Kosovën e kërcënon rreziku që në vend se të krijojë “shtetin e së drejtës”, të promovojë “shtetin e të së padrejtës”

(Fjalë e mbajtur në Konferencën “Sundimi i Ligjit në Kosovë-Sfidat dhe Perspektivat”, në organizim të Fondacionit Friedrich Naumann STIFTUNG dhe Shoqatës së Juristëve të Kosovës, në Prishtinë, më 31 Tetor 2008)

 

 

Fjalën time po e filloj me vërejtjen se Kosovën e kërcënon rreziku që, nëse nuk e vendos sundimin e ligjit, në vend se të krijojë “shtetin e së drejtës”, të promovojë “shtetin e të së padrejtës” dhe me konstatimin se perspektivat afatgjate janë të mira, por sfidat momentale janë vërtet të mëdha.

 

Eshtë shumë e hershme kërkesa për një shoqëri të bazuar në të drejtën, në respektimin e ligjeve.

Ndeshet qysh te mendimtarët e parë të Greqisë së lashtë.

Në të vërtetë, mendimi i lashtë grek, njihte “përparësinë e së drejtës në raport me shtetin”.

Qysh Platoni angazhohej për një “qeverisje të ligjeve”( term ky i njëjtë me termin modern “rule of laë”).

Ndërsa, Aristoteli , “pa njohur epërsinë e së drejtës”, afirmomonte “qeverisjen e ligjeve” dhe epërsinë e saj ndaj asaj të njerëzve.

 

Një ndër pyetjet qëndrore që do të   mund të shtrohej në këtë konferencë është: për çfarë shteti ndien nevojën Kosova pas përkufizimit të statusit të ri të saj, ndërkohë që ballafaqohet me zbrazëti, qoftë pushtetore, qoftë juridike ?; në një gjendje të krijuar kur në garë për pushtet dhe ligj janë shumë aktorë; kur në atë garë synon të përfshihet edhe Serbia, me qëllimin e fundit për të krijuar “dy forma të administrimit të Kosovës”, megjithë deklarimin e pavarësisë së saj dhe njohjen nga më shumë se 50 shtete ?!

Gati nëntë muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, misioni ndërkombëtar po ballafaqohet “me realitetin e mosfunksionalitetit” të shteti të Kosovës, që në “lindjen e tij”.

Edhe pse, shprehur figurativisht, nga “kurimi intensiv”, Kosova “kaloi në mbikëqyrje dhe tretman të mjekëve”, ajo ende nuk po ecë “me këmbët e veta”, ende nuk “po vetushqehet” dhe ende nuk po “i ushtron në mënyrë të pavarur funksionet vitale të jetës”.

Në Kosovë janë ngadalësuar dhe vështirësuar, më së paku, tri procese që ishin parashikuar të ndodhnin:

 

E para, ishte paraparë largimi i UNMIK-ut dhe kjo nuk ndodhi.

 

E dyta, ishte projektuar funksionaliteti i shtetit dhe ky nuk po ndodh.

 

E treta, ishte rekomanduar një mision i EULEX-it dhe një vendosje e tij ende “pritet të ndodhë”.

 

Mostërheqja e UNMIK-ut ka krijuar një gjendje konfuze dhe “paqartësie autoritetesh” në Kosovë.Në këtë konfuzion pëson funksionaliteti i shtetit të Kosovës dhe rritet ndërvarësia e institucioneve vendore, qoftë karshi UNMIK-ut “të dobësuar”, qoftë karshi EULEX-it ende “të palegjitimuar”.

Mostërheqja e UNMIK-ut do të mund të shkaktonte jo vetëm “dy realitete paralele” të bashkësisë ndërkomëbëtare, por “do t’i kontribuonte mungesës së koordinimit të tyre” dhe, për pasojë, do të mund të rriste shkallën e mosfunksionimit shtetëror në Kosovë.

Për momentin në Kosovë ka përplasje autorizimesh në mes OKB-së dhe BE-së3, pavarësisht se për të nuk flitet botërisht.Në këto rrethana, më së vështiri e kanë dhe do ta kenë institucionet e Kosovës.

Do të ishte e papranueshme për Kosovën po të ndodhte “dualiteti i administrimit” të saj, në mënyrën që për veriun të kishte një formë të administrimit, të mbikëqyrur nga UNMIK-u, ndërsa për pjesën tjetër një formë tjetër të administrimit, të mbikëqyrur nga EULEX-i ose, shprehur ndryshe që UNMIK-u “të mbetej serb”, e EULEX-i “të bëhej shqiptar”.Kjo padyshim  se do të ishte “hyrje” në përligjjen e ndarjes së Kosovës ose “do të sugjeronte” idenë për ndarje.

Siç po zhvillohen ngjarjet, Kosova edhe për një kohë do të merret, nga një anë, me interpretimin më shumë se më ndërtimin e rendit juridik, ndërsa në anën tjetër, më shumë me kërkesën për shtrirje se me shtrirjen efektive të pushtetit dhe ligjit në gjithë territorin e saj.Ndarja faktike në këto dy plane do të përbënte një “gjenerator negativ politik”.

Deklarata e Piter Fajt se “ nuk do ta vendosim me dhunë EULEX-i në veriun e Kosovës” është indikative dhe tërthorazi, inkurajon veprimin e pushtetit të Serbisë dhe pamundëson zbatimin unik të ligjit të Kosovës në gjithë territorin e saj që, për mua, përbën çelësin e problemit. Të shprehësh se nuk do të ndodhë ndarja, e të mos ndërmarrësh asgjë për bashkimin , flet për një joparimësi të shkallës më të lartë.

Ndërkohë që Kosova është bërë me kushtetutë të vetën, të hartuar, në pjesën më të madhe, nga Plani Ahtisaari, akti “më i lartë juridik” i saj sfidohet:

 

Së pari, me “barazimin ligjor të ombrellës së UNMIK-ut në Rezolutën e pashfuqizuar 1244”.

 

Së dyti, në “pozitën neutrale ( të saj) karshi statusit të Kosovës”.

 

Pra, sifidë më vete do të jetë (dis)funksionaliteti i administrimit të Kosovës, nëse institucionet e saj nuk do të mund të funksionojnë “në tërësinë e vet tokësore me një sistem juridik”.

Prandaj, Kosova ndien nevojën :

 

E para, për shtetin e së drejtës që jetën në të, ta organizojë “mbi bazën e ligjeve dhe që nuk do të le vend për anarki, gjendje lufte, situata të acaruara apo  përleshje të vazhdueshme”. E gjithë kjo do të kërkojë që “vetë organet e pushtetit t’iu nënshtrohen ligjeve që do të nxjerrë organ i më i lartë ligjvënës”.

 

E dyta, në Kosovë ndihet nevojë për një legjislacion “të formuluar mirë, në mënyrë të qartë e precize”, me qëllim që normat të jenë “të zbatueshme dhe jo abstrakte”.

 

E treta, Kosovës i nevojitet një qeverisje ku veprimtaria  e organeve të shtetit do të “bëhet mbi bazën e ligjit” dhe nëse do të paraqiteshin kontradikta e konflikte, ligji “të zbatohej me anën e vendimeve gjyqësore”.

 

E katërta, në Kosovë do të duhej të krijohej kuadri ligjor për vendosjen e funksionimin e shtetit të së drejtës, edhe pse ai “është vetëm një premisë e domosdoshme për shtetin e së drejtës”.

 

E pesta, në Kosovë do të duhej të funksiononin mekanizmat e kontrollit të zbatimit të normave kushtetuese e ligjore. Përgjithësisht, “sistemi i vlerave demokratike do të duhej të depërtonte në mekanizmat juridikë, nëse do të dëshironim që “shteti i së drejtës”, siç u tha, të mos na “shndërrohej” në “shtetin e të së padrejtës”.

 

Një ndër aspektet e rëndësishme të sundimit të së drejtës kërkon që organet e pushtetit të respektojnë ligjin dhe aktet e tjera në zbatimin e tij.

Nga ana tjetër, organet e drejtësisë duhet që të ushtrojnë një formë  kontrolli mbi organet e shtetit nëpërmjet “kompetencës për të shqyrtuar ato akte të pushtetit që janë në kundërshtim me lgjin”.

Përfundimisht, në Kosovë do të duhej të sigurohej zbatimi unik i ligjeve në gjithë territorin e saj. Kosovës i duhet “fuqia e ligjit” për t’u bërë një “shtet i së drejtës”.

Kosova duhet të përqafojë vlerat e demokracive perëndimore, veçanërisht këto pesë tipare kryesore të tyre.

 

Një, “zgjedhjet e lira, që nënkuptojnë lirinë e kandidaturave dhe formimin dhe funksionimin e lirë të partive politike, lirinë e votimit dhe votën e barabartë e të përgjithshme, fshehtësinë e votës dhe barazinë e kushteve të informacionit e të propagandës gjatë fushatës elektorale”.

 

Dy, “ushtrimin e pushtetit nga shumica”.

 

Tre, respektimin e opozitës, që nënkupton lirinë e kritikës dhe parimin e alternancës në pushtet”.

 

Katër, “konstitucionalizmin që përfshin nga një anë, detyrimin e të gjithëve për t’iu nënshtruar kushtetutës dhe, nga ana tjetër, detyrimin e pushteteve publike që t’iu nënshtrohen kontrollit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së akteve të tyre nga një organ juridik i pavarur”.

 

Pesë, “ garancitë e të drejtave themelore, që kërkojnë funksionimin e shtetit juridik, zbatimin e parimit të epërsisë së të drejtës dhe resprktimin e tij nga kushdo”.