Këto ditë, Kosova dhe shqiptarët, kudo që jetojnë, “u kthyen me sy e veshë” nga Strasbourgu, ku u takua Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, për të diskutuar një tekst – projekt-rezolutë të Lordit Russel Johnston rreth të ardhmes së Kosovës, pa vra mendjen për (pa)fuqishmërinë e organit dhe të vetë rezolutës dhe mundësisë që ajo të ketë ndonjë “ndikim të rëndësishëm” për statusin e ardhshëm të Kosovës.


Nuk është hera e parë që Lordi Russel Johnston përpiqet që “të përfitojë” Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës “në mbështetje të Kosovës”.Kësaj rradhe “ia doli” të sigurojë shumicën e votave të parlamentarëve evropianë , passi që nga teksti  menjanoi  fjalën “pavarësi”për Kosovën.

 

Kundërthëniet e Rezolutës

 

Teksti i ofruar i  projekt-rezolutës së Lordit Russel Johnston u amendamentua në dy pika.Pikërisht amendamentimi solli dy kundërthënie të mëdha të dokumentit.  

E para, edhe pse  teksti  vlerëson  se “mundësitë e gjetjes së një zgjidhjeje kompromisi janë shterur pas dy vjetësh të kërkimit intensiv të zgjidhjes së statusit final të Kosovës”,  po në atë  tekst iu bë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të bëjë gjithçka që është në kompetencë të tij të tejkalojë dallimet dhe të arrijë në një kompromis”, pra po në atë tekst u kërkua  vazhdimi i negociatave për statusin.

E dyta, edhe pse Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës  shprehi keqardhje “për mungesën e një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët” në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, po ajo Asamble kërkoi “gjetjen e rrugëve alternative për vazhdimin e negociatave të bazuara në Rezolutën 1244 të Këshilit të Sigurimit të OKB-së”, pra po ai organ kërkoi që Këshilli Sigurimit të OKB-së duhet t’i tejkalojë  dallimet ekzistuese dhe ta imponojë një zgjidhje për Kosovën.

 

Mungesa e konsensusit

 

Se mungon një konsensus në Këshillin e Evropës rreth të ardhmes së Kosovës dëshmon edhe deklarata e sekretarit të përgjithshëm të tij, Terry Davis.Thelbi i fjalës së tij u shpreh në thënien se “vendimi për statusin e Kosovës duhet të merret me marrëveshje, dhe jo në mënyrë të njëanshme”.Edhe pse edhe vetë ai është i vetëdijshëm se  Këshilli i Sigurimit të OKB-së  “e ka nxjerrë nga agjenda e vet” çështjen e Kosovës, përsërit qëndrimin se çështja e statusit të Kosovës “duhet të zgjidhet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, duke shtuar se “nuk është optimist rreth mundësive që vendimi atje të merret në një afat të shkurtër” që le të kuptohet se çështja e të ardhmes së Kosovës “duhet të sillet në labirint”.

 

 

 

Kërcënimet e status quos

 

Rezoluta e miratuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës “arritjen e një kompromisi” e kërkon me qëllim të “parandalimit që Kosova të shndërrohet në një fuqi baruti dhe përfundimisht në një konflikt të ngrirë në Ballkan”.

Rezoluta e miratuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës “fton të dyja palët në ruajtjen e paqes”.

Kërkesa për “shmangien e dhunës” është shndërruar në një sllogan të zyrtarëve ndërkombëtarë, pa llogaritur se shkalla  e durimit në Kosovë është “në nivelin më të ulët” të mundshëm  që, nëse do të zgjasë status quoja në Kosovë, shpejt mund të zbrazet.

Një gjë që nuk kanë parasysh zyrtarët ndërkombëtarë është se statusi i pazgjidhur i Kosovës  ose zgjidhja e tij që nuk do të korrespondonte me vullnetin e plot të popullit shumicë të saj, do të mund të këcënonte stabilitetin në rajon.

 

 

Në mes të pritjeve dhe shtyrjeve të tjera

 

 

Edhe pse në Kosovë “po shkruhen letrat” për kërkimin e “njohjes së pavarësisë”, qarkullojnë data dhe afate të ndryshme se kur Kuvendi i Kosovës “do të bënte shpalljen e Deklaratës për pavarësi”që, në mos asgjë tjetër, lënë të kuptojnë se janë manipuluese ato që janë përmendur ose që vazhdojnë të përmënden.

Ekzistojnë disa rrethana që “mund të ndikojnë” në dinamikën e “shpalljes së pavarësisë”.

E para, edhe pse thuhet se “shtyrja e shpalljes së pavarësisë nuk ka lidhje me zhvillimet në Serbi”, të kundërtën,në Bashkimin Evropian ky fakt zë vend të lart në arsyetimet “pse po vonohet” dhënia e sinjalit Kosovës “për të bërë hapin e duhur”.

E dyta, edhe pse thuhet se “nuk është i domosdoshëm” pajtimi i të gjithë 27 shteteve, anëtare të Bashkimit Evropian, rreth të ardhmes së Kosovës, të kundërtën, në Bashkimin Evropian, po vazhdojnë përpjekjet “për të bindur” ato vende që ose e kundërshtojnë hapur, ose ende mbahen të rezervuara në lidhje me “pavarësinë e Kosovës”. Qipros, në deklarimin e saj “kundër” po “i bashkëngjiten” edhe Greqia “e pavendosur” dhe Rumania “e rezervuar”.

E treta, edhe pse spanjollët nuk “kanë trumbetuar” me kërkesën e tyre për shtyrjen e “marrjes së vendimit për Kosovën”, të kundërtën, ata, në të vërtetë, po përpiqën që “ta detyrojnë” Bashkimin Evropian që “të pres” edhe mbajtjen e zgjedhjeve në Spanëjë, më 9 mars, e më pastaj “të deklarohet”.

Ndërkohë, në Bashkimin Evropian ende nuk ka një vendim të unifikuar rreth “dërgimit të misionit të BE-së në Kosovë”, por as për modalitetet e këtij misioni.Një datë e përmendur më parë për këtë vendim(28 janar 2008) “iku”.Cila do të mund të ishte data tjetër, pritet të shohim.Përmendet data 18 shkurt 2008. “Të gjithë” në Bashkimin Evropian “do të dëshironin” që në Kosovë më parë të vendoset misioni i tij , e më vonë Kosova “të deklarohet”.Por asgjë më nuk mund të  “parashikohet me saktësi”.

 

“Vendime të vështira”, jo vetëm për serbët

 

Sidoqoftë, “presionet amerikane” janë gjithnjë e më të fuqishme.Në një fjali të Condoleezza Rice, është thënë e tëra : “ Në një moment ne duhet të marrim vendime të rënda dhe shtyrja e këtyre vendimeve nuk i bën këto më të lehta”.Sado që ajo të ketë menduar në “vendimet e rënda”për serbët, nuk  e mendoj se i ka “jashtë ndërdijes” ato vendime edhe për shqiptarët të cilët, me pranimin e Planit të Ahtisaarit, kanë pranuar që pavarësia e tyre “të gjymtohet dukshëm” dhe që “t’i mungojë  shkëlqimi i duhur”.