E kemi thënë edhe më parë se vendosja e Administrimit të Përkohshëm Civil Ndërkombëtar në Kosovë, për shkak të mungesës së një marrëveshjeje për “protektoratin”, do të jetë” me shumë të panjohura”, ndërsa në shkrimin tonë të fundit për “Bota sot” (7 shtator 1999), kemi tërhequr vërejtjen se “Me gjithë qartësinë e nocionit, mund të ketë, dhe do të ketë, interpretime të ndryshme të Administrimit të Përkohshëm Civil Ndërkombëtar”, sikurse që ”interpretimet mund të bëhen dhe do të bëhen nga secila palë, në të shumtën e rasteve, me motive politike”.


 Vështirësitë në studimin e dukurive shoqërore, të cilat, njëkohësisht janë edhe juridike praktike, qëndrojnë në atë, se ne të gjithë flasim për të njëjtën çështje, edhe pse ende “nuk jemi pajtuar” për kuptimësinë e fjalëve në bazë të të cilave shprehim nocionet tona. Kështu është edhe kur flasim për “multietnitetin” dhe “kuptimësitë” e ndryshme të tij, që përpiqen të “na servirohen”, me gjithë qartësinë e nocionit në të gjitha gjuhët e botës, si togfjalësh “shumë” dhe “etni”. Prandaj, as nuk qëndron dhe as që mund të qëndrojë teza “e instaluar” nga përfaqësues e zyrtarë të UNMIK-ut, se ky togfjalësh, në gjuhën angleze, ka një domethënie të cilën “nuk e ka” edhe në gjuhën shqipe dhe se për “këtë shkak” shqiptarët “duhet të pranojnë” gjoja, “në emër” të një domethënie angleze, të cilën “e shtrembëruaka” shqipja “multietnitetin”, për shembull “të gjyqësisë në Kosovë”. Njeriu duhet të jetë i paformësuar politikisht dhe i pangritur profesionalisht, që “të përbijë” interpretime të tilla, prapa të cilave “fshihet” një ”politikë e madhe”. Mirëpo, të shtrojmë pyetjën qendrore: a është Kosova fare, “shoqëri multietnike “, siç pretendon ta paraqesë “UNMIK-u” dhe, pastaj, t’i përgjigjemi pyetjës tjetër se cilat janë dhe cilat mund të jenë ”kurthet” e multietnitetit në Kosovë. E para, Kosova nuk paraqet fare “shoqëri mltietnike”. Ajo as nuk ishte në të kaluarën e saj, as nuk është edhe sot shoqëri e tillë. Sado që ka pasur përpjekje, siç ka ndonjë edhe sot, që çështja e Kosovës “të vështrohet dhe të shtrohet” si e reduktuar nga përmasa e njëmend e saj, megjithatë, interakcioni i të gjitha përmasave të çështjes së Kosovës shprehet “në posesivizmin serb ndaj Kosovës”, posesivizëm ky që ”nuk e ka bazën e duhur etnike”, por që “është i përcjellë me synime dhe veprime të artikuluara qartazi në drejtim të ndërrimit të dhunshëm të dominimit demografik dhe etnik shqiptar në Kosovë”. Në fakt, kursi serb “në funksion të synimeve për ndërrimin e strukturës etnike të Kosovës” shprehej me “praninë e ideve gjenocidale në rrjedhat mendimore të pushtetit, por edhe të qarqeve jashtë tij, praninë e përmbajtjeve dhe synimeve gjenocidale në aktet shtetërore dhe juridike të pushtetit në qendrat e tij të vendosjes”, bashkë me vetë rrjedhat faktike të gjenocidit dhe të akteve gjenocidale qysh prej projektit të Vasa Çubriloviçit e deri te aktet për “kolonizimin serb të Kosovës”. Nuk ka dyshim se përmasa më e rëndësishme drejt zgjidhjes së çështjes së Kosovës ka të bëjë me konfliktin shqiptaro-serb. Së pari, rreth karakterit etnik, historik, politik dhe ndërkombëtar të Kosovës. Së dyti, rreth natyrës së mëvetësisë së Kosovës dhe të pozitës së saj politiko-shtetërore. Derisa (pseudo)shkenca serbe përpiqet të ”dëshmojë” se “Kosmeti është serb”, argumentet historike flasin bindshëm për “Kosovën shqiptare”.  Së këndejmi, përpjekjet e UNMIK-ut “për ta parë”, por edhe “për ta trajtuar, “Kosovën si shoqëri multietnike”, paraqesin banalizim të problemit politik, sepse grupacionet etnike joshqiptare, të gjitha bashkarisht, nuk përbëjnë as 10% të popullatës së tërësishme në Kosovë. Me një përqindje të pakonsiderueshme, joshqiptarët nuk mund ta ndryshojnë dhe nuk do ta ndryshojnë realitetin etnik në Kosovë dhe që atë ta paraqesin si ndonjë “mozaik nacional”. E vërteta, pra, është se populli autokton në Kosovë, me koncetrim të lartë etniko-territorial, përbën pjesën dominante (mbi 90%) të popullsisë së përgjithshme në Kosovë dhe se ky fakt Kosovën e “profilizon” vetëvetiu dhe e përcakton “si territor të gjerë me individualitet të fuqishëm demografik, politik dhe kombëtar”. Ata që “e shohin”, por që edhe “e trajtojnë” Kosovën si “mjedis multietnik” nuk i kanë parasysh, më së paku,  këta faktorë: - se Kosova, si një rajon politiko-territorial i individualizuar në Ballkan, shprehet me realitetin nacional-demografik dhe territorial të popullit mbidymilionësh shqiptarë, dhe - se Kosova, si një etnitet historik, nacional dhe social-politik, me një identitet e individualitet të pamohueshëm, ka një strukturë etnike me shumicë dominante shqiptare. Vështrimi, por edhe trajtimi i Kosovës, si “mjedis multietnik”, nuk mund të mos kërcënohet me rrezikun për “të prodhuar” pasoja në dëm të shqiptarëve etnikë. Përveç se vështrimi dhe trajtimi i tillë i Kosovës mund t’i “konfrontojë” grupet e vogla etnike joshqiptare me shumicën etnike të popullatës së Kosovës dhe që atë “ta paraqesë” si “çështje e majorizimit”, ai vështrim dhe ai trajtim ”është një përpjekje”, tash e UNMIK-ut, për “t’iu siguruar” grupeve të pakonsiderueshme etnike “egalitetin” në politikën e përgjithshme me shqiptarët e Kosovës dhe në jetën shoqërore të saj, për të cilin “egalitet” as nuk ka dhe as që mund të gjendet bazë e fuqishme juridike. Fjalimet politike dhe deklaratat e zyrtarëve ndërkombëtarë nuk janë dhe nuk mund të merren si “burim” për “të ndërtuar” parime dhe kritere. Burim i vetëm, janë, dhe mund të shëbejnë, realitetet e jetës në Kosovë. Prandaj, rregulloret dhe ligjet e Administratorit të Përkohshëm Civil Ndërkombëtar mund të jenë të qëndrueshme, vetëm po qe se bazohen mbi ato realitete.Ndryshe, ato do të mund “ta mjegullojnë” gjendjen qoftë edhe atëherë” kur janë nisur nga qëllimi më i mirë”. Kështu është edhe me përpjekjen e ”instalimit” në Kosovë “të gjyqësisë multietnike” që nuk mund të qëndrojë as si koncept dhe as si realitet. Sistemi gjyqësor duhet të jetë i pavarur, por nuk mund të jetë “multietnik”. Nëse është menduar në “personelin gjyqësor”, ai duhet të jetë në përputhje me strukturën etnike të popullsisë në Kosovë. Ndryshe, nuk ka drejtësi, por ka vetëm ”imponim të zgjidhjes”. Kjo na kujton refrenin nga kënga “që këndonte” ambasadori amerikan Hill, në prag të Rambujesë: ” në Kosovë nuk kërkojmë drejtësi, në Kosovë kërkojmë zgjidhje”. Nga këndi ynë pyesim: cila mund të jetë ajo “zgjidhje”, e cila “nuk bazohet” në drejtësi?Po qe se ajo “zgjidhje” pretendon të identifikohet me “paqen”, e jo me “lirinë” e shqiptarëve, ende nuk është arritur as ajo. Na bie ndërmend një mendim i Bertram Raselit, në të cilin sugjerohet se “ruajtja e paqes nëpërmjet shtypjes së një populli, gjithsesi nuk mund të quhet paqe”. Po qe se ende nuk është “arritur paqja”, edhe më larg duket liria. Mirë është thënë se midis lirisë dhe shëndetit, ngjashmëria qëndron në atë se “vlerën e vërtetë të tyre e mësojmë vetëm atëherë kur ngelim pa to”. Kosova ende nuk e ka shijuar lirinë në kuptimin dhe domethënien që përcakton fjala liri.Gjithë kjo e shton përgjegjësinë tonë për të qenë të vëmendshem për “zgjidhjet që na ofrohen”. Na duket se kemi mjaft “mësime nga e kaluara që mos të na këndojnë ‘Këngën e lirisë’ me instrumente të forcës”. “Të huajt” do “të na e këndojnë këngën”, por të përpiqemi, së paku, “ta shkruajmë vetë tekstin e saj”(13.09.1999)