(Theksime nga fjala e mbajtur në Bernë të Zvicrës, në shënimin e njëvjetorit të pavarësisë së Kosovë, më datë 13 shkurt 2009)

Eshtë periudhë shumë e shkurtër kohore për të bërë bilance të shoqëruara me qëndrime të prera në njëvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ajo që është e rëndësishme të theksohet në njëvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës është numri i vendeve që deri më sot e kanë njohur shtetin e Kosovës dhe fuqia ekonomike dhe politike e tyre që janë garancë për rritën e një krijese të posalindur.


Fjala është për një “akt të pakthyeshëm”, sepse njohja nga 54 shtete është një “fakt i pandryshueshëm dhe i paanulueshëm”, ndërkohë që mosnjohja ende nga një numër relativisht i madh vendesh të botës “nuk është fakt i kryer  dhe i përhershëm”.
Ajo që duhet të theksohet edhe me këtë rast është se duhet tërhequr vijën e kufirit në mes të drejtës së ligjshme të Kosovës për të qenë shtet dhe krijimit të “hapësirës” për të funksionuar si i tillë dhe pikërisht aty paraqitën problemet.
Në librin tim të botuar në mbarim të vitit 2008 nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, me titull “Shteti- shqyrtime të përgjithshme teorike me vështrim rasti i Kosovës” i jam përgjigjur nismës serbe për vlerësimin e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke argumentuar themelësinë formale – teorike të shtetit të Kosovës.
Në lidhje me opinionin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës që mund të pritet për një ose dy vjet, mund të thuhet se ai nuk do të jetë  fare opinion obligues dhe si i  tillë nuk mund të prodhojë pasoja juridike për pavarësinë e Kosovës. Më në fund, edhe sikur të ishte “shpërfillës” karshi pavarësisë së Kosovës, ai opinion do të mund “t’ia merrte pavarësisë së Kosovës” vetëm “shkëlqimin”,por  jo edhe “kuptimin”.
Duhet të jemi të vetëdijshëm se prej kohës së vendosjes së pranisë ndërkombëtare, Kosova kaloi nëpër disa faza.
Po të parafrazonja mendimin e një analisti tonë dhe po ta përshtatnja atë me gjuhën e mjekësisë, fazën e parë do të mund ta emërtonja si fazë të “intervenimit dhe të vendosjes së Kosovës në shok-dhomë”, për vetë faktin se Kosovës së pari “është dashur që t’i shpëtohet jeta” pas tërë atij agresiviteti tmerrues dhe shkatërrues të pushteti  serb.
Faza e dytë, po të vazhdohej të përdorej fjalori i mjekësisë, ishte faza e “kurimit intensiv” kur “pacienti doli prej shok-dhomës” dhe kaloi në “mbikëqyrje dhe tretman të përhershëm të mjekëve”, fazë kjo që vërtet zgjati shumë.
Në një fazë të tretë të mëvonshme, Kosova gradualisht filloi me “aktivitetet vetjake”, të ecjes “me këmbët e veta” dhe të “vetushqimit”.Në këtë fazë, në të vërtetë, kishim të bënim me “ushtrimin e pavarur të funksioneve vitale” të saj.
Natyrisht se ndryshimi më i madh në “shëndetin e Kosovës” ndodhi më 17 shkurt 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë e saj që, shprehur figurativisht, kuptonte “daljen e saj prej spitalit”, por njëkohëisht “mbajtjen nën kontroll të pacientit” për derisa ai nuk do të aftësohej që të mund të jetojë “pa kujdesin e mjekëve”. C’është e vërteta, Kosova “lëshon spitalin” me “dhembje të vazhdueshme koke” për shkak të mosshtrirjes së pushtetit, ligjit dhe kontrollit në gjithë territorin e saj; për shkak të vazhdimit të pranisë  ndërkombëtare civile me fuqi ekzekutive dhe për shkak të ndërhyrjeve të vazhdueshme të Serbisë në jetën politike në Kosovë.
Këtu qëndron arsyeja pse unë konsideroj se Kosova, edhe një vjet pas shpalljes së pavarësisë, ende më shumë “i ngjan fëmijës së posalindur i dobët”  që “mbahet me infusion”.

E para, për shkak se Kosova ende “mbahet për dore” nga ndërkombëtarët.

E dyta, për shkak  se Kosova ende nuk ka dalë plotësisht nga rrethi i mbyllur në të cilin është “mbërthyer” me vendosjen e pranisë ndërkombëtare dhe ende mbahet në “trajtim ndërkombëtar”.

E treta, për shkak se Kosova ende nuk është pavarësuar plotësisht që t’i marrë të gjitha përgjegjësitë për të qenë “zot i vetvetes”.

Eshtë shumë e vërtetë se ajo që rritet ngadalë i reziston kohës, por gjithashtu është e vërtetë se çdo gjë mund të degjenerohet nëse nuk përparon.
Për të funksionuar si shtet me domethënien e plotë të tij, Kosova duhet të “vishet” me sovranitet të plotë dhe të aderojë në mekanizmat ndërkombëtare.
Prandaj, pavarësia e Kosovës duhet të “çlirohet nga prangat” në të cilat e ka “mbërthyer” Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe, njëkohësisht, kushtetuta e saj duhet të “lirohet” nga kushtëzimet që “ia ka vënë” Plani i Ahtisaarit, duke ia humbur kuptimin e të qenët “akt më i lartë juridik i vendit”.
Përherë kam tërhequr vërejtjen se një vend ose është ose nuk është shtet;
ose ka ose nuk ka pavarësi; ose ka ose nuk ka sovranitet.
Kosova i përmbush të gjitha kushtet për të qenë shtet sovran dhe i pavarur.
Në një libër tjetër timin që poashtu sot po promovohet përpara jush, me titull ”Rrugëtimet dhe labirintet e Kosovës dhe të shqiptarëve”, me një nëntitull ”Pavarësia e Kosovës-fakt i ligjshëm që nuk mund të zhbëhet”, në formë të një ndihmese  për ekspertët që do të dëshmojnë për Kosovën para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, libër i botuar në shkurt të vitit 2009 nga Forumi për Iniciativë Demokratike i Gjakovës, përmblodha argumente dhe fakte të shumta historike, politike, juridike-kushtetuese, ekonomike dhe ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës.Në të vërtetë, identifikova njëzet boshte të argumentimit, prej të drejtës për vetëvendosje të popullit  shqiptar, historisë së popullit shqiptar dhe copëtimit të trungut etnik të tij me pushtimin e Kosovës nga ana e Serbisë, kontinuitetit historik të mëvetësisë së Kosovës, etnogjenezës dhe autoktonisë së shqiptarëve, shtrirjes së tyre etnike dhe deri te mosqenët e pavarësisë së Kosovës zgjidhje e plotë e çështjes shqiptare, por vetëm ”zgjidhje e balancuar për kohën”, duke pasur parasysh synimet shekullore të popullit shqiptar për të jetuar së bashku.

Në mbyllje të këtij libri kam shtruar tri pyetje dhe jam përpjekur të përgjigjem në to.

Së pari, çka pas pavarësisë ?

Së dyti, çfarë i duhet Kosovës ?

Së treti, cilët hapa duhet ndjekur?

Cka pas pavarësisë ?

Së pari, Kosova duhet të kalojë nëpër një konsolidim të brendshëm, duke përqafuar vlerat e demokracisë politike dhe parimet e ekonomisë së tregut.

Së dyti, Kosova duhet të krijojë shtetin e së drejtës, nëse nuk dëshiron që t’i shndërrohet në ”shtetin e  të së padrejtës”).

Së treti, Kosova duhet të përqëndrohet në integrimet e brendshme dhe në ato evropiane dhe veriatlantike.

Cfarë i duhet Kosovës ?

Më parë, shtrirja e pushtetit, ligjit dhe kontrollit në gjithë territorin.

Mandej, supremacioni i kushtetutës ndaj të gjitha rregullave të tjera.

Më në fund, veshja me sovranitet.

Cilët hapa duhet ndjekur ?

Në Kosovë duhet vendosur një katërkëndësh në të cilin në secilin kënd do të vendoseshin: koha, shteti, populli dhe qeveria.

Përgjegjësitë do të duhej të ndaheshin në këtë mënyrë:

që koha të jetë deti;

që shteti të jetë anija;

që populli të jetë era, dhe

që vela të jetë qeveria.

Përherë pavarësinë e Kosovës e kam konsideruar si një anë të çështjes së pazgjidhur shqiptare. Prandaj, po tërheq vërejtjen se me pavarësinë e Kosovës nuk mbyllet kapitulli i çështjes shqiptare.
Nuk kam lënë jashtë shqyrtimeve të mia pozitën e shqiptarëve në ”hapësirën tjetër të ish-Jugosllavisë”, por as zhvillimet në Shqipëri dhe çështjen çame, duke shtruar, në këtë mënyrë, çështjen e statusit të kombit përgjithësisht.
Ne shqiptarët, edhe ashtu të ndarë, do të ndaheshim akoma më shumë nëse pavarësinë e Kosovës do ta konsideronim mbyllje të kapitullit të çështjes shqiptare, ndërsa do të bashkoheshim në përpjekjet për ta mbajtur gjallë idenë e bashkimit kombëtar nëse pavarësinë e Kosovës do ta konsideronim vetëm si pararendëse të realizimit të aspiratës shekullore të popullit shqiptar.
Natyrisht, se realizimi i një ideje, një koncepti ose një projekti do të varen nga rrethanat, e brendshme dhe të jashtme, për ta shtruar atë, por edhe më shumë nga këmbëngulësia për ta bërë një relalitet.
Dukuria e globalizmit ka nxitur shqetësime veçanërisht tek popujt e vegjël. Shqiptarët duhet të mënjanojnë shqetësimet nëse fuqizojnë identitetin e vet kombëtar.
Me gjithë zhvillimet që kanë ndodhur gjithandej ku jetojnë sot shqiptarët, me gjithë shpalljen e pavarësisë së Kosovës,  të kufizuar në dimensione të saj, ata duhet të kenë parasysh se çështja shqiptare vazhdon të jetë një çështje e fatit dhe të së ardhmes së një populli të ndarë padrejtësisht dhe të shpërndarë në gjithë hapësirën e Ballkanit.
Prandaj, do të dëshironim që të ecnim në binarë të njëjtë dhe në drejtim të njëjtë.Ecja në binarë të ndryshëm dhe në drejtim të ndryshëm mund të kërcënojë me rrezikun e mosarritjes në të njëjtin destinacion.