Edhe 28 Nëntori 2007, 95 vjet prej Pavarësisë së Shqipërisë,  i gjeti shqiptarët  të pjesëtuar për gjashtë; edhe përkundër disa zhvillimeve, veçanërisht në disa segmente të saj, i gjeti të pamobilizuar për t’i bërë realitet objektivat kombëtare; i gjeti pa një strategji të ndërtuar për t’i shfrytëzuar rrethanat e kohës për t’iu qasur seriozisht realizimit të aspiratës shekullore për të jetuar i bashkuar.

Edhe këtë 28 Nëntor, shqiptarët u ballafaquan me pyetjen: a munden, pa jetuar bashkë, të veprojnë si një “tërësi unike”?

Dy detyra, shtrohen, si të ngutshme:

E para, si ta rrisin, në shkallë më të lartë, komunikimin e ndërvetshëm.

E dyta, si ta zgjerojnë shkallën e bashkëpunimit dhe të këmbimit të vlerave, veçanërisht të atyre “të cilat janë dëshmuar si të mira dhe të dobishme për kombin”.

Fusha e integritetit shpirtëror e kulturor shqiptar do të mund t’ ishte shtysja dhe paraprijësja e integritetit të përgjithshëm, madje dhe themeli i tij.

Nëpërmjet integritetit shpirtëror dhe kulturor shqiptar bëhet shpërthimi i kufijve gjeografikë të hapësirës shqiptare. Ndryshe, nëse kanë  program kombëtar, sado jo në një dokument të vetëm, shqiptarët ndiejnë nevojën për një plan strategjik në të cilin do të projektoheshin mundësitë, rrugët dhe kahet e avancimit të çështjes shqiptare deri në zgjidhjen e drejtë dhe të plotë të saj.Ai plan do të duhej të përfshinte fushat ekonomike, politike, kulturore, arsimore, shkencore, informative dhe shumë fusha të tjera.

(Ri)shkrimi i historisë është një punë së cilës duhet patjetër t’i përvilën shqiptarët sot.Ata nuk duhet të harrojnë se në historiografinë serbe, historia e tyre është paraqitur “e shkëputur dhe e përndarë në kuadër të shteteve që kanë sunduar në trojet shqiptare dhe në kuadër të marrëdhënieve të shteteve që kanë sunduar në trojet shqiptare dhe në kuadër të marrëdhënieve të shqiptarëve me sllavët e Jugut”.

Në të ardhmen e tyre, shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen që, jo vetëm të mendojnë, por edhe të shprehen dhe të veprojnë, si një popull dhe si një komb politik.Prandaj, konsolidimi kombëtar u duhet që të mos u përsëritet e kaluara e hidhur. U duhen qëndrime të përbashkëta për çështje të përbashkëta. Ata duhet ta ndiejnë nevojën që të funksionojnë si një tërësi kombëtare, prandaj edhe energjinë e tyre krijuese do të duhej ta shpenzonin dhe ta shteronin në rrafshin kombëtar, në projekte gjithëkombëtare.

Dita e djeshme i bashkoi shqiptarët, pavarësisht nga ideologjitë, krahinat dhe konfesionet.Dita e djeshme shënoi “ditën e (ri)këndelljes kombëtare” të shqiptarëve për të marrë përsipër përgjegjësinë për të ardhmen e kombit, në kohën kur po vendoset për fatet e njërit nga përbërësit më të rëndësishëm të çështjes, për fatet e Kosovës, por edhe të shqiptarëve përgjithësisht.

Shqiptarët duhet të ecin nëpër një proces të konsolidimit të brendshëm kombëtar.Kjo nuk është vetëm detyrë, por  është edhe një borxh kombëtar, të cilin ende nuk e kanë paguar. Prandaj, angazhimi i tyre për ta kundruar dhe për ta shtruar çështjen shqiptare si një dhe të bashkuar, duhet të bëhet kryefjalë e mendimit politik të tyre sot. Ata gjithnjë e më shumë duhet të përhapin qëndrimin se nuk kanë pretendime përtej hapësirës së tyre etnike, po sikurse që duhet të përhapin të vërtetën se ata dje, në të vërtetë, festuan një ëndërr, e jo një realitet, sepse Konferenca e Londrës( 1913) për shtet shqiptar njohu Shqipërinë aktuale, ndërsa shqiptarët e tjerë dhe tokat e tjera shqiptare i përdori ose “për të formuar shtete artificiale”, si Maqedonia dhe Mali i Zi, ose “për të zgjeruar të tjera”, si Serbia dhe Greqia.Prandaj, përgjatë afro një shekulli, shqiptarët “festojnë” ditën e shtetit shqiptar, kombëtarisht të cunguar.

Kohët po ndryshojnë. Edhe shqiptarët duhet të ndryshojnë, në vend të ëndrrës duhet t’i kthehen realitetit. Duhet t’ia bëjnë me dije botës të vërtetën për të ashtuquajturën “Shqipëri Natyrale”.Duhet t’ia komunikojnë botës se nuk ekziston ndonjë doktrinë e “Shqipërisë së Madhe”, siç ekzistojnë, për shembull, “Naçertanija” serbe dhe “Megalideja” greke që, ç’është e vërteta, paraqesin doktrina tipike të “Serbisë së Madhe” dhe të “Greqisë së Madhe”, ndërkohë që programet politike të shqiptarëve për bashkimin kombëtar “nuk kanë asgjë të përbashkët me to”. Politika e bashkimit kombëtar, për asnjë komb tjetër nuk është quajtur dhe nuk quhet “shtetomadhe”, përveç se për shqiptarët.

Edhe ky 28 Nëntor u dërgon një porosi shqiptarëve : që të angazhohen për krijimin e kushteve për t’u bashkuar me një zë: si një popull dhe si një komb, në kohën kur ata, nga njëra anë, po rriten si popull dhe, nga ana tjetër, po tkurren si komb, bashkë me vërejtjen se duhet të jenë të ndërgjegjshëm për ndërlikueshmërinë e proceseve politike që po zhvillohen në hapësirën shqiptare; për ndërlikueshmërinë e shkaqeve që shkaktojnë ato procese dhe për ndërlikueshmërinë e veprimeve që duhen të ndërmirren.