(Përmbledhje e fjalës së mbajtur në njëvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Kërçovë, më 18 shkurt 2009)

Në njëvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe në lidhje me të, mund të shtrohet një numër më i madh pyetjesh në trëkëndshin kombi, shteti dhe identiteti kombëtar.

 

Kombi- për shkak se, duke u marrë me arsye me çështjen e Kosovës, sikur e “kemi lënë në harresë” tërësinë e çështjes, statusin e kombit përgjithësisht;

 

Shteti- për shkak se, shteti i Kosovës, me gjithë kontestimet që i bëhen, është një fakt i ligjshëm që nuk mund të zhbëhet;

 

Identiteti- për shkak se, me “identitetin shtetëror” të Kosovës   sfidohet  “identiteti kombëtar” i shqiptarëve.

 

Duke u përpjekur që të “godasë” kërshërinë tuaj për çështjet dhe problemet për të cilat jeni të interesuar të flitet në këtë përvjetor të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, do të përpiqem që të përzgjedhë dhe që të përgjigjem në këto dhjetë pyetje:

 

Një, ku është Kosova një vjet  pas shpalljes së pavarësisë ?

 

Dy, cilët hapa duhet ndjekur ?

 

Tre, çfarë i duhet Kosovës për t’u bërë një shtet funksional ?

 

Katër, çfarë ndikimi mund të ketë opinioni këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ?

 

Pesë, në ç’raport janë pavarësia e Kosovës dhe tërësia e çështjes ?

 

Gjashtë, pse i konsideroj të ndërvarura segmentet e veçuara të çështjes shqiptare ?

 

Shtatë, pse duhet konsoliduar faktori politik shqiptar në Maqedoni ?

 

Tetë, pse jam kundër këmbimit të territoreve ?

 

Nëntë, pse integrimet evropiane duhet të ndodhin paralel me integrimet brendashqiptare ?

 

Dhjetë, pse pavarësia e Kosovës nuk është zgjidhje e plotë e çështjes ?

 

T’i shtrojmë një nga një.

 

Ku është Kosova sot, një vjet pas shpalljes së pavarësisë së saj ?

 

Së pari, koha është shumë e shkurtër për të bërë përfundime të prera.

Së dyti, një udhë është kaluar dhe kemi ditur se ajo nuk do të përbëjë një ”kalërim të lehtë”, sepse udha nuk ishte e ”shtruar me lule”.

Ajo që është për t’u theksuar është fuqia ekonomike dhe politike e vendeve që e kanë njohur deri më sot Kosovën.

Ajo që është për t’u brengosur  është rimëkëmbja shumë e ngadalshme e saj.

Kohëve të fundit jam shprehur se Kosova ende i ngjan fëmijës që i posalindur ende ”mbahet me infuzion”.

Duhet të kemi parasysh se Kosova, siç shprehen me gjuhën e mjekësisë edhe analistë të tjerë, vonë e ”ka lëshuar spitalin”, është mbajtur gjatë në ”kurim intensiv” dhe posa ka filluar me ”aktivitetet vetjake”, por vazhdimisht nën ”kontrollin e mjekëve”, sepse ende është me ”dhembje koke” për shkak të pamundësisë që të shtrijë pushtetin, ligjin dhe kontrollin në gjithë territorin e saj, por edhe për shkak të pranisë relativisht të fuqishme civile ndërkombëtare dhe ndërhyrjes së Serbisë në jetën e saj të brendshme.

Kosova ende nuk është pavarësuar plotësisht që t’i marrë të gjitha përgjegjësitë për ta qeverisur veten.  

 

Cilët hapa duhet ndjekur?

 

Kosova duhet të ”çlirohet nga prangat” në të cilat e ka ”mbërthyer” Rezoluta 1244 dhe duhet të lirohet nga kushtëzimet që ”ia ka vënë”Plani i Ahtisaarit, duke ia marrë asaj edhe primatin e të qenët  ”akt më i lartë juridik i vendit”.Hapi më vendimtar do të duhej të bëhej drejt ”veshjes” së saj me sovranitet.

 

Cfarë i duhet Kosovës për t’u bërë një shtet funksional ?

 

Kosova duhet të ”lirohet” në një numër dimensionesh kufizuese të pushtetit që e vështirësojnë realizimin e sovranitetit në aspektin e ushtrimit të brendshëm të tij, ndërsa në aspektin e ushtrimit të jashtëm , Kosova duhet të aderojë në mekanizmat ndërkombëtare, qoftë ekonomike, qoftë politike.

 

Cfarë ndikimesh në pavarësinë e Kosovës mund të ketë opinioni këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ?

 

Fakti që një opinion të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk e bën të jetë obligues, por vetëm këshillues, flet për pamundësinë për të pasur ndonjë efekt juridik në pavarësinë e Kosovës. Edhe nëse opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të ishte ”shpërfillës” karshi pavarësisë së Kosovës, asaj do të mund ”t’ia merrte” vetëm shkëlqimin, por jo edhe kuptimin .

 

Në ç’raport janë pavarësia e Kosoëvs dhe tërësia  e çështjes dhe pse i konsideroj të ndërvarura segmentet  e veçuara të çështjes shqiptare ?

 

 Në raport të ndërsjellë, njëra varet nga tjetra. Eshtë e vërtetë se Kosova është ”shkëputur” nga tërësia, por ajo varet drejtpërsëdrejti prej saj. Kosova dhe pavarësia e saj nuk përbëjnë tërësinë e çështjes shqiptare. Segmentet e veçuara të çështjes shqiptare janë shumë të ndërvarura. Refleksionet barten prej një segmenti në një tjetër.

Ajo që do të duhej ta mbanim parasysh është se me pavarësinë e Kosovës nuk mbyllet kapitulli i çështjes shqiptare, po sikurse që duhet të ndërgjegjësohemi se realizimi i aspiratave shekullore të shqiptarëve për të jetuar së bashku do të varet nga shumë rrethana dhe kushte politike, të brendshme dhe të jashtme, por edhe nga këmbëngulësia për të ecur në atë drejtim dhe për ”ta mbajtur gjallë” idenë, konceptin dhe projektin e ”lënë amanet” nga brezat e mëhershme në historinë tonë të dhembshme.

 

Pse duhet konsoliduar faktori politik shqiptar ?

 

Për shkak se me Marrëveshjen e Ohrit guri vetëm se ”ka lëvizur prej vendit” dhe se atë duhet dërguar në cakun e duhur. Pozita e përgjthshme e shqiptarëve duhet të rivendoset me respektimin e parimeve të jetës së përbashkët në kushte të barabarta, sepse të jetosh bashkërisht do të thotë të jetosh  në mënyrë të barabartë , sepse vetëm të barabartit mund të jetojnë bashkërisht.

 

Pse jam kundër këmbimit të territoreve ?

 

Sepse kërcënon rreziku që të këmbejmë territoret tona me territoret tona.

 

Pse integrimet evropiane duhet të ndodhin paralel me integrimet brendashqiptare ?

 

Për shkak që të mos bëjmë gabime në hapa çfarë, në të kaluarën kemi bërë, prandaj e kemi pësuar edhe si popull edhe si komb përgjatë historisë.

 

Pse pavarësia e Kosovës nuk paraqet zgjidhje të plotë të çështjes ?

 

Për shkak të realitetit të copëtimit të trungut etnik shqiptar dhe, në këtë kuadër, për shkak të aneksimit të Kosovës nga ana e Serbisë.

Historia flet për padrejtësitë  në dëm të shqiptarëve etnikë dhe të trojeve etnike të tyre, prandaj synimi i tyre ishte dhe mbetet që të bashkëjetojnë.

Ajo që duhet të kenë parasysh shqiptarët sot është fuqizimi i identitetit kombëtar të tyre. Dukuria e globalizmit ka nxitur ca shqetësime te popujt e vegjël në planin e identitetit kombëtar.

Në një paraqitje timen, dy ditë përpara, në Tiranë, u pëlqye theksimi i tri shkronjave të mëdha ”GJ” që, në fakt, shprehin gjakun, gjuhën dhe gjeografinë tonë, si boshte qëndrore të identitetit kombëtar të cilat, siç shprehen edhe analistë të tjerë, së bashku me historinë e përbashkët, kulturën e përbashkët,  traditën e përbashkët dhe trashëgiminë e përbashkët, duhet ta mbajnë të zgjuar ndjenjën tonë kombëtare.