(Përshtypje nga takimi  i natyrshëm i dy “anëve të Shqipërisë”, me 31 Maj 2009)

Për shqiptarët, kohët e kaluara nuk ishin tjetër, veçse kohë  të hidhura.Prandaj,ata presin kohë të reja dhe dëshirojnë që ato të mos jenë të tjera veçse kohë të ëmbëla. Mirëpo, kohët nuk vijnë vetvetiu të ëmbëla.Të ëmbëla i bëjnë njerëzit.Të ëmbëla mund ti bëjnë vetë shqiptarët.Shija e ëmbël e kohës për shqiptarët erdhi me të dielën e 31 majit 2009, me përurimin e tunelit që natyrshëm bashkoi dy botë padrejtësisht të ndara shqiptare.

 

Shqiptarët duhet të jenë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e momentit nëpër të cilin po kalojnë, në mënyrë që të ndërgjegjësohen edhe për veprimet që duhet të ndërmarrin në të ardhmen.E diela e 31 majit 2009 dhe takimi i natyrshëm i dy “anëve të Shqipërisë”  duhet t’i ndërgjegjësojë  se vetëm të bashkuar mund të jenë më të fuqishëm, vetëm të bashkuar mund të ndihen më të sigurt dhe vetëm të bashkuar mund të ndërtojnë një perspektivë më të ndritshme si komb.

Shqiptarët prej sot bëhen një “bashkësi e pashkëputur” dhe për këtë duhet të vetëdijësohen.Do të jetë shumë i rëndësishëm veprimi i tyre në të ardhmen.Shqiptartët janë para mundësisë që, për herë të parë, të shkruajnë historinë e tyre.Histori është të shkruash historinë me dorën tënde.

Prej sot shqiptarët do të duhej të ecnin rrugës e cila do të mundësonte:

Së pari, që ata të ndryshojnë tërësisht raportet në të cilat kanë kaluar deri dje si popull dhe si komb.

Së dyti, që ata ti përballojnë “mëritë” dhe “hasmëritë” e së kaluarës dhe ti kthehen së ardhmes së tyre.

Së treti, që ata ti forcojnë lidhjet e vendosura, në mënyrë që të “mos e lëshojnë prej dorësh”tërësinë e çështjes.

Së katërti, që ata të bashkojnë  rreth një sofre dijen dhe guximin, mençurinë dhe trimërinë, zotësinë dhe shkathtësinë.

Së pesti, që ata politikisht të formësohen dhe të rriten si një komb.

Shqiptarët prej sot e ndiejnë ndërvarësinë e segmenteve të veçuara të çështjes shqiptare. Ata prej sot vetëdijësohen se pa qenë mirë në Shqipëri, nuk mund të jetë mirë në Kosovë; se pa qenë mirë në Kosovë, nuk mund të jetë mirë me shqiptarët në Maqedoni, në Kosovën Lindore, në Mal të Zi dhe në Camëri.
Takimi i natyrshëm i së dielës së 31 majit 2009 i dy “anëve të Shqipërisë” krijon shumë favore për shqiptarët kudo që jetojnë sot të shpërndarë.Ata duhet të dëshmojnë aftësi që të afrohen njëri me tjetrin dhe që të veprojnë si një dhe të bashkuar.

Shqiptarët nuk kanë udhë tjetër veçse atë të unitetit të veprimit.Ai unitet nuk duhet të jetë vetëm një frazë politike, por një unitet real dhe racional kombëtar i tyre.
Ai unitet i veprimit do të duhej të ishte konkret dhe me të do të mund të formësoheshin trajtat e komunikimit të ndërsjellë, lidhjet e përbashkëta në fatet e përbashkëta, në detyrat kohore dhe hapësinore të tyre.

Të vetëdijshëm se përballen me copëtimin e trungut etnik të tyre, shqiptarët duhet që të angazhohen për të gjitha format e integrimit gjithëshqiptar. Këtë nuk e kanë vetëm për detyrë, por edhe për borxh kombëtar që duhet ta paguajnë, pa pyetur për çmimin.