(Kumtesë në Konferencën Shkencore të mbajtur në Tiranë më 19.06.2009, nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës)


Fjalën time në këtë simpozium shumë të pritur rreth terminologjisë, po e filloj në një mënyrë krejtësisht të pazakontë.
Për moto të fjalës sime kam përzgjedhur këtë fjali. Dëgjojini me kujdes, ju lutëm dhe komentojini gjatë pushimit nëse ajo ishte në shqip ose në një gjuhë tjetër(Lexohet fjalia nga mbarimi i kumtesës).

 

 

Zonja dhe zotërinj, më lejoni që, pas kësaj hyrjeje të pazakontë për simpoziumet shkencore,  të bëj disa  vrojtime hyrëse rreth temës që kam përzgjedhur për kumtesën time që mban titullin : Terminologjia në administratën publike.

Qasje
Sa herë që shtrohen për diskutim çështjet nga fusha e terminologjisë përgjithësisht dhe nga fusha e administratës publike, në mënyrë të veçantë, janë të nevojshme disa sqarime, sidomos të natyrës metodologjike.

Së pari, duhet treguar kujdes që të bëhet dallimi i “përcaktimit të përdorimit të shprehjeve të caktuara” nga “përcaktimi përmbajtësor i tipareve të dukurive të caktuara”.  

Së dyti, përcaktimi paraprak i kuptimit të fjalës së caktuar mund të bëhet vetëm “përmes shënimit të nocionit më të përgjithshëm dhe më të përafërt dhe të tipareve të veçanta, të cilat e veçojnë një term të caktuar”.

Nuk ka dyshim se “ekonomizimi i kërkimeve” shtron nevojën për “t’u përkufizuar në karakteristikat më thelbësore dhe në ato që duken të pashmangshme”, prandaj gjykojmë se është i drejtë mendimi se “shprehja e caktuar”paraqet, në fakt, “jo më shumë se një aproksimacion”.


1.Problemet e para terminologjike në fushën e administratës  publike

Mendojmë se rezultatet e çdo shqyrtimi për dukurinë e caktuar në fushën e administratës publike janë “domosdo të përkohshme”.Shqyrtimet më të reja, me përfundime më të reja për ato dukuri, mund “të ofrojnë gjykime”të tjera më të plota dhe më të sakta.Natyrisht se kështu është edhe me përcaktimin e kuptimit të fjalës “administratë” dhe karakteristikat që i vishen asaj fjale.Problem më vete paraqet mënyra e përdorimit të shprehjeve të tjera, të nxjerra nga fjala “administratë”. Vështirësi paraqet veçanërisht përdorimi i togfjalëshave “administratë publike” dhe “shërbim publik”.
Caktimi i kuptimit të termit “administratë”, sikurse dhe caktimi i kuptimit të çdo termi tjetër, ”detyron në përdorimin sa më konsekuent”të mundshëm të tij, mirëpo asesi nuk do të thotë përcaktimin e ”qenies” në kuptimin metafizik të dukurisë së dhënë”.Prandaj, përfundimi i parë që mund të nxirret është se definicionet, vërtet, nuk duhet kuptuar si “fjalë e fundit e sqarimit të nocioneve”.
Cdo definicion nuk mund të pretendojë më shumë se “përkohshmërinë” e tij, duke iu shërbyer “vetëm përkufizimeve më të përgjithshme dhe më të vrazhda” të dukurive të caktuara.Në këtë mënyrë, forcohet “bindja” se vështirësitë tradicionale në përkufizimin e administratës, përveç tjerash, janë me të vërtetë, edhe të “natyrës metodologjike”.
Administrata, në literaturën juridike administrative, përkufizohet sot, në një mënyrë ose  në një tjetër, sipas “përmbajtjes së përafërt empirike të dukurisë shoqërore përkatëse” që, më vonë, në atë përkufizim, të mund të zbatohen “masat rigoroze të disiplinave derivative formale”, veçanërisht të së drejtës.
Edhe pse e drejta  “mund të bëjë përkufizime, ndoshta të përkryera formale të administratës”, mbetet përshtypja se definicionet asnjëherë nuk mund “t’iu përgjigjen kërkesave të një disipline formale”.
Duke konsideruar përkufizimet e dukurive shoqërore si “të relativizuara”, mendohet se, megjithatë, më të plota janë ato përkufizime që në vete “ngërthejnë numrin më të madh të elementeve”që, si karakteristika të përgjithshme, “mund t’i vishen”  dukurisë së caktuar shoqërore”.Natyrisht se përkufizimet dallojnë varësisht nga vështrimet që i bëhen një dukurie shoqërore.


2.Fillimi i shqyrtimeve: “Administrata publike” dhe “administrimi publik”



Eshtë fjala për dy, e jo  për një kuptim të vetëm, as për “sinonim”fjalësh.Në anglishte për të dyja këto kuptime përdorët togfjalëshi “public administration”dhe ndoshta për këtë shkak lindin problemet e para.
Eshtë më e se e nevojshme që të dallohet “administrata publike” nga “administrimi publik” dhe të kuptohet domethënia e veçantë e këtyre dy shprehjeve për shumëkë, në dukje të parë, të njëjta ose të ngjashme.

“Administrata publike” ka të bëjë  me “institucione publike”, me strukturat organizative që “përbëjnë bazën e marrjes dhe të zbatimit të vendimeve”, si dhe me “rregullat  sipas të cilave kryhen shërbimet publike”.
 
“Administrimi publik” ka një kuptim tjetër.Administrimi publik është, në të vërtetë, degë e shkencave politike. Në Fjalorin Politik të Oxfordit shkruan: “ Administrimi Publik, si degë e shkencave politike, është studimi i administratës publike nëpërmjet përshkrimit institucional, analizës dhe vlerësimit politik, si dhe i analizës së marrëdhënieve ndërqeveritare”.

Megjithatë, nocioni “administratë publike” paraqitet me vështirësi të veçantë terminologjike. Ekzistojnë dallime në përkufizimin e tij.Tradicionalisht, emërtimi “publik” shpie nga dallimi midis sferës “publike” dhe të së “drejtës private”,  edhe pse “nuk ka arsyeshmëri”, së paku jo absolute, për një dallim të tillë.


3.“Kryqëzimi i administratës publike” me terma të tjerë


Administrata publike “vendoset midis shumë termave e temave”. Të përkufizosh një term ose një temë do të thotë më shumë sesa “të caktosh kufijtë” e tyre.Një term ose një temë e papërkufizuar është, në të vërtetë, “një koncept pa fund”.
Kur bëhet fjalë për një “koncept pa fund”, atëherë është ëvshtirë të dihet se “kur zbatohet dhe kur jo, ç’përfshin dhe ç’përjashton”.
Nëse “të përkufizosh administratën publike”do të thotë “të shpjegosh se ç’do të thotë vetë fjala”, problemi mund të quhet “i zgjidhur”.Mirëpo, në atë mënyrë, vetëm se është “shpjeguar një emër”.
Përkufizimi i administratës publike është një punë më e vështirë, sepse, po sikurse edhe në rastet e përkufizimeve të fjalëve të tjera, “midis fjalës dhe asaj që tregon ajo, midis emrit dhe objektit, largësia është e madhe”.Vërtet, është shumë e madhe.
Problemi i përkufizimit të administratës publike është, më së paku, i dyfishtë, sepse, po qe se, në njërën anë, administrata publike kërkon një, të thuash, “përkufizim normativ”, në anën tjetër, nuk mund të anashkalohet “përkufizimi përshkrues”.
Më shumë të drejtë thuhet se : “e vetmja mënyrë për t’i zgjidhur problemet  është që t’i njohësh, të dish se cilët janë”. T’i njohësh problemet e administratës publike, veçanërisht të dish se cilët janë, përbën një sfidë të vazhdueshme për studiuesin e saj.
Kur bëhet fjalë për administratën publike nuk mund të thuhet se ka ose se haset  një “sterilitet terminologjik”. E kundërta është më e saktë: ka ose ekziston një numër i madh pikëpamjesh rreth kuptimit të administratës publike.Mirëpo, problemet hapen qysh me përkufizimin e vetë fjalës “administratë”, që përbën trungun e çdo shprehjeje tjetër që ndërlidhet me të.


4.Kultura terminologjike


Shumëkush përdor termat administrative “pa shumë dije për administratën”.Duhet një “kulturë terminologjike”.
Kultura terminologjike është pjesë e kulturës së përgjithshme, një nënsistem  specifik që përmbledh vlerat, bindjet, qëndrimet, prirjet dhe format e sjelljeve në raport me gjuhën dhe përdorimin e saj.
Termi është “emërtim i përcaktuar mirë dhe i përpiktë i një nocioni të një fushe të shkencës, të teknikës, të artit, të jetës shoqërore etj., që shprehet me një fjalë ose më një togfjalësh”; “fjalë ose togfjalësh, që shpreh një nocion të caktuar dhe që përdorët nga një grup i veçantë njerëzish të një profesioni”. Ndërsa, me terminologji kuptohet “tërësia e termave të një fushe të shkencës, të teknikës, të artit, të jetës shoqërore etj.,:tërësia e termave të një gjuhe”.
Ndërsa, nocioni “përfaqëson formën themelore të mendimit, në të cilën pasqyrohen tiparet më të përgjithshme dhe më thelbësore të sendeve e të dukurive të realitetit objektiv”.     
Eshtë kërkesë e kohës zgjerimi i njohurive mbi administratën.Në të vërtetë, koha jonë emërohet “kohë e administratës”.Arsyetimi është i thjeshtë”: mendohet se çdo njeri është, më së paku, dy herë në ditë, “në kontakt me administratën”.
Duhet të jemi shumë të vëmendshëm “s’i të thuhen gjërat”.Sekreti qëndron “në të shprehurit e shkoqur, në artikulimin e fjalëve”, gjetjet e fjalëve më kuptimplotë”.
Me gjithë numrin e madh të përpjekjeve për ta përkufizuar, me gjithë larmishmërinë e madhe të pikëpamjeve mbi administratën, nocioni i “administratës” paraqet njërën nga “çështjet më të kontestuara”të së drejtës administrative. Madje, mendohet se problemin më të madh të së drejtës publike bashkëkohore e paraqet ekskluzivisht administrata.
Sipas pikëpamjes franceze, “nocioni i administratës përdorët për domethënien e funksionit, aktivitetit dhe në kuptimin e organizatës”.
“Definicioni i administratës mund të kuptohet në tri mënyra : si definicion i funksionit, si bashkësi organesh dhe, më në fund, si bashkësi nëpunësish”.

5.Janë dhjetëra e dhjetëra nocione nga fusha e administratës publike që përdorën gabimisht. Po përmendim disa prej arsyeve:

Së pari, sepse ka paqartësi nocionesh, ose konceptesh, në të gjitha fushat e mendimit,
pra edhe në ato të administratës publike.

Së dyti, sepse ka mosnohje problemesh dhe mungesë informacionesh e dijesh në shumë disiplina shkencore, pra edhe në ato të shkencave administrative.

Së treti, sepse ka paraqitje të sipërfaqshme dhe formale, madje edhe në tekstet që pretendojnë të jenë të karakterit shkencor në shumë rrafshe të kërkimeve shkencore, pra edhe në ato të administratës publike.

Së katërti, sepse ka mungesë argumentimi pikëpamjesh për shumë teza dhe hipoteza që ngriten në ndihmesa shkencore, përgjithësisht, dhe në ato të shkencave administrative, veçanërisht.

Kërkesa për unifikimin e terminologjisë në fushën e administratës publike në hapësirën shqiptare

Ka një laryshi të përdorimit të termave administrative në Shqipëri dhe në hapësirën tjetër shqiptare.
Terminologjia administrative në Shqipëri një kohë të gjatë ka qenë e ndikuar prej gjuhëve të huaja, ndërsa terminologjia administrative në Kosovë ka qenë e ndikuar kryesisht nga serbokroatishtja, pra serbishtja.
Studiuesit shqiptarë që janë kthyer në Shqipëri nga vendet e huaja kanë sjell me vete terma të vendeve ku kanë studiuar ose ku janë specializuar, ndërkohë që ka munguar kujdesi për ndërtimin e terminologjisë burimore shqipe. Ende nuk kemi një fjalor të termave administrative në shqip.
Mungesa e fjalorit, nga njëra anë, dhe ndikimi i madh i serbokroatishtës, pra serbishtës në shqipën, në Kosovë ka prodhuar pasaktësi, dilema, madje  dhe mosnjohje të plotë nocionesh.   
Kështu, për shembull, vështirësitë paraqiten me rastin e përkufizimit të shprehjes “shërbim publik”.
Kjo shprehje ka kuptimin organizativ dhe funksional.Dilema që paraqitet ndërlidhet me pyetjen : a bëhet fjalë për punët shoqërore të cilat i ushtrojnë organet shtetërore apo për të gjitha punët shoqërore, pavarësisht se kush janë bartës të tyre?
“Shërbimi publik”, në kuptimin më të përgjithshëm, mund të përkufizohet si ushtrim i punëve publike me të cilat interesat e përgjithshme shoqërore plotësohen nga bartës të ndryshëm. Natyrisht se edhe këtu paraqitën vështirësi kur përkufizimi bëhet për hapësirë të ndryshme  dhe ëpr kohë të ndryshme.
Eshtë e vërtetë se “për të kuptuar natyrën dhe qëllimet e administrimit të sektorit public” duhet të sqarohet dhe zbërthehet “përmbajtja e tij”.Me këtë rast shtrohet një numër pyetjesh: “A është shkenca e administrimit publik një koncept statik apo dinamik?”; “Në çfarë kufijsh shtrihet kjo shkencë?”; A është administrimi publik një fushë apo një disiplinë e denj për studime serioze ?”; “Si mund të përmblidhet ai në një mënyrë të tillë që të përfshihen strukturat dhe varietetet e tij të shumta?”.
Në praktikë ka një paqartësi të përdorimit dhe mungesë të dallimit të qartë ndërmjet “organit të administratës shtetërore”, “personit zyrtar” dhe “njësisë organizative administrative”.
Në fakt, shprehjet “organ administrative” dhe “person zyrtar” u përkasin dy nocioneve të ndryshme, prandaj dhe kanë kuptim të ndryshëm juridik. Me shprehjen “organ administrativ” shpërfaqet një formacion individual ose kolektiv, me organizimin e tij të brendshëm, si pjesë përbërëse e aparatit administrativ, ndërsa shprehja “person zyrtar” tregon individin, njeriun konkret, personin e caktuar, që kryen këtë ose atë funksion administrativ.
Në literaturën juridike administrative, me të drejtë, “kërkohet që të bëhet dallimi” midis “organit administrativ” në kuptimin juridik të fjalës ,d.m.th., subjektit që, me ligj, është ngarkuar të ushtrojë, individualisht ose kolegjialisht, veprimtari juridike administrative, dhe “organit administrativ në kuptimin e gjerë” të fjalës, d.m.th., formacionit organizativ administrative, brendapërbrenda të cilit kryhet, ose ushtrohet veprimtaria administrative.
Paqartësitë shfaqen edhe rreth përdorimit të shprehjeve “autorizim juridik” dhe “kompetencë”.
Autorizimi juridik mund të jetë i trajtuar si e drejtë subjektive dhe si kompetencë.E drejta subjective kupton “autorizimin e subjektit të së drejtës që ai të vlerësojë interesin e vet dhe të ndërmarrë masa adekuate të mbrojtjes së interesit të vet”.Ndërsa, me kompetencë kuptohet “e drejta dhe detyra e subjektit të së drejtës që të veprojë sipas normave juridike”.Pra, kompetenca është “autorizim që të mbrohet interesi i subjektit të caktuar”.Ai subjekt, interesi i të cilit mbrohet, mund të jetë person fizik ose person juridik.
Ka përdorim të gabueshëm dhe mosnjohje të kuptimeve “rend juridik” dhe “sistem juridik”.
Rendi juridik dhe sistemi juridik janë dy kuptime të ndryshme.
Nocionin e rendit juridik e përcakton “uniteti i normave juridike dhe sjelljet e njerëzve sipas atyre normave”.
Ndryshe nga rendi juridik, sistemi juridik përfaqëson tërësinë e të gjitha normave të përgjithshme dhe të veçanta, të sistemuara në atë mënyrë që paraqesin “një unitet logjik të ndërlidhur dhe jot ë kundërthënshëm”.
Më në fund, çdo sistem juridik ka dy elemente kryesore: institucionin juridik dhe degën juridike.
Institucioni juridik kupton tërësinë e të gjitha normave të cilat i përkasin marrëdhënies së njëjtë shoqërore ose grupit më të vogël të saj dhe të cilat kanë bazat e njëjta si dhe janë pjesë përbërëse e ndonjë tërësie të caktuar më të lartë.
Dega juridike kupton tërësinë e institucioneve të cilat “rregullojnë të njëjtën fushë të marrëdhënieve shoqërore” mbi baza të njëjta.


Porosia e parë:
Kërkesa për unifikimin e terminologjisë  

Kam krahasuar praktikat në Shqipëri dhe në Kosovë në fushën e terminologjisë administrative dhe kam konstatuar shkallë relativisht të lartë të mosunifikimit.Ka përdorim të ndryshëm termash të njëjtë, pra ka dhënie kuptimi të ndyshëm atyre termave, ka përdorim të gabueshëm të termave administrative për shkak të shkallës së ultë të njohjes së problemeve dhe çështjeve administrative, ka përdorim selektiv të termave, po sikurse që ka edhe përdorim joadekuat të termave.
Shkalla e mosunifikimit ndonjëherë arrin kuotën e moskuptimit dhe nevojen e sqarimit term për term për të kuptuar thelbin e problemit, edhe pse përdorët një gjuhë dhe një fjalor.
Na duket se është e domosdoshme një konsultë për unifikimin e përdorimit të termave administrative, në mënyrë që të mos “ndiejmë nevojën për përkthim”të fjalëve të një gjuhe dhe të një fjalori të vetëm.  
   
        
   
Porosia e dytë:
Kërkesa për kujdesin që të mos teprohet me përdorimin e fjalëve të huaja, ta mbrojmë shqipen nga ndikimet e gjuhëve të huaja
Në shtypin tonë dhe në mjetet e informacionit përgjithësisht, veçanërisht në paraqitjet publike, vërshon dhe nuk ka të ndalur përdorimi i fjalëve të huaja,me gjithë faktin se për  të gjitha ato ka fjalë shqipe. Në këtë mënyrë, vazhdojmë të sillemi me papërgjegjësi ndaj gjuhës amëtare,duke mos shfaqur as shkallën më të ulët të kulturës gjuhësore.Përveç kësaj,na mungojnë njohuritë themelore për termin dhe togfjalëshin,pra “për emërtimin e përcaktuar mirë dhe në mënyrë të përpiktë të nocionit të një fushe të caktuar”,dhe “për njësinë sintaksore që merr pjesë në ndërtimin e fjalisë dhe që përbëhet nga dy a më shumë fjalë kuptimplote,të cilat kanë lidhje të ngushta gramatikore e kuptimore me njëra tjetrën”.
Mund të shtrohet pyetja : nga një interesim i tillë për gjuhën i një juristi me profesion?                        
Ka,më së paku,dy arsye që ai ndien nevojën për këtë.
                         
E para,interesimi i vazhdueshëm i tij për t’u shprehur në gjuhën e pasur dhe të pastër shqipe.
                         
E dyta,për shkak se  në praktikë po ndeshet me shumë paqartësi nocionesh dhe konceptesh,me mungesë informacionesh dhe mosnjohje problemesh dhe me paraqitje të gabueshme profesionale nga fusha që paraqet njëkohësisht fushën e interesimit shkencor të tij.
Ka edhe një arsye tjetër që përherë t’i kthehem kësaj teme.Mbaj para vetes këshillat,   sugjerimet, propozimet dhe kritikat e gjuhëtarëve  për përdorimin e pakufishëm të fjalëve të huaja të cilat do të mund të zëvendësoheshin me fjalë të bukura shqipe.
Eshtë shumë me rëndësi që t’i kushtohet kujdes përdorimit të fjalëve të huaja.,porosisin gjuhëtarët,sa herë që zënë  në gojë të folurit si shprehje e gjendjes shpirtërore të njeriut, si shprehje që lidhet me të menduarit,me gjendjen psikike të njeriut. Prandaj, edhe me këtë rast  angazhohem  kundër përdorimit vend e pavend të fjalëve të huaja, tërheq vërejtjen për mundësinë e shqiptimit të gabuar,të përdorimit të gabuar,madje edhe për mundësinë që të gjithë ata që i përdorin fjalët  e huaja,në vend të atyre shqipe,të gjinden në situata të palakmueshme estetike, gjuhësore,deri në situata të palakmueshme njerëzore e shoqërore.
Shumë nga ata që përdorin fjalë të huaja arsyetohen se ato u sherbejnë për të përfituar ata të cilëve u drejtohen.Ata sikur kështu ngatërrojnë shprehjet figurative që,me të vërtetë,mund të ndihmojnë shumë folësin e mirë.Por,shprehjet figurative dhe përdorimi i tyre përbëjnë një problem tjetër.
Shumë folës përdorin shprehje latine për të lëne përshtypjen se kanë mësuar në “bibliotekën e mençurisë”.Edhe kjo dhunti sikur keqpërdoret.Duhet pasur shumë kujdes.Shprehjet latine,po sikurse edhe fjalët tjera të huaja, nuk duhet përdorur pa vend dhe,në mënyrë të veçantë,pa mësuar kuptimin e tyre.
Vështirësitë paraqiten veçanërisht gjatë të folurit,me ç’rast folësi vë re se nuk e ka shprehur atë që ka menduar ose se ka shprehur diçka krejt tjetër.
Me të drejtë thuhet se përgatitja mendore ka përparësi para përgatitjes me shkrim.Me përgatitjen mendore bën të punojë,siç thuhet,mendja dhe inteligjenca,për të zbuluar e formuluar idetë.
Rreziku më i madh për folësin është kur flet përmendësh.Me atë rast ai vetëm shkrep një rezervë fjalësh e faktesh dhe asgjë më shumë.
Do të theksoj një numër aforizmash në lidhje me temën që po trajtojmë në këtë simpozium shkencor.

Së pari,”fatkeqësitë dalin andej nga hyjnë sëmundjet.Nga goja”

Së dyti,”joshja ndaj tjetrit fitohet duke i thënë gjerat në mënyrën sa më të kuptueshme”

Së treti,”ai që ju dëgjon është një klient i juaji.Trajtojeni me shumë kujdes”.    
                                    
                                             


Gjuha shqipe është shumë e pasur që të mos lejoi ndërtimin e fjalive të çoroditura të cilat, vetëm në dukje të parë janë shqip, ndërsa faktikisht, të krijuara me fjalë të huaja.
Në fjalitë në shqip do të ndesheni edhe në brifing, edhe në bord; edhe në diskordancë, edhe në eveniment; edhe në suportim, edhe në diversitet; edhe në koordinim, edhe në  impenjim, edhe në implementim, edhe në  monitorim e fjalë të tjera, gjithnjë e më shumë të gjuhës angleze.
Shumë prej fjalëve të huaja që sot përdorën dendur do të mund të zëvëndësoheshin me fjalë shqipe, si për shembull: abuzim- shpërdorim; aderim – anëtarësim; afishim -  shpallje; agjendë – kalendar, orar; akceptim – pranim; aks- vijë, bosht; aksent –theks; ambient- mjedis; ambiguitet – dykuptimësi; anonçim – shpallje; aparent -  i dukshëm, që bie në sy; aplikacion – kërkesë, lutje, konkurim; aplikant –kërkues, lutës, konkurues; aproksimativ – i përafërt; aprovim – miratim-pranim; asistencë – ndihmë; asistim- pjesëmarrje, e tjera e tjera.

Mendojini një fjali shqip kështu:

Bordi
i një koorporate
internacionale
abuzoi
me financat
me aderimin

International  X Corporation,  
duke akceptuar
agjendën
e një evenimenti
të suportuar financiarisht
në diskordancë
me principet
e aplikimit
në projektet
e asistimit
në implementimin
e monitorimit
në sferat
emergjente
për të siguruar
avenirin
e koekzistencës
humanitare
në botën
e diversitetit
ambiental.

     
Zonja dhe zotërinj, duke iu falenderuar për vëmendjen që treguat për fjalën time, më lejoni që atë ta përmbylli me disa vrojtime përfundimtare.

E para, ishte vërtet kohë e fundit që të organizonim një konsultë rreth terminologjisë.

E dyta, u dëshmua edhe kësaj rradhe rëndësia e madhe që ka përdorimi i saktë i terminologjisë për gjuhën dhe ruajtjen e vlerave dhe të pasurisë së saj.

E treta, problemet në fushën e terminologjisë në administratën publike shtrojnë nevojën për një angazhim të shtuar në unifikimin e saj në gjithë hapësirën shqiptare.

E katërta, konsultat rreth terminologjisë të bëhen të rregullta, në mënyrë që ajo të zhvishet nga ndikimet e gjuhëve të huaja, veçanërisht nga anglishtja, duke pasur parasysh fondin e pasur leksikor të shqipes dhe mundësinë e zëvëndësimit të termave të huaja me terma adekuate shqipe.