-Kosova dhe shqiptarët në ndërrimin e moteve-

Kosova dhe shqiptarët po i bëjnë bilancet  e fundivitit. Rezultati : dëshiruan  më shumë se ç’ arritën. Kosova dhe shqiptarët “u sollën si në labirint”, ecën “shtrembër” për “të dalë në rrugë të drejtë”, prandaj  nuk “arritën në cak”.Të jetosh më mirë është qëllimi kryesor i jetës. Shqiptarët ishin aq shumë “të preokupuar” që “të përmirësojnë jetën”, sa që “harruan të jetojnë”.Ka njëmijë e një përkufizime për jetën, por ka vetëm një jetë: e gjithë jeta sillet mes asaj që duan njerëzit dhe asaj që bëjnë ata për të. Thonë se njerëzit jetojnë “ashtu siç e meritojnë”.Shqiptarët, edhe në këtë fundviti shtrojnë pyetjen : a thua nuk e merituam që të jetojmë më mirë, nëse kësaj që jetuam i thënçin jetë!


Kosova dhe shqiptarët po shkelin në Vitin e Ri me shpresa të vjetra.Shpresa është vetvetiu një lloj fati dhe , ndoshta, fati më i madh që njerëzve u ka falur kjo botë.Sado që mund t’i  mashtrojë, shpresa i mbanë gjallë njerëzit. Mirëpo, një proverb tërheq vërejtjen : “Kush rron me shpresë, vdes uni”.

Pavarësia eventuale “nuk do t’i përmbyllte problemet”, por vetëm se “do t’i hapte për zgjidhje”

 

 

Në Kosovë po jetohet me shpresë se pavarësia eventuale e saj do të ishte “ilaç” për të gjitha sëmundjet, nga të cilat lëngon Kosova, pa vra mendjen se ajo nuk do të përmbyllte problemet, por vetëm se do t’i hapte ato për zgjidhje.Sa më heret që e kuptojmë këtë, aq më mirë, sepse Kosova ende “më shumë i ngjanë fëmijës që sapo ka lindur, i dobët, dhe  mbahet në jetë me infuzion”.

Kosova dhe shqiptarët po trokasin në vitin e Ri  që “t’ju sjellë” atë që “nuk e sollën përpara këtij” disa “vite të reja”. Në Kosovë jetohet në pritje të asaj që dëshirohet të vijë, në pritje të asaj që pritet  të vijë dhe të asaj që shpresohet  se “do të vijë faktikisht”.

Eshtë shumë e vërtetë se “ajo që rritet ngadalë, i reziston kohës”, por gjithashtu është shumë e vërtetë se “gjithçka mund të degjenerohet, nëse nuk përparon”. Atë që nuk do të dëshironin Kosova dhe shqiptarët në Vitin e Ri është që “ditët të vijnë e të ikin, e progresi të mos duket”.

Janë shumë të mëdha sfidat me të cilat do të ballafaqohen Kosova dhe shqiptarët në Vitin Ri.

 

Gjërat “nuk do të lëvizin vet prej vendit”, nëse  do të mungojnë veprimet për t’i lëvizur

 

Gjendja në të cilën ndodhen Kosova dhe shqiptarët nuk mund të përballohet as lehtë dhe as shpejtë.Përgjithësisht është mirë e njohur se “më mirë se me duart e huaja, ndërtohet me duart e tua”, po sikurse që përgjithësisht është mirë e  njohur se “fëmija më së miri rritet me qumështin e nënës së vet”.

Nuk i thonë jetë “të jetosh sa për të jetuar”. Sekreti i jetës së njeriut “nuk është në atë që vetëm të jetosh, por në atë pse të jetosh”. Por, jeta, megjithatë, është një mësim që “mund të mësohet”, por që “nuk mund të porositet”. Cfarë mësuam, ne shqiptarët, prej jetës , në mënyrë që ajo të mos na përsëritet?

Shpresoj të kemi mësuar se: të veprosh i pabashkuar është njëjtë sikur të bashkohesh pa vepruar; të bashkuar, edhe të pamundshëm mund ta bëjmë të mundshme, ndërsa të pabashkuar, edhe të mundshmen mund ta bëjmë të pamundshme; të armiqësohesh me tëndin është njëjtë sikur t’i vësh zjarrin shtëpisë sate.

 

Në Vitin e Ri duhet të ecim nëpër një proces të konsolidimit të brendshëm

 

Nëse “kemi marrë ato leksione”, atëherë në Vitin e Ri duhet të ecim nëpër një proces   të konsolidimit të brendshëm.Kjo nuk është vetëm detyrë e jona, por edhe një borgj kombëtar të cilin ende nuk e kemi paguar. Ndryshimi në mes të asaj që bëjmë dhe asaj që mund të bëjmë është akoma i madh. Mbi supat tona na ngarkon barra se çështja jonë nuk është zgjidhur, as në tërësi, dhe as në pjesët e copëzuara të saj, fakt ky që, vetvetiu, duhet të na ndërgjegjësojë që të kuptojmë ndërvarësinë dhe ndërkushtëzimin e segmenteve të veçuara të çështjes.Kosova “është shkëputur prej tërësisë”, po fatet e saj ndërlidhen me fatet e tërësisë,tërësia varet prej saj.

Në Vitin e Ri, Kosova dhe shqiptarët po hyjnë në njërën prej periudhave më vendimtare, por edhe më të vështira dhe më kritike, të historisë si komb i ndarë, në periudhën në të cilën “mund të bëhen gabime në hapa”, duke pasur parasysh ndërlikueshmërinë e proceseve politike që mund të zhvillohen në hapësirën shqiptare përgjithësisht; ndërlikueshmërinë e shkaqeve që mund të shkaktojnë ato procese dhe ndërlikueshmërinë e veprimeve që duhen të ndërmirren për krijimin e kushteve për “t’u bashkuar me një zë” : si një popull dhe si një komb, në kohën kur na kërcënon rreziku që të rritemi si popull, e të tkurremi si komb.

 

Të ndryshojmë raportet nëpër të cilat kemi kaluar deri më tash

 

Veprimi më i rëndësishëm që mund të bëjmë është që të ndryshojmë raportet nëpër të cilat kemi jetuar deri më tash. Jemi sjellur sikur të ishim gjashtë popuj dhe sikur të kishim gjashtë çështje, pa vra mendjen që të shprehemi dhe të veprojmë si një popull dhe si një komb politik. Na duhen qëndrime të përbashkëta për çështje të përbashkëta. Ne ende sikur nuk po e ndiejmë nevojën që të funksionojmë si një tërsi kombëtare dhe që energjine tonë krijuese ta shpenzojmë dhe ta shterojmë në projekte të përbashkëta kombëtare.

Nuk ia vlen ta fajësojmë të kaluarën, sepse ajo është “e panjohura e njohur”.

Një gjë që duhet ta kemi parasysh është se mund të mposhtemi nëse do të na mungojë “qëndresa e përbashkët”.Konica shkruante me dhimbje se “tragjedia si komb e shqiptarëve fillon te kulti i tyre për heroizmin vetjak, duke mos vlerësuar domosdonë në kohët moderne të heroizmit të bashkuar si një popull i vetëm”.

Një pyetje që pret përgjigjen

 

 

Një pyetje për Kosovën dhe shqiptarët po bartet prej vitit në vit  : nëse nuk do të kemi atë që pëlqejmë, a do të pëlqejmë atë që kemi ? Eshtë kohë e fundit që Kosova dhe shqiptarët të përgjigjen në këtë pyetje.