbi detyrat. Shqipëria duhet të kalojë prej “demokracisë së qeverisur” në “demokracinë qeverisëse”. Për këtë qëllim, në Shqipëri duhet të vëhet në veoprim një katërkëndësh, në çdo kënd të së cilit do të duhej të vendoseshin koha, shteti,populli dhe qeveria. Sipas një aforizmi të vjetër, koha është, shprehur në mënyrë figurative, deti; shteti është anija; populli është era, ndërsa qeveria është vela.Shqipëria është para mundësisë  që “të korrigjojë të kaluarën”.Një porosi duhet mbajtur para vetës: është shumë më mirë të korrigjosh së pari, se të gabosh së dyti.Shqipëria ka edhe një detyrë të shenjtë : të interesohet për fatet e shqiptarëve kudo që janë të shpërndarë dhe “ta mbajë gjallë” synimin shekullor të tyre për të jetuar bashkë.Zhvillimet në Kosovë dhe në segmentet e tjera të veçuara të çështjes shqiptare, Shqipëria “nuk mund dhe nuk duhet t’i vendosë” në “kallëpe të thjeshta e të përdorura politike”.Nuancat më të reja të zhvillimeve politike, veçanërisht në Kosovë dhe rreth saj, kërkojnë prej Shqipërisë “pozicionime më të zhdërvjellta, duke e qëruar strumbullarin e politikës shqiptare nga nyjat e lëkurat e panevojshme që janë ruajtur për shumë kohë”.

 

 

 

 

 

Cfarë mund të bëjmë dhe çfarë duhet të bëjmë?

 

Kemi para vetëës shumë detyra për të cilat duhet të përcaktojmë edhe rendin, edhe procedurat, edhe bartësit, edhe afatet për përmbushjen e tyre.

Duhet të mblidhemi rreth një qëndrimi që të mos miratojmë kërkesa për sakrifikimin e interesit kombëtar “për hir të paqes ballkanike”, ndërkohë që në zhvillimet e dekadës së fundit në Evropën Juglindore jemi parë si “pjesë e krizës së përgjithshme” dhe si “shkaktarë të jostabilitetit dhe kërcënim potencial të paqes dhe zhvillimit në Ballkan”, edhe pse c’është e vërteta, shqiptarët, edhe në fundshekullin e kaluar dhe në fillim të këtij shekulli, po përballen me mungesën e pavarësisë politike në hapësirën e tyre etnike dhe se kanë shtetin e tyre që përfshin më pak se gjysmën e popullatës shqiptare në Ballkan.Prandaj, politika dhe diplomacia shqiptare duhet të hulumtojnë dhe të gjejnë udhët për kundrimin dhe shtruarjën e çështjes së pazgjidhur shqiptare si një dhe të bashkuar.Cështja shqiptare ende nuk cilësohet dhe nuk njihet si çështje e një populli dhe një kombi të ndarë padrejtësisht.

Atomizimi i çështjes shqiptare është një pozicion politik që ka mbajtur Evropa në të kaluarën e shqiptarëve.Sot ka përpjekje të Evropës për të bërë një, të thuash, korrigjim me rastin e Kosovës dhe njohjes së pavarësisë eventuale të mbikëqyrur të saj,  por nuk do të dëshironim që drejtësia e vonuar të na dalë “drejtësi e cunguar”.

Shpërbërja e ish-Jugosllavisë nxori në pah çështjet e pazgjidhura kombëtare në këtë pjesë të Evropës, e veçanërisht nxori në pah çështjen e pazgjidhur të kombit shqiptar.Cështja shqiptare kërkon përfillje adekuate ndërkombëtare, me përgjegjësi të plotë historike e politike të qendrave ndërkombëtare të vendimmarrjes : “kërkon vetëdijësimin e plotë ndërkombëtar për pozitën kombëtare të shqiptarëve sot dhe për falsifikimin e historisë së tyre nga pushtuesit fqinjë”.

Përkundër angazhimit të deritashëm, ende nuk i kemi thënë dhe nuk i kemi dhënë Evropës  të vërtetën tonë historike dhe nuk kemi argumentuar të drejtën tonë për vetëvendosje, të ligjshme politikisht dhe juridikisht.Kjo do të duhej të ishte komponentja nisësë e çdo argumentimi dhe faktimi të problemit të Kosovës dhe të shqiptarëve sot, pra edhe e çdo analize e shqyrtimi për të.Argumentimi dhe faktimi i kësaj të drejte të shqiptarëve është i nevojshëm dhe i rëndësishëm, për shkak të aplikimit të standardeve të dyfishta në lidhje me të nga ana e bashkësisë ndërkombëtareAjo në njërën anë përligj ndryshimin e kufijve me dhunë e gjenocid në mjediset heterogjene etnike dhe, nga ana tjetër, mohon vetëvendosjen e shqiptarëve në hapësirën e tyre homogjene  etnike.

Vetëm me një angazhim më të madh në pëhjapjen e së vërtetës mund të llogarisim se bota, më në fund, do të mësojë realitetin e Shqipërisë Etnike( më drejtë Natyrale), e cila veçanërisht në qarqet serbe, paraqitet si “Shqipëri e Madhe”.Sintagma “Shqipëri e Madhe”nuk paraqet një doktrinë të shqiptarëve, siç paraqesin, për shembull, “Naçertanija”serbe dhe “Megalideja” greke.

Shqiptarët, në të ardhmën e tyre, nuk kanë pretendime përtej hapësirës së tyre etnike.Këto pretendime nuk i kishin as në të kaluarën. Kjo provohet me faktin se ata asnjëherë nuk ishin pushtues. E kundërta po. Ata qenë dhe vazhdojnë të mbahen të pushtuar.

Opinionit ndërkmbëtar duhet vazhdimisht t’ia bëjmë me dije se:

e para, Kosova “administratvisht, në mënyrë të imponuar”, u bë “pjesë e Serbisë”, ndërsa “shpirtërisht e mendërisht ajo ka qenë gjithë pjesë e Shqipërisë”;

e dyta, Kosova, një prej katër vilajeteve shqiptare, “u kthye në një territor të pretenduar mes shqiptarëve dhe serbëve” që prej Kongresit të Berlinit më 1878, kur ajo, më një vendim të Fuqive të Mëdha Evropiane “u la brenda të shtetit të saponjohur të Serbisë”;

e treta, me vendim të Fuqive të Mëdha Evropiane viset shqiptare iu dhanë edhe Malit të Zi dhe Greqisë;

e katërta, konjukturat ndërkombëtare, deri më sot, nuk e vranë mendjen për t’iu këthyer shqiptarëve padrejtësinë e bërë;

e pesta, rrethanat e reja të krijuara në Evropë sollën “kërkesën e moderuar” të shqiptarëve për pavarësinë e Kosovës, duke menduar kështu se ky opsion do të gjente “mbështetjen ndërkombëtare”.Ky kompromis i shqiptarëve nuk u kuptua nga serbët.

Cështja e Kosovës “u vështërësua institucionalisht” që kur bashkësia ndërkombëtare atë e konsideroi si çështje mes shqiptarëve të Kosovës dhe Serbisë, madje të dy palëve serbe: të serbëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë.Këtu qëndron difekti parë.

Difekti dytë është që bashkësia ndërkombëtare “hapi bisedime” mes palëve, edhe vetë e ndërgjegjshme se nuk do të arrihet asnjë rezultat prej tyre.

Difekti tretë është që, nëse veç janë hapur bisedimet, pse “të përjashtohet Shqipëria si palë në to”?  Pavarësia e Kosovës “do të mund të kuptohej si kompromis” vetëm me atë kusht.

Difekti katërt është se bashkësia ndërkombëtare është përpjekur të gjejë zgjidhjen

Nëpërmjet formave “të lidhjeve të Kosovës me Serbinë”, në vend se të mendojë për lidhjet e mundshme “mes Kosovës dhe Shqipërisë”. Në këtë mënyrë “do të mund të sigurohej” një shkallë më e lartë e ekuilibrit rajonal që, qoftë në të ardhmën më të afërt ose më të largët, do të duhej të vendosej në Ballkan.

Angazhimi ynë ende nuk është në përputhje me detyrat që kemi për të avancuar statusin e kombit tonë. Ndryshimi në mes asaj që po bëjmë për çështjen tonë dhe asaj që jemi në gjendje të bëjmë për çështjen tonë ende është shumë i madh.Nuk ka dyshim se “është më lehtë të mbash fjalime, se të mbash fjalën”.Ne shqiptarët mbajmë shumë fjalime, premtojmë, zotohemi, ama rendimentet tona janë ende shumë të ulta.

Duhet të ecim nëpër një proces të konsoldimit të brendshëm kombëtar.Kjo nuk përbën vetëm një detyrë, por edhe një borxh kombëtar që duhet paguar.

Veprimi i parë që do të duhej të bënim ne shqiptarët sot është që të ndryshojmë raportet nëpër të cilat kemi kaluar deri më tash.Jemi sjellur dhe vazhdojmë të sillemi në mënyrë komode përballë çështjes sonë të pazgjidhur kombëtare, sikur, siç shprehem ndonjëherë, të ishim gjashtë popuj dhe të kishim gjashtë çështje..

Veprimi i dytë që duhet të bëjmë është që të bashkohemi në projekte kombëtare që do të thotë : të ulemi në sofra kombëtare, përpara se të bisedojmë në tryeza ndërkombëtare.

Sot përballemi me pyetjen: a duhet të pëlqejmë atë që kemi, nëse nuk kemi atë që pëlqejmë? Paraprakisht, duhet t’i përgjigjemi pyetjes: Si “të ecim bashkë të ndarë”?

Një gjë është e sigurt: do të mund të mposhtemi vetëm nëse do të na mungojë qëndresa e përbashkët.

Trauma e çështjes shqiptare ishte përherë “kornizmi i zgjidhjes së çështjes që e kanë imponuar Fuqitë e Mëdha”.Edhe vendimi eventual për “pavarësi të mbikëqyrur të Kosovës”, i projektuar nga Ahtisaari, nuk i shpërthen kornizat e zgjidhjes së çështjes së Kosovës,që imponojnë Fuqitë e Mëdha. Edhe kësaj rradhe, për Kosovën, të shprehem figurativisht, edhe tekstin, edhe muzikën, edhe aranzhmanin, po e bëjnë të tjerët.

Shumë shpejt do të ballafaqohemi me pyetjen tjetër: Cka pas?

Pa i zbërthyer, po përmend disa nga detyrat që do të dalin para nesh.

Së pari, veprim i harmonishëm  yni.

Së dyti, vendosje e tërësisë së çështjes me një tryezë.

Së treti, vështrimi kritik i udhës së kaluar.

Së katërti, projektimi i qartë i së ardhmes, me kalimin nga spektatorë në farkues të fatit tonë.

Së pesti, mbledhje e potencialit shumë të madh krijues kombëtar, shkrirje e tij dhe ecje në drejtimin e duhur.

Cila do të mund të ishte qasja?

Një, çështja shqiptare u takon të gjithë shqiptarëve, prandaj me të do të duhej të merreshin të gjithë shqiptarët.

Dy, padyshim se përgjegjësinë më të madhe e ka dhe duhet ta ketë Shqipëria dhe ajo do të duhej të vëhej në “ballë të detyrës”, nga spektator të shndërrohet në aktor.

Tre, angazhimi i shqiptarëve do të duhej të fokusohej në ruajtjen e jashtme të tërësisë së çështjes, duke mos miratuar çelnikosjen e pjesëve të copëzuara të saj me zgjidhje të pjesshme.

Katër, përcaktimet dhe zgjidhjet e pjesshme të çështjes, përfshirë aty edhe çështjen e Kosovës, do të duhej, nga shqiptarët, të kualifikoheshin dhe trajtoheshin si kaluese dhe të merren përgjegjësitë nga bartësit e tyre që të mos lejojnë invalidimin për jetë të tërësisë së çështjes ose edhe ndalimin  e saj.Nuk mund t’ i qëndrojnë gjatë kohës qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare për moslejimin e bashkimit të pjesëve të popujve dhe të popujve. Kosova është shkëputur nga tërësia, po fatet e saj ndërlidhen me fatet e tërësisë : tërësia varet prej saj.

Në qasje duhet të theksohet edhe një fakt tjetër, shumë i rëndësishëm.Pa nënçmuar kontributin shumë të çmueshëm të bashkësisë ndërkombëtare, SHBA-ve, NATO-s dhe BE-së, duhet të kemi parasysh se nuk mund të amnistohemi nga përgjegjësia për të nesërmen tonë për të cilën po vendoset sot.E theksojmë këtë  që të jemi shumë të kujdesshëm për veprimet tona të mëtejshme, në mënyrë që, siç thuhet ndonjëherë figurativisht, duke “i hequr vetullat, të mos i heqim edhe sytë”.

Sot po shkruhet një histori e re e popullit shqiptar.Eshtë histori të shkruash historinë me dorën tënde. Të gabosh, e të mos korrigjohesh, do të thotë të gabosh, me të vërtetë.

Pas 500 vjetësh “Lepe pekej, Abej”; pas afro 100 vjetësh “Razumem druzhe”; pas afro 10 vjetësh “Yes sir”, shqiptarët duan që, përfundimisht të kalojnë në :”Po, zotëri”.Ata e kanë këtë të drejtë, duhet të angazhohen  për të dhe do ta fitojnë,por para vetës duhet të mbajnë një numër porosish.

Me disa porosi për shqiptarët edhe po e mbyll fjalën time.

Të bashkuar, edhe të pamundshmën, e bëjmë të mundshme; të ndarë të mundshmën e bëjmë të pamundshme.

Të veprosh i pabashkuar është njëjtë sikur të bashkohesh pa vepruar.

Duaje tëndin.Të armiqësohesh me tëndin, është njëjtë sikur t’i vësh zjarrin shtëpisë sate.

Të presësh bukën që po piqet kërkon, më së paku, kujdesin që të mos digjet.

Asnjëherë nuk ndërtohet më mirë me duart e huaja se sa me duart  e tua.

(Fjalë e mbajtur në Kongresin e Dytë të Lidhjes Shqiptare në Botë, të organizuar në Tiranë, më 27 e 28 tetor 2007).