-    Nuk u takoj atyre që mendojnë se kemi bërë mjaftë për të depërtuar në botë me të vërtetën tonë për të kaluarën, të tashmën dhe të ardhmen-
 

Akademik Esat Stavileci muaj më parë u paraqit me librin e tij “Rrugëtimet dhe labirintet e Kosovës dhe të shqiptarëve”, me një përmbledhje dëshmish për pavarësinë e Kosovës.Ishte ky libri që pasoi studimin e tij “Shteti, shqyrtime të përgjithshme teorike me vështrim rasti i Kosovës”. Këto dy libra u pritën në opinion si ndihmesë e autorit për dëshmitë për Kosovën para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.Në këtë numër të gazetës sjellim intervistën me të. (Intervistë për “Kosova sot”, 24 maj 2009).
 


KS: Libri juaj “Rrugëtimet dhe labirintet e Kosovës dhe të shqiptarëve” nga shumë kush është parë dhe si një dëshmi e rëndësishme  juridike në mbrojtje të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.Në të vërtetë, çfarë përmban libri juaj?

Esat Stavileci: Gjykuar sipas titullit, libri flet për rrugëtimet e gjata dhe labirintet nëpër të cilat kanë kaluar Kosova dhe shqiptarët deri në vendimin për “pavarësinë e mbikëqyrur” të saj, por njëkohësisht, tërheq vërejtjen se ato rrugëtime dhe labirinte nuk përfundojnë më “pavarësinë e mbikëqyrur” të Kosovës. Kosova dhe shqiptarët kanë për të bërë edhe shumë rrugë deri në përmbyllje të kapitullit të çështjes shqiptare.
Ndërsa, gjykuar sipas nëntitullit ”Pavarësia e Kosovës-  fakt i ligjshëm që nuk mund të zhbëhet”, libri përmbledh argumentet historike, politike, juridike- kushtetuese, ndërkombëtare dhe të tjera në mbrojtje, jo vetëm të ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë, por edhe të së drejtës për shtet të pavarur  dhe sovran të  Kosovës.
Ndoënse libri nuk është shkruar me mision të vetëm që të jetë një dëshmi për Kosovën para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, me përmbajtjen e vet ai, në njëfarë mënyre, i shërben asaj dëshmie, veçanërisht duke pasur parasysh faktin se megjithëse pyetja e shtruar para Gjykatës Ndërkombëtare të  Drejtësisë është shtruar “e izoluar” nga segmentet e tjera të çështjes së Kosovës,  përgjigjja pashmangshëm do të ndërlidhet  edhe me ato segmente.
Sipas informacioneve që kam, disa nga shtetet që kanë dëshmuar kundër pavarësisë së Kosovës, në deklaratat e veta, ndër të tjera, kanë theksuar, qoftë “përparësinë që ka integriteti territorial i vendeve anëtare të OKB-së karshi të drejtës së popujve për vetëvendosje”, qoftë se “të drejtën për vetëvendosje e kanë vetëm popujt, e jo edhe pakicat kombëtare” dhe se shqiptarët e Kosovës “kanë qenë pakicë në Serbi dhe Jugosllavi, e jo komb”, qoftë se Kosova “ishte provincë autonome e Serbisë”, e jo “Krahinë Autonome në Jugosllavi” e tjera e tjera.
Në libër kam identifikuar njëzet boshte të argumentimit të pavarësisë së Kosovës, duke përfshirë brendapërbrenda tij, edhe të drejtën e Kosoëvs dhe të shqiptarëve për vetëvendosje, edhe të mosqenët e shqiptarëve “pakicë kombëtare” dhe të Kosovës “provincë serbe”, por njësi federale në ish- Jugosllavi, e shumë e shumë fakte  të tjera.

KS: Cilat janë sipas jush shtyllat kryesore në të cilat mbështetet  Kosova për mbrojtjen e pavarësisë së saj para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ?

Esat Stavileci: Përpara se të përmend disa nga shtyllat për mbrojtjen e pavarësisë së Kosovës, po vë në dukje se njohja e shteteve është “çështje e fakteve” dhe atë më shumë politike sesa juridike dhe se “shtetet nuk krijohen me norma”. Madje, teoria e së drejtës ndërkombëtare nuk  i  ndan shtetet në të “ligjshme” dhe të “paligjshme”.
Rrjedhimisht, edhepse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë “do të marrë më shumë parasysh aspektet legale”, ajo nuk do të mund t’i anashkalojë edhe faktet historike, ndër të tjera, se Kosova ishte e aneksuar nga Serbia, se Kosova edhe gjatë të qenët e saj në ish-Jugosllavi, kishte pozitë të ngjashme me ish-republikat, se ish- Jugosllavia është shpërbërë me një proces të njohjes së shteteve të pavarura dhe sovrane të dalura prej saj, se procesi i shpalljes së pavarësisë është akorduar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një numër të madh të shteteve të Bashkimit Evropian, se kundër shpalljes së pavarësië nuk kanë reaguar as Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së dhe as i dërguari i posaçëm i tij në Kosovë,  se statusi i Kosovës është përcaktuar pas një procesi politik për të cilin është angazhuar edhe vetë Rezoluta 1244, edhepse ajo në preambulë është bazuar në “integritetin territorial të ish-RFJ” e cila ndërkohë u shemb me ndarjen e Serbisë dhe Malit të Zi,  se pavarësia e Kosovës nuk shërben si “precedent negativ” për lëvizjet separatiste në botë, e tjera e tjera.
Duhet pasur parasysh edhe një moment tjetër në lidhje me vërejtjen e Serbisë për shpalljen e “njëanshme të pavarësisë së Kosovës”. Shpalljet e pavarëisë së shteteve asnjëherë  nuk mund të jenë akte bilaterale ose multilaterale.Ato shërbëjnë në të vërtetë si “oferta botës për njohje” dhe bota deri më sot ka reaguar me njohje,sado që jo në numrin e shteteve që është pritur të ndodh. Megjithate, mosnjohja ende nga një numër i madh shtetesh “nuk përbën akt të kryer”.  


KS: Sa është i rëndësishëm publikimi i librave dhe shkrimeve të tilla për mbrojtjen e pavarësisë së Kosovës, jo vetëm para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, por edhe në forume ndërkombëtare për të shtuar numrin e njohjeve nga shtetet hezituese?

Esat Stavileci: Nuk ka dyshim se publikimet për Kosovën, për të vërtetën e saj, kanë rëndësi të shumanshme. Nuk u takoj atyre që mendojnë se kemi bërë mjaftë  për të depërtuar në botë me të vërtetën tonë për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Veçanërisht jemi defiçitarë me publikime në gjuhët botërore. Nuk kemi qenë dhe nuk jemi shumë të pranishëm edhe në shtypin e huaj. Na kanë munguar dhe na mungojnë edhe dokumentarë për Kosovën dhe, në mënyrë të veçantë, për tmerret e luftës në Kosovë dhe gjenocidin serb ndaj shqiptarëve.Natyrisht se nuk janë për t’u nënvlerësuar përpjekjet që janë bërë, ka dhjetëra libra dhe publikime të tjera, por asnjëherë nuk mund të thuhet se është bërë majftë, sidomos nga ana institucionale.
Nëse deri me dje e kemi lëshuar mundësinë, nuk do të duhej ta lëshonim prej sot dhe nesër, sepse Kosova edhe një kohë do të përballet me përpjekjet për “t’i përfituar” shtetet që ende hezitojnë ta njohin pavarësinë e saj, qoftë edhe me këtë përmbajtje që ka ajo, duke qenë e “mbikëqyrur”, me prani relativisht të fuqishme ndërkombëtare dhe ndërhyrje të theksuar të saj.

KS: A mendoni se Kosova ka ofruar argumente dhe fakte të mjaftueshme për mbrojtjen e pavarësisë ?

Esat Stavileci: Mirë është që po më pyesni : a mendoni, e jo çka mendoni, sepse nuk e kam parë dëshminë për Kosovën, përveç se kam dëgjuar prej  zyrtarëve të Kosovës se dëshmia është “gjithëpërfshirëse” dhe “shumë argumentuese”. Dua të besoj që të jetë ashtu, sepse gjykuar sipas numrit të madh të argumenteve dhe fakteve që ka poseduar Kosova për mbrojtjen e pavarësisë së saj para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Grupi i ekspertëve ka pasur mundësinë që të bëjë përzgjedhje të mirë dhe të argumentojë fuqishëm “ligjshmërinë e pavarësisë”.Jam me përshtypjen se ka qenë dashur që, përveç ekspertëve ndërkombëtarë, të konsultohen edhe ekspertët vendorë të fushave të ndryshme, çfarë nuk mungojnë në hapësirën shqiptare përgjithësisht dhe në Kosovë veçanërisht. Sidoqoftë, dëshmia tashmë është “në procedurë” dhe presim se në ç’masë ajo do të ndikojë në mendimin e “favorshëm” ose “jo të favorshëm” këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë  rreth ligjshmërisë ose joligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë i cili, sado që nuk do të prodhojë pasoja juridike, mund të ketë influencime të ndjeshme politike te shtetet hezituese, qoftë për të njohur, qoftë për të mos e njohur pavarësinë e Kosovës.

KS: A ju është ofruar ndihmë ndonjëherë për botimin e librave  tuaj, kur dihet se jeni marrë me çështjen e mbrojtjes së pavarësisë së Kosovës?

Esat Stavileci:Njërin nga dy librat më të ri që i kushtohen Kosovës, me titull  “Shteti, shqyrtime të përgjithshme teorike, me vështrim rasti i Kosovës”, e ka botuar Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe mjetet poër botimin e veprave të Akademisë sigurohen nga buxheti.
Libri tjetër, për të cilin u bë më shumë fjalë në këtë intervistë, është ndihmuar nga Banka Ekonomike e Kosovës.
Për një numër librash të mëhershëm, kam kërkuar dhe kam gjetur sponzorë, ndonjëherë kam investuar dhe mjetet e mia.
Me rëndësi është që librat kanë arritur tek lexuesit dhe se kanë kryer misionin e vet.

KS: Jeni anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. A mendoni se Akademia ka kryer punën e saj sa i përket angazhimit në proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova, veçanërisht përballjes me Serbinë ?

Esat Stavileci: Sado që ka bërë dhe sado që do të bënte, asnjëherë nuk do të konsideroja se është bërë mjaftë, duke pasur parasysh përballjen me propagandën shfrenuese serbe kundër Kosovës dhe shqiptarëve përgjithësisht, autoktonisë, historisë, demografisë së shqiptarëve e tjera.
Akademia ka qenë aktive në periudhën e viteve të nëntëdhjeta kur Kuvendi i Kosovës ka shpallur Deklaratën Kushtetuese. Eshtë përpjekur që, me tryeza dhe konferenca, të jetë e pranishme dhe që të deklarohet për proceset më të reja politike.Akademia ka disa publikime që dëshmojnë përpjekjet e saj për t’u bërë krah i aspiratave për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.
Një numër i anëtarëve të saj gjithashtu ka qenë dhe vazhdon të jetë aktiv, ndërsa disa prej tyre mbajnë edhe  poste politike.
Mirëpo, gjykuar në përputhje me nevojat që kishte Kosova që të angazhojë “mendjen dhe trurin” në proceset nëpër të cilat ka kaluar, është pritur që produktiviteti të jetë më i madh.
Por, për shkak të vërtetës, duhet përmendur edhe një fakt.Edhepse shumë zyrtarë të Kosovës, në periudha të ndryshme, e kanë vizituar Akademinë dhe janë shprehur për nevojën e angazhimit të saj, ka munguar bashkëpunimi dhe, për pasojë, Akademia më shumë ka qenë vrojtuese, sesa aktore e proceseve.

KS: Po çfarë mendoni, sa përfillet Akademia  e Shkencave dhe Arteve e Kosovës nga institucionet e Kosovës ?

Esat Stavileci: Një pjesë të përgjigjes e dhash më lartë.
Mendoj se institucionet e Kosovës duhet që të kërkojnë pjesëmarrjen e Akademisë në shumë projekte dhe nuk besoj se Akademia do të refuzonte përfshirjen e saj në to.Kosova më shumë se asnjëherë më parë ndjen nevojën që, nga të gjitha anët të ndihmohet dhe atë nga më shumë fusha të dijes.
Mendoj se potenciali i Akademisë nuk shfrytëzohet sa duhet.
Natyrisht se edhe vetë Akademia do të mund të imponohej më shumë.      


KS: Sipas jush, a i ka dhënë vendin e merituar shoqëria jonë intelektualëve tonë?

Esat Stavileci:Shoqëria jonë, me shumë kontradikta zhvillimore, mbështetjen për ndërtimin e së ardhmes, duhet ta kërkojë pikërisht te shtresa që, pothuaj se, e ka lënë ”pasdore”.
Intelektualët krijues duhet të stimulohen nga shoqëria dhe duhet të gëzojnë një status çfarë e gëzojnë përgjithësisht intelektualët në shoqëritë e civilizuara.
Mjafton që vetëm një kohë të shkurtër të gjindeni në mesin e krijuesve të Kosovës, për të kuptuar realitetin që i rrethon.   


KS: Cfarë presim në të ardhmen nga ju?


Esat Stavileci: Unë posa kam filluar të punoj në projektin ”Cka pas pavarësisë së Kosovës”, por jam zënë ngushtë me kohën, për shkak të dy projekteve më parë të nisura.
Në programin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës për vitin 2009 është përfshirë botimi i Fjalorit të termave administrative dhe këtë punë duhet ta përfundoj deri në vjeshtën e këtij viti.
Ndërsa një libër tjetër të cilin kurrësesi ta përfundoj, mund të pres.Ka shumë kohë që po shkruaj një libër ”Si e ndjeva Shqipërinë për dyzet vjet”. Shqipërinë e vizitoj shpesh dhe sa më shpesh që ndodhem në të, hapen dilemat me çfarë ta mbyll librin.Nuk e kam kusht që ta përfundoj  ”me çdo kusht” sivjet apo vitin tjetër.Në të shumtën e herëve, është koha që përzgjedh temën, por ndonjëherë është dhe tema që përzgjedh kohën.