(Fjale e mbajtur ne Forumin e eksperteve dhe te profesionisteve ne Gjakove,me date 21 mars 2008)


Tri vërejtjet e para
 
E kam mirëpritur fillimin e realizimit të një projekti me shumë interes për Kosovën, me një emërtim përmbledhës dhe domethënës:Cka pas pavarësisë? E kam mbështetur iniciativën e Forumit të ekspertëve dhe profesionistëve të Gjakovës që të shpalosin disa nga objektivat e projektit dhe të shtrojnë temat e para për shqyrtim.E shpreh  gatishmërinë time që, kur dhe për sa do të shihet e udhës, të bëhem pjesë e përpjekjeve që, në kuadër të këtij projekti, të përfshihet edhe Gjakova, mundësitë dhe kahet e zhvillimit të gjithëmbarshëm të saj në Kosovën e pavarur, po sikurse dhe mundësitë dhe kahet e angazhimit të potencialit mendor të Gjakovës për të ndihmuar në rrjedhat e shtetbërjes.


Aktualiteti i temës

Eshtë koha që përzgjedh temën, por është dhe tema që i imponohet kohës.Në Kosovën e pavarur,  sundimi i ligjit shtrohet detyrë mbi detyrat për institucionet shtetërore të Kosovës, për rimbëkëmbjen në shumë fusha të jetës, në kohën kur Kosova,të shprehem me gjuhën e mjekësisë, ende “rritet në inkubator” dhe “mbahet me infuzion”.

Rrethanat e favorshme

Ajo që vlen të theksohet për kohën në të cilën po shtrojmë këtë temë është rëndësia që ka për Kosovën shtimi i numrit të vendeve që po e njohin pavarësinë e Kosovës ose që kanë paralajmëruar njohjen e krijesës shtetërore të posalindur, veçanërisht i atyre vendeve  me potencialin më të madh të zhvillimit botëror.Njohja ndërkombëtare e Kosovës është “një fakt i pandryshueshëm dhe juridikisht i paanulueshëm”, është një akt shumë i rëndësishëm në vendosjen e Kosovës në një raport tjetër përballë Serbisë. Kjo rrethanë e favorshme për Kosovën do të duhej të ndërgjegjësonte,në shkallën më të lartë, si klasën politike të Kosovës, sikurse që do të duhej  të motivonte dhe nxiste  trurin dhe mendjen në Kosovë për të përfituar nga ajo rrethanë,pse jo dhe trurin dhe mendjen në Gjakovë për të përfituar edhe për veten. 

Vështirësitë

Vështirësitë në bërjen e shtetit të Kosovës janë të mëdha dhe ato, në asnjë moment, nuk duhet të nënçmohen.Të kundërtën, duhet të merren shumë seriozisht, në mënyrë që të përballohen dhe, në një fazë më të gjatë, të menjanohen.Vësëhtirësitë më të mëdha do të jenë pasojë e ushtrimit të kufizuar të sovranitetit.Kosova do të jetë e kufizuar në “një numër dimensionesh”që parashihen me Planin e Ahtisaarit.Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar do të jetë pushtet kryesor përsa i përket zbatimit të çështjeve të “interesit vital” dhe do të ketë autoritete të gjera ekzekutive që do të jenë superiore përballë organeve të zgjedhura të Kosovës.Sa i përket sovranitetit të brendshëm,që nënkupton organizimin e pushtetit dhe aftësinë e tij për të ushtruar kontrollin brenda shtetit,Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar do të jetë autoritet i fundmë në interpretimin e Planit të Ahtisaarit.Sfida kryesore do të jetë kontrolli i plotë mbi territorin e Kosovës.UNMIK-u do të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë me mandatin e Rezolutës së pashfuqizuar 1244.Nuk ka mëdyshje se ai do të “rikonfigurohet”, sepse edhe rrethanat e reja në Kosovë, do të kërkojnë këtë prej tij.Nga ana tjetër,do të kërkohet që edhe EULEX-i “t’i përshtatet” rrethanave që krijohen me vazhdimin e misionit të UNMIK-ut.Në rrethanat e reja që do të krijohen në Kosovë, për shkak të shumësisë së pushteteve dhe të akteve juridike dhe përplasjes së tyre, mund të shfaqen zbrazëti, edhe pushtetesh,edhe normash juridike.Sëkendejmi, Kosova, edhe për një periudhë, do të merret, nga njëra anë me përpjekjet për shtrirjen efektive të pushtetit, ndërsa, në anën tjetër, me shumë me interpretimin se me ndërtimin e rendit juridik.



 



Paralajmërimet 

E pata  thënë, në janarin e vitit 2006, në përurimin e dy librave në Gjakovë, se nëse  Kosova do të përballej me zgjidhjen  e paqartësuar dhe plotësisht   të papërkufizuar,me çështjen e hapur të Mitrovicës dhe të veriut të saj dhe me praninë ndërkombëtare që do t’i shpërthente thellë kufijtë e monitorimit, do të mund të paraqiteshin shumë vështirësi në funksionalitetin e vendit dhe të institucioneve të tij.Zgjidhja do të duhej që,  në mënyrë shprehimore, të shprehte  pavarësinë e plotë të Kosovës dhe shkëputjen territoriale të saj nga Serbia,por  jo te lumi Ibër, por te kufijtë natyrorë të Kosovës dhe Serbisë  dhe  që kufijtë e shënuar të tyre  të  pranohen  “në nivel ndërkombëtar.”
                            
Isha shprehur kështu për shkak të ideve dhe mendimeve që dëgjoheshin  për një “status të pavarësisë çfarë nuk ka pasur deri më tash në botë”, me mundësinë që Kosova të mos jetë anëtare e OKB-së dhe të mos gëzojë sovranitetin si vendet e tjera .Pata shfaqur mendimin se  kjo “zgjidhje inovative” do të mund  ta privonte Kosovën  nga subjektiviteti I plotë  politik – juridik ndërkombëtar dhe se do të mund ta komplikonte “vetë statusin e saj”, për të nënvizuar se  Kosovës nuk i duhen zgjidhje “që do të hapnin  më shumë  se që do t’i zgjidhnin  shumë çështje”. Prandaj,pata  deklaruar se e vetmja zgjidhje e drejtë do të mund të ishte   njohja e shtetit,  me të gjitha atributet e tij,ndër të tjera  edhe me të drejtën që të jetë anëtare e OKB-së dhe e mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë dhe me mundësinë e shtrirjes së sovranitetit në gjithë territorin e saj.   
                            
Më në fund, qesh pozicionuar se, me rastin e përcaktimit  të statusit të ri të Kosovës ,mund të parashihen, më së paku, tri situata të ndryshme.
                           
E para, nëse  Kosova “do të pavarësohej” me një entitet serb në veriun e saj,ajo zgjidhje “do të mund të përligjte ndarjen” dhe “do të mund të paraqiste një hap drejt legalizimit të strukturave shtetërore serbe” në “një pjesë të territorit të Kosovës.” Kjo zgjidhje, në vend se të mënjanonte ose të zvogëlonte tensionet ndëretnike,ato do të mund t’i ngriste  “në shkallën më të lartë.”

E dyta, nëse  Kosova “do të pavarësohej” me një “proces të thellë të decentralizimit” që do të shpërthente kornizat e kuptimit elementar të vendosjes së tij, me qëllim të integrimit institucional të pakicave, do të mund të vështirësonte  “funksionaliteti territorial i Kosovës” deri në mundësitë  e shkëputjes së tij të mëvonshme.
                          
          E treta, nëse  Kosova “do të pavarësohej” me një zgjidhje reale që do të nënkuptonte shtrirjen e institucioneve të Kosovës në gjithë territorin e saj, do të mund të rriteshin mundësitë e krijimit të një “ambienti të përshtatshëm politik”,por sërish,   pa iluzione, se kjo do të mund të arrihej menjëherë dhe pa probleme që  do të mund ta vështirësonin “funksionalitetin territorial të Kosovës.”
         
Pra, në të gjitha variantet e sipërpërmendura, ruajtja e integritetit territorial të Kosovës parashihej si   sfida më të rëndë në Kosovën e pavarur, ndërkohë që sfidën e dytë të madhe të Kosovës pas statusit të ri do të mund ta përbënte përballja  me praninë ndërkombëtare, veçanërisht atë civile,nëse  ajo do t’i shpërthente kufijtë e monitorimit dhe do të shtrihej thellë në ndërhyrje institucionale.

Objektivat e Kosovës së pavarur

          1.Procesi i ndërtimit të institucioneve dhe ngritja e efikasitetit të sistemit

          Ndërtimi i institucioneve dhe ngritja e efikasitetit të sistemit  do të duhej të përbënin  boshtin e procesit transitor në Kosovë. Për të arritur këtë objektiv, do të duhej që Kosova ,të thuash, “të shtrinte dorën”  nga ato shtete “që kanë më shumë përvojë”.
                            
          Kosova pas përkufizimit të statusit të ri,  “do të ketë nevojë” të vazhdueshme për aleatë, si në Uashington, ashtu dhe në Bruksel. Një gjë që duhet të kuptohet në Kosovë,se   pas statusit të ri të përkufizuar të saj  “rruga drejt Evropës nuk do të jetë,” siç u shpreh një diplomat i huaj, “një kalërim i butë…” Kosova vërtetë duhet “të evoluojë” në një shtet konkurrent, “të aftë që të funksionojë dhe të garojë si në nivelin rajonal, ashtu edhe në atë global”.
         
Mendojmë se  Bashkimi Evropian mund “të ndihmojë” nëse do të përqëndrohej në, më së paku,këto  dy drejtime. Drejtimi i parë do të mund t’i adresohej  “ndihmës tradicionale sikur me tërë rajonin”, ndërsa drejtimi tjetër do të mund të “lidhej me përkrahjen në implementimin e zgjidhjes së statusit të Kosovës”.
         
                            
          Përkrahja e Bashkimit Evropian “në implementimin e zgjidhjes” do të mund të paraqitej me implikime politike, nëse  do të  shtrihej  “në ndërhyrje të thella institucionale”të Bashkimit Evropian,edhe pse,dihet që disa fusha  të vazhdojnë të jenë të pakontrolluara plotësisht nga vendorët.
                           
          Me gjithë rëndësinë që mund të ketë prania e Bashkimit Evropian në Kosovë, siç thuhet “për t’i shpënë përpara proceset në Kosovë  pas statusit të ri të përkufizuar të saj”, UNMIK-u nuk duhet të shndërrohet në EUMIK” dhe, me këtë, të cungojë  sovranitetin, edhe ashtu të kufizuar  të Kosovës.Pra,çelës i së ardhmes së Kosovës do të jetë  sanksionimi politik-juridik ndërkombëtar i statusit të ri të saj.

                           
          2. Krijimi i shtetit demokratik
                         
          Kosova pas përkufizimit të statusit do të  duhej të përqafonte vlerat e demokracive perëndimore, veçanërisht pesë tiparet e tyre:
                           
          Së pari, “zgjedhjet e lira (që nënkuptojnë lirinë e kandidaturave dhe formimin dhe funksionimin e lirë të partive politike, lirinë e votimit dhe votën e barabartë e të përgjithshme, fshehtësinë e votës dhe barazinë e kushteve të informacionit e të propagandës gjatë fushatës elektorale”);
                           
          Së dyti, “ushtrimin e pushtetit nga shumica”;
                           
          Së treti, “respektimin e opozitës, që nënkupton lirinë e kritikës dhe parimin e alternancës në pushtet”;
                           
          Së katërti,  “konstitucionalizmin, që përfshin nga një anë, detyrimin e të gjithëve për t’iu nënshtruar kushtetutës dhe, nga ana tjetër, detyrimin e pushteteve publike që t’iu nënshtrohen kontrollit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së akteve të tyre nga një organ juridik i pavarur”;
                           
          Së pesti,  “garancitë e të drejtave themelore, që kërkojnë funksionimin e shtetit juridik,zbatimin e parimit të epërsisë së të drejtës dhe respektimin e tij nga kushdo”.1)
 
          Prandaj,kushtetuta që do të miratohet në Kosovë, do të duhej që të pasqyronte  parimet e mësipërme që janë parime të shtetit juridik për të cilat do të flasim në vazhdim, parime këto që përbëjnë thelbin e një koncepti edhe më të gjerë, që është koncepti i demokracisë.2)

          Nuk ka asnjë dyshim se Kosova do të duhej fuqimisht të angazhohej dhe të bënte  përpjekje të vazhdueshme, edhe të gjata edhe të mundimshme, për të krijuar një shtet të vërtetë të së drejtës.                             
 
          Prej Kosovës do të kërkohet që të drejtat dhe liritë themelore të njeriut  të qëndrojnë “në themel të të gjithë sistemit juridik”. Në përputhje me këtë, organet shtetërore “jo vetëm që do të jetë  e domosdoshme që t’i respektojnë ato, por do të duhej që  të luajnë një rol aktiv për realizimin e tyre”.

         Eshtë e njohur se në çdo vend demokratik, të drejtat  dhe liritë themelore të njeriut “nuk mund të gëzohen në mënyrë absolute dhe të pakufizuar”.Eshtë e njohur gjithashtu  se “e drejta e një personi mbaron aty ku fillon e drejta e tjetrit”. Mirëpo, kufizimet që i përcakton kushtetuta, “nuk mund të cënojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut”. Më në fund, barazia përpara ligjit  kuptohet  edhe si parim për të mos lejuar diskriminimin. Kjo shtrihet jo vetëm në përfshirjen e një parashikimi ligjor që pengon diskriminimin, por edhe në moslejimin e praktikave diskriminuese në funksionimin e organeve shtetërore. Institucionet e Kosovës kanë marrë mbi vete “detyrime shtesë” me të, ashtuquajturin, diskriminim pozitiv” të minoriteteve, zgjidhje këto që do të mund të vështirësonin dhe, në situata të caktuara, të bllokonin miratimin e ligjeve. 
 
3. Krijimi i shtetit të së drejtës

          Edhe pse, me këtë rast,  nuk pretendohen shqyrtime të aspekteve teorike të përkufizimit të shtetit të së drejtës, megjithate  mund të thuhet ndonjë fjalë në lidhje me atë se ç’është, në të vërtetë, nocioni i shtetit juridik, cila është natyra e tij e vërtetë dhe se cili është kuptimi i tij i saktë.
               
          Pyetja e parë që është e udhës të shtrohet është: shtet i së drejtës apo shtet juridik?

          Ajo që bashkon të dyja shprehjet, shtet i së drejtës dhe shtet juridik, është “lidhja e ngushtë, organike që bashkon të drejtën me shtetin.” Luan Omari shprehet se “ato janë sinonime, kanë të njëjtin kuptim.” 3)
Omari përkujton se shprehja ose lokucioni “shtet i së drejtës” është përkthim i drejtpërdrejt i togfjalëshit frengjisht “Etat de droit” dhe italisht “Stato di diritto”, duke tërhequr vërejtjen “se si në frengjisht ashtu dhe në italisht” përdorimi i mbiemrit “juridik”, përkatësisht “juridique” dhe “giuridico”, në këto raste do të jepte një kuptim krejt të ndryshëm. 4)

          Edhe pse nuk mund të përjashtohet rëndësia që ka terminolgjia në këtë rast, primare është, megjithate, përmbajtja ose fakti që, siç u shpreh më lartë, “shteti dhe e drejta lidhen ngushtë midis tyre”. Megjithëse  konsiderohen sinonime, parapëlqej përdorimin e togfjalëshit “shtet i së drejtës”, edhe pse “në përdorim janë  të dy lokucionet”.
                                                                             
          Ndërkaq, më shumë se terminologjia,  rëndësi ka përmbajtja. Një pyetje tjetër që do të mund të shtrohej është se “si do ta dallojmë një shtet të së drejtës nga një shtet absolut, autoritar e diktatorial, ku pushtetet ushtrohen në mënyrë arbitrare e abuzive”? 5)
         
          Nëpërmjet përgjigjes në këtë pyetje po përpiqemi që, njëkohësisht, t’i përgjigjemi pyetjes se për çfarë shteti, në fakt,do të  ndiejë nevojën Kosova tash, pas përkufizimit të statusit të ri të saj.             
                                                        
          E para, Kosova do të ndiejë  nevojën për shtetin e së drejtës që jetën në të, ta organizojë  “mbi bazën e ligjeve dhe që nuk do nuk do të lë vend për anarki, gjendje lufte, situata të acaruara apo përleshje të vazhdueshme”. E gjithë kjo do të kërkojë  që “vetë organet e pushtetit t’iu nënshtrohen ligjeve që do të  nxjerrë organi më i lartë ligjvënës”.

          E dyta, në Kosovë do të ndihet nevojë për një legjislacion “të formuluar mirë, në mënyrë të qartë e precize”, me qëllim që normat të jenë “të zbatueshme dhe jo abstrakte”. Natyrisht se do të  kërkohet që “ligjet të mos  jenë në kundërshtim me kushtetutën”.

          E treta, Kosovës do t’i nevojitet  një qeverisje ku veprimtaria e organeve të shtetit do të “bëhet mbi bazën e ligjit” dhe nëse do të paraqiteshin  kontradikta e konflikte, ligji “të zbatohej me anën e vendimeve gjyqësore”. 

          Mirëpo, shteti i së drejtës nënkupton “diçka më shumë sesa rregulla në përputhje me ligjin.” P.sh., siç është dëshmuar në regjimin shqiptar, “edhe diktatura më e tmerrshme mund të sundojë sipas ligjit duke nxjerrë rregulla që zbatojnë politikat e saj, sado johumane qofshin ato”, po sikurse që duhet të kihet parasysh mundësia që vetë organet e shtetit të mos veprojnë në përputhje me të drejtën. Prandaj, shteti i së drejtës, në kuptimin që po përdorim këtu, “kërkon që fuqia dhe autoriteti i shtetit të burojnë nga ligji dhe të mbështeten në parimin e drejtësisë dhe barazisë para ligjit”. Këtu qëndron arsyeja që edhe ne parapëlqejmë përdorimin e termit “shtet i së drejtës” karrshi atij “shtet ligjor”.

          Në Kosovë do të duhej të krijohej kuadri kushtetues e ligjor për vendosjen e funksionimin e shtetit të së drejtës, edhe pse  ai “është vetëm një premisë e domosdoshme për shtetin e së drejtës”. Krahas krijimit të kuadrit kushtetues e ligjor,do të  duhej të funksiononin  mekanizmat e kontrollit të zbatimit të normave kushtetuese e ligjore, po sikurse që do të duhej një vetëdijësim, qoftë i funksionarëve publikë, qoftë i qytetarëve, për nevojat e zbatimit të këtyre normave. Përgjithësisht, “sistemi i vlerave demokratike do të duhej të depërtonte  në mekanizmat juridikë”, nëse  se do të dëshironim  që “shteti i së drejtës” të mos na “shndërrohej” në “shtetin e të së padrejtës”.

           Kosova,  pas përkufizimit të statusit të ri, po  bëhet me akt kushtetues,sado që jo me akt  burimor, në kuptimin e plotë të fjalës,për shkak të bazueshmërisë së saj në Planin e Ahtisaarit, me rend të vetin kushtetues i cili do të duhej t’i hapte rrugën reformave ekonomike dhe politike. Reformat ekonomike do të duhej të përligjnin vendosjen e shumësisë së formave pronësore dhe mënjanimin e pengesave ligjore për zbatimin e tyre, ndërsa reformat politike do të duhej të jetësonin  vendosjen e sistemit politik me tiparet me të cilat do të duhej të sigurohej thellimi dhe pasurimi i marrëdhënieve demokratike dhe zgjerimi i të drejtave dhe lirive të njeriut.            
                    
          Një interes të veçantë për Kosovën   pas statusit të përkufizuar të saj,do të duhej të kishte  nevoja e përfitimit të përvojave të vendeve që kanë jetuar një kohë më të gjatë në sistemin e socializmit totalitar dhe që sot gjenden në fazën e tranzicionit, drejt krijimit të shtetit të së drejtës dhe të ekonomisë së tregut. Në këtë përvoja ka elemente të përbashkëta, por ka dhe veçori. Më shumë se për “një përvojë globale” që mund “të çonte në konkluzione të thjeshtësuara”, do të duhej të ndihej nevoja për shqyrtime kritike të atyre përvojave, në mënyrë që ato të mos përsëriteshin në shembullin e Kosovës.

          Një interes tjetër të veçantë do të duhej të kishte  afirmimi i parimit të ndarjes së pushteteve dhe, mbi bazën e tij, pavarësia e pushtetit gjyqësor që, logjikisht, “lidhen ngushtë me konceptin e drejtësisë si fenomen shtetëror”. Dëshirojmë të theksojmë  se pushteti gjyqësor, “i marrë veçmas si pushtet që synon t’i japë drejtësi gjithësecilit, është një prerogativë që i përket vetëm shtetit, është një pushtet i shtetit “, ndërsa “i marrë në marrëdhëniet me atributet e tjera të sovranitetit, konsiderohet si një nga pushtetet e sovranit.”     

          Qeverisja e bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve nuk le shumë hapësirë që të jetë autoritare, por krijon mundësi për më shumë vlera të shtetit të së drejtës, sepse synon që veprimet e të gjitha organeve të shtetit të bazohen dhe të ndërmerren brenda kufijve të ligjit. Ndarja e pushteteve, nga ana tjetër, krijon “mundësi për të patur një sistem politik më demokratik”. Mirëpo, për të siguruar një ndarje të qëndrueshme të pushteteve, do të duhej  sigurua  sistemi i kontrollit dhe i ekuilibreve të tyre.

Vrojtimet përmbyllëse

Kësaj rradhe, më shumë se  ku është Kosova sot, shtruam pyetjen se  ku duhet  të jetë Kosova nesër.

 Përherë i kemi besuar mendimit se “Ajo që rritet ngadalë, i rreziston kohës”, por njëkohësisht jemi shqetësuar nga fakti se “Gjithçka mund të degjenoret, nëse nuk përparon”.

           Pyetje me interes është dhe ajo se si do “të ecet nëpër statusin e përkufizuar”. Sfidat me të cilat do të ballafaqohet Kosova  pas statusit të ri do të jenë shumë të mëdha. Ky fakt sikur vërteton tezën se me përkufizimin e statusit të ri, problemet në Kosovë nuk  mbyllen, por të kundërten, ato  hapen për zgjidhje.
         
Sfida më e madhe në Kosovën  pas statusit të ri të përkufizuar të saj,mund të jetë ballafaqimi i  realitetit i të qenit shtet, me shumë kufizime të funksionimit të plotë të tij.

          Disa pikëpamje që u paraqitën me këtë rast  do të mund të ndihmonin  në përfytyrimin sa më të përafërt për Kosovën  pas statusit të ri të përkufizuar të saj. Një gjë është e qartë, pavarësisht nga modalitetet mbi të cilat do të ndërtohet  statusi i ri, Kosova do të ndiej  nevojën për të krijuar një infrastrukturë ekonomike e juridike, për të përqafuar ekonominë e tregut dhe demokracinë politike dhe për të qëndruar “në këmbët e veta” si një krijesë e re.

         Për të ligjësuar një realitet plotësisht të ri, statusi i Kosovës do të duhej të ishte  i barasvlefshëm me sovranitetin e saj.

        Kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare është që në Kosovë të funksionojë demokracia dhe të vendoset shteti i së drejtës. Një përfundim që do të mund të nxirrej në lidhje me këtë,i drejtë, logjik dhe i qëndrueshëm, është se Kosova  nuk do të mund të ishte  demokratike dhe që të vepronte  si shtet i së drejtës, nëse  nuk do gëzojë  pavarësinë  dhe sovranitetin  në gjithë territorin e saj.Pra,do të duhej të sigurohej zbatimi unik i ligjeve të Kosovës në gjithë teritorin e saj.
                                 
          Në Kosovë  pas  statusit të ri të përcaktuar, rimëkëmbja ekonomike do të duhej të shihej si detyrë mbi detyra. Pa dyshim se  do të jetë një rrugëtim shumë i vështirë, për shkak të startit shumë të ulët.Prandaj, Kosova do ta ndiej nevojën për një ekonomi të integruar në rajon, po sikurse edhe për investim të drejtpërdrejt të jashtëm.
           Stabiliteti politik nuk mund të krijohet pa stabilitet ekonomik. Që të dyja janë do të jenë të lidhura me ndërtimin e një  perspektivë të qartë të  Kosovës në BE. 



Shënime
 
1) Jean- Louis Quermonne, Les regimes politique occidentaux, Editions du Seuil, 1994, f.17; sipas Luan Omari, Shteti i së drejtës, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Elena Gjika”, Tiranë, 2004, f.51.
2) Shih: Legitimnost demokratske vlasti (Legjitimiteti i shtetit demokratik), Përmbledhje punimesh (O. von Gierke, G. Simmel, C. Schmitt, J. Habermas, J.M.Buchanan, G.Tullock, W. Becker, R. Dworkin, G. Sartori, C. Offe, N. Bobbio, J. Rawls, B. Guggenberger), “Naprijed”, Zagreb, 1996.
3) Luan Omari, Shteti i së drejtës, botim i dytë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Elena Gjika”, Tiranë, 2004, f.1).
4) Po aty, f.1.
5) Shih: Franz Neumann: Demokratska i autoritativna drzava (Shteti demokratik dhe autoritar), “Naprijed”, Zagreb, 1992.