Një koncert i mbajtur ditë më parë në Gjakovë dhe “i reprizuar”një natë më vonë në Prishtinë për dashamirët e këngës së vjetër vështirë se do të mund të shlyhen nga kujtesa. Protagonistë qenë këngëtari i njohur gjakovar, Shkëlzen Jetishi dhe tenori i shquar nga Shqipëria, Kastriot Tusha.Mbrëmja “pati” dhe “kryeprotagonistin”, Isuf Myzyrin-“Artistin e Popullit”(1881-1956), mjeshtrin e madh të artit muzikor, këngët e të cilit u kënduan atë mbrëmje, nën shoqërimin e një orkestrine popullore tashmë shumë të dëgjuar të Vllaznim  Buxhovit.Atmosfera e krijuar në koncertin e Gjakovës i kënaqi shpirtërat jo vetëm të atyre që patën fatin të jenë në sallë, por edhe të atyre që e ndoqën drejtpërsëdrejti në televizion.

 

Shumica e këngëve të Isuf Myzyrit trajtojnë temën e dashurisë. Atë mbrëmje dashuria u takoi atyre që, në mënyrë brilante, “ngjallën” Isuf Myzyrin, duke përcjellur këngën e tij “me një frymë moralizuese të shprehur me alegori të hollë figurative”, “të pasur me melodi,origjinale në ritëm, e freskët në intonacione”. Këtë na dhuruan Shkëlzen Jetishi dhe Kastriot Tusha  në një projekt të përbashkët që nuk do të dëshironim të ishte i fundit, por një fillim i mbarë i “kthimit në këngën e vjetër” që bashkon jo vetëm  Elbasanin dhe Gjakovën, por dhe Beratin, Durrësin  e Tetovën,  Shkodrën, Shkupin dhe Kumanovën.
Atë mbrëmje dëshiroja të isha në rolin e Reshat Arbanës që bëri prezantimin e këngëtarëve, jo vetëm për shkakun se më kujtoi ditët e rinisë sime të hershme në vendlindjen time, kur  prezantoja këngëtarët e Shoqërisë “Hajdar Dushi”, por më shumë për dëshirën për të ushqyer te njerëzit besimin te mundësitë e mëdha që kemi për “t’u bërë bashkë” në projekte që na kujtojnë gjakun, gjuhën dhe gjeografinë shqiptare.
Si sajues i aforizmave, do të kisha përkujtuar, më së paku, tri nga aforizmat më të mirë për muzikën.
Do ta kisha kujtuar thënien e madhe të Bethovenit të madh se “Muzika është zbulimi më i madh se të gjitha mençuritë dhe filozofitë”.   
Heinrich Kleist muzikën e konsideron “rrënjën e të gjitha arteve tjera”.
Iginio Tarcheti kujton se muzika ndër artet “më së paku është e caktuar me kufij”.
Po me ç’kufij jemi “të ndarë” ne shqiptarët që të mos na bashkojë muzika. Shkëlzeni dhe Kastrioti sikur porositën se e filluam me muzikën dhe se duhet  ta vazhdojmë  me projekte të reja.
Së shpejti pritet të hapet një tunel që “bashkon dy anët” e ndara padrejtësisht të shqiptarëve. Shkëlzeni dhe Kastrioti kaluan nëpër tunel dhe porositën se nëpër atë  tunel mund të kalojnë dhe duhet të kalojnë gjithë shqiptarët, nga të dyja anët.
Ja pra pse ishte aq i madh koncerti i Gjakovës. I madh jo vetëm për mjeshtrinë e madhe me të cilën u paraqitën mjeshtrit e mëdhenj të këngës, jo vetëm për shkak se na kujtuan ”ustain e madh” Isuf Myzyrin, jo vetem se ”na detyruan” që të ”këndojmë” dhe neve që ”nuk ia themi aq mirë” këngës dhe që nuk jemi kompetent për t’u shprehur për të, por koncerti i Gjakovës ishte i madh për guximin që morën Shkëlzeni dhe Kastrioti për të inicuar një fillim të mbarë dhe për të ndërtuar trasenë e bashkëpunimit në projekte të përbashkëta.


E quajtëm shembull që mund të ndiqet.
Po e mbyll me dy fjalë të këngës së Isuf Myzyrit :” U bashkuam në këtë botë... Kjo sevda nuk është e kotë.E di ai që ka marrë pjesë”.