(Nga debati në ASHAK rreth Projektkushtetutës së  Kosovës,më 29 shkurt 2008)

Debati për Projektkushtetutën e Kosovës po zhvillohet në rrethana kur,  për momentin është shumë e rëndësishme, se po shtohet numri i vendeve që po e njohin pavarësinë e Kosovës ose që e kanë paralajmëruar njohjen e Republikës së posalindur. Duhet të kihet parasysh se  mosnjohja, nga një numër shtetesh, “nuk është fakt i kryer dhe i përhershëm”.


Megjithë këtë fakt shumë të rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës, me rastin e debatimit për Projektkushtetutën nuk mund të fshihet nga mendja se “pavarësia e mbikëqyrur” e Kosovës është shoqëruar me koncesione relativisht të mëdha e që, në zgjidhjet parimore ose konkrete të Projektkushtetutës, janë evidente. Shqiptarët e Kosovës “e kanë pranuar këtë çmim” me vlerësimin politik se, siç thuhet, ky është përfundimi “më pak i keq i mundshëm”.


Me këtë rast do të përmendim disa prej këtyre.

1. Duke lexuar tekstin e Projektkushtetutës, qoftë në parim, qoftë në pjesën konkrete, do të vërehet shumë qartë  nëpërkëmbja e identitetit kombëtar të popullit shumicë “për hir të ndërtimit të identitetit shtetëror”.Tërheqim vërejtjen se  heqja dorë, ose fshirja nga kujtesa, e vlerave të trashëguara kombëtare, kërcënon me rrezikun e tkurrjes së entitetit kombëtar shqiptar dhe këtë do të duhej ta kishin  parasysh hartuesit e Kushtetutës së Kosovës.
2. Nga Projektkushtetuta vërehet se Kosova, me gjithë shpalljen shtet i pavarur dhe sovran, nuk do të mund të shprehet kështu në kuptimin klasik të fjalës.
Prania ndërkombëtare e sigurisë, pushteti ndërkombëtar mbi institucionet e zgjedhura të Kosovës dhe njohja, jo e plotë, nga bashkësia ndërkombëtare, nuk e bëjnë Kosovën “një shtet të pavarur e sovran në kuptimin tradicional të fjalës”. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se është i parëndësishëm “transformimi rrënjësisht i pozicionit politik dhe juridik të Kosovës”.Për shtetet që e njohin Kosovën, Kosova dhe Serbia tashmë “përbëjnë dy subjekte të ndryshme ndërkombëtare”.
3. Projektkushtetuta e Kosovës le të kuptojë se shteti i Kosovës do të jetë i kufizuar në “fushat kyçe” që e bëjnë një shtet: drejtësia, rendi dhe siguia.Një shtet i tillë nuk është dhe nuk mund të jetë sovran dhe i pavarur, në kuptimin e plotë të fjalës. Nga zhgjidhjet që ofrohen në Projektkushtetutë, shihen qartë kufizimet e sovranitetit të brendshëm që rrjedhin nga Paketa e Ahtisaarit.Nuk mundemi që, edhe me këtë rast, të mos shprehim drojën e “shndërrimit në një varshmëri të vazhdueshme të Kosovës ndaj strukturave të jashtme”. Sovraniteti i brendshëm  nënkupton organizimin e pushtetit dhe aftësinë e tij për të ushtruar kontrollin brenda shtetit.Theksojmë se Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar  do të jetë autoritet i fundmë sa i përket interpretimit të Planit të Ahtisarit mbi bazën e të cilit është hartuar Projektkushtetuta e Kosovës. Prandaj, çështja e sovranitetit  përbën një sfidë të madhe për funksionalizimin e shtetit. Në aspektin e ushtrimit të brendshëm të sovranitetit, siç vërehet  nga Projektkushtetuta, Kosova do të jetë e kufizuar në “një numër dimensionesh”. Kërcënon rreziku që Kosova  “t’i përngjajë Bosnjes” si shtet i njohur ndërkombëtar, por i kufizuar nga brënda nga Marrëveshja e Daytonit, po sikur se që Kosova do të jetë e kufizuar, nga brënda, nga Plani i Ahtisarit.Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar “do të jetë pushtet kryesor” përsa i përket zbatimit të çështjeve të “interesit vital” dhe do të ketë autoritete të gjera ekzekutive që janë superiore karshi organeve të zgjedhura të Kosovës. Prandaj, prania ndërkombëtare e sigurisë dhe kufizimet për forcën mbrojtëse të Kosovës do të paraqesin pengesë që Kosova të mund të ushtrojë sovranitet të plotë në aspektin e brendshëm.  Sfida kryesore do të jetë kontrolli i plotë mbi territorin e Kosovës, për shkak të funksionimit të vazhdueshëm të  strukturave paralele administrative të Serbisë në Kosovë.
4. Sa i përket zgjidhjeve parimore,  mendojmë se,  për shkak të strukturës etnike dhe demografike të popullatës, Kushtetuta do të duhej që  Republikën e Kosovës ta shprehte si shtet të shqiptarëve dhe të komuniteteve të tjera që jetojnë në të. Duke mos vepruar në këtë mënyrë, hartuesit e Projektkushtetutës, në asnjë vend dhe me asnjë rast, nuk përmendin shqiptarët, si popull. Kështu, shqiptarët në këtë dokument nuk figurojnë, as si entitet dhe as si kategori kushtetues. Vetëm në një vend dhe me një rast përmendet gjuha shqipe, e barazvlefshme me gjuhën serbe, parim ky që  nuk korrespondon me realitetin etnik dhe gjuhësor në Kosovë.
5. Një vërejtje tjetër parimore që mund t’i adresohet Projektkushtetutës e që  buron nga  koncesionet që  janë bërë me pranimin e Planit të Ahtisaarit, është kualifikimi i Kosovës si shoqëri multietnike. përkundër faktit se Kosova, as në të kaluarën dhe as sot, nuk paraqitet si e tillë. Realiteti etnik dhe demografik i Kosovës jep një perceptim tjetër dhe ky fakt nuk është i parëndësishëm për të ardhmen e Kosovës dhe ruajtjen e identitetit kombëtar të popullit shumicë të saj.
6. Në kuadër të vërejtjeve parimore do të dëshironim të theksonim se marrja si shembull e ndërtimit të “shtetit multietnik, sipas modelit të Marrëveshjes së Ohrit”, është e paqëndrueshme për Kosovën, kur kihet parasysh përqindja e popullit shumicë në te.Pjesa e dokumentit dhe e  zgjidhjeve të propozuara në të e që i referohen mosdiskriminimit të pakicës, mund të prodhojë pasoja për shumicën.
7. Pjesë përbërëse të  këtij diskutimi duhet konsideruar edhe vështrimin  e  gjerë mbi Paketën e Ahtisaarit që është bërë në një debat të zhvilluar, këtu në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, më datë 20.12.2006, duke patur parasysh faktin se Paketa e Ahtisaarit, në të vërtetë, përbën boshtin kurrizor të Projektkushtetutës, veçanërisht në pjesët që i referohen   decentralizimit, trashëgimisë  dhe të ashtuquajturit “diskriminim  pozitiv”.
8. Edhe një formulim tjetër, në dispozitat themelore, është i papranueshëm.Bëhet fjalë për atë që “Kosova nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti apo pjese të ndonjë shteti dhe se nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet apo pjesë të ndonjë shteti”. Sado që ky formulim është pjellë e  kompromiseve të  arritura politike të negociatorëve të Kosovës  me ndërkombëtarët, mendojmë se nuk mund t’i qëndrojë kohës, duke pasur parasysh ligjin ndërkombëtar dhe parimet e tij se një shteti sovran nuk mund t’i bëhen ndalesa në lidhje me bashkimin e tij  me një shtet tjetër ose me një pjesë të një shteti tjetër.
9. Pjesa më e madhe e vërejtjeve konkrete i referohet zgjidhjeve në fushën e decentralizimit, trashëgimisë dhe të drejtave të minoriteteve, veçanërisht të pakicës serbe në Kosovë, sado që ato “arsyetohen  se janë marrë nga Paketa e Ahtisaarit”. Theksojmë, edhe me këtë rast, se  disa nga ato zgjidhje,  do  ta bëjnë të invalidueshëm shtetin e Kosovës, me pasoja për të ardhmen e tij.