Gjykimi im se Bashkësia Ndërkombëtare “luan në dy binarë”me Kosovën dhe shqiptarët, të cilin gjykim e kam shprehur shpesh në shkrimet e mia në kohën e diskutimit rreth statusit të saj, këtyre ditëve u vërtetua katërpërcisht me “vendosjen e Kosovës në ‘listën e zezë’të Shengenit”.
Nuk jam i prirur të gjykoj se bëhët fjalë vetëm për diskriminim.Më shumë se diskriminim do të thotë “ndërtim i një qëndrimi” të Bashkimit Evropian për të mos valorizuar realitetet e reja në Kosovë të 17 shkurtit 2008 dhe sjellje të dyfishtë ndaj tyre.

 

Rekomandimet e Komisionit Evropian për “t’i hequr vizat” Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, nga njëra anë, dhe për të mos e bërë këtë për  Shqipërinë, Bosne- Hercegovinën dhe Kosovën,  në anën tjetër,  nuk janë vetëm të padrejta, por janë politikisht të gabueshme dhe të paqëndrueshme, meqë instrumentet e matjes së “aftësisë” së vendeve për të përfituar nga ato rekomandime, sikur janë përdor për të prodhuar efektet e kundërta. Ndryshe, si mund të kuptohet që nga ato rekomandime të ndëshkohen viktimat e luftërave në ish- Jugosllavi, e të përfitojnë ata që drejtpërsëdrejti i kanë shkaktuar ato.Meqë sipas atyre rekomandimeve, përfitues janë edhe serbët e kroatët e Bosnjës, po sikurse dhe serbët e Kosovës, Bashkimi Evropian vën një standard të bërjes së përkatësisë etnike “kriter kryesor për vendosjen se kush mund të udhëtojë në zonën e Shengenit pa vizë e kush jo”. Këtu qëndron joparimësia më e madhe e Bashkimit Evropian e cila jo vetëm se është diskriminuese, por  politikisht e gabueshme, me mundësinë e kërcënimit të vetë të ardhmes së tij.
Rekomandimet e Komisionit Evropian lënë në “listën e zezë” Shqipërinë dhe Bosnje- Hercegovinën për shkak se gjoja “nuk plotësojnë kushtet e Bashkimit Evropian”, ndërsa Kosovën e përjashtojnë  fare me pretekstin e të qenit “nën Rezolutën e Këshilllit të Sigurimit të OKB-së 1244”, si “entitet dhe autoritet territorial i panjohur si shtet nga së paku një shtet anëtar i BE-së”.Këtu bëhet fjalë për dy joparimësi të tjera të Bashkimit Evropian.

Së pari, për përfshirjen e Serbisë në liberalizimin e vizave, pa plotësuar  pothuajse asnjë kusht sipas vlerësimeve të tij të derivonshëm dhe përjashtimin e Shqipërisë nga ky proces, me gjithë deklarimin e tij, më shumë se një herë, për përparimet në Shqipëri, duke theksuar, natyrisht dhe problemet me të cilat po ballafaqohet sot Shqipëria.

Së dyti, Bashkimi Evropian, përjashton Kosovën “nga frika objektive që ka BE-ja për sigurinë në Kosovë”, pa vra mendjen se Kosova kufizohet pikërisht me tri shtetet që po përfitojnë nga ai proces.

Po ndalem te Kosova. Pse “u ndalua” të përfshihet në procesin e liberalizimit ?
Mund “të qëndrojnë” dy arsye, por të pathemelta me përmbajtjen e tyre.

E para, nëqoftëse Bashkimi Evropian “është penguar” me mosnjohjen e shtetit te Kosovës nga tërë formacioni i plotë i tij, përse shqiptarëve të Kosovës “t’u pamundësohet” lëvizja në vendet që deri më tash e kanë njohur atë ?

E dyta, nëqoftëse për vendimin për ta “përjashtuar”Kosovën nga liberalizimi i vizave nuk u “kërkuaka  konsensusi” i vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, përse atëherë Kosova mbeti jashtë procesit, kur deri më sot pavarësinë e saj e kanë njohur 22 nga 27 vendet anëtare të tij ?
 
E përditshmja “Koha Ditore” e Prishtinës po fton lexuesit e saj që të nënshkruajnë një peticion “kundër politikës  diskriminuese evropiane për liberalizim të vizave”, me pretendimin që të mos miratohen rekomandimet e Komisionit Evropian.
Jam shumë dakord me gjithë ata që kërkojnë ndryshimin e rekomandimeve dhe përfshirjen e Kosovës në këtë proces. Ndryshe, vetë Bashkimi Evropian që “i uron Kosovës perspektivën evropiane” po “ia mbyt” shpresat e saj, duke vënë në pyetje dhe angazhimet e veta të deritashme në Kosovë.
Gerald Knaus dhe Alex Stiglmayer kanë shumë të drejtë që tërheqin vërejtjen se kredibiliteti i BE-së në Kosovë “do të vuaj prej këtij propozimi”.
Vërtet, “do të vuaj” dhe “do të vuaj shumë”, por “nuk do të vuaj” më shumë se që do të vuajnë Kosova dhe shqiptarët të cilët privohen nga “lëvizja e lirë e qytetarëve”, ndërkohë që ajo “lëvizje e lirë” përherë është kërkuar të mundësohet në Kosovë nga vetë Bashkimi Evropian në “kufijtë e brendshëm” të saj.
Me ç’kritere udhëhiqet Bashkimi Evropian kur, nga njëra anë, ndëshkon Kosovën e viktimizuar, e nga ana tjetër, shpërblen Serbinë e djallëzuar ?
Këto “kritere”të Bashkimit Evropian i bëjnë rekomandimet e tij për liberalizimin e vizave më shumë se diskriminuese ndaj Kosovës dhe shqiptarëve.