Pasi bëri një numër të madh kompromisesh për të arritur një pavarësi të kushtëzuar me  sovranitet të kufizuar, Kosovës tash po i kërkohet nga bashkësia ndërkombëtare që të deklarohet kundër atyre kompromiseve dhe kundër vetëvetes dhe të ardhmes së saj.


Plani gjashtëpikësh i Ban Ki Munit është tërësisht i papranueshëm për Kosovën, jo vetëm për shkak se ai, në të vërtetë, paraqet një plan të Serbisë për përfshirjen e saj në rregullimin e brendshëm të Kosovës, por  edhe për shkak të legjitimimit ndërkombëtar të përfshirjes së saj  në garë për pushtet dhe ligj në Kosovë. Sipas këtij plani, që Bashkimi Evropian negocioi me Serbinë, ai në fakt, pranoi të gjitha kushtet e vëna nga Serbia: e para, që EULEX-I të bazohet në Rezolutën 1244; e dyta, që EULEX-i  të jetë neutral karshi statusit të Kosovës dhe, e treta, që EULEX-i të mos ketë fare të bëjë me Planin Ahtisaari.

Me Planin gjashtëpikësh, parashihet që fushë të rëndësishme, si policia, gjyqësia, kufijtë, doganat, trashëgimia kulturore dhe transporti, të ndahen në baza etnike që, si synim  kanë të ashtuquajturën “ndarje të brendshme”, për të krijuar dy realitete dhe sisteme administrative dhe juridike në Kosovë dhe për t’i siguruar Serbisë involvim dhe ndikim në punët e brendshme të Kosovës, duke e bërë atë madje edhe bartëse të drejtpërdrejtë të një pjese të sovranitetit,megjithë deklarimin e pavarësisë së Kosovës  dhe njohjen e saj nga më shumë se pesëdhjetë shtete të botës.

Prandaj, Plani gjashtëpikësh duhet të kundërshtohet fuqishëm  jo vetëm për shkak të anashkalimit të Kosovës në marrëveshje, por në rradhë të parë, se  prapa tij fshehet tendenca për ndarje, jo vetëm në vija administrative dhe politike, por edhe në rrafshin ekonomik, më dëme të mëdha për ripërtrirjen e saj në një zonë shumë të rëndësishme të ekonomisë së Kosovës.

Përkujtojmë se edhe gati nënëtë muaj pas shpalljes së pavarësisë, Kosova  ballafaqohet me  mosfunksionalitetin e shtetit , që në lindjen e tij. Sëkëndejmi, përpjekjet për të krijuar dy realitete paralele të papajtueshme në Kosovë, jo vetëm se do të mund të rrisnin shkallën e tensionimit të raporteve Kosovë- Serbi, por për pasojë, do të lëndonin shtetin, edhe ashtu ende territorialisht, politikisht, juridikisht dhe ekonomikisht të cunguar të Kosovës.

Në vend se të angazhohet për vënjen në jetë të një projekti shumë të dëmshëm për të ardhmen ndërkombëtare të Kosovës, bashkësia ndërkombëtare do të duhej të angazhohej që t’i mundësojë institucioneve të Kosovës funksionimin në tërësinë e vet territoriale me një sistem të vetëm juridik që siguron zbatimin unik të ligjit në gjithë territorin e saj.

Eshtë koha e fundit që bashkësia ndërkombëtare të mobilizohet për të ndihmuar shtetkrijimin në Kosovë dhe për ta përfunduar atë. Ndryshe, pasojat mund të jenë shumë të rënda dhe të pariparueshme, si  për të ardhmen e Kosovës, ashtu dhe për  çështjen shqiptare në përgjithësi, pjesë e pandashme e së cilës është Kosova.