Bashkë me urime për fitorën e partisë së tij, Thaçit i arritën  edhe shumë  “selame” nga Evropa:

e para, “që të jetë i përgjegjshëm” dhe,

e dyta,  “që Kosova të mos bëjë deklarimin e pavarësisë në mënyrë të njëanshme, pa koordinim me 

bashkësinë ndërkombëtare”.


Si përgjigje në “selamet e Evropës”, Thaçi “siguroi” Bashkimin Evropian se “çdo vendim i Kosovës do të 

koordinohet me bashkësinë ndërkombëtare”.

Cfarë, në të vërtet, “e porositi Evropa  Thaçin”?

“Selamin” e parë ia dërgoi Luis Amado, Ministër i Jashtëm  i Portugalisë dhe jo rastësisht ai, sepse 

Portugalia është kryesuese e Bashkimit Evropian.Ai “sugjeroi” që “të pritet deri në minutën e fundit” 

para se “të vendoset  për pozicionin e përbashkët të BE-së”, duke vënë në dukje se “Kosova është 

çështje e rëndësishme e stabilitetit të Evropës” dhe se “BE-ja nuk mund ta injorojë këtë çështje”.

“Selam” më vete Thaçit i dërgoi Karl Biltd, Ministër i Jashtëm i Suedisë: ”që duhet të di dallimin në 

mes të qenit në opozitë dhe të qenit një kryeministër i përgjegjshëm” dhe “që Evropa dëshiron” që ai 

të jetë “një kryeministër i përgjegjshëm”.

Po veçojmë edhe “selamin” e tretë që, përnga përmbajtja do të duhej të vendosej në vendin e parë, që 

vjen nga Ministri  për Evropën i  Britanisë së Madhe, Jim Murphy: që “është detyrë dhe përgjegjësi e 

shteteve evropiane që të menaxhojnë një rezultat të duhur të koordinuar të pavarësisë së Kosovës , e 

jo të kërkojmë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ta zgjidhin këtë problem për ne”.

Për ata që “kuptojnë nga diplomacia” këtu është “çelësi i problemit” të Kosovës.Evropa nuk “e thotë 

haptas” atë që “botërisht” kuptohet: jemi ne, e jo Shtetet e Bashkuara që “do të vendosim çështjen e 

Kosovës.

Se çfarë, në të vërtetë, mendon  të bëjë Evropa në lidhje me përcaktimin e statusit të ardhshëm të 

Kosovës, duket sheshit.

Në këtë mënyrë, Kosova është gjendur ndërmjet “premtimeve amerikane” për “pavarësi të mbikëqyrur” dhe 

“rezervave evropiane” ndaj saj; ndërmjet deklarimeve, disa muaj më parë, të presidentit amerikan se 

“Koha është tani” dhe prononcimeve të tashme të Bashkimit Evropian se “deklarimi i njëanshëm i 

pavarësisë”, në të vërtetë, Kosovën “do ta pavarësojë nga bashkësia ndërkombëtare”.

Eshtë evidente se ka një përpjekje të Evropës për “tretjen e pavarësisë” dhe të “ndikimit amerikan”.

Paralajmërohet që edhe  në propozimet e treshës ndërmjetësuese për Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së 

“të heshtet” çështja e  statusit.

Një konkluzion në lidhje me të adhmen e Kosovës sikur shpërthen në sipërfaqe.Një “klimë për pavarësinë 

e Kosovës” ishte më e volitshme përpara disa muajsh se që është tani.Një kohë për “një deklarim të 

Kosovës” që do “ta vënte para aktit të kryer edhe Bashkimin Evropian” është humbur dhe kjo i ka 

siguruar Bashkimit Evropian “një komoditet” që tash “të heshtë” atë për të cilën sikur, më parë, shumë 

angazhohej dhe zotohej. Ky qëndrim i tij i tashëm, më  së paku edhe për një kohë, statusin e Kosovës 

“e nxjerr nga loja”.   

Ajo që, krahas me këtë, nuk do të duhej të ndodhte, në asnjë mënyrë, është “nxjerrja nga loja” e 

ndikimit amerikan.Nëse kjo do të ndodhte, atëherë pasojat për të ardhmen e Kosovës do të mund të ishin 

jo vetëm të dëmshme, por edhe të pariparueshme.

Edhe pas takimeve të fundit të Treshës ndërmjetësuese, më parë në Beograd, e më pastaj edhe në 

Prishtinë, u pa qartë se ata që “kërkonin pajtim në mes të palëve”, nuk kanë arritur “të pajtohen” mes 

vete.Treshja mbetet e ndarë rreth vazhdimit të negociatave. Përfaqësuesi rus në Treshën 

ndërmjetësuese, Botsan – Kharchenko, shprehet se “ende ka hapësirë për kompromis”. Kjo shprehje e tij 

korrespondon me mendimin e  Beogradit se “negociatat për statusin e Kosovës ende nuk kanë marrë fund” 

dhe kërkesën e tij që Treshja ndërmjetësuese, në raportin për Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, “të 

mos e shpall procesin negociator si të përfunduar”.

Siç është paralajmëruar, raporti i Treshës ndërmjetësuese do të shqyrtohet në seancën e Këshillit të 

Sigurimit të OKB-së, më datë 19 dhjetor 2007.Sado që parashikimet nuk janë shumë të falënderueshme, 

nuk është për të pritur se më 19 dhjetor 2007 do të merret ndonjë vendim përcaktues për statusin e 

Kosovës në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.Më shumë mund të pritet një “orientim i 

mëtejshëm i procesit” që, vetvëetiu, do të shërbente si një “blerje e re e kohës” për bashkësinë 

ndërkombëtare dhe qendrat vendimmarëse të saj, që “të bashkohen” rreth një “përcaktimi të 

përbashkët”.Prandaj, po sikurse që pas 10 dhjetorit, do të pasojë 11 dhjetori 2007, pa ndonjë 

rezultat, ashtu do të ndodhë edhe pas 19 dhjetorit:do të pasojë 20 dhjetori 2007.

Në këtë mënyrë, Kosova do të hyjë në një periudhë të re vonimi, stagnimi dhe paqartësie.

Me gjithë deklarimet e zyrtarëve të lartë të bashkësisë ndërkombëtare se ajo “po bën” gjithë atë “që 

mund të bëjë” rreth përcaktimit të statusit të ardhshëm të Kosovës, janë evidente “të çarat brenda 

saj” që atë po e bëjnë “të pafuqishme” që “t’ shtrëngojë dhëmbët” dhe të dalë me një “vendim 

konsensual”.Reflektorët e bashkësisë ndërkombëtare po “zbehen” gjithnjë e më shumë, ndërkohë që 

shqetësimet në Kosovë janë në rritje.Kjo “odisejadë” do të zgjasë për derisa në bashkësinë 

ndërkombëtare verdikti i popullit shqiptar nuk do të përfillet si përcaktues dhe për derisa, vazhdojnë 

“investimet joekonomike” të saj  për “të pajtuar”të “papajtueshmit”.

E gjithë kjo gjendje e krijuar rreth Kosovës dhe të ardhmes së saj është pasojë e mosvalorizimit të 

drejtë, nga ana e bashkësisë ndërkombëtare,  të çështjes së Kosovës : si çështje  e vetëvendosjes.

E kemi thënë edhe me një rast tjetër: për Kosovën nuk mund të ketë dy të vërteta dhe dy bindje që, më 

së miri mund të shprehet në aforizmin se “Aty ku faktin flasin vetë, fjalët bëhen të panevojshme” .