Përkujtim

Në trembëdhjetëvjetorin e vdekjes së akademik Gazmend Zajmit
 

Më 13 janar, para trembëdhjetë vjetesh, u nda nga jeta akademik Gazmend Zajmi.Sot kur bëhet fjalë për figura dhe personalitete që kanë dhënë ndihmesën e vet për pavarësinë e Kosovës, emri i Gazmend Zajmit zë një vend të lartë.Bosht kryesor i shkrimeve të tij  ishte Kosova dhe çështja e mëvetësisë së saj të cilën,për shkak të shuarjes së hershme të jetës së tij, nuk arriti ta shijojë. Kujtimi për te mbetet i paharrueshëm.

 



Fjala mbi varrin

 

E pata thënë mbi varrin e Gazmend Zajmit, duke u ndarë për herë të fundit prej tij, në emër të kolegëve dhe studentëve të Universitetit të Prishtinës, më 14 mars 1995:
”Me vdekjen Tënde të parakohshme, hapësira shqiptare u dridh si toka që dridhet nga tërmetet e befasishme. U lëkund, por nuk u thye, se Ti na le pas vetës emrin dhe veprën që vështirë do të mund ta harrojmë !”

Dhe, vërtetë, edhe trembëdhjetë vjet prej vdekjes, emri  dhe vepra e Gazmend Zajmit, jo që harrohen, por të kundërtën, kujtohen me nderimin më të madh dhe  shoqërohen  me dhembjen që nuk priti të shijojë atë për të cilën “një jetë jetoi”, për pavarësinë e Kosovës që arriti me “trembëdhjetë vjet vonesë”.

 

 

Prania e përhershme e veprës

 

 

Historia ka përvetësuar principin se vlera e një vepre nuk mund të vërehet vetëm me ndikimin që bën ajo në veprat tjera, veçse me praninë e saj të përhershme. E tillë është vepra e Gazmend Zajmit. Vepra e Gazmend Zajmit nuk vdes. Historisë i mbetet për detyrë që të bëjë vlerësimin e saj dhe ta vendos aty ku e ka dhe e meriton vendin.

E kam shprehur, edhe me ndonjë rast tjetër, kur kam kujtuar emrin dhe veprën e Gazmend Zajmit se askush deri më sot nuk e argumentoi me më kompetencë dhe themelësi juridike e politike, faktin se Kosova duhet të jetë e pavarur.

 

 

Cështja e Kosovës-çështje e vetëvendosjes

 

 

Në shumë shkrime dhe paraqitje të tij, Gazmend Zajmi  ka përmbledhur argumente dhe fakte rreth determinanteve socio- politike që statusit të pavarur të Kosovës i jepnin logjikshmëri dhe qëndrueshmëri.Në fakt, atij i takon merita e veçantë që çështjen e Kosovës e ngriti në një çështje akute të vetëvendosjes së popullit shqiptar të Kosovës në udhëkryqin historik për fatet kombëtare dhe njerëzore të tij. Duke u angazhuar për një zgjidhje të drejtë, e jo për një “zgjidhje të lehtë” të çështjes së Kosovës, ai, me të drejtë, vlerësonte se zgjidhja e çështjes së Kosovës “është e  mundur vetëm si realizim konsekuent i vetëvendosjes”.Cështja e Kosovës, për nga substanca e saj, as që mund të kundrohet  ndryshe, përveç si çështje e vetëvendosjes së popullit të saj. E drejta e vetëvendosjes së popullsisë së një territori të individualizuar, sipas tij, “jo vetëm që është e drejtë natyrore që duhet respektuar mbi bazën etike dhe të çdo rezoni demokratik, po kjo e drejtë është e prononcuar edhe në nivel të parimit të së drejtës pozitive ndërkombëtare”.

 

 

Tri dimensione të çështjes së Kosovës

 

 

Edhe pse çështjen e Kosovës e vështronte  në tri dimensione të saj: në dimensionin “nismëtar dhe më të dukshëm” të cilin e përbënin shkeljet e rënda të të drejtave njerëzore të shqiptarëve si popullsi shumicë e Kosovës nga ana e pushtetit serb”; në dimensionin e dytë të çështjes së Kosovës që sajonte “rreziku i shpërthimit të luftës”( një parashikim i hershëm prej tij), megjithatë, për Gazmend Zajmin “dimensioni më i rëndësishëm i çështjes së Kosovës” mbetej ai i mëvetësisë së saj

dhe i pozitës së saj.

 

Argumentet dhe faktet për pavarësinë e Kosovës

 

 

Gazmend Zajmi theksonte këto argumente dhe fakte në favor të pavarësisë së Kosovës:

Një, strukturën etnike të Kosovës(me shumicë dominante demografike shqiptare);

Dy, vullnetin politik të popullit shumicë të Kosovës( të shprehur nëpërmjet mekanizmave institucionale demokratike të Kosovës, duke iu referuar akteve të viteve 1990 dhe 1991);

Tre, të drejtën për vetëvendosje të popullit shumicë shqiptar në Kosovë( e cila i takon dhe si e drejtë e vetëvendosjes kombëtare dhe si e drejtë e vetëvendosjes së popullatës së territorit të individualizuar);

Katër, argumentin  dhe faktin  se Kosova nuk ishte në përbërje të Serbisë(as me rastin e lindjes dhe konstituimit të njësisë federale të Serbisë, në kuadër të konstituimit të federalizmit të Jugosllavisë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe fill pas saj);

Pesë, argumentin dhe faktin se Kosova, me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të saj( 2 korrik 1990), me vendim në kuadër të saj, doli nga struktura komplekse kushtetuese e Republikës së Serbisë);

Gjashtë, argumentin dhe faktin se Kosova, në ish- Federatën multinacionale të Jugosllavisë, kishte status të njësisë konstitutive, se ish- Federata e Jugosllavisë u dekompozua dhe se Kosova, me asnjë akt konstitucional të saj, nuk mori pjesë në themelimin e Federatës serbo-malazese);

Shtatë, argumentin dhe faktin se me pavarësinë e Kosovës nuk bëhen ndryshime kufijsh të brendshëm ndërmjet njësive konstitutive të ish- Federatës jugosllave, meqë edhe Kosova i kishte kufijtë e saj interfederalë, që nuk mund të ndryshoheshin pa pëlqimin e saj, sikundër që edhe kufijtë e jashtëm të ish- Jugosllavisë nuk mund të ndryshoheshin pa pëlqimin edhe të Kuvendit të Kosovës.

Fuqia e këtyre argumenteve dhe fakteve shprehet në praninë e përhershme dhe përfoljen ose citimin e tyre edhe në shkrimet e mëvonshme të autorëve të tjerë, përfshirë aty edhe nënshkruesin e këtij përkujtimi.

 

 

Serbia dhe Kosova

 

 Duke pohuar se “si Serbia, ashtu dhe Kosova, kishin, në esencë, një pozitë të barabartë konstitucionale dhe plotësisht të pavarura nga njëra-tjetra në funksionimin e shtetit, dikur të përbashkët, në aspektin konstitucional, Gazmend Zajmi, me plot vend shtronte pyetjen: “Me çfarë kriteri shkencor, konstitucional, politik, moral dhe ndërkombëtar, do t’i shkojë ndokujt ndërmend të pohojë se çështja e Kosovës është ‘çështje e brendshme’ e Serbisë”, dhe ndërlidhur me këtë, edhe pyetjen tjetër : “Si mund të jetë(nisur dhe nga premisat fundamentale të filozofisë politike mbi marrëdhëniet ndëretnike) fati politik i një populli çështje e brendshme e një populli tjetër”.

 

Kosova, territor qëndror në Ballkan

 

Në shqyrtimet e Gazmend Zajmit argumentohej dhe faktohej se Kosova përbentë dhe përbën një tërësi etnike, politike dhe territoriale dhe se ajo paraqet territorin qëndror dhe më të gjerë të Ballkanit, të “mospërputhjes së karakterit etnik  të territorit dhe karakterit etnik të pushtetit”.

Me dekompozimin e ish- Jugosllavisë, që nënkuptonte zhbërjen e saj, Gazmend Zajmi e shihte Kosovën si dhe popullin shqiptar në përgjithësi, si “subjekt të vetvetës” ose, shprehur ndryshe, si “subjekt i vendosjes për fatin e vet historik në rrethanat e reja historike, sipas principit të vetvendosjes kombëtare, i cili si e drejtë i takon si kombit, ashtu dhe pjesë së kombit, parimisht, ndërsa, parimisht dhe praktikisht, pjesë së kombit, i cili paraqet shumicë territoriale etnike në një rrip të pandërprerë tokësor të shumicë etnike”.

Gazmend Zajmi u angazhua dhe dha kontribut të rëndësishëm për njohjen sa më të gjerë të opinionit, të brendshëm dhe ndërkombëtar, me çështjen reale shqiptare dhe çështjen ndërkombëtare të Kosovës. Observimet e tij të natyrës metodologjike dhe të natyrës ontologjike politike në lidhje me shqiptarët si popull dhe si komb, i shtroi dhe elaboroi,i si në gjerësi, ashtu dhe në thellësi.

 

 

Shtrirja e shqyrtimeve në çështjen shqiptare

 

Gazmend Zajmi i shtriu shqyrtimet e veta edhe në çështjen shqiptare në përgjithësi.Ai përkujtonte se “gjithsaherë ka qenë e drejtë natyrore e çdo populli të jetojë bashkë, ose të paktën të tentojë të jetojë bashkë, në hapësirën unike  shtetërore- kulturore dhe natyrisht në territorin unik”.Në këtë frymë, shkruante se “Sikur vetëdija evropiane dhe vetëdija e gjithë shteteve  në to të ishte në nivelin më të lartë  të pranimit të vullnetit të lirë të popujve, që të ndjekin parimin etnik me konsekuencë...”, kishte për të  qenë  “... tejet i natyrshëm dhe i drejtë opcioni i bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe i trevave të tjera me shumicë etnike shqiptare...”. Mirëpo, meqë sot për sot, siç shprehej, “ende nuk ekziston një Evropë e tillë, e aq më pak një Ballkan i tillë , zgjidhja më e balansuar sot, e çështjes së Kosovës, do të ishte zgjidhja ndërkombëtare që do ta pranonte dhe do ta garantonte Kosovën si shtet të ri të pavarur evropian...”

Në punishtën e Gazmend Zajmit kanë ngelur edhe dorëshkrime të pabotuara.Ai nuk shkruante vetëm për t’i botuar shkrimet e veta; ai shkruante që t’i shkëpuste nga vetja mendimet, idetë, pikëpamjet. Këtë nuk mund ta bënte ndryshe, veçse duke depushtuar vetën në të mirë të kombit të tij. Vepra e tij flet më së miri se ai kishte zgjedhur një detyrë jetësore që t’i dalë zot çështjes së kombit të vet.

 

Gjuha, stili dhe shprehja

 

 

Në fund, edhe disa fjalë për gjuhën, stilin dhe shprehjen e Gazmend Zajmit.

Në ligjërimin e tij, nuk ndesheni me trajtim të sipërfaqshëm të problemit, por me studim të tij. Përfundimet që  nxirren në lidhje me problemet që trajtohen, janë konçize, e porositë nga to fare të qarta. Fjalia e tij është e ngjeshur, me përmbajtje të plotë dhe e argumentuar dhe e faktuar mirë, kështu që studiuesit të saj i lënë hapësirë të mjaftueshme për shqyrtime. Gjuha dhe stili që përdorte Gazmend Zajmi në shkrimet e veta janë të llojit të veçantë dhe të një niveli të lartë artistik.Prandaj, e kisha thënë, me një rast tjetër, se edhe pas tij do të ligjerojnë docentë dhe profesorë, por të gjykojnë dhe të shprehen si ai, do ta kenë zor.