(Fragmente të kumtesës së mbajtur në sesionin “Përvetori jubilar 2400 vjeçarë”, në Prishtinë, më 20.12.2008)

 
Me gjithë sugjerimet që “të mos i kthehemi historisë”, mirë është që, së paku, nga kujtesa të mos i shlyejmë datat e mëdha dhe përvjetorët e mëdhenj.Kthimi në histori është  kthimi ndërgjegjës “së përgjumur” kombëtare, në kohën kur po rritemi si popull, e po tkurremi si komb. Mirë është që po “i kthehemi” rrënjave tona kombëtare, në kohën kur deri dje të pjesëtuar për pesë e sot për gjashtë, sillemi sikur t’ishim gjashtë  popuj dhe të kishim gjashtë çështje.

 

Kështu përafërsisht e fillova fjalën time në një Simpozium Shkencor mbi “Imazhin e Kombit Shqiptar”, të mbajtur në Tiranë, më 29 nëntor të këtij viti.Edhe kësaj rradhe, po sikurse gjatë qëndrimeve të mia të mëhershme në Shqipëri, qysh nga viti i largët 1967, tridhjetetetë herë deri më sot, nuk e ndjeva Shqipërinë ashtu si dëshiroja ta ndjeja.Edhe Kosova festoi 28 nëntorin, por jo si Ditë të flamurit, po si ditë të shqiptarëve, meqenëese koniukturat pushtetore dhe ato të UNMIK-ut e vendosen në kremtat memoriale. 

 

Gjatë “ecjes nëpër histori”, na munguan tri aftësi:

 

E para, për të ndërtuar një qëndrim për realitetin që na rrethonte, në mënyrë që, të bashkërenditur kombëtarisht, t’i përgjigjeshim atij.

E dyta, për të vlerësuar objektivisht fuqinë kombëtare që kishim, për ta ndjerë nevojën për rritjen e  saj.

E treta, për të kuptuar se cilët ishin, në të vërtetë, miqtë e kombit tonë, për të parë nevojën për lidhje më të ngushta me ta.

 

 Duke u interesuar, me të drejtë, dhe duke u marrë, me arsye, me çështjen e Kosovës, padyshim përbërësin më të rëndësishëm të çështjes së pazgjidhur shqiptare, ne sikur “lamë në harresë” tërësinë e çështjes. Ajo nuk përmendet fare ose përmendet sipërfaqësisht ose fragmentarisht me rastin e festave kombëtare.

Kosova është “shkëputur” prej tërësisë së çështjes, por ajo varet prej saj, posikurse që tërsia varet prej Kosovës.

Projekti do të “na bashkojë” nëse pavarësinë e Kosovës do ta konsideronim si pararendëse të të synimit  shekullor.

Projekti do të “na ndajë” nëse pavarësinë e Kosovës do ta konsideronim si “zgjidhje përfundimtare”.

Shqiptarët nuk reaguan zëshëm kur flitej për pavarësinë e Kosovës si “zgjidhje përfundimtare”.

 

Mirë thuhet në një fjalë të popullit se “Ujërave që nuk ecin, e njerëzve që nuk flasin, nuk mund t’iu besohet”.Kombi shqiptar shumë përgjigje për fatet e tij i ka marrë me heshtje.

 

Nuk duhet të lejojmë që “trungu të kalbet”, e “degët të thahen”. Zotimet dhe premtimet tona ende i ngjajnë më shumë këngëve folklorike.Shpesh i kthehem një vargu “që nuk desha ta shkruaj”. 

 

“Vetëm në Kosovë dhe në Shqipëri, 105 parti;

po të bëhej me çifteli e më shumë parti,

ne shqiptarët të parët në Hënë do t’kishim mbërri!”.

Kur  më pyesin për bashkimin kombëtar, përgjigjem:

Edhe 96 vjet pas pavarësisë,

kemi Shqipërinë kombëtarisht të cunguar;

Kosovën e pavarur, me sovranitet të gjymtuar;

Kosovën Lindore, nga serbët të pushtuar;

Shqiptarët në Maqedoni, nga liritë dhe të drejtat themelore kombëtare

të privuar;

Shqiptarët në Mal të Zi, kombëtarisht të pakonsoliduar;

Shqiptarët në Turqi, gati të asimiluar;

Camërinë, pothuajse të harruar;

diasporën shqiptare, partiakisht të ç’orientuar;

politikën kombëtare, të paunifikuar;

diplomacinë shqiptare, të pandërtuar.

 

Eshtë shumë i urtë një mendim se “një komb ekziston, vetëm atëherë kur fillon të shqetësohet për fatin e tij”.Shprehja e shqetësimit nuk do të thotë, në asnjë mënyrë, “mbjellje e skepticizmit”, sa do të thotë ftesë për mobilizim dhe rreshtim kombëtar, në mënyrë që të mos na ndodhë, si shprehem shpesh që, nga njëra anë të rritemi si popull, e nga ana tjetër, të tkurremi si komb.

 

Dukuria e globalizmit ka nxitur shqetësime, veçanërisht për popuj të vegjël. Shqiptarët duhet ta mënjanojnë këtë shqetësim me fuqizimin e identitetit kombëtar.

Populli shqiptar ka shumë tipare dalluese që e formojnë identitetin  e tij, nga gjaku e gjuha, nëpërmjet historisë  dhe gjeografisë, deri te kultura, tradita dhe trashëgimia. Prandaj, nëse duam ta ruajmë “kohezionin e brendshëm” të kombit, “duhet t’i japim përparësi atyre faktorëve “që e përforcojnë identitetin kombëtar”; që “i ngjeshin rradhët” dhe që minimizojnë ndikimin e atyre faktorëve që përçajnë “kohezionin e brendshëm”.

Tri Gj-të, gjaku, gjuha dhe gjeografia “përbëjnë boshtin e identitetit kombëtar të shqiptarëve, edhe pse krahas tyre, duhet theksuar edhe “historia e përbashkët, kontinuiteti i traditës dhe identifikimi me atë traditë”.

“Vazhdimësia, kultivimi i vlerave të traditës, pastrimi i saj nga huazimet e imponuara”, do të mund të ishin veprimet “për ta ruajtur identitetin...”.Në këtë kuadër, duhet të kemi parasysh se “Kosova, si nocion politik, moral, etnik, historik- ka një vulë të pashlyeshme shqiptare, veçmas në planin historik”.Prandaj, është pritur që qytetarët e Kosovës  në Kushtetutën e saj “të identifikohen  me prejardhjen etnike” krahas “identifikimit me shtetin”.Himni, stema , flamuri, e kanë “cunguar identitetin kombëtar” për “hirë të identitetit shtetëror”.

 

Ku qëndron problemi me ne shqiptarët ?

 

Së pari, që çështja jonë ende nuk njihet si çështje e një populli të ndarë padrejtësisht.

Së dyti, që hapësira shqiptare ende nuk kundrohet si një tërësi kombëtare, historike, gjeografike, gjuhësore, kulturore, me një traditë dhe trashëgimi.

 

Cfarë nuk kemi bërë ?

 

E para, ende nuk kemi shpërndarë nëpër botë të vërtetën tonë për të drejtën historike dhe etnike për trojet në të cilat jetojmë.

E dyta, ende nuk jemi përgjigjur institucionalisht, me argumente dhe fakte, përpjekjeve për të kontestuar dhe mohuar të drejtën tonë historike për vetëvendosje.

E treta, ende nuk i kemi zbërthyer në një dokument( platformë) orientimet themelore për ardhmëninë tonë si një komb.

 

Ndër të tjera, këto i konsideroj si detyra me prioritet kombëtar, për të cilat duhet të përcaktohen edhe rendi i veprimeve, edhe procedurat, edhe bartësit dhe afatet për përmbushjen e tyre, natyrisht në vartësi nga kushtet dhe rrethanat, e brendshme dhe të jashtme me të cilat jemi të rrethuar dhe me të cilat do të mund të rrethohemi në të ardhmen.

 

Cfarë duhet të bëjmë ?

 

Duhet të çlirohemi nga euforia që na mundi me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe ftesa që iu bë Shqipërisë për anëtarësim në NATO, padyshim dy ngjarje të shënueshme për kombin shqiptar sot.

Por, bërja e shtetit është shumë më shumë sesa deklarimi për të, po sikurse edhe mbajtja e shtetit që është shumë më shumë sesa aderimi, qoftë edhe në një mekanizëm të fuqishëm të sigurisë.

Prandaj, në Kosovë duhet bërë shumë angazhime, për të ndërtuar shtetin,e në Shqipëri për të mbajtur shtetin.

 

Cka pas pavarësisë së Kosovës ?

 

Eshtë pyetje së cilës duhet t’i përgjigjemi me maturi politike, me guxim intelektual dhe me shkathtësi diplomatike.

Politikës sonë kombëtare i duhen më shumë njerëz që i japin asaj idetë dhe alternativat, sesa ata që “marrin prej saj”. Të parët na mungojnë, të dytët i kemi “me bollëk”.

 

Urimi për Vitin e Ri

 

Meqenëse jemi në prag të Vitit të Ri 2009, uroj shqiptarët kudo që ndodhen, me moton e librit tim më të ri që do të sheh dritën në gjysmë të janarit të vitit 2009, me titull “Rrugëtimet dhe labirintet e Kosovës dhe shqiptarëve”, një libër dëshmish historike, politike, kushtetuese – juridike dhe ndërkombëtare për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë:

që “drejtësia e vonuar” të mos na dalë “drejtësi e cunguar”.