Nuk ka asnjë dyshim se arrestimet e shqiptarëve në Kosovën  Lindore kanë “prapavijë politike”. Duhet të jemi mësuar tashmë se me Serbinë dhe me serbët asgjë nuk ndodh rastësisht.Prandaj, operacionin e fundit të Serbisë dhe të pushtetit të saj për burgosjen e dhjetë shqiptarëve të kësaj ane nuk duhet kuptuar si “kapje dhe nxjerrje para gjyqit të njerëzve që vërtet kanë kryer krime”, por si një motiv dhe qëllim politik për “të përfituar me të” diç që do të mund “të përfitohej”

 

Eshtë zgjedhur edhe hapësira ku është ndërmarrë  operacioni(Kosova Lindore), edhe koha në të cilën ai operacion ndërmirret(kur në Kosovë po instalohet një “prani e re”(e vjetër) ndërkombëtare që, mund të jenë faktorë të mjaftueshëm dhe domethënës për të kuptuar skenaret serbe.

Konkluzioni i parë dhe më kryesor që mund të nxirret nga ky operacion është se Serbia as që ka ndryshuar dhe as që ndryshon mendjen dhe kursin ndaj shqiptarëve.Bëhet fjalë për një vazhdimësi të politikës së Serbisë ndaj shqiptarëve,  me recetat e së cilës sillet dhe “politika më e  re”(e vjetër)  e saj.  

Konkluzioni i dytë që mund të nxirret nga ky operacion i Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovën Lindore është se Serbia sërish i kthehet tentativave “për të dëshmuar me gjyq” se ushtria çlirimtare ishte vërtet një “organizatë terroriste” dhe si të tillë, “duhet luftuar me të gjitha mjetet”.

Konkluzioni i tretë  që mund të nxirret nga operacioni i Serbisë  për “kapjen e ish-ushtarëve shqiptarë” në Kosovën Lindore është përkeqësimi i raporteve midis shqiptarëve dhe serbëve në Kosovën, me qëllim të mbajtjes së gjendjes së tensionuar për të cilën shqiptarët qysh më parë “tregohen me gisht”se janë ata shkaktarët potencialë të  nxitjes së ndonjë destabilizimi eventual të gjendjes.

Ngjarjet e fundit në Kosovën Lindore, qoftë edhe padashtas, e kthejnë “filmin prapa” për të kujtuar se raportet e shqiptarëve dhe serbëve, qoftë për gjatë historisë, qoftë aktualisht, përshkruhen me urrejtje dhe armiqësi të serbëve ndaj shqiptarëve,të shoqëruara me  gllabërimin  e tokave të tyre dhe ushtrimin e  gjenocidit ndaj tyre.

Ngjarjet e fundit në Kosovën Lindore kthejnë te historia e “konceptimit dhe realizimit të politikës së krimit dhe të gjenocidit serb ndaj shqiptarëve”, hisotri kjo që ndërlidhet me emrat e shumë autoriteve serbe, qofshin ato politike ose shkencore,si Ilia Garashanin, Vladan Gjorgjeviq, Nikolla Pashiq, Vasa Cubrilloviq, Stojan Protiq e tjerë.

Ngjarjet e fundit në Kosovën Lindore kthejnë te lashtësia e “tendencës së krimit gjenocidal” serb ndaj shqiptarëve, të projektuar nga “Naçertania”( 1844), “Shpërngulja e Arnautëve”( 1938),  “Zgjidhja definitive e çështjes së Kosovës”(1939), “Serbia homogjene”( 1942) , “Memorandumi i Akademisë serbe të Shkencave dhe Arteve”(1986), deri te Projekti i rrënimit të autonomisë së Kosovës (1989) dhe lufta në Kosovë (1998- 1999), akte këto që, në të vërtetë, përbëjnë një “cikël të pandërprerë” veprimesh gjenocidale ndaj shqiptarëve.

Dhe vërtet, “është vështirë të vihet një ‘thikë prerëse’ ndërmjet këtyre fazave; më lehtë dallohet ndërlidhja e tyre sesa ndarja e njërës fazë nga faza tjetër”.

Në këtë mënyrë, Serbia e vetëquajtur demokratike, në vend se të dëshmohet një “historiane e mirë” për të “nxjerr mësim” nga shtypja që ka ushtruar mbi një popull, të tërë, tash vërsulet mëe vrazhdësinë më të madhe  ndaj një segmenti “të veçuar”të çështjes shqiptare që, pa vullnetin e popullit, është shkëputur nga trungu etnik.

Ky shkrim nuk bëhet për “të ndërgjegjësuar” Serbinë dhe serbët, por bëhet për të “këndjellur” Bashkësinë Ndërkombëtare se është kohë e fundit, që të kuptojnë skenaret serbe, në mënyrë që më pastaj të mos merren me pasojat. Bosnja dhe Kosova janë shembuj shumë domethënës prej të cilëve “mund të mësohet”.Frikësimi i shqiptarëve në Kosovën Lindore “i hap dyert” një pastrimi tjetër etnik të shqiptarëve që jetojnë ne territoret e veta etnike.

Ky shkrim iu drejtohet edhe institucioneve shtetërore të Shqipërisë dhe të Kosovës që të bëjnë detyrën e vet dhe të ushtrojnë detyrimin  që kanë ndaj shqiptarëve në Kosovën :Lindore.

Të presësh prej Serbisë që të “vetëdisiplinohet” do të thotë një vetëmashtrim që do të mund të kushtonte shumë shtrenjtë për të ardhmen e shqiptarëve si komb.