(Përmbledhje  e fjalës në Akademinë Përkujtimore të mbajtur në Gjakovë më 23 maj 2009)

Padyshim se masakra e Dubravës që ndodhi dhjetë vjet më parë dhe të cilën po e përkujtojmë sot, paraqet “njërën ndër ngjarjet më të tmerrshme e më të përgjakshme gjatë luftës në Kosovë”.


Duke i kujtuar gjitha ata që “e lanë një histori”,  luftojmë harresën dhe trokasim në ndërgjegjën tonë me pyetjen “nëse kemi bërë atë që ka qenë dashur të bënim në ndriçimin e fakteve për t’i thënë dhe për t’i dhënë botës të vërtetën për masakrën e Dubravës.

Dubrava më asocion:

D -ënimin pa vendim;

U –rrejtjen e shfrenuar;

B –arbarinë e egër;

R - obërinë e pashembullt;

A –nkthin e vërtetë;

V –uajtjen e tmerrshme;

A –natemën e pathemeltë.

E vërteta për Dubravën duhet të thuhet dhe të përhapet, sepse politika serbe  përherë është përpjekur që ta fsheh atë, që ta paraqes të shtrembëruar. Nuk ka padrejtësi më të madhe se kur e vërteta shtrembërohet.
Dubrava nuk ndodhi rastësisht, po sikurse që edhe lufta në Kosovë nuk ndodhi rastësisht.Me shqiptarët dhe kundër tyre çdo gjë është planifikuar, është përgatitur dhe është zbatuar me përpikëri nga pushteti serb.Kështu është dhe me masakrën e Dubravës.
Në Dubravë ndodhi krimi më i rëndë dhe më çnjerëzor dhe në te „bashkuan dhe përgjakën duart“ edhe drejtuesit e burgut, edhe rojet e burgut, edhe të burgosurit serbë, edhe paramilitarët, edhe militarët dhe policët serbë.
Në burgun e Dubravës që qe shndërrua në një kamp përqëndrimi ndodhën veprime me tipare gjenocidale dhe kjo është e vërteta për Dubravën.Nuk mund të ketë dy të vërteta për Dubravën dhe as dy bindje për një të vërtetë. Kriteri i së vërtetës është gjykimi për vërtetësinë ose falsitetin e një pohimi.
E para, masakra ka ndodhur në „hapësirën e një institucioni të menagjuar nga Ministria e Drejtësisë e Serbisë“.
E dyta, „as një lloj veprimi në atë institucion nuk ka mund të ndodh pa dijen e pushtetit serb“; pa lejen dhe pa pëlqimin e tij.
E treta, „as një lloj veprimi në atë institucion nuk ka mund të ndodh pa mbështetjen në elaboratet e përgatitura në nivelin shtetëror“.

Nuk është bërë pothuajse asgjë për të zbardhur të vërtetën për Dubravën dhe as për ta gjykuar përgjegjësinë dhe përgjegjësit për të dhe për këtë heshtje nuk mund të amnistohen institucionet tona.

Thuhet se janë, më së paku, pesë vështirësi, gjatë kërkimit të së vërtetës.

Së pari, „ai që dëshiron të luftojë gënjeshtrën, duhet të ketë guximin ta thotë të vërtetën;

Së dyti, „mençurinë për ta dalluar atë“;

Së treti, ”artin për ta bërë të përdorshme”;

Së katërti, ”zgjedhjen e vërtetë të saj”;

Së pesti, ” zotësinë për ta shpërndarë atë”.

Shoqëria jonë dhe institucionet tona , duke ndërtuar të ardhmen, duhet të kujtojnë të kaluarën dhe duhet të reflektojnë gatishmëri për të mos shlyer nga kujtesa ndjekjen, ndëshkimin,vuajtjen dhe vrasjen e djemëve tonë në kazamatet serbe, duke reflektuar njëkohësisht gatishmëri për të përjetësuar mbamendjen për ta me një memorial, bashkë me gatishmërinë për të rregulluar statusin e tyre dhe të familjarëve të tyre.

Qoftë i paharrueshëm dhe i përjetshëm kujtimi për ata që na e lanë  një histori të cilën e shkruan me jetët e tyre.