Zgjedhjet e fundit në Shqipëri kanë mbajtur “të zgjuar”për orë, ditë dhe javë të tëra shqiptarët kudo ndodhen. Pyetja se kush do të fitojë zgjedhjet, “është përkthyer” në pyetjen se çfarë do të fitojnë shqiptarët.


Pa iu përgjigjur kësaj pyetjeje, po shpreh një mendim timin që tani më është dhe bindja ime se zgjedhjet e fundit në Shqipëri duhet ta këndellin Edi Ramën dhe ta (ri)këndellin Sali Berishën. Të parin, për shkak të mangësive të mëdha që demonstroi në fushatën zgjedhore dhe për shkak të identifikimit të vetes së tij me partinë, të dytin për shkak të raporteve dhe shifrave  që “po ndryshojnë Shqipërinë”, në mënyrë që “të pengojë ndryshimin e mëtejshëm” në “dëm të partisë së tij”, edhe pse këtë të fundit e  “trimëron” fakti se, megjithatë, “ka mbledhur vota më shumë se kundërshtari”  të cilit tashmë ka zënë t’i lëkundet  pozicioni “përbrenda” vetë socialistëve. Rama nuk do të “këndellet” as me publikimin zyrtar të rezultateve, por definitivsht do të këndellet kur do të fillojnë brenda partisë “t’ia këndojnë këngën” e lamtumirës.Vetëm atëherë ai “do të kuptojë” se : e para, nuk bëhet fushatë vetëm dhe, e dyta, nuk mund të fitohen zgjedhjet me vërsuljen në partinë kundërshtare, por me ofrimin e programit më të pranueshëm se ai i partisë kundërshtare.

Ndërkohë, Sali Berisha do të jetë më i relaksuar, sepse do të mandatohet  nga presidenti për të formuar qeverinë. Shqetësimet e para do t’i paraqitën kur do të fillojë “ndarjen e tortës”, një pjesë të konsiderueshme të së cilës, kësaj rradhe, do ta ngrënë  LSI-stët të cilët, në pamundësi të demokratëve që vetë të krijojnë qeverinë, do të jenë të detyruar që të bëjnë shumë koncesione për të qëndruar në pushtet dhe për ta stabilizuar atë.
Mirëpo, zgjedhjet vijnë e shkojnë, është Shqipëria ajo “që mbetet” për “t’u bërë”, ajo që pretendon Sali Berisha dhe që duan shqiptarët, në Shqipëri dhe në Kosovë, dhe kudo ndodhen.
Gjendja në Shqipëri është ajo që është, fokusimi duhet të jetë në atë që Shqipëria “duhet të bëhet”.
Pa pretendime që të përfshijë gjithë atë  që duhet të jetë objektiv i “Shqipërisë se re”, të dalur nga zgjedhjet, po përmend disa prej orientimeve.

Së pari, angazhimi për funksionimin e shtetit në kuptimin  juridik, ku ligjshmëria duhet që të jetë condition sine qua non e shtetit të së drejtës.Vetëm në atë mënyrë Shqipëria mund të shënojë përparime që, në formë standartesh, kërkohen të përmbushen prej saj për anëtarësimin  në BE:  barazi e të gjithëve para ligjit; nënshtrim i organeve shtetërore para drejtësisë; gjyqësi e pavarur; procedurë e paanshme; mjete efikase për mbrojtjen e shtetasve; kontroll dhe përgjegjësi e mjaftueshme e administratës publike që, të gjitha së bashku, përbëjnë komponentet themelore të parimit të ligjshmërisë, një parimi të pashmangshëm në të gjitha shtetet ku sundon e drejta dhe drejtësia.
 
Së dyti, angazhimi për të mbrojtur dhe për të forcuar palcën kurrizore të kombit, në mënyrë që të pengohet që,  në vrapin për pasurim të secilit dhe në secilën mënyrë, “të tregtohet me kombin”.

Së treti, angazhimi për mirëqeverisje në të cilin duhet “të përfshihen të gjithë”, në mënyrë që të përballohen mungesat në ndërtimin e shtetit të së drejtës; monopolet politike; korrupsioni dhe dukuritë e tjera negative që mund të vështirësojnë proceset, zhvillimore, madje dhe t’i pamundësojnë ato.Edhe pse “zgjedhjet vendosin kush do të qeverisë dhe shumë më pak se ç’përmbajtje duhet të ketë qeverisja, Shqipëria vërtetë ndien nevojën për një qeverisje efiçiente, duke marrë parasysh faktin se qeverisja është “agjensia thelëbsore”nëpërmjet të së cilës “formulohen dhe realizohen funksionet e drejtimit të shoqërisë…” Vetëm qeverisja e mirë e bën të mundshme demokracinë.Ja çfarë thotë Samuel Johnson: There is a reciprocal pleasure in governing and being governed( Eshtë kënaqësi reciproke të qeverisësh të tjerët dhe të lejosh që të tjerët të të qeverisin).Ka dhe një mendim tjetër të urtë: “Për të qeverisur njerëzit, ec pas tyre, jo para tyre”.

Së katërti, angazhimi për prioritetet e zhvillimit, në mënyrë që të mos bëhen gabime në hapa çfarë, në të vërtetë, janë bërë në të kaluarën.Mirëqenia e popullit duhet të jetë “detyrë mbi detyrat”.

Së pesti, angazhimi për imazh më të mirë të Shqipërisë në botë.Vetëm në atë mënyrë Shqipërisë do “t’ ngelin të hapura” dyert e Evropës.

Thuhet se “anija e madhe kërkon ujëra të thella, posikurse që problemet e mëdha që kërkojnë “ndërmarrje të mëdha”.Eshtë vështirë që të bëhen “gjera të mëdha” pa “gatishmëri  të mëdha”. Fituesit e zgjedhjeve premtojnë se gatishmëria  nuk do të mungojë.
Zgjedhjet në Shqipëri janë të rëndësishme për një fakt që rrallë përmendet. Ato janë të rëndësishme jo “për atë që bëjnë, por për çka bëjnë të mundur, dhe jo për atë se si bëhen, por për faktin se bëhen”.
Fituesit e zgjedhjeve duhet të marrin përsipër që “t’i caktojnë një çmim Shqipërisë”, përpara se këtë ta bëjnë të tjerët. Do të përparojë vetëm ai vend “që di saktësisht se çka do”.Nuk dyshojmë se fituesit e zgjedhjeve nuk dinë se çka, në të vërtetë, do Shqipëria.Një këshillë që mund t’iu bëhet fituesve të zgjedhjeve është  se “për të ecur përpara, duhet kujtuar gabimet”, në mënyrë që ato të mos përsëriten.
Cdo qeveri, në parim, shprehet se “është” për atë që, në fakt, do të duhej “të ishte”. Nuk do të dëshironim që kjo të ndodh me qeverinë e Shqipërisë që ka para vetes “një mal detyrash” për të cilat duhet edhe gatishmëri, edhe maturi, edhe dije, edhe shkathtësi.  
Shqiptarët kanë mundësinë që “ta bëjnë kohën e vet më të ëmbël”se ç’e kishin, nëse përfundimisht ndërgjegjësohen se “Only through time is conquered”( Vetëm me kohë mund të fitohet koha). Mos të presim që të tjerët të na thonë: Cka po prisni ?