Ditë më parë, në Prishtinë, u mbajt një seminar ndërkombëtar me temën “Sfidat e Paqes në Kosovën e re”.Temë shumë aktuale dhe shumë e qëlluar në momentin nëpër të cilin po kalon Kosova.U dëgjuan fjalë shumë të mira dhe u dërguan shumë mesazhe “në emër” dhe “në adresë” të paqes.Edhe pse ky qe një rast shumë i përshtatshëm për të marrë fjalën dhe për të shprehur disa mendime që ndërlidheshin me temën bosht të seminarit, hoqa dorë, për disa arsye të cilat, po përpiqem, t’i zbërthej si më poshte.


E para, kisha përshtypjen se fjalët shumë të mira dhe mesazhet “në emër” dhe “në adresë” të paqes u dërgoheshin atyre që “mungonin brenda sallës”, ku zhvilloheshin punimet e seminarit.U gjinda para dilemës: Ç’kuptim ka “të flasësh me vetveten”?Në cilët “veshë të shurdhër” të adresosh  fjalë dhe  mesazhe dhe deri kur, ne shqiptarët, duhet të vazhdojmë të tregohemi tolerantë ndaj atyre që vazhdojnë të na mohojnë, injorojnë e shantazhojnë?

E dyta, kisha përshtypjen se, duke mos çmuar qe “kur është mjaft”, ne vazhdojmë të sillemi sikur asgjë të mos kishte ndodhur me ne dhe rreth nesh dhe t’i zgjasim dorën atyre që nuk e duan dorën tonë, e lëre më që atë ta zgjasin, atyre që, në vend se të kërkojnë falje prej nesh, presin ndjesën tonë, pa vra mendjen se nuk mund t’i ndërrojmë as vendet dhe as rolet, sepse këtë nuk na lejojnë “gjurmet e dorës”.Shumë ndrydhje dhe shkelje të të drejtave të një etnikumi janë bërë në këto hapësira nga një etnikum tjetër dhe, megjithate, i zgjasim dorën atyre që janë përgjegjës që në këto hapësira janë zhvilluar proceset më antipode “kundruall humanizmit”; që janë zhvilluar “akte dehumanizuese” që kanë “atakuar ekzistencën e njerëzve” të një etnie ; që janë përligjur masa “të cilat kanë atakuar trashëgiminë kulturore etnike” të një etnie; që janë ndërmarrë veprime që “kanë atakuar zhvillimin arsimor dhe shpirtëror” të një etnie; që janë nxjerrë akte që “kanë synuar shtypjen e vullnetit shoqëror dhe  politik” të shumicës dominuese të një etnie. 

E treta, kisha përshtypjen sikur ne vazhdojmë të bëjmë përpjekje për “t’u dëshmuar besnikë” ndaj atyre që fare nuk besojnë në ne dhe në besën tonë, edhe pse e kanë provuar “fqinjësinë tonë”, pa vra mendjen se në, në fakt, po poshtërohemi, nënçmohemi dhe përulemi, pa llogaritur se me këtë mund të pësojë dhe do të pësojë  dinjiteti ynë njerëzor dhe kombëtar. Edhe përkundër “përpjekjeve  tona” për “t’u ridëshmuar”, gjërat nuk “lëvizin prej vendit”, sepse këtë nuk e dëshiron “ana tjetër”. Dy bindje për një të vërtetë nuk mund të ekzistojnë, as dy të vërteta për një bindje. Kriteri i së vërtetës nënkupton vlerësimin, d.m.th., gjykimin dhe mjetin për të kontrolluar vërtetësinë ose gënjeshtrën e një pohimi, hipoteze, teorie, pra edhe një parimi. 

E katërta, kisha përshtypjen  se, sa më shumë koncesione që u kemi bërë dhë që vazhdojmë t’u bëjmë, atyre që na torturuan fizikisht e psikikisht, që na poshtëruan, na dhunuan, na plaçkitën, na vranë,  ata  e rrisin dhe nuk e fshehin urrejtjen dhe armiqësinë ndaj nesh.Na sugjerohet që “të harrojmë të kaluarën” dhe “t’i kthehemi të ardhmes”.Por, si  mund “të kërkohet që të harrohen” vitet e keqtrajtimit që u kanë paraprirë veprimeve kundërnjerëzore, me premisa gjenocidale, të një regjimi të egër serb ndaj shqiptarëve. 

E pesta, kisha përshtypjen se sikur prej nesh po kërkohen “ prova të reja”, edhe pse përgjatë historisë kemi provuar, edhe si popull, edhe si komb, ndërkohë që e kemi pësuar me shumë se askush tjetër, duke u pozicionuar në anën e miqësorit, e jo armiqësorit, duke mos synuar gllabërime tokash të tjetrit, por “duke lejuar”  që të tjerët, jo vetëm të na gllabërojnë tokat, por edhe të na sundojnë, kështu që për afro 500 vjet, nuk  mësuam më shumë se  vetëm “Lepe,pekej, Abej”, për afro 100 vjet, më shumë se “Razumem druzhe” dhe tash, për afro 10 vjet, “Yes,sir”, pa “pasur kohë”    që, përfundimisht, të kalojmë në “ tonën”, në    “Po,zotëri”.

Prandaj, duke mos kontestuar, në asnjë mënyrë fjalët shumë të mira dhe mesazhet që u dërguan “në emër” dhe “në adresë” të paqes, do të apeloja në vetëdijën tonë që të mësojmë se “kur është mjaft” për t’i parë dhe për t’i shtruar çështjet dhe problemet ashtu si janë, ashtu siç është realiteti që na rrethon, ashtu siç është sjellja e njerëzve ndaj atij realiteti, sepse vetëm në atë mënyrë do të kontribuojmë që ai të kuptohet drejtë, sepse “nuk ka padrejtësi më të madhe se kur drejtësia shtrembërohet”. Asnjëherë më parë nuk ka pasur më shumë nevojë se sot “të takohen” e vërteta dhe paqja, veçanërisht në rastin e Kosovës.

Populli dhe kombi shqiptar, shumë i vuajtur dhe i përvuajtur, i ndjekur dhe i përndjekur, po kalon nëpër çastet më dramatike dhe më kritike të ndërtimit të një ardhmërie, në të cilën, pikërisht për shkak të ruajtjes dhe kultivimit të mëtejshëm të paqes, po bën shumë koncesione, me reperkusione dhe pasoja të dëmshme, edhe  për vetën e tij, duke i zgjatur dorën edhe një “pavarësie të varur”, edhe një “lirie të mbikëqyrur”, me shpresë se “po i hap dyert” një të ardhmeje në të cilën do të trajtohet i njëjtë dhe i barabartë me të tjerët, e jo i poshtëruar, i nënçmuar dhe i përulur nga të tjerët,  të cilëve, ja, sërish, po “ua zgjatë dorën”. Mirëpo, një këshillë duhet ta mbajmë përpara: Zgjati dorën ,nëse ke kujt t’ia zgjatesh ! Ndryshe, do të vazhdojë të pësojë dhe do të pësojë dinjiteti ynë, edhe njerëzor, edhe ai kombëtar.