Opinion

Diagnostifikimi

Nëse do të bënim një “listë veprimesh” që kanë ndodhur në Veriun e Kosovës prej përfundimit të luftës në Kosovë deri më sot dhe nëse do të përpiqeshim që të gjejmë një “emërues të përbashkët të tyre” nuk do të mund të anashkalonim gjykimin se ndaj atyre veprimeve institucionet e Kosovës kanë “reaguar ashpër”, ndërkohë që ndërkombëtarët ato “i kanë miratuar me heshtje”. Fjalori i tyre edhe sot, ndaj veprimeve më të fundit në veriun e Kosovës,  mbetet i njëjtë.

 


Origjina e problemit

Veprimi i parë i dëmshëm për Kosovën dhe të ardhmen e saj në pjesën veriore të Kosovës kishte  ndodhur me “legalizimin e heshtur të ndarjes” së Mitrovicës , me rastin e vendosjes së trupave ndërkombëtare. Përdorimi i papranueshëm, nga ana e KFOR-it, “pjesa serbe” dhe “pjesa shqiptare” e Mitrovicës, ishte veprimi i parë që “fliste vetvetiu” dhe që “trasonte një udhë” në të cilën asnjëherë më parë Kosova nuk kishte kaluar .Qysh atëherë çështja e Mitrovicës( dhe e veriut të Kosovës) u kërcënua me rrezikun e “ndarjes faktike”, për shkak se “u lejua” që nga një problem i paqenë, të krijohet një problem përmasash rajonale dhe ndërkombëtare.

Bashkësia ndërkombëtare, me vendosjen e trupave në veriun e Kosovës, duke mos i larguar forcat serbe nga ato zona, por duke lejuar enklavizimin e tyre, në mënyrë të heshtur, inkurajoi ndarjen.Deklarimet e tashme të saj dhe të zyrtarëve të saj se “nuk do të lejojmë ndarjen”, në kohën kur ndarja është bërë një gjendje faktike, janë shumë irrituese dhe aspak premtuese dhe shpresëdhënëse për të ardhmen ndërkombëtare të Kosovës. Shumë analistë ndërkombëtarë shprehen se “nëse ndodhë pavarësia e Kosovës” , nuk ka gjasa që veriu i Kosovës “të integrohet  në pjesën tjetër të saj”.

“Ndërhyrjet e Serbisë” në Kosovë

“Para syve” të bashkësisë ndërkombëtare dhe me “miratimin e saj” ndodhën shumë veprime që pretenduan “ndërhyrjet e Serbisë” në Kosovë.

Bashkësia ndërkombëtare nuk u prononcua ndaj preambulës së një dokumenti që mëtonte të ishte një akt i përbashkët kushtetues i Serbisë dhe Malit të Zi dhe të rregullimit të ardhmenisë së tyre, me apastrofimin e “Kosovës e Metohisë” brenda asaj krijese, ndërsa ky akt “nuk i trembte fare” institucionet e Kosovës.

Konstitucionalistët serbë e malazias “logjikuan” mbi bazën e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së e cila “niset nga ruajtja e integritetit territorial të Jugosllavisë”, pa vra mendjen se ai shtet nuk ekzistonte më, as si nocion politik dhe as si nocion gjeografik. Përveç saj, Serbia dhe Mali i Zi,”u patën marrë vesh”  se në rast të shpërbërjes së krijesës së re shtetërore që pretendonin ta krijonin  këto dy republika, “trashëgimia” e Rezolutës 1244 të “bartet” tek Serbia, një pikëpamje pa mbështetje, as logjike dhe as konstitucionale- juridike .Injorohej fakti se Kosova paraqiste, po sikur që paraqet edhe sot, një entitet nën Administrimin e Përkohshëm Civil Ndërkombëtar, një subjekt të vetvetës, sado që ende të panjohur, një entitet nacional dhe social-politik, me një identitet dhe individualitet të pamohueshëm. Injorohej edhe fakti tjetër se Kosova, me asnjë akt të vetin dhe në asnjë mënyrë, nuk kishte  marrë pjesë në krijimin e Federatës Serbi-Mali i Zi.. Më në fund, injorohej edhe fakti se Kosova, vetvetiu, profilizohej si “territor i gjerë me individualite të fuqishëm demografik, politik dhe kombëtar, fakt ky që ”në transfersalën e tij makro-etnike, territorin e Kosovës e dallonte dhe e ndante plotësisht nga territori i Kosovës”.Përfundimi logjik dhe konstitucional – juridik ishte se “nuk kishte  asnjë ligjësi objektive” që dy individualitete të veçanta etniko- territoriale, Serbia dhe Kosova, tërësisht të ndryshme, “për nga kompozicioni etnik i tyre”, të vëhëshin në “një pushtet njëetnik”.     

Me gjithë këto fakte, serbët vazhdonin  me  veprimes tjera me qëllimin që “ta kthenin  kontrollin mbi Kosovën”.Po përmendim disa nga ato veprime.

“Para syve” të bashkësisë ndërkombëtare dhe me “miratimin e saj” u lejua certifikimi i partive politike, me “seli në Serbi”, për pjesëmarrje në “zgjedhjet në Kosovë”.

“Para syve” të UNMIK-ut dhe me “miratimin e tij”, u lejua që serbët e Kosovës “të merrnin  pjesë” në “zgjedhjet presidenciale në Serbi”.      

Edhe kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për vendosjen e decentralizimit etnik dhe asimetrik në Kosovë u  bënë  pjesë  e përpjekjeve të saj  “për ta vështruar dhe për ta shtruar”çështjen e Kosovës në rrafshin e rajonalizimit të saj, po sikurse që kërkesat e serbëve të Kosovës “për të konsultuar Beogadin zyrtar” u bënë pjesë e përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare për “të dëshmuar” se jeta institucionale në Kosovë “nuk mund të ndërtohet” pa “lejën e tij”.

Serbët e Kosovës, “me sy e veshë nga Beogradi”, me planet për decentralizimin e Kosovës,  synuan dhe synojnë që “shpërqëndrimi i pushtetit” t’u shërbejë, në fakt, për përligjjen e enklavave dhe “etablimin e komunave serbe”, ku ata janë “në numër më të madh se shqiptarët”.Institucionet e Kosovës nuk u treguan shumë të vëmendshme se çfarë, në të vërtetë, fshehej, prapa kërkesave serbe për decentralizim, po sikurse që nuk kuptuan “planin e Steinerit” në këtë fushë, kështu që në të ardhmen, nëse do të realizohen ato plane, do të detyrohen të merren me pasojat e “marrëveshjeve serbo-umnikase”, prej të cilave ato institucione, si rregull, janë përjashtuar “me interpretimin  më perfekt”.

Përpjekjet “për ta parë”, por edhe “për ta trajtuar”Kosovën si “nevojë e decentralizimit” të saj, me qëllim “të përballimit të konfliktit shqiptaro-serb”,  dolën  nga  “ kuzhina serbe” në funksion “të synimeve për ndarjen e Kosovës”.

Decentralizimi në Kosovë, nga ndërkombëtarët, “u ngrit lart” në “shkallën e standardeve”, edhe pse formalisht, nuk përmendej në to shprehimisht.

Bashkësia ndërkombëtare “e përfilli pa kriter” konceptin serb të decentralizimit” që, në fakt, synon afirmimin e idesë territoriale si “formë e zgjidhjes së konflikteve ndëretnike”, edhe pse ai, në të vërtetë, mund të jetë burim i prodhimit të ri të krizës.

Institucionet e Kosovës,nëpërmjet të “Grupit të Unitetit, “dhanë pëlqimin” në “projektin e decentralizimit”, pa vra mendjen  se “veprimi i organeve paralele serbe” dhe i strukturimit  të enklavave në baza etnike bëhet me pretekst “të krijimit të realitetit të ri” në Kosovë që, sipas “planeve ndërkombëtare” duhet “të përligjet”.

Projekti i decentralizimit “u arsyetua” me “ruajtjen e interesave serbe në Kosovë”. Ruajtja e interesave serbe nënkupton  diçka tjetër.

Serbia, më shumë se për interesat e serbëve në Kosovë, u përqëndrua në “territoret serbe” në Kosovë.

Veprimi tjetër i serbëve të Kosovës, i porositur nga Beogradi zyrtar, ishte   abstenimi i vazhdueshëm  i tyre “për t’u bërë pjesë e institucioneve”.Abstenimi serb ndodhi me porosinë e Beogradit dhe çdo veprim i tyre ishte “nën kujdestarinë e tij”.

Serbia synon “krijimin e dy entiteteve në Kosovë” dhe këtë plan nuk e fsheh.Ai plan është “një agjendë” për ndarje etnike, e jo për integrim.

Ndërkohë, ndodhën edhe veprime të tjera në veriun e Kosovës, e institucionet e saj “u shtiren” sikur asgjë nuk po ndodhë atje.

 

Mungesa e kundërveprimeve

Kundërveprimet kanë munguar dhe mungojnë.Shqiptarët duhet të jenë shumë të vëmendshëm që të kuptojnë se çfarë, në të vërtetëë, fshehet prapa deklarimit të “shkëputjes së  lidhjeve me institucionet e Kosovës”, në mënyrë që , të mos merren vetëm me pasojat.

E “tërë rrëmuja” që krijojnë serbët në pjesën veriore të Kosovës “synon mbajtjen gjallë” të kërkesës së tyre për “ndikimin e Serbisë në Kosovë”.Nuk ma thotë mendja se bashkësia ndërkombëtare nuk di për këtë.Prandaj, asaj, në vend se të “reagonte ashpër” do t’i duhej që “t’i sqaronte mirë punët”me Beogradin zyrtar.

Vitin e kaluar  policia ndërkombëtare “ndërmori masa sigurie” në veriun e Kosovës që, në dukje të parë, nuk përbënte ndonjë informacion të veçantë.Mirëpo, informacioni “shtesë” se “shtimi i numrit të policëve ndërkombëtarë bëhej me kërkesë të drejtuesve komunalë”( të veriut të Kosovës), po atyre që, kohë më parë, “i kishin shpallur bojkot” administratës ndërkombëtare dhe institucioneve të përkohshme të Kosovës, informacionin e bënte “shumë të veçantë”, sikur që e bënte  “shumë të veçantë” edhe sqarimi zyrtar se ky akt paraqiste  “vetëm fillimin e një programi të sigurisë së shtuar për pakicat, ndërkohë që pritej që të gjitha vendbanimet me shumicë serbe të gëzonin të njëjtin privilegj”.

Pyetja e parë që e kishim  shtruar me atë rast  ishte nëse kishim të bëjmë me (ri)vendosjen e misionit ndërkombëtar në fushën e sigurisë apo me (ri)faktimin e gjendjes në këtë pjesë të Kosovës dhe ndërprerjen e plotë të lidhjeve me institucionet vendore, sado që thuhej se “kjo prani e shtuar policore nuk do të kishte  efekt mbi policinë kosovare”.

Ndjenja e parë fliste qartë për “humbjen e besimit të popullatës lokale në institucionet vendore”, besim ky që, në të vërtetë, ajo nuk arriti ta ndërtojë dhe ta dëshmojë në asnjë rast.

Ndjenja e dytë fliste për “(ri)kthimin e besimit të popullatës lokale  në institucionet ndërkombëtare, besim ky që, po ashtu, as nuk është ndërtuar dhe as nuk është dëshmuar, deri më sot.

C’ do të thoshte, në fakt, shtimi i pranisë  së policisë ndërkombëtare në Kosovë?

E para, “shprehje e shqetësimit të bashkësisë ndërkombëtare” në këtë pjesë të territorit të Kosovës që për një kohë të gjatë “nuk u mbikëqyr as nga institucionet vendore, as nga ato ndërkombëtare”?

E dyta, “frikësim nga bashkësia ndërkombëtare e strukturave paralele serbe në veriun e Kosovës”, me gjithë pohimin zyrtar se masat e shtuara të sigurisë “nuk kishin  të bënin  me këtë problematikë”?

E treta, miratim nga bashkësia ndërkombëtare i kërcënimit nga Serbia që “në pjesën veriore të Kosovës të mos vepronin fare pjesëtarë të policisë vendore të përkatësisë shqiptare”?

Sado që mund të thuhej se shtimi i pranisë së policisë ndërkombëtare në veriun e Kosovës drejtpërdrejtë ose në mënyrë të tërthortë kishte të bënte me të gjitha pyetjet e shtruara, droja më e madhe shfaqej në “përgatitjen e terrenit për pastrim” të kësaj pjese të territorit të Kosovës nga policë vendorë, veçanërisht të përkatësisë shqiptare. Porosia ishte bërë nga  “tri udhëheqjet e komunave të veriut të Kosovës” që  kishin kërkuar që në pjesën veriore të Kosovës “ të mos vepronin  fare pjesëtarë të policisë vendore të përkatësisë shqiptare”.Edhe pse zyrtarisht thuhej se me këtë sikur “nuk pajtohet policia ndërkombëtare”, shtimi i pranisë  së policisë ndërkombëtare në veri shpiente nga ai përfundim.

 

“Fizkulturat” e kryeadministratorit

Edhe veprimet e kohëve të fundit në veriun e Kosovës “flasin vetë”. Organizohen, gjoja, „zgjedhjet në komunat me shumicë serbe“, por serbët pothuajse i injorojnë totalisht ato. „Bëhet teatër“ me „kamionat si vend votimi“, ndërkohë që  kryeadministratori i Kosovës shprehet se „votimet u ndaluan“ prej drejtorëve të shkollave që nuk lejuan lokalet e tyre si „qendra votimi“.

„Ndodhën zgjedhjet“, por kryeadministratori i anulloi ato dhe bëri veprimin tjetër: u vazhdoi mandatin kryetarëve të „komunave   me shumicë serbe“.

„Pika mbi i“ u vu me hapjen e „Zyrës ministrore serbe“ në Mitrovicë, veprim ky që u quajt „provokim“, qoftë nga ndërkombëtarët, qoftë nga institucionet e Kosovës.  

Eshtë paralajmëruar „krijimi i zyrave tjera ministrore “ në enklavat e tjera serbe.Edhe kundër këtyre veprimeve ka gjasa që të dëgjojmë reagime, edhe të ndërkombëtarëve, edhe të vendorëve, me të njëjtin  fjalor : „i konsiderojmë akte provokimi“, ndërkohë që serbët do të përpiqen të krijojnë një gjendje vështirë të riparueshme më vonë.

 

Në vend të përfundimit

Eshtë kohë e fundit që edhe ndërkombëtarët, edhe vendorët, të kuptojnë skenaret që po luhen në pjesën veriore të Kosovës dhe në enklavat serbe në brendi të saj.Veçanërisht duhet të jenë syçelë institucionet e Kosovës. Ato nuk guxojnë që nga „pavarësia e mbikëqyrur“ e premtuar të mos shohin „dromcat“ që atë, në fakt, do të bënin të gjymtuar.Cdo neglizhim i veprimeve që po ndodhin dhe që do të mund të ndodhin në veriun e Kosovës do të mund të prodhonte pasoja të dëmshme për Kosovën dhe të ardhmen ndërkomnbëtare të saj. Të merresh me shkaqet është shumë më lehtë se të merresh me pasojat.Sa më heret që do ta kuptonin këtë institucionet e Kosovës, do të ishte më mirë. Cdo reagim i paskohshëm do të ishte irracional.