Shkelje me “dy këmbët” në sovranitetin, dhe ashtu të kufizuar, të Kosovës

-Mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë më 16 gusht 2009 dhe paralajmërimi i protokollit policor në mes të Eulex-it dhe Serbisë e defaktorizojnë Kosovën dhe e zbehin pavarësinë dhe sovranitetin, edhe ashtu të ngushtësuar dhe të kufizuar  të saj-

 

Nëse për mbajtjen e  zgjedhjeve serbe në Kosovë, reagonim dhe në kohën para “pavarësisë së mbikëqyrur” të saj shihnim një arsye të themeltë ta bënim këtë, për shkak se Kosova ishte një entitet nën “mbikëqyrje ndërkombëtare”dhe se veprimet e Serbisë bienin ndesh me parimet e vendosjes së Kosovës nën Administrimin e Përkohshëm Civil Ndërkombëtar; nëse reagojmë për mbajtjen e zgjedhjeve serbe sot në Kosovë, kemi dhjetë arsye, sepse Kosova tashmë nga 17 shkurti 2008 është dekaruar si shtet i pavarur dhe sovran, pavarësisht shkallës së ngushtësimit të pavarësisë dhe të kufizimit të sovranitetit, qoftë për shkak të pamundësisë të shtrirjes së pushtetit, ligjit dhe kontrollit në gjithë territorrin e saj, qoftë dhe për shkak të vazhdimit të pranisë relativisht të theksuar ndërkombëtare në Kosovë dhe ndikimit të saj në “politikat e brendshme”. Ajo që do të duhej, së pari, të theksohej është se asgjë në Kosovë nuk po ndodhë pa dijen e institucioneve të saj dhe, së dyti, se e tëra po ndodh me qëllim të joshjes së Serbisë nga Bashkimi Evropian, përkdheljes së saj dhe lehtësimit të rrugëve të saj drejt Bashkimit Evropian që nuk flet më vetëm për një “kurs të ri”të Bashkimit Evropian ndaj Serbisë, por dhe për një, të thuash, keqpërdorim të pranisë së tij në Kosovë, prej se ç’erdhi ta “zëvëndësojë” UNMIK-un, duke bërë veprime, jo vetëm që, në thelb, nuk po e dallojnë prej tij, por që po e identifikojnë me të.
Nëpërmjet të zgjedhjeve të 16 gushtit 2009 nuk ka asnjë dyshim se Serbia po provon të dëshmojë jo vetëm praninë, por dhe ndikimin e saj në Kosovë dhe për këtë po “ecë” nëpër “dyer të hapura”, as të ndaluara prej ndërkombëtarëve dhe as të mbyllura prej vendorëve, edhe pse prej të dytëve po cilësohen si “ilegale, të pavlefshme dhe pa ndonjë peshë politike”.

Zgjedhjet serbe në Kosovë janë edhe një provokim i hapur i Serbisë për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.Edhe pse institucionet e Kosovës disponojnë dhe me të drejta,  dhe me kompetenca, madje dhe me mundësi, që t’i ndalojnë zgjedhjet serbe në Kosovë, nuk provuan që ta bëjnë këtë, sigurisht të sugjeruar dhe prej ndërkombëtarëve të cilët, pothuaj se në të njëjtën kohë, po i servirojnë  opinionit informacionin mbi mundësine e nënshkrimit të marrëveshjes në mes të Eulex-it dhe Serbisë pa “vulën e institucioneve të Kosovës”, veprim ky që nomalisht nxit reagimin jo vetëm të opozitës, jo vetëm të shoqërisë civile, por dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës që këtë akt e konsiderojnë si ndërhyrje të drejtpëerdrejt dhe shkelje në pavarësinë dhe sovranitetin, edhe ashtu të ngushtësuar dhe të kufizuar të Kosovës.

Prandaj, mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë më 16 gusht 2009 dhe paralajmërimi i protokollit policor në mes të Eulex-it dhe Serbisë e defaktorizojnë Kosovën dhe e zbehin pavarësinë dhe sovranitetin, edhe ashtu të ngushtësuar dhe të kufizuar të saj.