Vrojtime hyrëse

Përkufizimi i shtetit  sot paraqet një prej detyrave më të rënda dhe më të vështira të teorisë. Përkufizimi i deridjeshëm është pjesërisht i pranueshëm dhe më shumë i kontestueshëm. Zhvillimi objektiv i shoqërisë ka ndikuar dhe vazhdon të ndikojë në ndërlikueshmërinë e përkufizimit të shtetit.


Nuk ekziston një përkufizim i përgjithshëm i shtetit, edhe pse në teori ka afrime pikëpamjesh, sa i përket elementeve prej të cilave do të mund të sajohej një përkufizim i tillë.

Problemi i parë paraqitet për shkak të diversitetit të tipeve të shtetit.Cdo tip i mëvonshëm i shtetit paraqitet më i zhvilluar dhe më kompleks.Ky fakt e bën edhe më të vështirësuar përpjekjen për të ofruar një përkufizim të pranueshëm të shtetit për të gjitha tipet e tij dhe për të gjitha kohët në të cilat ai është paraqitur.

Por, a janë vetëm këto dy rrethana që e kushtëzojnë përkufizimin e shtetit ? Cdo përgjigje në këtë pyetje është me më shumë elemente mohimi se pohimi.Nëse pranohet ky gjykim, vështirësitë për të ofruar një përkufizim gjithëpërfshirës të shtetit bëhen edhe më të mëdha.

Nga duhet të fillojnë shqyrtimet teorike mbi shtetin ? Nga rezultatet tashmë të arritura të teorisë apo menjëherë nga përpjekjet për të ndërtuar një teori të re mbi shtetin ? Mendojmë se tregohen iluzionistë të mëdhenj ata që anashkalojnë rezultatet tashmë të njohura të teorisë dhe hidhen në aventura për hir të ndërtimit të një teorie të re mbi shtetin.

Kërkimi i një rruge midis këtyre dyjave, ndoshta, do të mund të tregohej më shumë rezultativ, veçanërisht nëse ajo rrugë do të ndërtohej mbi vështrimin kritik të teorisë ekzistuese mbi shtetin dhe me një shkallë të formësimit të teorisë së re për të.

Ne kemi përzgjedhur pikërisht këtë rrugë, jo si të vetmen të mundshme, por si më racionalën, për t’i ofruar  lexuesit, jo vetëm një panoramë pikëpamjesh të njohura, por edhe një laryshi opsionesh të reja të cilat do të presin gjykimin e kohës për t’i vendosur në të pranueshme ose të papranueshme për të.Prandaj, autori i librit që po i ofrohet lexuesit nëpërmjet web faqës së tij, nuk ka menduar vetëm në atë që do të mund të merrte prej librit njohuri për shtetin, por edhe në lexuesin që do të mund të provokohej për këndvështrime të reja, duke e provuar edhe vetën  si autor i mundshëm i tyre.

Kur pata propozuar përfshirjën e këtij libri në botimet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës për vitin 2008, kisha parasysh faktin  se Kosova, brenda këtij viti, do të deklarojë pavarësinë e saj, sado e kufizueshme që të jetë ajo për një periudhë kohore që shumë vështirë do të mund të parashikohet, meqë do të jetë e varur nga zhvillimet, si të brendshme, ashtu dhe të jashtme.

Me rastin e propozimit të këtij projekti, gjykoja se njohuritë për shtetin, në shtetin e porsalindur të Kosovës, në mos asgjë tjetër, do të mund të luanin rolin e mamisë që ndihmon “daljen e foshnjës në dritë”.

Kosova, edhe për një kohë, do të qëndrojë “në inkubator” dhe do “të mbahet me infuzion”.

Bërja e shtetit është shumë më shumë se deklarimi i tij.

Shkrimet e mia në këtë vit do t’i kushtohen, ekskluzivisht, shtetbërjes.Eshtë koha që përzgjedh temën, por edhe anasjelltas.