(Fjalë e mbajtur në Konferencën ”Konsolidimi i paqës në Kosovë dhe në Ballkan”,  në Prishtinë, më 31 maj 2008)

Vërejtje hyrëse

Kosova, e goditur prej luftës, është vend shumë i qëlluar për të biseduar për paqen.

Moto e fjalës sime është:
Paqes nuk i duhen shumë fjalë, luftës ato kurrë nuk i mjaftojnë.


Asnjëherë më parë, më shumë se sot, nuk ka
pasur nevojë që “të takohen” e verteta dhe
paqja, veçanërisht në Kosovë, e cila
historikisht ka përjetuar shumë ndrydhje dhe
shkelje të të drejtave të një etnikumi, e cila ka
kaluar nëpër procese më antipode kundruall
njerëzimit, ku është atakuar ekzistenca e
njerëzve të një etnie, ku janë “përligjur” masa
që kanë atakuar trashëgiminë kulturore
etnike, ku janë ndërmarrë veprime dhe janë
nxjerrë akte që kanë synuar shtypjen e
vullnetit politik të shumicës dominuese të një
etnie në hapësirën e saj.
Asnjëherë më parë, më shumë se sot, nuk ka
pasur nevojë që “të takohen” mitet dhe
realiteti, veçanërisht në Kosovë, sepse nuk ka
padrejtësi më të madhe se kur mitet shkelin
realitetin dhe synojnë dy bindje për një të
vërtetë, pa vra mendjen se nuk ka dy të vërteta
për një bindje dhe se kriteri i së vërtetës
nënkupton vlerësimin,gjykimin dhe mjetin për
të kontrolluar vërtetësinë ose gënjeshtrën e
një pohimi, hipoteze, teorie, pra edhe një parimi.
Asnjëherë më parë, më shumë se sot, populli
shqiptar i Kosovës,edhe pse shumë i vuajtur dhe
i përvuajtur, nuk ka shprehur gatishmëri më të
madhe për të kultivuar paqen, qoftë edhe me
koncesione të mëdha për të ardhmen e tij, duke
pranuar edhe “lirinë e mbikëqyrur”, edhe
“pavarësinë e varur”.

Këshilla

Këshilla që duhet të mbajmë para vetes është
se askush nuk mund të na ofrojë paqen, përveç
se ne vetë, duke pasur parasysh se dikush duhet
ta fillojë paqen, po sikurse qe dikush e fillon
luftën, se paqja ka për njerëzimin rëndësinë që
ka tharmi për bukën dhe se lufta për paqen
fitohet kur pushohet të flitet për luftëra të
drejta.

Të dish të bësh paqen

Të deklarosh  paqen nuk është problem.
Problemi është të dish të bësh paqen.
Parakusht është tek njerëzit të  ndërtosh vetëdijën për
paqen.Kjo varet nga gatishmëria e tyre që:
Së pari, të kuptojnë dhe të mësojnë për paqen;
Së dyti, të kuptojnë dhe ta duan jetën në paqe;
Së treti, të kuptojnë mënyrën e kultivimit të
paqes;
Së katërti,të mësojnë rregullat e sjelljes në
paqe.

Qëndrimi ndaj paqes

Qëndrimi i njerëzve ndaj paqes duhet të jetë
qëndrim ndaj diçkaje që duhet kultivuar, e jo
ndaj diçkaje të huaj, të imponuar.
Më mirë është të vdesësh për paqe, se të jetosh
për luftë.
Vetëm paqja nuk i nënshtrohet vdekjes.
Paqja është e nevojshme jo vetëm për
funksionimin normal të jetës,por edhe për
sigurimin e saj.
Nëse dikush do të arrinte  t’i bënte njerëzit e
sigurt, kjo do të mund të ishte vetëm paqja.

Porositë

E para, në kohën e shumë kundërthënieve,
konfuzioneve dhe konflikteve(tri herë k), sot
janë të pashmangshme nevojat për të
komunikuar konceptet, nocionet dhe
kategoritë themelore të paqes.
E dyta,jepini pushtetin në duar atyre që duan
paqen.
E treta, është më lehtë të mbash fjalim për
paqen, se të mbash fjalën se do të punosh për të.  
 Më në fund, edhe një porosi për Federatën Universale për
Paqen.
Ajo duhet të ndryshojë alfabetin dhe si shkronjë të parë të
përdorë sh-ën, që identifikon shëndetin dhe si shkronjë të
dytë  p-në që simbolizon paqen.