(Theksime nga fjala e mbajtur në shënimin e njëvjetorit të pavarësisë së Kosovës, në Gjakovë më 28 shkurt  2009)  

Një vit është një kohë e shkurtër për të bërë bilance të shoqëruara me përfundime të prera.Një udhë është kaluar dhe ne kemi ditur se ajo nuk do të përbëjë një ”kalërim të lehtë", sepse rruga nuk ishte e ”shtruar me lule”. E tillë nuk është edhe sot, kur festojmë njëvjetorin e pavarësisë, me gjithë përpjekjet për të konsoliduar dhe fuqizuar institucionet ekzistuese dhe për t’i krijuar ato të reja.

Ajo që është e rëndësishme për momentin është numri i vendeve që deri më sot kanë njohur shtetin e Kosovës, veçanërisht potenciali i madh  politik dhe ekonomik i tyre.Njohja është një ”fakt i pandryshueshëm dhe juridikisht i paanalueshëm”, ndërsa mosnjohja nga një numër ende i madh i vendeve nuk është fakt i kryer dhe i përhershëm”.
Po ta përmblidhnja në një fjali të vetme se ku është Kosova një vit pas shpalljes së pavarësisë do të shprehesha se në Kosovë ditët vijnë e ikin,  ndryshimet ndodhin dhe  rezultatet nuk shihen. Përgjithësisht, Kosova sot është më larg se ku ishte para një viti, por ende larg se ku mendonim që do të mund të ishte.
Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se Kosova po kalon në, më së paku, tri transicione.

Së pari, nga një ”fazë konfliktuale”, të shoqëruar me luftë të tmerrshme dhe shkatërruese, në një ”gjendje paqeje e rindërtimi”.

Së dyti, nga një ”sundim absolutist komunist  e monist” në një ”gjendje të demokracisë politike dhe pluralizmi”.

Së treti, nga një ”pushtim klasik” në një ”gjendje të lirisë”.

Ndonëse e pavarur, Kosova vazhdon të jetë e kufizuar në ”një numër dimensionesh” dhe ky fakt vetvetiu ”ia ndal rritën”.Prandaj, ndjenjat që më krijon gjendja në Kosovë një vit pas janë të përziera: në një anë me optimizëm se
çdo gjë që rritet ngadalë i reziston kohës, ndërsa në anën tjetër, me drojën se çdo gjë degjenerohet nëse nuk përparon.
Për të funksionuar si shtet me domethënien e plotë të tij, Kosova duhet të ”çlirohet nga prangat” në të cilat e ka ”mbërthyer” Rezoluta 1244 dhe kushtetuta e saj duhet të lirohet nga kushtëzimet që ”ia ka vënë”Plani i Ahtisaarit, duke ia marr primatin e të qenit ”akt më i lartë juridik i shtetit”.Kjo është arsyeja që përherë kam tërhequr vërejtjen se një vend ose është ose nuk është shtet; ose
ka ose nuk ka pavarësi; ose ka ose nuk ka sovranitet.Së këndejmi, duhet tërhequr vijën e kufirit në mes të drejtës së ligjshme të Kosovës  për të qenë shtet sovran dhe i pavarur(për të cilën angazhohem në dy librat më të ri) dhe krijimit të ”hapësirës”për të funksionuar si i tillë.
Edhe një vit pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ende më shumë i ngjan fëmijës së posalindur i dobët që ”mbahet  me infusion”:

E para, sepse Kosova ende ”mbahet për dorë”nga ndërkombëtarët.

E dyta, sepse ende nuk ka dal plotësisht nga rrethi i mbyllur në të cilin e ka mbërthyer prania  ndërkombëtare.

E treta, sepse ende nuk është pavarësuar në masën që të marrë përsipër përgjegjësitë për ta qeverisur plotësisht vendin.

Prandaj, edhe pse një vit përpara ”ka lëshuar spitalin” nga ”kurimi intensiv”, Kosova vazhdon të jetë me ”dhembje të vazhdueshme koke” për shkak të mosshtrirjes së pushtetit, ligjit dhe kontrollit në gjithë territorin e saj dhe për shkak të përplasjeve të autorizimeve në mes të UNMIK-ut që ende
nuk e ka braktisur Kosovën dhe EULEX-it që ende nuk e ka
shtrirë mandatin e tij në përputhje me kushtetutën dhe ligjin e Kosovës dhe për shkak të ndërhyrjeve të vazhdueshme të Serbisë në jetën politike në Kosovë.
Në Kosovë duhet të rritet vetëdija se asgjë ”nuk ndërtohet me duart e huaja më mirë se me duart tua”.

Duhet të ketë një ndarje të përgjegjësive në mënyrën që:

koha  të jetë deti;

shteti- anija (që nuk fundoset);

populli – era (që  shtyen anijën) dhe

qeveria- vela (që ia qëllon drejtimin).

Meditimet e mia përqëndrohen në çështjen e Kosovës, por nuk lënë anash tërësinë e çështjes, statusin e kombit përgjithësisht.Në fakt, ato sillën në një trekëndësh: kombi, shteti dhe identiteti kombëtar.

Kombi, sepse duke u marrë me arsye me çështjen e Kosovës,sikur e “kemi lënë në harresë”tërësinë e çështjes;

Shteti, sepse pavarësia e Kosovës tashmë është një fakt i ligjshëm që nuk mund të zhbëhet;

Identiteti kombëtar, sepse ai është sfiduar me identitetin
shtetëror të Kosovës.

Prandaj, një numër pyetjesh kërkojnë përgjigje, veçanërisht raporti i pavarësisë së Kosovës ndaj tërësisë së çështjes.
Kosova është shkëputur nga tërësia e çështjes kondicionalisht- si “zgjidhje e balancuar për kohën”, jo si
zgjidhje e plotë e saj.
Mendoj se nuk mund t’i qëndrojnë kohës qëndrimet politike se me pavarësinë e Kosovës sikur “mbyllet kapitulli” i çështjes shqiptare.
Pavarësia e Kosovës duhet të kundrohet vetëm si një pararendëse e zgjidhjes së tërësisë së çështjes, e jo si  mbyllje e saj.
Pavarësia e Kosovës përbën vetëm njërin nga segmentet e çështjes së pazgjidhur shqiptare.Segmentet e veçuara të çështjes shqiptare janë shumë të ndërvarura.Refleksionet politike barten prej njërit në tjetrin.Nuk mund të jetë mirë një njërin, pa qenë mirë në tjetrin.
Dukuria e globalizmit ka nxitur shqetësime veçanërisht për popujt e vegjël.
Shqiptarët duhet t’i mënjanojnë shqetësimet me fuqizimin e identitetit të vet kombëtar.

Tri shkronja të mëdha “GJ” përbëjnë “boshtin” e identitetit
kombëtar të shqiptarëve:

GJ- gjaku(që nuk është ujë);

GJ- gjuha(që na bën një popull kudo që jetojmë);

GJ- gjeografia (që na përbën një tërësi etnike).

Natyrisht se, janë edhe historia e përbashkët, edhe kultura e përbashkët, edhe tradita e përbashkët, edhe trashëgimia e përbashkët... që mbajënë të zgjuar ndjenjën kombëtare të popullit shqiptar.

Me atë ndjenjë kombëtare dhe i ndikuar prej saj në këtë mjedis që më rriti, me dy veprat e mia që u prezantuan para këtij auditori shumë të nderuar të qytetit tim shumë të shtrenjtë të lindjes,  unë vetëm sa bëra një përpjekje për të shpërfaqur të vërtetën për Kosovën dhe çështjen shqiptare, duke iu kundërvënë pseudoshkencës serbe, me devizën se nuk ka dy të vërteta për Kosovën dhe se nuk mund të ketë dy bindje për një të vërtetë.