Në seancën e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (26 nëntor 2008), Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, duke shprehur “brengosjen” për moskujdesin ndaj monumenteve serbe në Kosovë, dy herë zuri në gojë një kishë në Gjakovë, rrënojat e së cilës  “qenkan mbuluar me asfalt”. Kjo nuk është hera e parë që të dëgjojmë prej tij “shqetësime të mëdha për trashëgiminë serbe në Kosovë”.

Do të dëshironin që t’i përgjigjemi më një numër faktesh dhe argumentesh historike  që flasin bindshëm dhe dëshmojnë për barbarinë serbe në Kosovë përgjithësisht dhe ndaj monumenteve historike, kulturore dhe islamike, veçanërisht.


1.Gjenocidi serb dhe dhuna e ushtruar mbi popullin e Kosovës “ka përmasa shumë më të mëdha sesa që tregojnë të dhënat dhe hulumtimet e deritanishme”, përkujton Fitnete Ramosaj në librin “Krimet serbe në Kosovë, Pa apologji 2, me fakte kundër shpifjeve, “Anatema”, Prishtinë, 2008(vëllimi i dytë), për të vazhduar se : “Vetëm në periudhën tetor 1912- mars 1913, kur filloi pushtimi serb i Kosovës, në Kosovë u ekzekutuan dhe u masakruan mbi 25 mijë shqiptarë”. Ajo sjell opinionin e dëshmitarit okular të këtyre ngjarjeve të llahtarshme, Pickthal, gazetar i  “Neë York Times”: “Masakrat që bënë serbët në Kosovë, nën kryqin e krishterë, kapërcejnë çdo instinkt gjakpirës”. Autorja e librit shumë të dokumentuar, dëshmon se krejtësisht identike ishin krimet serbe “që ndodhën gjatë viteve të luftës së fundit në Kosovë në fundshekullin që lamë pas”.

Nuk e besojmë se Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, të mos ketë mësuar për “zbulimin e varrezave masive në Beograd(Batajnicë e Petrovo Sello), autofrigoriferët me kufoma të shqiptarëve në Danub dhe në liqenin Peruçac; dëshmitë për djegien e kufomave të shqiptarëve në fabrikën e Maçkaticës e të Surdulicës(në afërsi të Vranjës); pastaj në shkritoret e Trepçës e në furrnaltat e Obiliqit në Kosovë dhe në një varg krematoriumesh të tjera, disa nga treguesit për rastet e shumta të përpjekjeve për fshehjen e organizuar të krimeve që bënë forcat serbe në Kosovë”.        

 

2.Edhe pse monumentet kulturo – historike gëzojnë mbrojtjen me akte ndërkombëtare, ”Kosova dhe përgjithësisht  hapësira shqiptare jashtë kufinjëve politikë të Shqipërisë, ka qenë objekt përpjekjesh të vazhdueshme të fqinjëve, për të zhdukur çdo gjurmë të karakterit shqiptar”. Intensiteti i këtyre përpjekjeve, si thuhet në parathënien e librit të autorit Parim Kosova, me titull “Kompleksi monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe sfidat e tij”, Prizren, 2006, ka qenë i ndryshëm dhe ka kulmuar në dhjetë vjetët e fundit, e sidomos  në pjesën e parë të vitit 1999, kur Serbia(Jugosllavia)ka ndërmarrë një fushatë të egër për zhdukjen  e çdo gjëje që ka qenë shqiptare dhe për ndryshimin e karakterit shqiptar dhe jo-ortodoks të këtyre trojeve.Kështu p.sh. vetëm gjatë tre muajve(mars – qershor 1999) forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe dogjën, rrënuan ose granatuan 218 xhami, prej të cilave disa kishin vlerë të jashtëzakonshme historike dhe kulturore, siç janë xhamia e Hadumit në Gjakovë dhe xhamia e Carshisë në Pejë, në oborrin e së cilës janë të varrosur dy prijësit e shquar të Lëvizjes Shqiptare: Haxhi Zeka dhe Ali Pashë Gucia; janë zhdukur tërësisht monumentet me rëndësi të veçantë historike, siç janë ai i Lidhjes së Prizrenit, ose pjesërisht, siç është rasti me kullën e Haxhi Zekës, në të cilën është mbajtur Kuvendi i Lidhjes së Pejës; janë shkatërruar me dhjetra shkolla, biblioteka, fonde librash etj. Nga kjo fushatë nuk janë shpëtuar madje as disa monumente të vilktimave të fashizmit në Luftën e Dytë Botërore, siç është monumenti i viktimave  të fashizmit para Fakultetit Filozofik në Prishtinë, në vend të të cilit është vënë një monument serb, që ishte në funksion të serbizimit të Kosovës”.

Nëse nuk e di historinë dhe rëndësinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, le të mësojë po nga ky libër, në të cilin lexuesi informohet se “Në marsin e vitit 1999, Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pësoi me të keqën nga shkatërruesit dhe asgjësuesit e historisë kombëtare të shqiptarëve dhe të dokumentimit lëndor të saj. Objekti i Rezidencës Qeveritare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që gjindet në kuadër të Kompleksit dhe eksponatet e tij u shkatërruan dhe u dogjën nga paramilitarët, policët dhe ushtarët serbë”.

 

3. “Dëshmi rrërnqethëse të një gjenocidi” Vuk Jeremiq mund të mësojë edhe nëse shfleton librin e Bashkësisë Islame të Kosovës “Barbaria serbe ndaj monumenteve islame në Kosovë(Shkurt ’98-Qershor ’99), Prishtinë 2000. Po ia kujtojmë se “Ndër qindra mijëra shtëpi”, si thuhet në shkrimin e Kryeimamit, H.Sabri ef.Bajgora, “të djegura e të rrënuara nga themeli, një fat tragjik kishin pësuar edhe objektet dhe faltoret islame anëkënd Kosovës madje edhe disa xhami të Kosovës Lindore…Bilanci tragjik që lanë hordhitë barbare serbe në Kosovë, është :  prej 560 xhamive sa kishte gjithsej para luftës në Kosovë, 218 u dogjën, u shkatërruan e u demoluan. U dogjën  e u shkatërruan nga themeli 4 medrese të vjetra, ndërsa u demolua në tërësi objekti i ri i Medresesë “Alaudin” në Prishtinë; u dogjën e u demoluan 3 teqe, 1 hamam, 75 dyqane pronë vakëfnore, u dogjën e u shkatërruan 302 shtëpi të imamëve. Nga dora vrastare serbe u vranë 16 imamë, 1 punëtor administrativ i Kryesisë së Bashkësisë Islame, dhe 14 nxënës dhe ish-nxënës të Medresës së mesme “Alaudin” të Prishtinës”.

Dëshmi për rrënimin dhe djegien e xhamive dhe asgjësimin e dokumentit arkivor

mund të kërkohen dhe të gjinden në shumë burime, madje edhe serbe, sikundër që mund të gjinden dëshmi edhe për veprimet gjenocidale të Serbisë ndaj shqiptarëve në Sanxhakun e Nishit më 1878. Sipas një burimi serb(Shih : Prof.dr.Hakif Bajrami, Antimemorandum, Prishtinë, 2004), vetëm nëpërmjet Selanikut për në Turqi, në vitet 1912, 1913 dhe 1914,  u patën shpërngulur  302. 907 shqiptarë. Një dokument për të cilin Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq “duhet të ketë dëgjuar” është Konventa (famkeqe) Jugosllavo- Turke e vitit 1938 për deportimin e dhunshëm të shqiptarëve për në Turqi deri në vitin 1944. Dëshmi ka edhe për  terrorin serbomadh mbi shqiptarët në vitet 1918 – 1941. Shqiptarët përjetuan tragjedi edhe ndërmjet viteve 1950- 1966, ndërsa “epokën e Millosheviqit”( 1987- 1999) shqiptarët vështirë se do të mund ta shlyejnë nga kujtesa. Atëherë, për cilën kishë  flisni, z. ministër ? Nuk keni turp dhe nuk ju vret ndërgjegja ? 

 

4. Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq “vajtoi një kishë serbe”në Gjakovë, edhe ashtu e ngritur “mbi parime  të politikës së vëllazërim – bashkimit” të perënduar, pa vra fare mendjen se nëse duhet të vajtojnë janë pikërisht shqiptarët që, përgjatë gjithë historisë, përjetuan gjenocidin e pashfrenuar serb. Ai kishte filluar qysh herët, me “politikën e shpërnguljes së shqiptarëve” e cila “ka pasë për qëllim lirimin e viseve shqiptare nga shqiptarët dhe kolonizimin e këtyre viseve me popullsi joshqiptare”. Shpënguljet masive të shqiptarëve   shoqëroheshin me “Djegie shtëpish dhe fshatrash, vrasje dhe prerje masive të popullsisë së çarmatosur dhe të pafajshme, përdhunim që s’është dëgjuar ndonjëherë, grabitje çnjerëzore të çdo lloji”. Këto mjete  përdoreshin  “për ta ndryshuar përbërjen etnike të krahinave të banuara me shqiptarë”(Shih gjerësisht : “Shpërnguljet e shqiptarëve gjatë shekujve”, Shoqata për kthimin e shqiptarëve të shpërngulur nga Kosova, Seksioni për Hulumtime Shkencore, Prishtinë, 1992).Me qëllim  ndryshimi të përbërjes etnike të krahinave të banuara kryesisht me shqiptarë, thuhet në këtë libër, “ndaj popullit shqiptar të krahinave të tyre u ushtrua terror nga ana e ushtrisë serbo-malazeze, të cilën e pranojnë edhe vëzhguesit  objektivë serbë”.

 

5.Atëherë, z.ministër, deri kur do të vazhdoni me propagandën tuaj gënjeshtare për ta paraqitur popullin serb të viktimizuar prej  shqiptarëve ? A dini se në histori “nuk është shënuar asnjë rast që shqiptarët të kenë bërë krime të organizuara ndaj popujve të tjerë , kushdoqofshin ata”. E vërteta thotë se janë shqiptarët si popull që përgjatë historisë përherë janë tkurrur.

Po e mbyll këtë përgjigje timen me një mendim të urtë se nuk ka padrejtësi më të madhe se kur drejtësia shtrembërohet. Ju jo vetëm që e shtrembëroni drejtësinë, por jeni dëshmuar “mjaft i aftë” dhe “i shkathtë” për t’u marrë me “këtë zeje”. Por, mos harroni se drejtësia, megjithate, sado që vonohet, “arrin!” Dhe, do të arrijë !