Botuar në Gazetën "Shqip" Tiranë, 5 janar 2009

Bisedë me akademikun kosovar, Esat Stavileci: Një libër me argumente për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë

“Kosova, fakt juridik që nuk mund të zhbëhet”


Kohët e fundit doli në qarkullim, në Prishtinë, libri i ri i akademikut të njohur, Esat Stavileci, ‘Shteti-shqyrtime të përgjithshme teorike me vështrim rasti i Kosovës’. Së shpejti pritet edhe libri më i ri i tij me titull “Rrugëtimet dhe labirinthet e Kosovës dhe shqiptarëve” (Testimony for Kosova)”, me nëntitullin “Dëshmi për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”. Si po zgjidhet problemi i rikonfigurimit të pranisë ndërkombëtare në Kosovë? Në dukje të parë, pa probleme, por po të hyni në detaje të rikonfigurimit të UNMIK-ut dhe të vendosjes së EULEX-it, do të keni një përfytyrim tjetër. E para, për shkak të mostërheqjes së plotë të UNMIK-ut nga Kosova, skema dhe struktura e përgjegjësive të faktorëve ndërkombëtarë, që qeverisin Kosovën, është ende me të panjohura. E dyta, për shkak të mostërheqjes së plotë të UNMIK- ut, do të mund të krijohen dy realitete paralele të pranisë ndërkombëtare, me pasojë mungesën e koordinimit të tyre dhe me shkallë të ndjeshme të dobësimit të funksionimit shtetëror në Kosovë. E treta, po për shkak të kësaj, ka dhe do të ketë përplasje kompetencash ndërmjet UNMIK-ut dhe EULEX-it dhe, si rrjedhojë, qeveria e Kosovës nuk do të mund të ushtrojë autoritetin e vet të plotë në disa fusha të shpërfaqjes së shtetit dhe në të gjithë territorin e saj.

Zbatimi i Planit gjashtëpikësh i OKB-së, i “veshur me petkun” e Rezolutës 1244, do të mund të shoqërohej me të “qenët e EULEX-it neutral karshi statusit të Kosovës” dhe me moslejimin e tij që të zbatojë planin ‘Ahtisari’. A përmban kjo zgjidhje një potencial konfliktual? A ka mundësi si pasojë të ndodhë destabilizimi i gjendjes politike dhe në çfarë shkalle? Vetë fakti se plani gjashtëpikësh është dakorduar

paraprakisht me Beogradin zyrtar dhe se ai plan i siguron atij “garën për pushtet, kontroll dhe ligj në Kosovë” nuk e përjashton konfliktin. Vështirë se do të mund të  parashikoheshin përmasat e tij. Një deklaratë e Piter Fejt se “nuk do të përdorim dhunën

për vendosjen e pranisë së re ndërkombëtare në Veriun e Kosovës” është indikative dhe, nëse është ashtu, mund të priten reagimet e serbëve në mënyra të ndryshme dhe me intensitet të ndryshëm për të vështirësuar deri në masë pengimi shtrirjen e EULEX-

it edhe në Veriun e Kosovës. Në këtë rast, Prishtina është paraqitur e pafuqishme:

E para, sepse ka nisur të flasë vonë; E dyta, nuk ka një plan vendor për të integruar

pjesën veriore. Për mua, problemi qëndron se në Veriun e Kosovës është toleruar gjatë përfshirja e Beogradit në “rregullimin e brendshëm të Kosovës”, madje edhe pas shpalljes së pavarësisë së saj. Gjasat për “ta ndërruar” këtë kurs janë të dobëta. Si shpjegohet që kohët e fundit ndihen më shpesh thirrje për bashkimin me Shqipërinë dhe në këtë drejtim shfaqen edhe lëvizje të reja politike, siç është Lëvizja për Bashkim? A mendohet se ka edhe prirje të tilla, që shtrojnë problemin e ndarjes së Kosovës në shkëmbim të territoreve me Luginën e Preshevës dhe sa serioze do të ishin këto? Keni bërë më shumë se një pyetje në kuadër të “një pyetjeje më të përgjithshme”. Thirrjet për bashkimin janë intensifikuar si “kundërpërgjigje” ndaj kërkesave serbe për ndarjen e Kosovës, edhe pse ka forca politike që bashkimin e kanë në programet e tyre politike dhe është mirë që “e mbajnë gjallë” një amanet të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Nuk më pëlqen nëse në programet e tyre ka variante të shkëmbimit të territoreve të Veriut të Kosovës me territoret në Kosovën Lindore(Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), sepse në të dyja këto territore shqiptarët jetojnë në trojet e veta etnike dhe nuk do ta kuptoja nëse do të ishim të gatshëm “të shkëmbenim territoret tona”. Sa serioze do të ishin këto plane? Do të ofroj një përgjigje që besoj se do të mund të përmbledhë përsiatjet në këto relacione: E para, Kosova ka shpallur pavarësinë dhe synon integrimet në Evropë. Pavarësia e Kosovës është “shkëputur nga tërësia”, por tërësia varet prej saj, prandaj shqiptarët duhet që atë të mos e vendosin në “ad acta” për rrugë që, së paku, duhet të mbahen të hapura për kohë të tjera. E dyta, segmentet e tjera të veçuara të çështjes shqiptare kanë ngelë pa status të përfillshëm. E treta, nëse do të hapej çështja e shkëputjes së një pjese të territorit të Kosovës, cila do të mund të ishte arsyeja që shqiptarët të mos e shtronin synimin

e tyre shekullor për bashkim. Nëse mendohet se qëndrimet politike të Bashkimit

Evropian te ligjësuara në Kushtetutën e Kosovës se kësaj i ndalohet bashkimi me shtete dhe pjesë të popujve të shteteve të tjera përbëjnë pengesë, atëherë duhet të kemi parasysh se ato janë qëndrime politike dhe nuk mund t’i qëndrojnë kohës, nëse, ndërkohë, ndodhin ndryshime realitetesh. Dy gjëra nuk i kuptoj: Së pari, pse ne, shqiptarët, nuk kemi një strategji të formësuar për të ardhmen tonë në rast të trazimit politik të Ballkanit?

Së dyti, pse ne, ndërkohë, përderisa nuk do të krijohen kushte dhe rrethana të brendshme dhe të jashtme për të hapur çështjen e një kombi të ndarë padrejtësisht, nuk i zhvillojmë dhe nuk i përparojmë proceset integruese në të gjitha fushat e jetës dhe pse ne vazhdojmë të jetojmë si “botë të ndara”? Po qe se këtë do ta bëjmë edhe në të ardhmen, do të na

kërcënojë rreziku i rritjes si popull dhe i tkurrjes si komb. Cila atëherë, sipas mendimit tuaj, është perspektiva e problemit të zonave me popullsi serbe në Kosovë, cilat janë rrugët në kushtet e tanishme të zgjidhjes së tij? Mua më dalin përpara tri rrugë: E para, njohja e realitetit të ri të krijuar në Kosovë, me respektimin nga ana e serbëve të Kushtetutës dhe ligjeve, që do të vlenin në gjithë territorin e Kosovës, dhe aderimi i tyre në institucionet e Kosovës me të drejta më të gjëra sesa kërkojnë standardet për pakicat në dokumentet e së drejtës ndërkombëtare. E dyta, përjashtimi përfundimtar i përfshirjes së Beogradit zyrtar në jetën politike në Kosovë, që do të shoqërohej me zhbërjen e strukturave paralele serbe. E treta, gatishmëria e Bashkësisë Ndërkombëtare për “t’i qëruar hesapet” me Beogradin, në mënyrë që të mund të interesohet për serbët në Kosovë, por jo edhe për territorializimin etnik si model të zgjidhjes së fateve të serbëve.

A ka përpjekje ndërmjetësimi për të zhvilluar ndonjë dialog midis Prishtinës dhe Beogradit, në ç’nivele është i mundshëm dhe për çfarë probleme, a ka fusha ku mund të arrihet kompromis? UNMIK-u po mban gjallë idenë për t’i bërë edhe një herë bashkë të dyja palët. Beogradi është shumë i interesuar për këtë, sepse mendon se ndofta do të

mund “të hapë edhe çështje tashmë të mbyllura”, ndërsa Prishtina nuk refuzon “ndonjë bisedë”, përveç nëse në to do të hapeshin pikërisht ato çështje të mbyllura.

Mendohet se ka “një katalog çështjesh”, si thuhet, teknik, për të cilat do të mund të bisedohej, por për shkak të gjithë asaj që theksova si përgjigje në pyetjen me sipër, jo vetëm se nuk do të mund të arrihej ndonjë kompromis, por as nuk do të mund të

shënohej ndonjë hap përpara në raportet, që, vetëm në dukje të parë, fshehin realitetin e armiqësisë së palëve. Cila është perspektiva e integrimit të Kosovës në strukturat euroatlantike, a janë shtruar plane konkrete për aktivizimin e bashkëpunimit me NATO-n dhe Bashkimin Evropian dhe në ç’drejtime? Perspektiva është e qartë, por vështirë e arritshme shpejt. Në Kosovë ka ngecje në shumë fusha, jo vetëm për shkak të kufizimeve të pavarësisë dhe sovranitetit, por edhe për shkak të ngathtësisë së vetë institucioneve të saj. Unë i shoh tri shtylla me interes për përshpejtimin e integrimit të Kosovës:

E para, rimëkëmbja e ekonomisë. Në Kosovë më shumë tregtohet, sesa ndërtohen strategji për procese zhvillimore të ekonomisë. Ndihma e donatorëve është infuzioni më i mirë për “ta nxjerrë Kosovën” nga kolapsi ekonomik. E dyta, krijimi i shtetit të së drejtës me theksim të sundimit të ligjit. E treta, hapja e perspektivave për integrime nëpërmjet të projekteve konkrete. Përgjithësisht, Kosova do të ndiejë nevojën për “shtrirjen e dorës” nga shtetet me përvojë, në mënyrë që sa më parë “të nxirret nga inkubatori”. Perëndimi duhet të ndihmojë shtet-krijimin në Kosovë në mënyrë që me të “t’i hapen dyert e Evropës dhe botës”.

Si pritet të jetë qëndrimi i SHBA-ve me President Barak Obamën? Ndofta në nuanca të veçanta, por në thelb pa ndryshime të mëdha, pavarësisht se amerikanët mund të përballën dhe do të përballën edhe me zona të tjera, ku do të ndihet nevoja për mbështetjen e tyre, por edhe me zona konfliktuale, që do të përbënin sfida serioze për administratën e Obamës. Cila është shkalla e ndikimit të liderëve politikë të Kosovës mbi forcat politike të shqiptarëve në Mal të Zi, Maqedoni dhe Luginë të Preshevës? Kjo është një ndër ato pyetje, për të cilën  rezervoj të drejtën që të mos përgjigjem, sepse për lidhjen dhe bashkëpunimin ose dialogun brendashqiptar dhe nevojën e tij kam shkruar shumë dhe përherë “kam trokitur në dyer të mbyllura”. E përjashtuat Shqipërinë “nga pyetja”. Mbani mend: pa qenë mirë në Shqipëri, nuk do të jetë mirë në Kosovë. Pa qenë mirë në Kosovë, nuk do të jetë mirë gjithandej, ku jetojnë shqiptarët. Porosia është e qartë: bëjuni bashkë në ruajtjen e vlerave të përbashkëta dhe në mbrojtjen e interesave të përbashkëta. Mos pyesni si “të bëheni bashkë të ndarë?”. Megjithatë, tri GJ-të kërkojnë prej jush ta bëni këtë: gjaku, gjuha dhe gjeografia. Këto janë tri nga më shumë elemente,

me të cilat mund ta ruajmë identitetin kombëtar si palcën kurrizore të tij. A ekziston ndonjë rrezik për destabilizimin e gjendjes në rajone të veçanta të Ballkanit? Asnjëherë asnjë rrezik nuk mund të përjashtohet. Ky është një parim për rajonet me popullsi heterogjene kombëtare. E di vetëm atë se shqiptarët nuk do të jenë ata që do të trazojnë Ballkanin, përveç nëse nuk preken në sedër për të pranuar nënshtrime dhe përulje të tjera. Pretendimet e tyre nuk kanë qenë dhe nuk janë jashtë hapësirës së tyre etnike, ndërkohë që vendet fqinje u kanë gllabëruar atyre tokat. Vetëm gllabërimi i tokave të huaja mund të jetë shkas për destabilizimin e gjendjes. Meqë presim së shpejti daljen në dritë të librit

tuaj të ri “Rrugëtimet dhe labirintet e Kosovës dhe shqiptarëve (Testimony for Kosova)”, si vlerësohet perspektiva e shqyrtimit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e OKB-së e çështjes së legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës, cilat mund të jenë afatet e këtij shqyrtimi dhe pasojat e verdiktit të Gjykatës? Sipas nenit 1 të Statutit të saj, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është “organ kryesor i interpretimit juridik të OKB-së”. Përbëhet nga 15 anëtarë. Gjykata është e njohur nga 68 shtete të OKB-së, për 15 vende më shumë sesa që është njohur ndërkohë Kosova, me pritje se ky numër mund të shtohet deri te verdikti i Gjykatës që, në të vërtetë, nuk është më shumë se një “opinion  këshillues” i saj. Mund të pritet që procedurat para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të zhvillohen pasi që asaj t’i kenë arritur dëshmitë nga palët e interesuara, në mbarim të vitit 2009 ose në vitin 2010. Cilat do të mund të ishin pasojat nëse gjykata në opinionin e saj “do të dilte në anën e Serbisë”? E para, gjasat janë të dobëta që këtë ta bëjë një gjykatë ndërkombëtare, edhe pse numri më i madh i gjyqtarëve vijnë nga vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën. E dyta, Gjykata do “të vendosë në peshore” të gjitha dëshmitë dhe do të gjykojë në bazë të tyre. E treta, edhe nëse gjykata do të shfaqte një mendim, që do të mund “të lëndonte” pavarësinë e Kosovës, shteti i Kosovës tashmë është një realitet dhe një fakt juridik që nuk mund të zhbëhet ose fshihet. Po të ndodhte situata e tretë, kjo nuk do të thoshte se opinioni i gjykatës do të mbetej pa ndonjë ndikim në zvarritjen e njohjeve të Kosovës, me pasojë edhe ngecjen e aderimit të saj në mekanizmat ndërkombëtarë, qofshin ata mekanizma ekonomikë ose politikë. Nuk besoj se Perëndimi do të mund të ndryshonte mendje rreth Kosovës dhe të ardhmes së saj.

Por, edhe nëse nuk ma shtruat drejtpërsëdrejti pyetjen se me cilat argumente dhe fakte do të paraqitet Kosova “në mbrojtje të pavarësisë” së saj, do të më lejoni që të plotësoj  pyetjen tuaj dhe t’i përgjigjem asaj. Ndër më shumë argumente dhe fakte historike,

politike, kushtetuese – juridike dhe ndërkombëtare, tri do të përbënin boshtet e “mbrojtjes së pavarësisë”. Boshti i parë i faktimit të së drejtës së Kosovës për pavarësi duhet ndërtuar mbi argumentin e pakontestueshëm historik se Kosova është aneksuar nga Serbia qysh në vitin 1912 dhe se nuk është Kosova ajo që, si shprehen në Serbi, “ka shkelur ligjin ndërkombëtar, por është, në fakt, Serbia që, si të thuash, me të dyja këmbët e ka dhunuar atë, madje edhe në periudha të mëvonshme të historisë politike të saj (më

1912, më 1945 dhe më 1989). Faktet historike flasin se çështja e Kosovës është krijuar si “çështje e veçantë” me copëtimin e trungut etnik shqiptar, copëtim ky i mbështetur nga Konferenca e Londrës më 1913 dhe mandej dhe nga Konferenca e Versajës, më 1918-20.

Në këtë mënyrë, pavarësia e Kosovës nuk do të thotë tjetër veçse një anulim aneksimi.

Boshti i dytë i faktimit të së drejtës së Kosovës për pavarësi duhet ndërtuar mbi bazën e qenies së saj si njëri nga tetë konstituentët e ish-Jugosllavisë sipas Kushtetutës së vitit 1974, ndonëse jo me status të republikës, por me prerogativa të republikës, veçanërisht në fushën e marrëdhënieve në Federatë, dhe për këtë duhen zbërthyer mirë e mirë dhe me kompetencë zgjidhjet në Kushtetutën e ish- Jugosllavisë të vitit 1974. Boshti i tretë i faktimit të së drejtës së Kosovës për pavarësi duhet ndërtuar mbi parimin e së drejtës së vetëvendosjes që Kosovës i takon, qoftë si e drejtë kombëtare, qoftë si e drejtë e një territori të individualizuar. Secili prej këtyre tre boshteve dhe të gjithë bashkërisht,

ndër argumente dhe fakte të tjera, përbëjnë një bazë të fuqishme për të mbrojtur pavarësinë e Kosovës. Më në fund, nëse nuk do të merrej si jomodeste, unë, meqë e theksuat edhe ju, kam përgatitur një libër të tërë dëshmish për Gjykatën Ndërkombëtare

të Drejtësisë, si një ndihmesë timen për ekspertët që do të dëshmojnë për Kosovën para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Libri me titull “Rrugëtimet dhe labirintet e Kosovës e shqiptarëve (Testimony for Kosova)” është shkruar në gjithsej 832 faqe, me një tekst prej 150 faqesh në anglisht. Pra, problemin nuk e shoh në mungesën e argumenteve dhe fakteve, por në mënyrën e shtruarjes së tyre. Ky libër pritet të shohë dritën në gjysmën e janarit 2009 dhe ndofta mund te jetë një shkas që të vazhdojmë këtë intervistë atëherë. Ndryshe, unë i kam bërë një përgjigje iniciativës serbe për vlerësimin

e legalitetit të pavarësisë së Kosovës në një libër tjetër që doli nga shtypi në nëntor të vitit 2008, me titull “Shteti, shqyrtime të përgjithshme teorike me vështrim rasti i Kosovës”, në botim të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Kam idenë që përurimin e këtyre dy librave ta bëj në Shqipëri, me rastin e njëvjetorit të shpalljes së pavarësisë

së Kosovës.

Bisedoi: Harillaq Kekezi, anëtar i Institutit të Sociologjisë