I
Në momentin kur mësova se jam laureat i çmimit “Intelektual i Vitit 2007”, më doli parasysh mendimi  se :koha moderne nuk kerkon prej prej intelektualit që ai “t’ia gjeje asaj kuptimin e vërtetë”; të kundërtën, për intelektualin sot është çështje  “jete a vdekjeje” se a do të jetë ai “në nivelin e atij kuptimi”.


Edhe në Vitin 2007, sikur se edhe në disa vjet të tëra më parë, “nuk kam qëndruar duarkryq”. Kam reaguar, me fjalë dhe me shkrime, pothuaj se, për çdo ndodhi për dhe rreth nesh. Kam parapëlqyer që t’i analizoj rrjedhat, t’i parashikoj ato; t’i flas së sotmes, duke komunikuar edhe me të nesërmen.
E pranoj se ndjenja e kënaqësisë që më ka krijuar marrja e këtij çmimi, i ka kapërcyer përmasat e kënaqësisë së rëndomtë, për faktin se çmimi arriti nga një organizatë që artikulon zërin e studentëve dhe të të rinjëve të Kosovës.Në përmasa me ndjenjën e kënaqësisë është edhe ndjenja e përgjegjësisë për të vazhduar me një mision të nisur i cili nuk shuhet, veçanërisht në kohët që provokojnë mendjen dhe mendimin e intelektualit krijues.Në të vërtetë, koha është,siç thuhet me të drejtë, “nga të gjithë kritikët, më i madhi, më gjeniali dhe më i pagabueshmi”.
Ajo tek e cila arrihet më së vështiri, ka çmimin më të madh. Të kesh një vlerë dhe të arrish të të tregosh atë, do të thotë të kesh një vlerë të dyfisht, ndërsa të presësh që të tjerët të çmojnë atë, do të thotë të jetë vlerë e vërtetë. Megjithatë, nuk jetoj në iluzione se ajo është e tëra e kryer dhe e përkryer. Prandaj, çmimi që po më ndat sot, është vetëm një detyrim më shumë që jo vetëm të rris vlerën, por ta bëj edhe më të pranueshme.

II
Moto e angazhimit tim ishte se nuk është bërë shumë në përhapjen e së vërtetës për Kosovën. Jam fokusuar në të, sipas parimit se nuk ka dy të vërteta për Kosovën, se nuk ka dy bindje për një të vërtetë. Viti 2007 ishte një vit i pritjes së madhe të Kosovës dhe të shqiptarëve, ishte një vit i shpresës se rrjedhat e një procesi politik të nisur një vit më parë, do ta dërgojnë Kosovën në cakun e pritur.Kosova dhe shqiptarët “u sollën si në labirint”, ecën “shtrembër” për “të dalë në rrugë të drejtë”, prandaj nuk “arritën në cak”. Shpresa është vetvetiu një lloj fati.Sado që mund të t’i mashtrojë, ajo i mban gjallë njerëzit. Një prover tërjeq vërejtjen : “Kush rron me shpresë, vdes uni”.

III
Kam reaguar në rrjedhat e proceseve politike në Kosovë dhe,përgjithësisht, në hapësirën shqiptare.Kam tërhequr vërejtjen në shumë rrjedha, jo për të mbjellur skepticizëm, por për t’u mobilizuar kombëtarisht, në kohën kur kërcënon rreziku që të rritemi si popull, e të tkurremi si komb.Kam tërhequr vërejtjen se ndryshimi në mes të asaj që bëjmë dhe asaj që mund të bëjmë është akoma i madh, pa vra mendjen se Kosova ende “më shumë i ngjan fëmijës që sapo ka lindur, i dobët, dhe ende mbahet me infuzion”.Eshtë shumë e vërtetë se “ajo që rritet ngadalë, i reziston kohës”, por gjithashtu, është shumë e vërtetë  se “gjitçka mund të degjenorohet, nëse nuk përparon”.
Kam komunikuar me qendrat ndërkombëtare të vendimmarrjes, duke ua tërhequr vërejtjen se status quoja në Kosovë është e paqëndrueshme dhe duke argumentuar fuqishëm të drejtën për vetëvendosje dhe shtet të pavarur dhe sovran. Librin “E vërteta për Kosovën, argumente dhe fakte në mbështetje të pavarësisë së saj”, në anglisht, e kam  shpërndarë nëpër botë.
Kam kërkuar që diplomoacia shqiptare të kalojë në ofensivë, duke ia tërhequr vërejtjen se është papërgjegjësi të mos bësh atë që duhet të bësh në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur.
Ndaj negociatave kam mbajtur një qëndrim të rezervuar, duke i konsideruar ato një “investim joekonomik” të bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa Delegacionit të Kosovës i kam tërhequr vërejtjen se nuk guxon që prej “pavarësisë” së premtuar, të mos i sheh “dromcat”  prej të cilave mund të gjymtohet ajo, sikurse që nuk duhet të shtiret i shurdhër sikur nuk po ndodh asgjë në pjesën veriore të Kosovës dhe që të ketë kujdesin e dihur që “në emër të barazisë” të mos vendos pabarazi, me privilegjet e pakufishme për  pakicat.
Drojën më të madhe e kam shprehur për mundësinë e vizatimit të “hartave të reja etnike” në emër të “procesit të decentralizimit”. Decentralizimin e kam parë dhe vazhdoj ta shoh si sfidën më të madhe për sigurimin e tërritorit unik dhe të ligjit unik në Kosovë.
Kam tërhequr vërejtjen se me përkufizimin e statusit, problemet nuk do të përmbyllën, por ato do të hapen për zgjidhje.Prandaj, edhe porosia ime për Vitin 2008 është se pavarësia eventuale nuk do të jetë “ilaç i mjaftueshëm” për t’i përballuar sfidat me të cilat do të ndeshet Kosova. Natyrisht se një porosi e përbashkët u adresohet të gjithë shqiptarëve për “t’u bashkuar me një zë”, duke iu përkujtuar thënien e Konicës se “tragjedia si komb e shqiptarëve fillon te kulti i tyre për heroizmin vetjak, duke mos e vlerësuar domosdonë në kohët moderne të heroizmit të bashkuar si një popull i vetëm”.
Kam qëndruar “jashtë”, por jo “larg” politikës. Mospërcaktimi im politik, në dukje të parë, është në fakt, një përcaktim shumë i qartë të cilin unë, edhe herave të tjera, e kam shprehur: nuk jam me asnjërin, sepse dua që të jem me të gjithë!

IV
E imja është që “të kuptoj nga rrethana” që “mezi kuptohen”; e imja është që të “njoh realitetin” që “mezi njihet”; e imja është që të “nxjerrë në pah” diçka që “mezi nxirret”.E imja është që “të nxis” mendimin e të tjerëve dhe që “të arsyetoj” ose të “vë në lëvizje” një veprim ose një qëndrim. Nuk kam asnjë arsye që këtë “terapi” të zëvëndësoj me një tjetër.




V
Në fund të fjalës, do të shkëpus dhjetë mendimet e mia më të shprehura në Vitin 2007.
(1)Krahasimi i negociatave me lojën e futbollit nuk është i rastësishëm , për shkak se edhe vetë negociatat nuk ishin më shumë se një lojë, e cila i ka shërbyer  bashkësisë ndërkombëtare pëqr t’i matur forcat e kundërshtarëve dhe për të arritur tek një përfundim i lojës, qoftë edhe “i kurdisur” prej gjyqëtarit.
(2)Kosova ndien nevojënqë “të qëndrojë në këmbët e veta” dhe që “ta marrë vetën”.Nëse edhe më tej “do të mbahej për dore nga të tjerët”, do ta kërcënojë rreziku i krijimit të një mentaliteti i ri vartësie, nga i cili  nuk do të mund të çlirohej shpejt.
(3)Shqiptarët, si duket, duhet tëp resin edhe sa kohë që, pas 500 vjetësh “Lepe, pekej, Abej”, pas afro njëqind vjetësh “Razumem druzhe” dhe pas afro nëntë vjetësh “Yes, sir”, të kalojnë, përfundimisht në “Po, zotëri”.
(4)Edhe sikur Kosova të konstituohej si shtet i shqiptarëve, “ekzistimi i dy shteteve shqiptare në Ballkan, do të ishte më parë hendikap, se sa përparësi gjeopolitike e popullit shqiptar në Ballkan”, duke pasur parasysh objektivin shekullor të tij për të jetuar i bashkuar.
(5)Serbia, në vend se të pranojë veprimin e saj ilegal me të cilin me “të dyja këmbët”ka shkelur ligjin ndërkombëtar, me aneksimin e Kosovës, përdor një argument të paqëndrueshëm shkencërisht për “ta ruajtur sovranitetin mbi Kosovën” të cilin, siç dëshmojnë argumentet dhe faktet, e mbajti jolegjitimisht.
(6)Na duhet, si buka dhe uji, një rreshtim kombëtar. Rruga nëpër të cilën do të duhej të ecnim është : jo partia përpara dhe, mbi  të gjitha, por populli dhje kombi, para së gjithash, dhe , mbi të gjitha.
(7)Aas shpallja e pavarësisë eventuale të Kosovës , por as njohja eventuale e jashtme e kësaj shpalljeje, “nuk e bën një entitet të pavarur”. Kusht kryesor “për pavarësinë  është që autoritetet e entitetit që pretendon të jetë i pavarur kanë vendosur një kontroll efektiv të territorit, për të cilin autoritetet pretendojnë t’i takojë shtetit të tyre të pavarur”.
(8)Prej Shqipërisë kërkohet që të mos bëjë atë që ka bërë dhe të bëjë atë që nuk ka bërë në lidhje me Kosovën dhe pavarësinë e saj; që të mos veprojë”, “siç e ka mësuar Evropa” që “të shfaqet e moderuar” rreth dhe në lidhje me procesin e statusit të Kosovës, por të kalojë në ofensivë, prej spektator në factor me ndikim.
(9)Një kategori e politikanëve hyn në politikë për “t’i dhënë asaj idetë, konceptet dhe alternativat”, ndërsa tjetra është kategoria e politikanëve që hyn në politikë për të vetmin qëllim, “për të marrë prej saj”. Kosova ndien nevojën për të parët, të dytët nuk i duhen fare.
(10)Duhet të pushojmë ta fajësojmë historinë dhe Evropën për padrejtësitë ndaj nesh, sepse ato janë ta pakontestueshme. Na duhet konsoldimi kombëtar që të mos na përsëritet e kaluara. Na duhen qëndrime të përbashkëta për çështje të përbashkëta.Sikur ende nuk po e ndiejmë nevojën që të veprojmë si një tërësi kombëtare. Këtë e kemi për borxh kombëtar të cilin ende nuk e kemi paguar. 
 
  
             
(FJALA ME RASTIN E MARRJES SE CMIMIT”INTELEKTUAL I VITIT 2007”)