Gjykuar nga pikëpamja e ligjit dhe e praktikës ndërkombëtare, për shtetet që deri më sot e kanë njohur Kosovën, ajo “është efektivisht një shtet i pavarur, me qeveri të veten dhe territor të përcaktuar”. Gjithnjë sipas kësaj logjike, me gjithë kontestimet që po i bën Serbia dhe një numër shtetesh që ende nuk e kanë njohur atë, pavarësia e Kosovës është një “akt i pakthyeshëm”, ndërsa njohja ndërkombëtare është një
“fakt i pandryshueshëm dhe juridikisht i paanulueshëm”, ndërkohë që mosnjohja ende (nga një numër relativisht i madh vendesh të tjera të botës), “nuk është fakt i kryer dhe i përhershëm”.

Prej shpalljes së pavarësisë së saj, Kosova po kalon nëpër një konsolidim të brendshëm, duke fuqizuar institucionet ekzistuese dhe duke krijuar institucione të reja,edhe vetë e ndërgjegjshme për vështirësitë për shkak të kufizimit të saj në një “numër dimensionesh” që, megjithatë, nuk përbën një arsye të mjaftueshme për ta kontestuar deklarimin e pavarësisë, siç bëri Serbia me nismën e saj para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, opinioni këshillues i së cilës  nuk do të mund të kishte ndonjë ndikim në aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, qoftë ai edhe “shpërfillës” ndaj saj.

Një gjë që duhet të kihet parasysh është se duhet bërë dallimin midis të drejtës së ligjshme të Kosovës për të qenë shtet dhe krijimit të “hapësirës” për të funksionuar si i tillë.

Kosova është e “mbërthyer” me Rezolutën 1244 dhe kushtetuta e saj me kushtëzimet që “ia ka vënë Plani i Ahtisaarit” dhe ky fakt nuk ka mundësi që të mos shoqërohej me vështirësi në funksionalizimin e shtetit të Kosovës.
Për të funksionuar si shtet me domethënien e plotë të tij, shteti i Kosovës duhet të “vishet” me sovranitet  të plotë dhe duhet të aderojë në mekanizmat ndërkombëtare, qofshin ato ekonomike ose politike.
Prej kohës së shpalljes së pavarësisë, Kosova ka hyrë në një fazë të re të qenies së saj në një “trajtim ndërkombëtar” të llojit të vet që vetvetiu edhe pavarësinë e Kosovës e bën të jetë e një lloji të tillë.
Në të vërtetë, po të shërbehesha me fjalorin e mjekësisë, siç e bëjnë edhe analistë në shkrimet e veta, prej 17 shkurtit 2008, Kosova “i shmanget krizës” dhe “lëshon spitalin” në të cilin mbahej për një kohë shumë të gjatë në “kurim intensiv”, por me “dhembje koke”.




“Dhembja e kokës” i vjen  Kosovës :

së pari, për shkak  të mosshtrirjes së pushtetit, ligjit dhe kontrollit në gjithë territorin e saj;

së dyti, për shkak të vazhdimit të pranisë ndërkombëtare civile, me fuqi të theksuar ekzekutive dhe të interpretimit të mandatit të vet;

së treti, për shkak të ndërhyrjeve të vazhdueshme të pushtetit serb në jetën politike në Kosovë që vetvetiu jo vetëm që e mbajnë gjendjen e tensionuar, por e bëjnë atë ende të paqartësuar, veçanërisht edhe për shkak të mostërheqjes së UNMIK-ut dhe mosvendosjes së plotë të EULEX-it dhe mundësisë së përplasjes së autorizimeve midis tyre.

Mendoj se nuk ka nevojë për shumë koment  pse Kosova po hyn në njëvjetorin e shpalljes së pavarësisë pa qëndruar ende në ”këmbet e veta”.

E para, sepse Kosova ende ”mbahet për dore” nga ndërkombëtarët.

E dyta, sepse Kosova ende nuk ka dalë plotësisht nga rrethi në të cilin është ”mbërthyer” prej se është vendosur prania ndërkombëtare në të dhe për shkak se ende mbahet në ”trajtim ndërkombëtar”.

E treta, sepse Kosova ende nuk është pavarësuar plotësisht që t’i marrë përsipër përgjegjësitë për të qenë ”zot i vetvetes”.

Në dy librat që po promovohen sot para lexuesit të Tiranës, në organizimin e Forumit ”Imazh e Media”, i jam përgjigjur nismës serbe për vlerësimin e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe, të thuash, kam komunikuar me të, duke e porositur në moton e librit tim më të ri se ”Nuk ka padrejtësi më të madhe se kur drejtësia shtrembërohet”.Në nëntitullin e librit ”Pavarësia e Kosovës -  fakt i ligjshëm që nuk mund të zhbëhet” është përmbledhur porosia ime e librit  në të cilin kam identifikuar njëzet boshte të argumentimit të pavarësisë së Kosovës, nga e drejta për vetëvendosje e deri të mosqenët e pavarësisë së Kosovës zgjidhje e plotë e çështjes shqiptare, por vetëm ”zgjidhje e balancuar për kohën”.
C’është e vërteta, çështjen e Kosovës përherë e kam trajtuar vetëm si një anë të çështjes shqiptare, prandaj asnjëherë nuk kam lënë jashtë shqyrtimeve pozitën e shqiptarëve në ”hapësirën tjetër të ish-Jugosllavisë”, pozicionin e Shqipërisë karshi tërësisë së çështjes, përfshirë edhe çështjen çame, duke theksuar se me pavarësinë e Kosovës nuk përmbyllet kapitulli i çështjes shqiptare.
Eshtë e vvërtetë se çështja e Kosovës ”është shkëputur”nga tërësia e çështjes, por ajo varet në mënyrë të drejtpërdrejtë prej saj, po sikurse që tërësia që varet prej çështjes së Kosovës, si përbërësit më të rëndësishëm të saj, për të nënvizuar përherë se do të ndaheshim përfundimisht nëse pavarësinë e Kosovës do ta konsideronim ”mbyllje të kapitullit të çështjes shqiptare” dhe se do të fuqizonim bashkimin nëse pavarësinë e Kosovës do ta konsideronim vetëm si pararendëse të realizimit të aspiratave shekullore të popullit për të jetuar së bashku, natyrisht në kushte dhe në rrethana politike, të brendshme dhe të jashtme, kur do të mund të shtrohej ky opsion.
Rrënimi i dhunshëm i subjektivitetit politik kushtetues i Kosovës në ish-Jugosllavi ”ndërgjegjësoi faktorin shqiptar dhe rriti vetëdijën ndërkombëtare mbi mëvetësinë e Kosovës” dhe përmasat esenciale të çështjes së Kosovës në Ballkan, po sikurse edhe ”moderueshmërinë e opsionit të pavarësisë së Kosovës kundrejt opsionit të bashkimit territorial të Shqipërisë,Kosovës si dhe trojeve të tjera të shumicës etnike shqiptare në kontinuitet hapësinor të përgjithshëm të shumicës etniko-territoriale të shqiptarëve në Ballkan”.
Po theksoj këtë moment për shkak se pavarësia e Kosovës u ofrua si një ”opsion realisht i balancuar përbrenda horizontit të kohës në Ballkan”, opsion ky që gjeti mbështetjen te një pjese të konsiderueshme të bashkësisë ndërkombëtare dhe qendrave vendimmarrëse të saj.
Dukuria e globalizmit që nxiti aq shumë shqetësime te popujt e vegjël, nuk ka pse të shqetësojë  edhe popullin shqiptar.
Edhe nëse e kanë atë shqetësim, shqiptarët duhet ta mënjanojnë me fuqizimin e identitetit të vet kombëtar.
”Nëse duam ta ruajmë kohezionin e brendshëm të kombit duhet t’i japim përparësi atyre faktorëve që e përforcojnë identitetin kombëtar”.

Janë tri shkronja të mëdha, tri ”GJ” të mëdha, që shprehin boshtin e identitetit kombëtar të shqiptarëve dhe ne do të duhej të silleshim rreth tyre:

GJ- gjaku;

Gj- gjuha, dhe

Gj- gjeografia.

Krahas tyre duhet theksuar edhe ”historia e përbashkët, kontinuiteti i traditës dhe identifikimi me atë traditë”.

Në emër të atyre tri shkronjave të mëdha, po e mbyll fjalën time me tri porosi:

Porosia e parë: Nuk do të dëshiroja që të na shemben themelet, pa i ngritur kulmet.

Porosia e dytë: Të bashkuar –edhe të pamundshmën e bëjmë  të mundshme; të ndarë –edhe të mundshmën e bëjmë të pamundshme.

Porosia e tretë: Të veprosh i pabashkuar është e paefektshme, po sikurse edhe të bashkohesh pa vepruar.