Korniza e temës për shqyrtim


Qendrat ndërkombëtare të vendimmarrjes, për një kohë të gjatë, nuk arritën të ndërtojnë një “strategji për Kosovën” dhe, për mungesë të saj, nuk arritën të bëjnë një “projekt serioz për statusin politik” të saj, qoftë edhe pas aktit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, pjesë përbërëse e së cilës,  formalisht, ishte dhe Kosova, ndonëse jo në cilësinë e republikës, por me shumë prerogativa të saj.


Bashkësia ndërkombëtare, qysh atëherë, nuk pati një “qëndrim të drejtë” ndaj çështjes së Kosovës dhe “nuk i përmbylli fatet” e saj, me njohjen e vullnetin e deklaruar të popullit shumicë të Kosovës për të qenë “zot i vetvetës”.Për më shumë, me neglizhimet e saj, “i hapi udhë dhunës” dhe për, rrjedhojë, lejoi ofensiva ushtarako-policore serbe në Kosovë, për derisa popullata e saj u detyrua t’i braktisë “vatrat e veta”.

Lëvizja e parë e rëndësishme e bashkësisë ndërkombëtare  ndodhi me intervenimin e forcave të NATO-s dhe bombardimin, nga ana e tyre, e “caqeve serbe” dhe, si rezultat, Kosova “u vu nën Administrimin e Përkohshëm Civil Ndërkombëtar”, në bazë të një rezolute kontraverse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së(1999).

Bashkësia ndërkombëtare “lëshoi  rastin”tjetër që të deklarohet qartë për të ardhmen e Kosovës pas luftës , në të cilën u  ravijëzua kërkesa  për liri dhe pavarësi.

Edhe pse, edhe  vetë e vetëdijshme, se negociatat Kosovë-Serbi nuk do të mund të sillnin  asnjë rezultat, ajo “uli palët konfrontuese”në bisedime të stërgjatura, në bazë të rekomandimit të ambasadorit K.Eide, dhe “i detyroi ato” që të luajnë lojën që “nuk e dëshironin” dhe “u nxori përpara” një dokument të kryenegociatorit Ahtisaari i cili “përçau” Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe, si pasojë, çështja e Kosovës “doli nga agjendat e tij” për “t’u bartur” në Bashkimin Evropian, pa garanci për “mbështetje formale”  të vendimeve që mund “të prodhohen”  prej tij.

Bashkësia ndërkombëtare, edhe tash, kur  po “bashkohet” rreth të ardhmes së Kosovës,  po “lëshon prej dorësh” edhe një rast tjetër, që çështjen e Kosovës ta trajtojë si çështje të vetëvendosjes dhe që popullit të saj “t’i lë në duar”vendimin për ardhmerinë e tij, por , në përpjekjet për   “t’u bashkuar me një zë”  Kosovës  po i ofron një “status kalimtar” që, në tërësi,  nuk  korrespondon  me vullnetin e plotë të popullit, por që, për një kohë, “përmbyllë” një kapitull të tensioneve në Kosovë e Serbi, pa vra mendjen se “gjysëm-zgjidhjet”, sado të “formuluara qartë”, në fakt,  më shumë se  “t’i përmbyllin”, të kundërtën, i lënë të hapura shumë probleme, me kërcënimin serioz se vetë statusi do të  përbëjë  sfidën më të madhe në periudhën e passtatusit, veçanërisht zbatimi i tij.

 

 

 

Hamendjet e qendrave të vendimmarjes  

 

Që në fillim të “marrjes më Kosovën”, bashkësia ndërkombëtare shfaqi dilema rreth të ardhmes së saj. Përsëriti shumë herë “shqetësimin” për gjendjen në Kosovë, në vitet që i paraprinë luftës, siguroi se “nuk do të lejojë që të përsëritet Bosnja në Kosovë”, ndërkohë që zhvillimet në terren flisnin qartë se në Kosovë Bosnja “veç sa po përgatitet”.Millosheviqi “kërkonte dialog” me Kosovën, ndërkohë që atje dërgonte forca shtesë, me dije të bashkësisë ndërkombëtare, e cila vazhdonte të kërkonte zgjidhje për çështjen e Kosovës “në udhë paqësore”. Grupi i Kontaktit formuloi disa qëndrime dhe bëri disa rekomandime të diskutueshme. Ekipeve negociatore të Prishtinës dhe Beogradit “u përcaktoi elementet themelore” të zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe, në këtë mënyrë, i kushtëzoi negociatat me një serë rekomandimesh ,duke menjanuar pavarësinë e Kosovës, si njërin nga variantet, pa thelluar mendjen se pavarësia paraqet vullnetin plebishitar të popullit shumicë në Kosovë dhe zgjidhjen e vetme , “të balancuar të kohës”, që do të mund të ndikonte në vendosjen e një ekuilibri të ri politik në rajon.Joparimësia e Grupit të Kontaktit ndaj çështjes së Kosovës u shpreh në rekomandimin e tij që fatet e Kosovës “të ndërlidhen” me krijimin e një sajese të re artificiale Serbi-Mali i Zi, me gjithë njoftimet që kishte se Kosova, me asnjë akt të vetin, nuk kishte marrë pjesë në krijimin e asaj sajese, por të kundërtën, me aktet e veta burimore(1990-91), kishte “shpallur sovranitetin dhe pavarësinë” e saj.Joparimësia e Grupit të Kontaktit shtrihej deri në atë masë sa që shqiptarët e Kosovës i trajtonte si “pakicë kombëtare”, me gjithë faktet e pamohueshme historike, politike dhe kushtetuese-juridike se ata, as nuk ishin dhe as nuk mund të trajtoheshin, si “pakicë kombëtare”,por që, në qenien e tyre pjesë përbërëse e Federatës së ish-Jugosllavisë, kishin territorin dhe kufijtë e vet, të përcaktuar dhe të garantuar me kushtetutën federative.Bashkësia ndërkombëtare fare nuk vrau mendjen se pretendimet e Serbisë që ta ruajnë juridiksionin e vet mbi Kosovën, nuk mund të qëndronin dhe të arsyetoheshin me të kaluarën serbe në Kosovë; se popullata shqiptare,në trojet e veta, në hapësirën e ish-Jugosllavisë,  gjatë gjithë historisë, jetonte  dhe  funksiononte  si një bashkësi etnike me pjesën tjetër të shqiptarëve të Ballkanit; se Kosova, historikisht dhe aktualisht, përbënte një tërësi të veçantë territoriale; se në Kosovë, edhe pas suprimimit të autonomisë politiko-territoriale të saj(1989), funksiononin disa trajta të shprehjes së pushtetit, ndonëse jo në mënyrë të plotë, në bazë të vetëpërcaktimit të popullit të Kosovës(1991); se fakti se shqiptarët qenë të shtrënguar që, në kuadër të pushtetit faktik serb, t’i përmbushnin nevojat e tyre elementare qytetare, nuk nënkuptonte, njëkohësisht, njohjen kushtetuese -juridike  të tij dhe, përfundimisht, se përmasa kryesore dhe më e rëndësishme e çështjes së Kosovës nuk ishte ajo e “lirive dhe e të drejtave të njeriut” dhe as e “rrezikut nga kërcënimi i shpërthimit të luftës”, edhe pse ato përbënin  elemente të  kornizave të  çështjes së Kosovës, por kryesore dhe më e rëndësishme ishte shprehja e mëvetësisë së Kosovës dhe e pozitës së saj, në bazë të karakterit etnik, historik, politik dhe ndërkombëtar, të artikuluar në aktet e “vetëpërcaktimit politik” të popullit shumicë të Kosovës.Prandaj, për bashkësinë ndërkombëtare duhej të ishte e qartë se esenca e synimit për realizimin e sovranitetit dhe pavarësinë e Kosovës nuk do të duhej të kundrohej, në rradhë të parë dhe kryesisht,  si “kundërpozicion ndaj represionit të establishmentit serb”, por si përcaktim vetjak i Kosovës dhe i popullit të saj “për të jetuar me ligjet e veta në territoret e veta”. Sikur bashkësia ndërkombëtare të ishte vetëndërgjegjësuar më heret për këtë fakt, ngjarjet me Kosovën do të merrnin një rrjedhë tjetër dhe nuk do të vendoseshin gjatë në “sallat e pritjes”.  

 

 

 

 

Inkosekuencat e bashkësisë ndërkombëtare në lidhje me Kosovën

 

Inkosekuencat e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë do të mund të përmblidheshin dhe të sistemoheshin në disa më kryesore:

 

së pari, në reduktimin e çështjes së Kosovës në dimensionin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut dhe preokupimin me të si “zonë shpërthimi”, pa e shtrirë interesimin e saj për ta kuptuar dhe për ta shtruar atë si çështje e vetëvendosjes së popullit të saj;

 

së dyti, në përqëndrimin e vrojtimeve të veta në marrëdhëniet aktuale të shqiptarëve e serbëve, pa vra mendjen për çështjen e vjetërsisë dhe të përparësisë së shqiptarëve në këto troje;

 

së treti, në kualifikimin e çështjes së Kosovës, si “çështje e brendshme e Serbisë”, pa marrë parasysh faktin e pakontestueshëm historik për aneksimin e saj nga ana e Serbisë;

 

së katërti, në trajtimin e çështjes së Kosovës “në kuadër të temave për minoritetet”, pa u bazuar në faktin se shqiptarët jetonin  në trojet e veta etnike dhe se,as përnga numri, dhe as përnga ndjenja e tyre, nuk ishin dhe  nuk mund të trajtoheshin “pakicë kombëtare”;

 

së pesti, në moskualifikimin e pozitës së Kosovës në ish-Jugosllavi, si njësi federale e saj, pa analizuar mirë e thellësisht zgjidhjet kushtetuese në aktin më të lartë të këtij vëndi të vitit 1974;

 

së gjashti, në mospërfilljen e vullnetit të popullit shumicë të Kosovës për shtet sovran dhe të pavarur, ndonëse të deklaruar në kushte dhe rrethana të veçanta, pa llogaritur se deklarimi i popullit përfaqëson faktorin suprem për përcaktimin e të ardhmes së një populli;

 

së shtati, në mospërfilljen e aktit të zhbërjes së ish-Jugosllavisë dhe mosndërlidhjen e tij me çështjen e Kosovës, edhe pse, në të vërtetë, populli shqiptar, si popull josllav, nuk kishte  asnjë arsye më shumë, madje se vetë popujt sllavë, që të qëndronte  brenda një krijese artificiale shtetërore me të cilën nuk e lidhnin  as e kaluara dhe as e tashmja;

 

së teti, në mospërfilljen e së vërtetës se çështja e Kosovës paraqet vetëm një anë të çështjes së pazgjidhur shqiptare, pa u ndërgjegjësuar se as “pavarësia  e Kosovës” nuk do ta zgjidhë çështjen shqiptare;

 

së nënti,në mosnjohjen e realitetit nacional demografik dhe territorial të popullit dymilionësh shqiptarë në Kosovë, pa menduar se ai realitet as nuk mund të ndryshohet dhe as të nënçmohet dhe anashkalohet;

 

së dhjeti, në mospranimin e individualitetit  historik, gjeografik dhe nacional- strukturor e politik të Kosovës, pa vra ndërgjegjën se pikërisht ai individualitet është një ndër faktorët më përcaktues për të ardhmen ndërkombëtare të Kosovës.  

 

  

 

 

 

(Mos(vendosja e përgjegjësive për praninë ndërkombëtare në Kosovë

 

Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së (1999) pretendoi vendosjen e përgjegjësive kryesore të pranisë ndërkombëtare në Kosovë, por që në fillim, pati neglizhim, luhatje dhe pavendosshmëri të bashkësisë ndërkombëtare që, për pasojë,   lindi problemin e Mitrovicës(dhe pjesës veriore të Kosovës), përderisa ai kaloi përmasat lokale dhe u shndërrua në një problem ndërkombëtar, me shumë të panjohura për përballimin e tij.Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së solli paqartësi dhe dilema rreth vendosjes së administrimit ndërkombëtar në Kosovë.Ajo solli një kontradiktë të llojit të veçantë, në raport me dy rezoluta të mëhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. C’është e vërteta, në rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nr. 757/1991 dhe nr.777/1992, qe konfirmua ndërkombëtarisht “vdekja e ish-Jugosllavisë”, ndërsa Rezoluta 1244 “e ringjalli” atë, duke kërkuar mbrojtjen e “integritetit territorial të saj”.Madje, u kërkua zbatimi në Kosovë i legjislacionit, mbi bazën e të cilit u zbatua represioni e dhuna, deri në përmasa të gjenocidit, ndaj shqiptarëve. Rezoluta 1244 nuk e përkufizoi qartë as llojin e pranisë ndërkombëtare, sikur se që nga ajo, nuk u mësua as për qëllimin praktik, as për mandatin, dhe as për kohën e asaj pranie, fakt ky që Kosovën “e futi në një labirint”në të cilëin dihet vetëm se kur hyhet , e jo edhe se kur dilet  prej tij.Në vend se të qartësohej, perspektiva e Kosovës zbehej.Rezoluta 1244 e vështroi Kosovën si një “mozaik nacional”, edhe pse përqindja e popullsisë me shumicë të theksuar shqiptare, nuk korrespondonte me këtë parim, kështu që u sajua “shoqëria multietnike” në emër të së cilës, pakicat, në mënyrë të veçantë ajo serbe, do të duhej të përfitonin më shumë të drejta dhe privilegje se sa u takonin. Përgjithësisht, u eksperimentua shumë gjatë me Kosovën, kështu që ajo “u vendos në një rreth”, nga i cili , edhe pas përcaktimtit të statusit, “nuk do të dalë  plotësisht ”, e mbërthyer me disa   zgjidhje që, në segmente të caktuara, “arsyetojnë posesivzmin serb mbi Kosovën”, edhe pse ai posesivizëm, mbi bazën e argumenteve dhe fakteve të pakontestueshme, nuk e ka bazën e duhur etnike.

Bashkësia ndërkombëtare, për një kohë të gjatë, nuk u tregua  një “historiane e mirë” që të mësonte të vërtetën për Kosovën, sado që edhe e tashmja mjafton të mësohet për të.Pra, bashkësisë ndërkombëtare iu desht, një periudhë e tërë, që pjesërisht të ndërgjegjësohej,  për t’iu qasur problemit të Kosovës, në përputhje me realitetin e saj, por edhe në përputhje me përgjegjësitë që “ka marrë përsipër” për “t’a dërguar Kosovën në stacionin e duhur”, aty ku e ka vendin dhe ku i takon të qëndrojë.

“Ndërhyrjet e Serbisë” në Kosovë

 

 

Para “syve të bashkësisë ndërkombëtare”, por  edhe me “miratimin e heshtur të saj” ndodhën  shumë “ndërhyrje të Serbisë” në Kosovë. Ajo përherë  u “arsyetua” me qenien “në fuqi” ende të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, sipas së cilës Kosova u trajtua si   “pjesë e Serbisë”. Veriu i Kosovës, faktikisht, “u menaxhua” nga Beogradi. Realiteti flet se   në Mitrovicën e veriut dhe, përgjithësisht, në veriun e Kosovës, flitet një gjuhë tjetër, valon një flamur tjetër dhe jeta kontrollohet nga një qeveri tjetër, e cila  ka edhe zyrat e veta ministrore. Aty u lejua  certifikimi i partive politike, me seli në Serbi, për pjesëmarrje në “zgjedhjet në Kosovë”, por edhe certifikimi i partive, me seli në Kosovë, për pjesëmarrje në “zgjedhjet në Serbi”.   

Vështrimi dhe trajtimi i Kosovës si “nevojë e decentralizimit” me qëllim “të përballimit të konfliktit shqiptaro-serb” hapi rrugë për “ndërhyrje” tjera të Serbisë në Kosovë.Projekti  serb i decentralizimit synoi “ndarjen e Kosovës”.Kërkesat e Serbisë për decentralizim u shtruan në kuadër të kërkesave  për ta vështruar dhe shtruar çështjen e Kosovës në rrafshin e “rajonalizimit të saj”, për të mbajtur “lidhjet me Beogradin”, që përbënin  përpjekje “për të dëshmuar” se jeta institucionale në Kosovë nuk mund të ndërtohet “pa lejën e tij”. Difektet e projektit  të decentralizimit u vërten shumë herërt.U synua  që decentralizimi të identifikohet me ndarjen territoriale; që decentralizimi të  ofrojë territorializim etnik dhe  që decentralizimi të  shpërfaqet me komuna mbi baza etnike, në ç’mënyrë u vu në pyetje  karakteri unik i Kosovës.Qeveria serbe mbështeti idenë për territorializimin e çështjes serbe në Kosovë, prandaj Kosova u ballafaqua  me obstruksionin serb të veprimit të “organeve paralele” dhe të enklavave në baza etnike.

Pa pritur gjykimin e kohës, mund të thuhet se UNMIK-u dhe OSBE-ja,  lejuan procese të paligjshme të cilat nuk  qenë në përputhje as me Rezolutën 1244 dhe as me Kornizën Kushtetuese, sado që të dyja këto dy dokumente, nuk janë akte   të favorshme për Kosovën, për të qenë “pikë referimi” në “mbrojtje” të saj.

Nën parolën e UNMIK-ut dhe të OSBE-së se “Ne as nuk përkrahim dhe as nuk i ndalojmë” veprimet serbe, kanë ndodhur shumë “ndërhyrje të Serbisë” në Kosovë dhe në “punët e brendshme të saj” dhe ky fakt nuk mund të injorohet.Ato veprime kanë prodhuar dhe vazhdojnë të prodhojnë pasoja politike për Kosovën dhe të ardhmen e saj.

 

 

Cfarë u tha në Raportin e ambasadorit K.Eide ?

 

Kai Eide, në raportin e tij për Kosovën(2005), me të cilin “u hapen bisedimet” Kosovë- Serbi, qe shprehur, ndër të tjera, se “çështja e Kosovës do të zgjidhet ndryshe nga ajo e ish – republikave të Jugosllavisë”, prandaj dhe ndodhi që Kosova të privohet  nga e drejta që vetë ajo të vendosë për të ardhmen e vet, mbi parimin e vetëvendosjes, me gjithë faktin se kjo e drejtë u takon shqiptarëve të Kosovës,

qoftë si e drejtë kombëtare, qoftë si e drejtë e një territori të individualizuar.

Po në këtë raport, Kai Eide “sugjeroi” autonomi të zgjeruar për serbët e Kosovës, dhe i hapi rrugë “procesit të decentralizimit” i cili, më shumë se “integrimin”, synon “dezintegrimin” e Kosovës.

 

Kundërthëniet e  Planit të Ahtisaarit

 

Kosova priti gjatë propozimin e ish-presidentit finlandez, M.Ahtisaari.Me arritjen e propozimit, arritën dhe dilemat rreth tij.Dokumenti la për “të kuptuar” zgjidhjen, por nuk e shprehi atë, në mënyrë krejtësisht të qartë, dhe vetvetiu, e bëri atë të interpretueshëm.Kështu, u shfaq droja se një dokument i interpretueshëm, mund “të prodhojë” një “zgjidhje të interpretueshme” në një rezolutë eventuale të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.Plani i Ahtisaarit “hapi një portë” për krijimin e “një shteti” për të cilin nuk u shpreh, në mënyrë decidive.Në këtë mënyrë, u shfaq droja tjetër për shkallën e pavarësisë dhe të sovranitetit dhe për (pa)mundësinë e njohjes ndërkombëtare të tij.

Pjesa tjetër e Planit të Ahtisaarit që “nuk iu referua  statusit” qe shumë e qartë.Në të vërtetë, Plani i Ahtisaarit përmblodhi statusin e pakicave, veçanërisht atë të pakicës serbe dhe mbrojtjen e interesave të saj.

Kosovës iu kërkua që të hyjë në negociata me Serbinë e hendikepuar, për shkak se  territori i Kosovës nuk ishte ende i unifikuar; për shkak se  Kosova mbahej me Rezolutën 1244 ende e përthekuar; për shkak se në institucionet e përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës ende nuk ishin bartur autorizimet  që ishin premtuar; sepse ato ende vazhdonin të vepronin, në masë të madhe, nga të huajt të kontrolluar.

Kosovës, pothuaj se “iu imponua”, që të diskutojë dhe miratojë projektin e decentralizimit, planin për trashëgiminë serbe dhe kornizat e legjislacionit mbi të drejtat politike të pakicës serbe, në mënyrë të veçantë, si “çështje teknike”, edhe pse që të gjitha ato preknin në çështjet e statusit, madje dhe paragjykonin thelbin e tij, çështje këto që u detajizuan në Planin e Ahtisaarit.

Plani i Ahtisaarit  përmblodhi edhe parimet, por edhe detajet, e shtrirjes së pranisë ndërkombëtare në Kosovë që, vetvetiu, do të ndikojë në kufizimin e funksionalitetit të institucioneve të Kosovës, pas vendosjes së statusit të ri të saj dhe, për pasojë, pavarësinë dhe sovranitetin , edhe ashtu formal të Kosovës, do t’i bëjnë  të lëndueshëm dhe të invalidueshëm.

Arsyet për një prani, relativisht të theksuar, të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë flasin, në të vërtetë, për një shkallë, ende të ulët besimi, në kapacitetin vendor “për të administruar plotësisht vendin”,por krahas me këtë, përmenden edhe dy arsye të tjera, si ndjenja e mosbesimit të bashkësisë ndërkombëtare në raportet e shqiptarëve e serbëve, por edhe një marrëveshje e pashkruar, brenda bashkësisë ndërkombëtare, për kufizimin e pavarësisë dhe sovranitetit  të Kosovës.  

 

 

 

 

“Abstenimi” i Këshillit të Sigurimit të OKB-së

 

 

Me gjithë kundërthëniet e Planit të Ahtisaarit, Rusia arriti që ta bllokojë miratimin e tij nëpërmjet një rezolute në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, edhe pse nga një numër shtetesh, anëtarë të rregullt të Këshillit të Sigurimit, pati angazhime që të ndodhë një miratim i tillë.Rusia iu kundërvu haptas “pavarësisë së mbikëqyrur”të Kosovës, për çfarë angazhohej plani i  kryendërmjetësit të negociatave Kosovë- Serbi.Më pas ndodhi heqja e çështjes së Kosovës nga agjenda e Këshillit të Sigurimit dhe “bartja e përgjegjësive për Kosovën” në Bashkimin Evropian, fakt ky që shkaktoi dilema nëse çështja e Kosovës do të mund të zgjidhej pa një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit dhe zëvëndësimin e Rezolutës 1244.Bashkimi Evropian, nëpërmjet të ekspertëve të vet, doli me interpretimin se Rezoluta 1244 nuk paraqet pengesë për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës dhe as për shtetësinë e saj.Megjithate, një numër shtetesh, anëtare të Bashkimit Evropian, kundërshtuan ose, së paku, u rezervuan ndaj planit për “pavarësinë e mbikëqyrur” të Kosovës, kështu që, deri më sot, nuk u artikulua “një zë i vetëm” i Bashkimit Evropian në lidhje me të ardhmen e Kosovës.Nën “presionin e fuqishëm amerikan”, brendapërbrenda Bashkimit Evropian,  “u përfitua”   një numër   shtetesh  në mbështetje të “pavarësisë së mbikëqyrur” të Kosovës dhe të “njohjes ndërkombëtare të saj”.Një fjali e Z.Condoleezza Rice, e shprehur kohë më parë,  sikur përmblodhi gjithë dilemat që janë shkaktuar me “shpalljen” ose jo të  pavarësisë së Kosovës, nga ana e Kuvendit të Kosovës:”Në një moment ne duhet të marrim vendime të rënda dhe shtyrja e këtyre vendimeve nuk i bën këto më të lehta”. Sado që ajo të ketë menduar në “vendimet e rënda” për serbët, nuk  e mendoj se i ka “jashtë ndërdijes” ato vendime edhe për shqiptarët të cilët, me pranimin e Planit të Ahtisaarit, kanë pranuar që “pavarësia” e tyre, qoftë edhe në përmasat e kufizuara, “të gjymtohet dukshëm” dhe që asaj t’i mungojë “shkëlqimi i duhur”.

 

 

 

 

 

Shtyrjet dhe pritjet  

 

Nga ana e bashkësisë ndërkombëtare qe premtua se tërë procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës do të përmbyllet në vitin 2006.Më vonë, procesi hyri në një periudhë të re ngecjeje, në një periudhë të re pritjeje dhe në një periudhë të re paqartësie. Kosova tash është në pritje të asaj që dëshiron të vijë; në pritje të së ardhmes që prêt të vijë dhe në pritje të asaj që do të vijë.

 

 

 

 

 

 

Vendim që nuk do ta rrumbullakojë  statusin

 

 

Statusi i Kosovës nuk do të mund të quhet i rrumbullakuar, nëse  nuk  shoqërohet  me njohjen e subjektivitetit politik- juridik dhe ndërkombëtar të Kosovës.

 

Statusi i Kosovës nuk mund të konsiderohet përfundimtar, përderisa në Kosovë do të ketë  një prani, relativisht të theksuar,  ushtarake dhe civile ndërkombëtare.

 

Statusi i Kosovës nuk do të mund të kualifikohet i zgjidhur, përderisa në veriun e Mitrovicës dhe të Kosovës nuk do të ketë  shtrirje të institucioneve legale dhe legjitime të Kosovës dhe përderisa atje do të funksionojnë organet paralele të qeverisë serbe.

 

Statusi i Kosovës nuk do të mund të quhet i zgjidhur, përderisa në Kosovë, në gjithë territorin e saj, nuk do të vlejnë ligjet unike të Kosovës. 

 

Vlen të përmendet edhe një fakt tjetër shumë i rëndësishëm, sado që ne shqiptarët sikur “turpërohemi” ta theksojmë, përse pavarësinë e  Kosovës nuk duhet ta pranojmë si “zgjidhje finale”. Arsyja qëndrore është se statusi politik- kushtetues i Kosovës nuk përbën as tërësinë e statusit politik-kushtetues të shqiptarëve që kanë jetuar në hapësirën e ish-Jugosllavisë dhe as statusin politik – kushtetues të popullit shqiptar në tërësi, sado që statusi i Kosovës përbën thelbin e tij.Një gjë që duhet të theksojmë, edhe me këtë rast, është se, “sikur vetëdija evropiane dhe vetëdija e gjithë shteteve në to të ishte në nivelin më të lartë të pranimit të vullnetit të lirë të popujve që të ndjekin parimin e lirë etnik me konsekuencë të plotë, nëpërmjet rruëgs paqësore, pa sjellje politike me standarde të dyfishta, kishte për të qenë tejet i natyrshëm  opsioni i bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës si dhe i trevave të tjera me shumicë etnike shqiptare si territore kontinuele në esencë me strukturë të njëjtë dominante kombëtare…”

 

Sfidat e passtatusit

 

 

Adresimi i statusit të ri politik, juridik – kushtetues dhe ndërkombëtar të Kosovës, shoqërohet me një numër shqetësimesh që mund të paraqiten në lidhje me jetësimin e tij.

 

E para, është (pa)qartësia politike dhe legale e statusit.Historia e shteteve mëson se një vend ose është ose s’është shtet; ka ose nuk ka pavarësi; ka ose nuk ka sovranitet. Prandaj, adresimi i statusit të Kosovës nuk shoqërohet me një kontratualitet  me OKB-në, BE-në dhe NATO-n, me ulëse në OKB, i barabartë me statusin e shteteve të tjera.

 

E dyta, një prani shumë e theksuar e BE-së në Kosovë, me fuqi ekzekutive dhe me fuqi të interpretimtit të mandatit të vet, mund të krijojë një mentalitet të ri vartësie.

 

E treta, vështërësimi, deri në shkallë pamundësie, i shtrirjes së institucioneve të Kosovës në pjesën veriore të saj.Pavarësia e Kosovës do të mund të kishte kuptim vetëm nëse institucionet e Kosovës do të mund të vepronin dhe të ndikonin edhe në pjesën veriore të Kosovës, e cila mbahet e ndarë prej kohës së vendosjes së trupave ndërkombëtare që, nuk përjashton mundësinë, të ketë ndodhur edhe si pjesë e projektit të asaj vendosjeje të tyre në Kosovë.

 

E katërta, mundësia e izolimit të territoreve të Kosovës ku jetojnë dhe ku do të jetojnë serbët, eventualisht të kthyer, në bazë të projektit territorial dhe etnik të decentralizimit dhe vartësia e tyre prej Beogradit.Pavarësia e Kosovës do të mund të kishte kuptim vetëm nëse edhe në ato territore do të zbatoheshin ligjet unike të Kosovës dhe nëse ato do të kontrolloheshin prej institucioneve të Kosovës.

 

E pesta, mundësia e bllokimit të punës së institucioneve të Kosovës, veçanërisht e Kuvendit të Kosovës, me keqpërdorimin e të ashtuquajturit diskriminim pozitiv të minoriteteve , veçanërisht nga ana e pakicës serbe. Pavarësia do të mund të kishte kuptim vetëm nëse minoritetet faktikisht do të integroheshin në institucione dhe nëse do të pranonin realitetet e reja dhe do të jetonin me to.

 

Disa vrojtime mbyllëse

 

Nëse statusi i ri politik, kushtetues – juridik dhe ndërkombëtar i Kosovës do të ndiqte trajektorën e Marrvëshjes së Dayton-it në Bosnjë e Hercegovinë që, me të të vendoset “territorializimi etnik i Kosovës”, si parim themelor, do të kërcënojë rreziku që edhe më këtë status, të mos “përmbyllet kriza”, por të kundërtën, të hapet një kapitull i ri, ku “kriza e trashëguar nga 1990-ta thjeshtë të zhvendoset në premisa të reja  dhe të marrë një dinamikë tjetër”, kështu që edhe konflikti Kosovë – Serbi nuk do të tejkalohet, por do të marrë premisa të reja  dhe për pasojë, “do të rrisë dukshëm rolin politik të misionit të ri ndërkombëtar në Kosovë”.

Nga ana tjetër, vendosja e Misionit të BE-së në Kosovë, në bazë të Rezolutës 1244, të pashfuqizuar nga ana e Këshillit të Sigurimit, e cila rezolutë, në fakt, komponentë nisësë ka “ruajtjen e integritetit territorial” të RFJ-së(Serbisë), krijon një konfuzion në raportet “pavarësia e mbikëqyrur” e Kosovës, Rezoluta 1244 dhe  Misioni i BE-së. Me gjithë “shpalljen e pavarësisë”, paqartësitë juridike do ta shoqërojnë Kosovën edhe për një periudhë relativisht të gjatë, për derisa nuk do të rrumbullakohet, përfundimisht, statusi i saj politik- juridik e ndërkombëtar.