(Me libër në argumentimin e pavarësisë)

Pikërisht, 10 vjet më parë, kam reaguar me libër “Në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës”, ndërkohë që, ende kishte angazhime për “republikë të tretë në Jugosllavi”, bashkë me Serbinë dhe Malin e Zi.Mbaj në mend, një reagim të një kolegu tim universitar, më tha : heret e ke shtruar çështjen e pavarësisë. I njëjti, më vonë, shkruante se jemi vonuar me sensibilizimin e mëvetësisë së Kosovës.


Satisfaksioni,ndonëse jo në përmasën e plotë, më arriti më 17 Nëntor 2008 dhe nuk mund të mos e përsëris një qëndrim të cilin e kam shfaqur edhe herëve të tjera: bota është vonuar, diplomacia botërore ka hezituar, të kuptojë thelbin e çështjes së Kosovës, si çështje të vetëvendosjes. Ajo, për një kohë shumë të gjatë, çështjen e Kosovës e trajtoi, si “çështje të lirive dhe të drejtave të njeriut”. Por, edhe pozicionimi i shqiptarëve që, me mjete politike, pra në udhë paqësore, të zgjidhin statusin e vet, e kishte spostuar atë, në çështje të rendit të dytë, në ato që mund të prisnin.

Kur kam shkruar, 1o vjet më parë, librin “Në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës” kam mbajtur para vetës këshillat: e imja është që “të mësoja realitetin” që “na rrethonte”; që “të nxirrnja në pah” diçka “për herë të parë”; që “të nxisnja” mendimin e të tjerëve  dhe që “të arsyetoja” ose “vënja në lëvizje” një veprim ose një qëndrim.

Librit “Në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës”(1998) i kishin paraprirë edhe disa libra të tjerë në të cilat, mëtohej të shtrohej çështja e Kosovës dhe përgjithësisht çështja shqiptare, në një dritë të re. Në vitin 1991 u botua libri “ Kosova dhe shqiptarët, ndërmjet kërcënimeve të brendshme dhe premtimeve të jashtme”, në të cilin kisha përmbledhur paraqitjet e mia, në kohën e zhbërjes së ish-  Jugosllavisë. Në vitin 1995 pasuan dy libra të tjerë,i pari  i botuar në shqip dhe në anglisht, “Cështja shqiptare në udhëkryqin e zgjidhjeve paqësore” dhe i dyti, vetëm në anglisht “Kosova dhe shqiptarët, ndërmjet mohimit dhe pavarësisë”, ndërsa dy vjet më vonë solla edhe librin “Cështja e Kosovës në veprën e Gazmend Zajmit”.

 Megjithatë, vepra e botuar 10 vjet më parë, “Në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës” u shqua, si për gjithanshmërinë dhe gjithëpërfshirëshmërinë e çështjes së Kosovës, ashtu edhe për argumentimin dhe faktimin e pavarësisë së Kosovës.Me moton e librit në ballinë e tij kisha tërhequr vërejtjen se “ Po qe se serbët mendojnë se Kosova është “zemër” dhe “djep” i “shtetit serb” duhet të kuptojnë se “transplatimi” është bërë në trup të huaj, sikurse që edhe fëmija që përkundet në djep është fëmijë i huaj.

Ndryshe, libri ishte fokusuar në zbërthimin e dhjetë argumenteve qëndrore në favor të pavarësisë së Kosovës:

Së pari, strukturën etnike të Kosovës që flet për shumicën dominante demografike shqiptare, si “një realitet kombëtar- demografik- territorial të popullit shqiptar në Kosovë, me përmasa ballkanike, ku ai përbën një të tretën e popullit shqiptar në Ballkan”.

Së dyti, vullnetin politik të popullit shqiptar të Kosovës, “vullnet ky i shprehur nëpërmjet mekanizmave institucionale demokratike të Kosovës, në kohën kur pozita politike dhe kushtetuese – juridike e përbërësve konstitutivë të ish- Jugosllavisë kishte ndërruar krejtësisht” ; atëherë kur dokumentet burimore kushtetuese të Kosovës morën “natyrën e formësimit definitive socio-politik dhe kushtetues-juridik të pozitës së re të pavarur të Kosovës”.

Së treti, të drejtën për vetëvendosje të popullit shqiptar të Kosovës e cila i takon dyfish:”si e drejtë e vetëvendosjes kombëtare dhe si e drejtë e vetëvendosjes së popullatës së territorit të individualizuar”.

Së katërti, qenien e Kosovës element përbërës i Federatës së ish – Jugosllavisë, me statusin e  njësisë konstitutive të saj, që provohej me shumë norma kushtetuese.

Së pesti, zhbërjen e ish- Jugosllavisë dhe dekompozimin e ish- Federatës së saj, me ç’rast Kosova, me asnjë akt të vetin, nuk mori pjesë në themelimin e Federatës serbo-malaziase.

Së gjashti, vendosjen e “përputhjes së karakterit etnik të territorit dhe karakterit etnik të pushtetit në Kosovë”, e cila ishte e shpërpjestuar me okupimin e territorit të saj nga ana e Serbisë.

Së shtati, individualitetin kompleks historik, gjeografik, struktural- kombëtar dhe politik të Kosovës që flet për faktin se Kosova historikisht përbënte një tërësi të veçantë etnike, politike dhe territoriale.

Së teti, të drejtën natyrore të popullit shqiptar të Kosovës për pavarësi, si “pjesë e madhe, territorialisht kompakte, e kombit shqiptar në Ballkan dhe njëkohësisht popullatë shumicë e teritorit të Kosovës, si  territor politik i individualizuar”.

Së nënti, “bazën shoqërore – ekonomike    dhe politike” për pavarësinë e Kosovës.

Së dhjeti, “principielitetin dhe drejtësinë shoqërore – politike” për statusin e pavarur të Kosovës( Nga libri “Në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës”, botim i Shoqatës së Pavarur të Juristëve të Kosovës, Prishtinë, 1998).

Librat e botuar më vonë : “Kosova nën Administrimin Ndërkombëtar”, në botim të Forumit për Iniciativë Demokratike të Gjakovës( 2000); Të vërteta për Kosovën”, në botim të Lidhjes Shqiptare në Botë, në shqip dhe në anglisht, me bashkautor prof.dr.Pajazit Nushi( 2000), “Vazhdimësia e mendimit për Kosovën dhe çështjen shqiptare”(Lidhja Shqiptare në Botë, 2001), “Kosova dhe Shqiptarët në udhëkryqet e kohës”( Instituti për Studime Bashkëkohore, 2005), “E vërteta për Kosovën, argumente dhe fakte në mbështetje të pavarësisë së saj”, libër në anglisht, në botim të Universitetit “Dardania”, Prishtinë, 2007) dhe “1000 theksime nga 1000 prononcime”, në botim të Shoqatës së Intelektualëve “Jakova” të Gjakovës, 2007, veçsa ndihmuan dhe plotësuan argumentimin dhe faktimin e pavarësisë së Kosovës.