(Kumtesë e paraqitur në Simpoziumin  Shkencor “Roli i Diplomacisë  Publike dhe Medias në promovimin e Imazhit dhe Identitetit të Kombit Shqiptar”, të organizuar në kuadër të Festivalit III-të Ndërkombëtar “Imazhi Shqiptar”,Tiranë, 28-29 Nëntor 2008)


Të nderuar pjesëmarrës,
 

1.Meqenëse për këtë temë me shumë interes kombëtar po debatojmë “me petkun festiv”, e kam përshtatur edhe gjuhën, edhe shprehjen, pa e cunguar përmbajtjen dhe porosinë e kumtesës sime relativisht të gjatë, nga e cila po shkëpus disa nga theksimet më kryesore të saj.

 

Prandaj, edhe po e filloj fjalën time në një mënyrë të pazakontë për simpoziumet shkencore.

Eshtë mirë që, së paku, njëherë në vjet, “na bie ndërmend” që i takojmë një kombi.

Ka kohë që po shkruaj një libër “Si e ndjeva Shqipërinë për dyzetë vjet( 1967- 2007)”.Eshtë lehtë të shkruash një libër, por është vështirë të thuash në të atë,që duhet të thuash, për “t’iu pëlqyer të gjithëve”, sepse ende nuk kemi arritur “të jemi dhe të bëhemi një”.

Edhe kësaj rradhe, “nuk e ndjeva Shqipërinë” ashtu si “dëshiroja ta ndjeja”.

Parmbrëmë(27 Nëntor), dje dhe mbrëmë,(28 Nëntor),  shetisnja rrugëve të Tiranës për “ta ndjerë festën e madhe kombëtare”, sepse për sot kishnja marr për  detyrë që të flisnja për kombin, shtetin dhe identitetin që, megjithë disa ndryshime, vazhdojnë të jenë të nëpërkëmbur.

Takova njerëz në rrugë, kafene dhe treg. I intervistova si një gazetar i kujdesshëm. Mora opinione nga më të ndryshme. U zhgënjeva kur dëgjova veçanërisht opinonet, si “Këtu nuk ka ndjenjë kombëtare, këtu ka ndjenjë paraje !” ose “Eshtë shkombëtarizuar ky shtet !”.Nuk po i komentoj sot. Sigurisht se do t’i komentoj në librin tim  për Shqipërinë.

Mbrëmë, më 28 Nëntor, u afrova tek Teatri Kombëtar për të parë një “dramë shqipe”. U gëzova shumë kur nga larg vërejtja Reshat Arbanën, në një pano që paralajmëronte shfaqjen.Por, u zhgënjeva.Shfaqej një dramë irlandeze. Prisnja që, së paku, mbrëmë më 28 Nëntor, të shihnja një “dramë shqipe”.

Mbrëmë më ftuan në një “party”.Deshën të “më përfitojnë” duke më paralajmëruar se do të këndojë një këngëtare greke. Sërish u zhgënjeva. Prisnja që, së paku mbrëmë, më 28 Nëntor, të dëgjoja një këngëtare shqiptare.

Zhgënjimet arritën edhe nga Kosova.Në Kosovë “u festua  28 Nëntori”, por si “kremtë e shqiptarëve”, e jo si “Ditë e Flamurit!”, sepse koniukturat pushtetore e kualifikuan 28 Nëntorin në “festë memoriale !”.

  

2.Kësaj rradhe nuk është tema “që përzgjodhi kohën”, por të kundërtën : është koha që “përzgjodhi temën”.

Tema vërtet është mjaft serioze që t’i qasësh “në mënyrë relaksuese”;

është mjaft tensionuese që t’i qasësh “në mënyrë krejt të qetë”;

është mjaft e ngrohtë që t’i qasësh  “në mënyrë krejt të ftohtë”.

Kumtesa ime është më shumë analizuese, se sintetizuese; më shumë shqyrtuese, se vështruese; më shumë medituese,se verbalizuese; më shumë kritikuese se oportunizuese.

Asyeja është e thjesht : vazhdojmë të jetojmë të ndarë si gishtërinjt e dorës , ashtu siç u shfaqën  në pano si moto e simpoziumit.

 

3.C’të thuhet ?

Po të thuhej fjalia e fundit – e para, në të ardhmen, më të afërt ose më të largët, Ballkanin “do ta dominojnë shqiptarët”, së paku në shifra.Natyrisht se ne ende nuk kemi përcaktuar as udhën dhe as mënyrën e atij “dominimi numerik të shqiptarëve në Ballkan”.

Aranzhimi “i atij dominimi” do të kërkojë prej shqiptarëve, po vendosem nën titullin e Simpoziumit Shkencor “Roli i Diplomacisë Publike dhe Medias në promovimin e Imazhit dhe Identitetit të Kombit Shqiptar”, qoftë imazh të ri, qoftë vizion të ri në politikën kombëtare.

 

4.Në ftesën për këtë solemnitet shkruan : “Ju ftojmë të festojmë së bashku !”.

 Shqiptarët ende nuk i janë përgjigjur pyetjes, përherë aktuale për ta, “Si të ecim bashkë” të ndarë ?

Qe 96 vjet shqiptarët festojnë një ëndërr, e jo një realitet. Festojnë 28 Nëntorin e 1912- tës, e jo 28 Nëntorin e 1913- tës !

Shqiptarëve u duhet një imazh i ri dhe një vizion i ri  në politikën kombëtare për të kuptuar realitetin që i rrethon, por edhe për të marrë një qëndrim karshi atij realiteti, në mënyrë që të mos rriten si popull, e të rrudhën si komb.Prandaj, ju lutem, veçanërisht juve këtu, në Shqipëri : mos na quani kosovarë, sepse ne jemi shqiptarë të Kosovës ! Ndryshe, do t’i ndihmojmë rrudhjes së kombit.Edhe Kushtetuta e Kosovës “ka hequr dorë nga identiteti kombëtar” për “hir të identitetit shtetëror!”. Kushtetuta e Kosoëvs “ka përligjur” edhe një qëndrim tjetër politik të Grupit të Kontaktit, se “nuk mund të bashkohet me asnjë shtet dhe me asnjë pjesë të një shteti tjetër”. Nuk mendoj se mund t’i qëndrojë kohës një qëndrim i tillë, sepse, tek e fundit, është çështje e sovranit se a do t’i bashkohet dhe kujt do t’i bashkohet. Problemi është më serioz se që e mendojmë dhe më serioz se që paraqitet në dukje të parë.

 

5.Cdo 28 Nëntor shqiptarët “i kthehen historisë” së tyre. Këtë do të duhej ta bënin “me sy përpara”, jo për ta harruar atë, por për të mos e “rishijuar” të hidhurën e saj.Ata do të duhej t’i vetëndërgjegjësonin proceset politike, veçanërisht në Kosovë, ku projekti më serioz kombëtar i tyre, shteti i ri, po sfidohet me një qëndrim ende “të pacimentuar” të qendrave ndërkombëtare të vendimmarrjes.Përballja me atë qëndrim kërkon edhe imazh të ri, edhe vizion të ri, në politikën kombëtare. Nëse  shprehem  se është i madh roli i diplomacisë dhe medias në këtë fushë nuk kam thënë asgjë të madhe, sepse ai rol i tyre le të kuptohet.

Në diplomaci, veçanërisht, por  dhe në media që “flasin gjuhën e saj”, nuk mjafton përsëritja e argumeteve dhe fakteve, por mbështetja e tyre dhe në to.

Imazhi i ri dhe vizioni i ri nuk mund të ndërtohet me përulje të reja, por me qëndrime të përbashkëta dhe zotime të përbashkëta për interesa të përbashkëta. Ndryshe, zotimet e shqiptarëve ende vazhdojnë t’i ngjajnë këngëve folklorike. Po ua kujtoj një aforizëm timin  : “Po të bëhej me çifteli e më shumë parti, ne shqiptarët të parët në Hënë do t’kishim mbërri !”.

 

6.Kosova është shkëputur nga tërësia e çështjes shqiptare, por fatet e saj ndërlidhen me fatet e tërësisë : tërësia varet prej saj.

Nga libri im i fundit, i botuar këtyre ditëve, me titull : “Shteti- shqyrtime të përgjithshme teorike me vështrim rasti i Kosovës”, po shkëpus një mendim:

“Në lidhje me theksimet e shprehura se pavarësia e Kosovës do të përbënte një ‘zgjidhje përfundimtare për Kosovën’, reagimet e shqiptarëve nuk kanë qenë të zëshme.Pavarësia e Kosovës nuk është një “zgjidhje përfundimtare”. Arsyeja qëndrore është se statusi politik – kushtetues i Kosovës nuk përbën as tërësinë e statusit politik – kushtetues të shqiptarëve që kanë jetuar në hapësirën e ish- Jugosllavisë dhe as statusin politik – kushtetues të popullit shqiptar në tërësi, sado që statusi i Kosovës përbën thelbin e tij.

Një gjë që duhet të theksohet edhe me këtë rast është se, “sikur vetëdija evropiane dhe vetëdija e gjithë shteteve në to të ishte në nivelin më të lartë të pranimit të vullnetit të lirë të popujve që të ndjekin parimin e lirë etnik me konsekuencë të plotë, nëpërmjet rrugës paqësore, pa sjellje politike me standarde të dyfishta, kishte për të qenë  tejet i natyrshëm opsioni i bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës dhe i trevave tjera me shumicë etnike shqiptare si territore kontinuele në esencë me strukturë të njëjtë dominante kombëtare...”(Shih: Gazmend Zajmi, Vepra I, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, Prishtinë, 1997; Paul Garde, Vie et mort de la Yougoslavie, Paris, 1992; Esat Stavileci, Vazhdimësia e mendimit për Kosovën dhe çështjen shqiptare, Lidhja Shqiptare në Botë, Tiranë-Prishtinë-Tetovë, 2001).

 

7.Statusi i tashëm i Kosovës, “pavarësi e mbikëqyrur”, me sovranitet të kufizuar, është produkt i lëkundjeve të mëdha dhe shumë të gjata të bashkësisë ndërkombëtare rreth të ardhmes së saj, në mungesë të njohjes të së drejtës për vetëvendosje, siç parashikojnë vlerat dhe parimet demokratike për popujt. Prandaj, është faktori ndërkombëtar që mori përsipër të ofrojë një zgjidhje për Kosovën, e jo populli i saj; është faktori ndërkombëtar që “detyrojë palët të ulën në tryezë bisedimesh”, edhe pse ky ishte një “investim joekonomik” i tij, për shkak të pozicioneve krejtësisht të kundërta të palëve; është faktori ndërkombëtar që, megjithë përkufizimin e statusit të Kosovës, i le të hapura shumë çështje që këtyre ditëve u dramatizuan  me Planin gjashtëpikësh të OKB- së që, shprehur me një fjali, sugjeron ndarjen e Kosovës dhe e përligj Serbinë si një subjekt të rëndësishëm në garë për pushtet dhe ligj në Kosovë; projekt ky i OKB-së që mëton të krijojë dy forma të administrimit në Kosovë, megjithë deklarimin e pavarësisë së Kosovës dhe njohjes deri më sot prej më shumë se 50 shtetesh, prej të cilave edhe ato me fuqi dominante politike dhe ekonomike në botë. Prandaj, megjithë shpalljen e pavarësisë, Kosova është sovrane “vetëm në mënyrë të kufizuar” dhe është “de facto e ndarë në veriun e banuar me serbë dhe jugun e dominuar nga shqiptarët.

 

8.Unë dhe sot e kësaj dite, mendoj se nuk është argumentuar, as  sa duhet  dhe as si duhet, e kaluara jonë. Pseudohistoria serbe ka manipuluar shumë me të dhënën se “Kosmeti është serb”. Historia shqiptare është mundur nga propaganda serbe, edhe pse ajo ka pasur në dispozicion një numër shumë të madh argumentesh dhe faktesh, qoftë historikë, qoftë politikë, qoftë kushtetues- juridikë dhe ndërkombëtarë për të dëshmuar se qëndrimet posesive serbe ndaj Kosovës janë dyfish të pathemelta.

 

E para, se janë të pathemelta “në aspektin metodologjik të cilësimit të karakterit kombëtar të territorit”.

 

E dyta, se janë të pathemelta “në aspektin e së vërtetës materiale historike”(Gazmend Zajmi, Dimensions of the Question of Kosova in the Balkan, Academy of Sciences and Arts of Kosova and Kosova Information Center, Prishtina, 1994).

 

Pathemelësia e dyfisht e qëndrimeve posesive seërbe ndaj Kosovës e bën të pabazë edhe çdo persiatje për ndarjen e Kosovës.

 

Së pari, vetë çështja e Kosovës ”është sajuar” si çështje e veçantë me pushtimin serb të trojeve etnike shqiptare dhe me copëtimin e trungut etnik shqiptar dhe ky fakt duhet të shërbejë si komponentë nisës për të kuptuar esencën e çështjes së Kosovës.

 

Së dyti, ideja, koncepti, sugjerimi apo propozimi për ndarje të Kosovës,  nuk kanë ”prapa vetes” asnjë fundament ”të ndarjeve reale etniko – territoriale  në hapësirën e Kosovës”.

 

Së treti, Kosova nuk është fare  ”territor diversifikativ etnik i karakterit enklav”.

 

Së katërti, në Kosovë bëhet fjalë për ”kuantume dhe proporcione demografike dhe kombëtare, shprehimisht të ndryshme”.

 

Së pesti, janë të papranueshme, në pikëpamje logjike dhe konstitucionale, përpjekjet për përthekimin e dhunshëm eventual të territorit të Kosovës nga ana e Serbisë.Më në fund, ”përthekimi (eventual) i dhunshëm politik” i një pjese të territorit të Kosovës nuk do të ishte ”në përputhje me entitetin burimor politik të atij territori”.

(Esat Stavileci, Cështja e Kosovës në veprën e Gazmend Zajmit, Shoqata e Pavarur e Juristëve e Kosovës, Prishtinë, 1997).

 

9.Janë plotësisht të papranueshme projektet serbe për krijimin e dy en titeteve në Kosovë.

Meqenëse Kosova është aneksuar nga Serbia, në udhë jolegjitime, pavarësia e Kosovës, në asnjë mënyrë, nuk është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. C’është e vërteta, pavarësia e Kosovës, përpara se të kualifikohej si një ”rast klasik i secesionit të një pjese të një shteti sovran”, siç mendon Serbia, do të duhej të kundrohej, në fakt, si një ”anulim aneksimi ilegjitim”.Pra, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar kishte rënë vetë Serbia, e cila më 1912 aneksoi Kosovën nëpërmjet pushtimit ushtarak, pas një agresioni të saj  të saj  në Perandorinë Osmane, ”edhe pse qysh prej kohësh Kosova kishte identitetin e vet historik dhe etnik, të shoqëruar me legjitimitetin e çlrimit të vet, qoftë nga pushtimi osman(1912), qoftë nga pushtimi fashist(1944), edhe pse kishte integritet gjeografik, demografik dhe kulturor të saj”.    

Së këndejmi, në vend se të pranojë veprimin e saj ilegal, që ka bërë duke shkelur ”me të dyja këmbët” ligjin ndërkombëtar, me aneksimin e Kosovës, Serbia tash përdor një argument të paqëndrueshëm shkencërisht, historikisht dhe aktualisht, për ”të ruajtur sovranitetin mbi Kosovën”, të cilin, siç dëshmojnë faktet, e mbajti në mënyrë jolegjitime për një periudhë shumë të gjatë, pa pyetur asnjëherë popullin shumicë të Kosovës dhe pa i marrë atij pëlqimin.Kosova është pushtuar gjatë luftërave ballkanike (1912-1913), ”në kundërshtim me aspiratat e shqiptarëve që kishin shprehur në Lëvizjen Nacionalçlirimtare 1878- 1912”. Shqiptarët ishin kundër përfshirjes së tyre në shtetin serb, përkatësisht jugosllav.Kështu, Serbia, edhe pse ”mori  legalitetin ndërkombëtar” për pushtimin e Kosovës, në asnjë mënyrë nuk mundi ta arsyetojë legjitmitetin e veprimit të saj.Pra, konkluzioni është shumë i qartë: ishin pikërisht agresioni, pushtimi dhe aneksimi serb i Kosovës, që shkelen ligjin ndërkombëtar, e jo e kundërta, që pavarësia e Kosovës ”dhunon të drejtën ndërkombëtare”(Shih: Esat Stavileci, Shteti- shqyrtime të përgjithshme teorike me vështrim rasti i Kosovës, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2008).

Historia ”është dëshmitare për politikën shkombëtarizuese”, për ”krimet e mëdha ndaj shqiptarëve gjatë viteve  1912- 1918”; për ”planet gjenocidale serbe për shfarosjen e shqiptarëve”; për ”shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi”; dhe për ”shpronësimin e fshatarësisë dhe për kolonizimin serbo-malazias e të tjera( Gjenocidi dhe aktet gjenocidale të pushtetit serb ndaj shqiptarëve nga kriza lindore e këndej, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, Prishtinë, 1995), ndërsa periudha 28 shkurt 1998 deri më 10 qershor 1999 vetëm sa ”i ka tejkaluar rastet e veçanta dhe ka marrë përmasat më të përgjithshme të gjenocidit të pushtetit serb ndaj shqiptarëve” (Esat Stavileci – Pajazit Nushi, Të vërteta për Kosovën, Lidhja Shqiptare në Botë, Prishtinë, 2000, edhe në anglisht).

Pavarësia e Kosovës ka bazë të fuqishme juridike edhe në pozitën kushtetuese- juridike të saj në ish- Jugosllavi, me gjithë faktin se nuk gëzonte statusin e republikës, por ç’është e vërteta, ishte pjesë përbërëse e ish-Jugosllavisë, me territor dhe kufijt e vet, të cilët nuk mund të ndryshoheshin pa pëlqimin e saj.Kosova ishte drejtpërdrejt e përfaqësuar në Federatën  e ish- Jugosllavisë, po sikurse republikar e saj, e jo nëpërmjet Serbisë, sepse ashtu do të kishim ”një situatë paradoksale të inkuadrimit të  Serbisë në Serbi dhe të tri Serbive(”me Kosoëvn dhe Vojvodinën”) me tri vota në Federatë”, ndërsa njësitë e tjera ”do të kishin nga një votë”.Se Kosova nuk ishte ”pjesë e Serbisë” dëshmojnë shumë fakte historike dhe juridike( Gazmend Zajmi, Vepra 1, Akademia e Shkencave  dhe Arteve e Kosovës, Prishtinë, 1997; Esat Stavileci, Në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës, Shoqata e Pavarur e Juristëve e Kosovës, Prishtinë, 1998).

Pavarësia e Kosovës nuk mund të injorojë dhe anashkalojë faktin e ”origjinës josllave të popullatës së saj shumicë shqiptare”.

Pavarësia e Kosovës nuk mund të kundrohet e krahasueshme me secesionizmin në disa vende të botës. Këtë duhet ta kenë parasysh ato shtete, që ende mbahen të rezervuara ndaj pavarësisë së Kosovës. Ato do të duhej t’i kërkojnë dhe t’i gjejnë ”pikat e përbashkëta të Kosovës” me disa vende të botës, që janë pajtuar me heqjen e sovranitetit mbi territore të tjera. Raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë të krahasueshme, për shembull, me ato ndërmjet Indonezisë dhe Timorit Lindor.Singapori është një shembull tjetër që duhet marrë parasysh.Edhe shembulli me Eritrenë është domethënës për rastin e Kosovës. Shqiptarët e Kosovës nuk janë të krahasueshëm as me katalonët, uelsianët, baskët, skocezët, korsikanët... sepse ata nuk u përballen, sikur shqiptarët e Kosovës, me dëbim masiv nga shtetet që i kontrollojnë(Më gjerësisht :  Esat Stavileci, Shteti- shqyrtime të përgjithshme teorike me vështrim rasti i Kosovës, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2008).         

Edhe ekzistimi i Shqipërisë si shtet shqiptar, nuk mund të qëndrojë si pengesë për statusin shtet i pavarur dhe sovran i Kosovës, po sikurse që të sjellim shembuj nga historia e krijimit të shteteve , ”as ekzistimi i Rumanisë nuk qe pengesë për krijimin e shtetit të Moldavisë ose që ekzistimi i Francës nuk ishtë pengesë për kantonët shtete në Zvicër”.Më në fund, edhe sikur Kosova të konstituohej si shtet i shqiptarëve dhe popullatës tjetër që jeton në të( e ashtu do të duhej të ndodhte), ”ekzistimi  i dy shteteve shqiptare në Ballkan ”do të ishte më parë hendikep, sesa përparësi gjeopolitike e popullit shqiptar në Ballkan”.

  

10.Ruajtja e tërësisë së çështjes shqiptare, me gjithë përcaktimet e tashme të pjesshme të saj, paraqet detyrë mbi detyrat tona kombëtare, detyrë që do të duhej të na dilte përpara  sysh , veçanërisht kur festojmë ”së bashku” të ndarë Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.E konsideroj se e kemi për detyrim kombëtar shtruarjen e plotë, të pandashme, pra ”të pashkoqur” të çështjes shqiptare.Në Ballkan ende nuk është rrumbullakësuar procesi i krijimit të shteteve kombëtare. Pikërisht shqiptarët paraqesin shembullin më tipik për këtë.

Tek ne, sikur me turp, flitet për synimin shekullor të shqiptarëve për bashkim, ndërkohë që Instituti për Studime Politike në Londër, në vitin 2005, kishte adresuar në qendrat ndërkombëtare të vendimmarjes  projektin për shqiptarët e bashkuar, si një zgjidhje përfundimtare për të menjanuar konfliktet në Ballkanin e trazuar.Edhe nëse rrethanat e tashme politike, të brendshme dhe ndërkombëtare, nuk favorizojnë idenë dhe synimin e shqiptarëve, shqiptarët do të duhej që:

e para, të mos fragmentarizonin çështjen shqiptare;

e dyta, të deklaroheshin kundër zgjidhjeve që përgjithmonë do të ”shkëpusnin nga trungu” përbërës të rëndësishëmn të saj.

Pas shpërbërjes së tri federatave, të gjitha sllave: ish Bashkimi Sovjetik, ish- Jugosllavia dhe ish- Cekosllovakia, janë krijuar rreth dyzetë shtete të reja kombëtare, ndërkohë që shqiptarëve u rekomandohen lloj-lloj federatash të reja ballkanike, koncepte këto që bien ndesh me aspiratat e tyre.

 Shkenca jonë përgjithësisht, ato historike, politike dhe juridike, në mënyrë të veçantë, nuk kanë argumentuar sa duhet tezën se Shqipëria Entike nuk është ”Shqipëri e Madhe”.Prandaj, nuk mund të arsyetohen shkencërisht angazhimet për zhdukjen e kufijve të ”Shqipërisë Etnike”, veçanërisht jo duke sajuar kufij ndarës shtetërorë midis pjesëve të kombit shqiptar, ndërkohë që, për shembull, sllavomaqedonasit propagandojnë ”shtetin kombëtar” pa qenë fare komb, dhe shih absurdin, përpiqen që këtë ta proklamojnë ”në kurriz të shqiptarëve”.

Në shkrimet e tij, Abdi Baleta, me të drejtë, ka shtruar pyetjen se a duhet përdorur termat ”Gjermani e Madhe”, pas bashkimit të dy shteteve gjermane; ”Kina e Madhe”, pas bashkimit të Hong Kongut me Republikën Popullore të Kinës; ”Vietnami i Madh”, ”Jemeni i Madh” etj., për të konstatuar, gjithashtu me të drejtë, se ”nuk ekziston një doktrinë e ”Shqipërisë së Madhe”, siç janë, për shembull, ”Naçertania” e serbëve ose ”Megalideja”e grekëve që paraqesin doktrina tipike të ”Serbisë së Madhe” dhe të ”Greqisë së Madhe”, ndërkohë që programet politike të shqiptarëve për bashkimin kombëtar nuk kanë asgjë të ngjashme me to”. Kështu arrihet tek dy përfundime të qëndrueshme.

 

Së pari, se koncepti i ”shtetit të madh” shtrembërohet dhe keqpërdorët atëherë kur është fjala ”për programin politik të shqiptarëve për bashkimin e trojeve etnike të tyre”.

 

Së dyti, se politika e bashkimit kombëtar për asnjë komb nuk është quajtur dhe nuk quhet ”shtetomadhe”, përveç se për shqiptarët.

 

U shpreha më parë  se është çështje e rrethanave të brendshme dhe ndërkombëtare nga të cilat varet realizimi i synimit shekullor të shqiptarëve, por faktet nuk mund ”të mbahen të fshehura”dhe ato flasin bindshëm se shqiptarët jetojnë në një rrip të pandërprerë tokësor dhe kudo që janë sot të vendosur, jashtë kufijve administrativë të shtetit shqiptar, në mënyrë të natyrshme, përbëjnë elementet e popullit, d.m.th., të kombit dhe se, mbi këtë bazë, paraqesin ”përmbajtjen kolektive unike historikisht të vendosur  dhe të formësuar”.

 

Për përfundim.

Ballkani nuk mund të qetësohet për derisa nuk do të zgjidhej drejtë e përfundimisht çështja kombëtare shqiptare. Kriza politike në Ballkan do të mund të evitohej vetëm atëherë, siç e kisha thënë në moton e një libri tim, në shqip dhe në anglisht, ”Cështja shqiptare në udhëkryqin e zgjidhjeve paqësore”, Shoqata e Pavarur e Juristëve e Kosovës, Prishtinë, 1995, kur secili komb, pra edhe kombi shqiptar, do të merrë hisen e vet, ndërkohë që edhe Gazmend Zajmi(Vepra 1, Akademia e Shkencave dehe Arteve e Kosovës, Prishtinë, 1997), shprehej ”se nëse do të hartohej ndonjë projekt i madh mbi stabilitetin afatgjatë në Ballkan, është e sigurt se problemi i zgjidhjes parimore të çështjes shqiptare me kritere objektive etnike dhe demografike, do të zinte një vend qëndror në të”.

 

Cka tash ? Kjo është pyetja për shqiptarët ?

 

Ne dimë se koha ecën, por sikur nuk dimë të ecim me të.Ai popull dhe ai komb që nuk mëson nga historia, kërcënohet me rrezikun që t’ i përsëritet e kaluara e tij.

Po shtrpoj edhe dy pyetje të tjera për shqiptarët :

 

E para, a duhet të pëlqejmë atë që kemi, nëse nuk kemi atë që pëlqejmë ?

 

E dyta, çfarë do të duhej të kishim parasysh ?

 

E para, të kundruarit dhe të shtruarit e çështjes shqiptare si çështje e një populli të ndarë padrejtësisht do të duhej të ishte kryefjalë e mendimit tonë politik. Pra, çështja shqiptare do të duhej të kundrohej dhe të shtrohej si “problem real i shqiptarëve si popull i ndarë”.

Ishte Evropa ajo që, ose cenoi rëndë tërësinë territoriale të shqiptarëve ose bëri përpjekje që t’i shlyejë ata nga harta gjeopolitike e saj.

  

E dyta, të shpjeguarit, me argumente dhe fakte historike, politike dhe juridike – ndërkomëbtare, që nuk mungojnë, se as Serbia dhe as Greqia dhe as Mali i Zi, “nuk kishin mbështetje historike për të përligjur lakmitë  e veta ndaj trojeve shqiptare”.

Copëtimi i trojeve shqiptare dhe aneksimi i më tepër se  gjysmës së tyre u bë nga ana e monarkive fqinje dhe kjo qe një padrejtësi e madhe që iu bë shqiptarëve të pambrojtur.

Ishte Serbia ajo që e para bëri pastrimin etnik që në kohën e luftës ruso-turke të viteve 1877- 1878, ndërsa pas vendimit të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913), qeveritë e Beogradit, Athinës e Cetinës bënë dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike dhe i detyruan të mërgonin në Turqi, sa më larg kufijve të tyre.

Edhe Jugosllavia e 1918- tës, vazhdoi fushatën e dëbimit të shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, për derisa gajtë Luftës së Dytë Botërore iu premtua, nga aleatët e mëdhenj, si këtej dhe andej kufirit, respektimi

i parimit të vetëvendosjes, por pas luftës, procedurat ndodhen ndryshe.

 

E treta, të ndërtuarit e ardhmenisë mbi një strategji të formësuar mbarëkombëtare. Në këtë rrafsh burojnë shumë detyra për diplomacinë shqiptare e cila, edhe vetë, do të duhej të vepronte si një tërësi, sepse vetëm në atë mënyrë do të mund të arsyetonte veten se po ndjek një politikë kombëtare.

 

E katërta, të kordinuarit e veprimeve në secilin segment të ndarë të çështjes shqiptare, në mënyrë që me to të mos cënohej më tej tërësia e çështjes.

Eshtë pëlqyer një aforizëm imi i mëhershëm, prandaj po e përsëris edhe sot : Të mos ulemi në “tryeza ndërkombëtare”, pa i shtruar “sofrat kombëtare”.

 

E pesta, të kaluarit në “ofensivë diplomatike” në mbrojtjen e qenies kombëtare, në mënyrë që, më vonë, të mos merremi me pasoja vështirë të riparueshme për ruajtjen e substancës së kombit.

 

E gjashta, të ecurit nëpër një proces “të konsolidimit të brendshëm” për të mos bërë “gabime në hapa”që do të mund të na kushtonin në të ardhmen.

 

E shtata, të aftësuarit e vazhdueshëm për të marrë fatin tonë në duart tona, në mënyrë që të mos krijohet në ne një mentalitet i ri vartësie nga të tjerët.

 

E teta, të mbajturit e lidhjeve dhe bashkëpunimit me faktorin ndërkombëtar, por jo duke pranuar nënshtrime dhe përulje të reja.

 

E nënta, të ngjeshurit e rradhëve të brendshme për efekte të jashtme, sipas parimit: jo partitë politike  para së gjithash dhe mbi të gjitha, por populli dhe kombi përpara tyre dhe mbi to.

 

E dhjeta, të ndryshuarit e raportit në të cilin kemi jetuar deri dje, si botë të ndara dhe të paharmonizuara. Shqiptarëve sot, si asnjëherë  më parë, iu duhet më shumë bashkimi, sesa ndarja, më shumë miqësia,sesa armiqësia.

 

Do të mposhtemi vetëm nëse do të na mungojë “qëndresa e përbashkët”.

Konica shkruante me dhimbje se “tragjedia e shqiptarëve fillon tek kulti i tyre për heroizmin vetjak, duke mos vlerësuar domosdonë në kushtet moderne të heroizmit të bashkuar si një popull i vetëm”.

 

Le të jetë ky urimi im për festën e madhe kombëtare, 28 Nëntorin. Gëzuar!