Theksime nga paraqitjet publike për Kosovën dhe shqiptarët(2006-2008)

Droj se disa përgjigje po merren me heshtje. Popullit nuk bën t’i premtohet se “nuk do të lejojmë të ndodhë diçka që veç po ndodh”.



1.Shqiptarët ende “nuk kanë krijuar një strumbullar rreth të cilit do të silleshin”.
Kur hedhin hapin, nuk fikësojnë qëllimin e madh, prandaj  “bëjnë gabime në hapa”.Kosova duhet të ruhet prej “gabimeve në hapa”.
Përcaktimet e pjesshme mund ta dëmtojnë tërësinë e çështjes. Pastaj, as “vrapi nuk mund të ndihmojë”,sepse ”ç’vlerë do të ketë vrapi, nëse jeni në rrugë të gabuar?” (12.1.2006).
2.Përgjithësisht, shqiptarët janë para “një ekuacioni të cilin do ta kenë vështirë ta zgjidhin”, nëse nuk tregohen vigjilentë, sepse krahas arritjes se pavarësisë, duhet ta “rikthejnë” dhe ta mbrojnë tërësinë territoriale.
Ata duhet të jenë shumë të kujdesshëm që të mos e lejojnë cungimin e territorit të tyre në emër të procesit të “decentralizimit” në Veri të Kosovës që, ndryshe, po “përvidhet” si reformë e qeverisjes lokale “në tërë vendin” dhe në emër të exterritorialitetit që, ndryshe, po “përflitet” si  “status i veçantë” për monumentet  shpirtërore serbe (2.4.2006).
3.Cilat  situata do të mund të paraqiteshin në rast të   paqartësimit të statusit?                             
Në rast të paqartësimit të statusit,mund të paraqiteshin më së paku,tri situata.
                            
E para, nëse  Kosova “do të pavarësohej” me “një entitet serb në Veriun e saj”, ajo zgjidhje “do të përligjte ndarjen”dhe do të paraqiste lëvizje “nga  legalizimi i strukturave shtetërore serbe” në  “territorin e Kosovës”. Kjo zgjidhje, në vend se të mënjanonte ose të zvogëlonte tensionet shqiptaro-serbe, do t’i ngriste ato “në shkallën më të lartë”.
E dyta, nëse  Kosova “do të pavarësohej”me një “proces të thellë të decentralizimit”që do të shpërthente kornizat e kuptimit elementar të tij dhe do të pretendonte vendosje të tij në “vija etnike”, do të mund të vështirësohej “funksionaliteti territorial i Kosovës” deri në përmasat e “copëtimit të hapësirës së saj” mbi “ato vija”.
E treta, nëse  Kosova “do të pavarësohej”me një “zgjidhje reale” që do të nënkuptonte “shtrirjen e institucioneve të Kosovës në gjithë territorin e saj”, do të mund të rriteshin mundësitë e krijimit të një “klime të integrimit”, por pa iluzione se kjo do të mund të arrihej menjëherë dhe pa probleme që, sërish, do të mund ta vështirësonin “funksionalitetin territorial të Kosovës”.
Kështu,në të gjitha variantet,ruajtja e integritetit territorial të Kosovës do të paraqet sfidën më të rëndë në periudhën e “passtatusit”( 29.4.2006).
4.Sfidë e veçantë në Kosovën e passtatusit mund të jetë  ballafaqimi me realitetin e të qenët shtet, me shumë kufizime të funksionimit të plotë të tij, nëse do të ketë një zgjidhje, siç thuhet, “të veçantë për Kosovën”(29.4.2006).
5.Nuk është indikative pse serbët në Veri të Kosovës bëjnë veprime që “ta mbajnë kontrollin mbi Kosovën”, por është indikative që veprimet e tyre bëhen “para syve” të KFOR-it dhe të UNMIK-ut, madje disa prej tyre edhe me “miratimin e tyre”(5.6.2006).
           6.Këto veprime po ndodhin në vazhdimësi.
”Para syve”të UNMIK-ut dhe me miratimin e tij qe lejuar certifikimi i partive politike, ”me seli në Serbi, për pjesëmarrje për zgjedhjet në Kosovë”.
”Para syve”të UNMIK-ut dhe me miratimin  e tij qe lejuar që serbët e Kosovës “të marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale në Serbi”.
“Para syve”të KFOR-it po shpallen “gjendje të jashtëzakonshme” në “komunat serbe”ose “me shumicë serbe”në Veri të Kosovës.
           Kundraveprimet mungojnë.
Shqiptarët duhen të tregohen shumë të vëmendshëm se çfarë,në të vërtetë, fshehet prapa deklarimit të “shkëputjes së lidhjeve me institucionet e Kosovës”,në mënyrë që,më vonë,të mos merren vetëm me pasojat(TE MOS “SHTIREMI” SE NUK PO NDODHE ASGJE NE VERIUN E KOSOVES, 19.6.2006).
7. E “tërë rrëmuja”që krijojnë serbët në Veriun e Kosovës synon “mbajtjen gjallë”të kërkesës së tyre për “ndikimin e Serbisë në zhvillimet në Kosovë”.
Nuk më thotë mendja se bashkësia ndërkombëtare nuk di për     këtë.Prandaj, asaj do t’i duhej “t’i sqaronte mirë” punët me Beogradin, për shkak të tendencave të paqëndrueshme për gllabërimin e territorit të Kosovës(19.6.2006).                            
8.Nëse bashkësia ndërkombëtare mendon “ecjen në drejtimin e duhur” dhe “vjeljen e rezultateve”, ajo do të duhej të eleminojë fuqimisht dhe përfundimisht involvimin dhe ndikimin e Beogradit në proceset zhvillimore në Kosovë.
Ky është çelësi për  “fillimin e zgjidhjes”së çështjes së Kosovës (25.6.2006).
9. Modelet e ofruara të administrimit të Kosovës do të mund të krijonin një mentalitet të ri “vartësie”; një suspendim të ushtrimit të pushtetit në dy fusha shumë të rëndësishme të shprehjes së tij (gjyqësi dhe polici); një pamundësi të shtrirjes së kontrollit në një pjesë të territorit, gjendje këto nga të cilat do të mund të krijohej ndjenja e të qenët shtet, pa mundësinë e funksionimit të plotë të tij(6.7.2006).
10.Koncepti serb është përgjithësisht i njohur dhe ai u (ri)shfaq në të gjitha raundet e bisedimeve midis Beogradit dhe Prishtinës në Vjenë.
Ai koncept mbështetet jo në përkujdesjen për popullatën serbe në Kosovë, po për “territoret serbe”në Kosovë, pikëpamje kjo që, sado që nuk parapëlqehet të bëhen shqyrtime historike, ato i bënë pothuajse të pashmangshme dhe këtë pikëreferimi i rekomandojmë Grupit Negociues të Kosovës(21.7.2006).
11.Grupit Negociues të Kosovës do të mund t’i sugjerohet që të ketë kujdes nga “dromcat” prej të cilave mund të cungohet pavarësia në procesin negociator. Kujdesin më të madh duhet të tregojë ndaj decentralizimit, sepse çdo koncesion i bërë në këtë fushë do të paraqitet me pasoja të pariparueshme në Kosovën e passtatusit(21.7.2006).  
12.Kosova është ndërmjet pavarësisë dhe kufizimeve të ndieshme të saj.Kufizimet nuk do të vijnë vetëm nga lista e gjerë e kushtëzimeve që do të përcaktojë bashkësia ndërkombëtare (qendrat e saj vendimmarrëse) me rastin e përkufizimit të statusit të Kosovës, por ato do të vijnë, me sa po shihet, edhe nga modalitetet e përkufizimit të të drejtave të pakicës serbe që burojnë nga tri rrafshe apo fusha problemesh:decentralizimi, veçanërisht statusi i Pjesës Veriore të Kosovës, “trashëgimia serbe” dhe pozita politike e serbëve të Kosovës.
Edhe pse Grupi Negociator i Kosovës shprehet se “e ka qartësuar në parim ”platformën për “shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës”, një game kufizimesh të  atij statusi të saj nuk i dihet as fillimi dhe as mbarimi.
Me gjithë përshtypjet e krijuara brendapërbrenda  Grupit Negociator të Kosovës se pikëpamjet e tij janë “më të afërta” me ato të bashkësisë ndërkombëtare, në adresë të tij arrijnë kritikat e para që, në të vërtetë, përbëjnë kërcënime  për koncesione të reja.
Në këtë mënyrë dëshmohet se së pari dënohet ai që “është i gatshëm të lëshojë pe”, e jo tjetri që “nuk lëvizë nga pozicionet e veta” ose që “kërkon më shumë” për t’i zgjeruar ato, në mos për asgjë tjetër,atëherë së paku,për të zvarritur procesin ose edhe për ta bllokuar atë (4.8.2006).
13. Në një shkrim timin “Statusi i Kosovës në dritën e raportit të z.Kai Eide”, në tetor 2005, disa nga gjykimet, por edhe rekomandimet e tij, i kisha quajtur të diskutueshme, veçanërisht ato në lidhje me Veriun e Kosovës.
Z.Eide ishte shprehur se “Strukturat paralele (serbe)mbase janë e vetmja mënyrë realiste për të siguruar ofrimin e shërbimeve adekuate për serbët e Kosovës”, madje duke i kualifikuar ato si “në shumë mënyra të ngjashme me strukturat paralele të shqiptarëve të Kosovës para vitit 1999”.
Isha shqetësuar me “parashikimin e tij ”se “Kosova nuk do të bëhet në një të ardhme të afërt një vend ku shqiptarët dhe serbët do të jenë të integruar”, duke theksuar se “negociatat kanë të bëjnë me territor,i cili ende është pjesë e një shteti sovran”.
Prandaj,decentralizimi “është parë prej tij” si “çelës”i vendosjes së pushtetit të Beogradit, pra i “lidhshmërisë vertikale institucionale mes serbëve të Kosovës,pushtetit të tyre lokal dhe pushtetit në Serbi”.
           Shtizat mund të thyhen dhe do të thyhen te decentralizimi.
Veshja e tij me “petkun etnik” kërcënimin për territore e bënë shumë serioz(4.8.2006).
14.Të nderuar ambasadorë( letër e hapur ambasadorëve të vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit), na lejoni që nëpërmjet të kësaj letre t’ju përkujtojmë  gjenezën e problemit të Kosovës Veriore i cili u krijua me mospërmbushjen e qëllimeve themelore të misionit të KFOR-it dhe të UNMIK-ut me rastin e vendosjes së pranisë ndërkombëtare ushtarake dhe civile në Kosovë, veçanërisht me moszbatimin e atyre dispozitave të Marrëveshjes Tekniko-Ushtarake ndërmjet NATO-s dhe ish RFJ-së dhe të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në lidhje me parandalimin dhe ndalimin  e veprimeve, në mënyrë të posaçme të forcave paramilitare serbe.
Për pasojë,një pjesë e mirë e popullatës shqiptare u detyrua   të zhvendoset në Pjesën Jugore të Mitrovicës dhe të Kosovës,ndërkohë që u aty u pozicionuan struktura paralele të Qeverisë së Serbisë dhe në këtë mënyrë Mitrovica dhe Veriu i Kosovës nga një problem i paqenë u shndërruan në problem rajonal dhe ndërkombëtar që,pa dyshim, ishte shumë më lehtë që qysh në fillim të parandalohet,se sa sot të evitohet(6.8.2006).

15. Në vend të përpjekjeve shterpe për negociata në të cilat Kosova ka hyrë e hendikepuar, pa iu siguruar dhe garantuar tërësia territoriale e saj, rekomandojmë angazhimin Tuaj të drejtpërdrejt dhe të mekanizmave ndërkombëtare të instaluara në Kosovë për mënjanimin e pranisë dhe të ndikimit të Beogradit në jetën dhe raportet në Veriun e Kosovës.
Ndryshe, po bëhet gjithnjë e më e qartë se Beogradi më shumë se për pozitën e serbëve të Kosovës, synon territorializimin e çështjes serbe për të vazhduar me gllabërimin e tokave dhe të territoreve të Kosovës, pa asnjë bazë të qëndrueshme posesive, as historike dhe as aktuale, ndërkohë që, nga ana tjetër, vazhdon të mbajë të pushtuara komunat shqiptare në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, të cilat historikisht dhe territorialisht i përkasin trungut etnik të Kosovës( 6.8.2006).
16.Shpërbërja e plotë e strukturave paralele të Qeverisë së Serbisë në Veriun e Kosovës dhe shtrirja e kompetencave të institucioneve të Kosovës në atë pjesë të territorit të saj, do të mund të shënonin fillimin e zgjidhjes së problemit, me integrimin e Veriut të Kosovës në tërësinë institucionale të saj.
Ndryshe,qëndrimi Juaj se “nuk do të ketë ndarje të Kosovës”do të vazhdojë të tingëllojë si një “parullë politike”( 6.8.2006).
17. Njeriu nuk ka se si të mos shqetësohet me “shqetësimin e Grupit të Kontaktit” që i ka shprehur Ekipit Negociator të Kosovës për Veriun e Kosovës, në mos për asgjë tjetër, atëherë për shqetësimin (pak sa të vonuar) të tij, kur gjendja në atë pjesë të Kosovës  ka marrë rrjedha që nuk do të duhej lejuar t’i merrte qysh nga vendosja e Administrimit të Përkohshëm Civil Ndërkombëtar në Kosovë dhe kur tash çdo riparim i saj paraqitet shumë më i vështirë se  parandalimi i  veprimeve të  strukturave  paralele serbe, të pakontrolluara as prej institucioneve të përkohshme të Kosovës dhe as prej atyre ndërkombëtare që “kanë shtrirë praninë” në atë pjesë të territorit të Kosovës.
Shqetësimi është i vonuar, sepse për gjendjen në Veriun e Kosovës dihej qysh moti dhe mungonin përpjekjet serioze për ta integruar dhe për ta vendosur atë nën juridiksionin e Kosovës (7.8.2006).  
18.Vështruar nga një distancë kohore prej shtatë vjetësh,mund të (ri)përsëriten vlerësimet  e asaj kohe që “nuk prisnin gjykimin e saj”.
(1)Prania ndërkombëtare në Veriun e Kosovës,veçanërisht ajo civile, që në fillim nuk u vendos as në sasinë dhe as në cilësinë e premtuar.
(2)Mosvendosja e plotë e pranisë ndërkombëtare  shkaktoi që të mos performohen funksionet themelore civile ndërkombëtare në atë pjesë të Kosovës.
(3)U vonua shumë me krijimin e institucioneve provizionale për vetëqeverisje demokratike dhe autonome,duke pritur një marrëveshje politike për të ardhmen e Kosovës,e cila mungon dhe sot dhe e cila po kërkohet në “negociatat shterpe”prej “palëve të papajtueshme”(7.8.2006).
19.Ndërmarrja e masave të sigurisë në Veriun e Kosovës nga ana e policisë ndërkombëtare, në dukje të parë, nuk përbën ndonjë “informacion të veçantë”. Mirëpo,”informacioni shtesë” se “shtimi i numrit të policëve ndërkombëtarë është bërë me kërkesë të drejtuesve komunalë(të Veriut)”, po atyre që kohë më parë “i kishin shpallur bojkot”administratës ndërkombëtare dhe institucioneve të përkohshme të Kosovës, informacionin e bën “shumë të veçantë”, sikur që e bën “shumë të veçantë”edhe sqarimi zyrtar se ky akt “paraqet vetëm fillimin e një programi të sigurisë së shtuar për pakicat,ndërkohë që pritet që të gjitha vendbanimet me shumicë serbe të gëzojnë të njëjtin privilegj”.
Pyetja e parë që shtrohet është se a kemi të bëjmë me (ri)vendosjen e misionit ndërkombëtar në fushën e sigurisë apo me (ri)faktimin e gjendjes në këtë pjesë të Kosovës dhe ndërprerjen e  plotë të lidhjeve me institucionet vendore, sado që është thënë se ”kjo prezencë e shtuar policore nuk do të ketë efekt mbi policinë kosovare”.
Ndjenja e parë flet për “humbjen e besimit të popullatës lokale në institucionet vendore”,besim ky që,në të vërtetë,ajo nuk arriti ta ndërtojë dhe ta dëshmojë me asnjë rast.
Ndjenja e dytë flet për “(ri)kthimin e besimit të popullatës lokale në institucionet ndërkombëtare”,besim ky që,poashtu,as nuk është ndërtuar dhe as nuk është dëshmuar deri më sot.
Ç’do të thotë,në fakt,shtimi i pranisë së policisë ndërkombëtare në Veriun e Kosovës?
E para,”shprehje të shqetësimit të bashkësisë ndërkombëtare” në këtë pjesë të territorit të Kosovës që për një kohë të gjatë “nuk u mbikëqyrë as nga institucionet vendore as nga ato ndërkombëtare?”.
E dyta,”frikësim nga ana e bashkësisë ndërkombëtare e strukturave paralele serbe në Veriun e Kosovës”, me gjithë pohimin  zyrtar se masat e shtuara të sigurisë “nuk kanë të bëjnë me këtë problematikë?”.
E treta, miratim nga ana e bashkësisë ndërkombëtare të kërcënimit nga Serbia që “në Pjesën Veriore të Kosovës të mos veprojnë fare pjesëtarë të policisë vendore të përkatësisë shqiptare?”.
Sado që mund të thuhet se shtimi i pranisë së policisë ndërkombëtare në Veriun e Kosovës drejtpërdrejt ose në mënyrë të tërthortë ka të bëjë me të gjitha pyetjet e shtruara, droja më e madhe është “përgatitja e terrenit për pastrim” të kësaj pjese të territorit të Kosovës nga policë vendorë, veçanërisht të përkatësisë shqiptare.
Mos të harrojmë se “tri udhëheqjet e komunave të Veriut të Kosovës” kohë më parë kishin kërkuar që në Pjesën Veriore të Kosovës “të mos veprojnë fare pjesëtarë të policisë vendore,të përkatësisë shqiptare”.Edhe pse zyrtarisht u tha se me këtë “nuk pajtohet policia ndërkombëtare”, shtimi i pranisë së policisë ndërkombëtare në veri mund të shpie deri tek ky përfundim(14.8.2006).
20.Procesi i decentralizimit u ndërtua mbi parimin etnik dhe territorial dhe z.Ahtisaari kërkon që ai të realizohet mbi atë parim,me çka,në të vërtetë,synohet  krijimi i korridoreve etnike prapa të cilave,pa asnjë dyshim, fshihen tendencat për territorializimin e çështjes serbe në Kosovë, me pretendim të mëvonshëm “ndarjen territoriale përgjatë vijave etnike”.
Prandaj, bëhët gjithnjë e më e qartë se decentralizimi “nuk paraqet çështje teknike”, por në thelb, politike, me pasoja të rënda për statusin e ardhshëm politik të Kosovës.
Me sa shihet, decentralizimi kështu i imponuar, është çmimi për “pavarësinë e kushtëzuar” që me modalitetet e vendosjes së saj, qysh në fillim të zbatimit, do të vështirësojë funksionalitetin e institucioneve të Kosovës, duke pasur parasysh mundësinë për “lidhje horizontale” të “komunave me shumicë serbe”dhe lidhjet vertikale të tyre me Beogradin.
Kompaktësia territoriale  që serbët mëtojnë të arrijnë  me procesin e decentralizimit, jashtë parimeve dhe kushteve që përcakton Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale (Strasburg,1985) do të kërcënojë me rrezikun e krijimit të “vazhdimësisë territoriale të Serbisë në Kosovë”, duke na kujtuar se serbët edhe në Kroaci,edhe në Bosnjë,kanë krijuar entitete territoriale “në kurriz të popujve të tjerë”. Këtë pretendim e kanë edhe ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe atë nuk e fshehin(21.8.2006).
21.Oreksi i Serbisë është ndarja e Kosovës në dy entitete, në mënyrë që entiteti serb të mbetet i lidhur me Beogradin dhe që, në atë pjesë të territorit të Kosovës, të ketë prani dhe ndikim të strukturave qeveritare serbe dhe që mbi lumin Ibër të valojë flamuri serb( 23.8.2006).
22.Veriu i Kosovës do të përbëjë boshtin qendror të procesit të decentralizimit, por edhe të statusit të ri politik të Kosovës, që po mëtohet të vendoset me negociata.
Decentralizimi i imponuar në vija etnike do të jetë çmimi që do të paguajë Kosova për një pavarësi, edhe ashtu “të kushtëzuar”në të cilën, me sapo shihet, Serbia  “rikthehet”në Kosovë, qoftë edhe “nëpër derë të vogël”.
Kompaktësia territoriale serbe në Kosovë, në të vërtetë, pretendon “vazhdimësinë territoriale të Serbisë në Kosovë” (23.8.2006).
23.Në pyetjen përherë aktuale se si ta ruajmë tërësinë e çështjes, përgjigjja është shumë e thjeshtë:me mosmiratimin e copëtimeve të reja.
Projekti i decentralizimit po kërcënon me rrezikun e copëtimeve  në vija etnike,ndërkohë që për Kosovën Lindore nuk po thuhet asnjë fjalë,madje as “sa ndërgjegje për të larë”.
Në këtë mënyrë,po vazhdojmë të pjesëtohemi, në vend se të shumëzohemi, prandaj po na ndodhë që të rritemi si popull, e të tkurremi si komb(30.8.2006).
24.Kosova do “të paguajë çmimin”e një statusi që atë “e shpie përpara”, por që, megjithatë,”nuk e dërgon në stacionin e fundit”.
Në Kosovë edhe pas statusit do të ketë një lloj “bashkëqeverisjeje”, por kësaj rradhe jo me UNMIK-un, por me Bashkimin Evropian i cili, misionin e vet nuk do ta përqendrojë vetëm në monitorim, siç mendohej fillimisht, por që do ta shtrijë gjithandej në administrimin e disa fushave të jetës në Kosovë që, padyshim, kufizojnë sovranitetin e Kosovës.
Me sa po mund të kuptohet nga procesi i decentralizimit, sovraniteti do të kufizohet edhe “brendapërbrenda Kosovës”, me mosshtrirjen e plotë të autorizimeve të institucioneve të Kosovës në gjithë territorin e saj. Ndërkohë që ende nuk dihet për modalitetet e vendimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për vetë statusin e ri të Kosovës.
Pra,mbi Kosovën ende “ka një mjegullnajë” që duhet të pastrohet, në mënyrë që të merret përgjigje e saktë në pyetjen se cila do të jetë Kosova e passtatusit.
Sidoqoftë, Kosova po vëhet para aktit që “të pajtohet me të papajtueshmen”(11.9.2006).
25.Kosova nuk paraqet fare “shoqëri shumetnike”. Ajo as nuk ishte dhe as sot nuk është një shoqëri e tillë.
Me gjithë përpjekjet që të gjitha përmasat e çështjes së Kosovës ”të shprehen në posesivizmin serb ndaj Kosovës”, ai posesivizëm, ”nuk e ka bazën e duhur etnike”, por “është i përcjellë me synime dhe veprime të artikuluara qartazi në drejtim të ndërrimit të dhunshëm të dominimit demografik dhe etnik shqiptar”.
Vështrimi, por edhe trajtimi i Kosovës si “mjedis shumetnik”, nuk mund “të mos kërcënohet me rrezikun” për të prodhuar ”pasoja në dëm të shqiptarëve etnikë”(13.9.2006).
26.(Ri)aktualizimi i “dashurisë së parealizuar serbe” për ndarjen e Kosovës nuk u bë rastësisht dhe menjëherë pas vendosjes së pranisë ndërkombëtare në Kosovë, sepse bashkësia ndërkombëtare “lëkundej” dhe “hamendej”për t’u pozicionuar qartë për të ardhmen e Kosovës, duke bartur rrezikun që “gjendja faktike” në Veriun e Kosovës më vonë “të përligjet”, pavarësisht argumenteve sipas të të cilave “nuk ka asnjë ligjësi objektive për kantonizimin e Kosovës”dhe zërave të qendrave me përgjegjësi të lartë ndërkombëtare se ndarja e Kosovës “kundërshtohet”   dhe se ajo “nuk do të lejohet”.
Kështu u tha para shtatë vjetësh, kështu thuhet edhe sot, ndërkohë që gjendja në terren nuk ndryshon(13.9.2006).
27.Edhe në periudhën pas përcaktimit të statusit të ri, po qe se zgjidhja  nuk do të jetë qartësisht dhe plotësisht e përkufizuar, Kosova mund të përballet me vetë statusin dhe vënien në jetë të tij.
Po qe se zgjidhja  nuk do të jetë qartësisht dhe plotësisht e përcaktuar,do të mund të paraqiteshin shumë vështirësi në funksionimin e institucioneve të vendit. Kosovës nuk i duhet zgjidhje”që do të hapte më shumë çështje se sa do t’i mbyllte”.
Çdo “zgjidhje inovative” që do ta privonte Kosovën nga subjektiviteti  politik-juridik  ndërkombëtar, do ta komplikonte “statusin e passtatusit të saj” dhe do të krijonte ndjenjën e të qenët i pavarur,pa mundësinë e shprehjes si shtet në kuptimin e plotë të tij.
Zgjidhja e çështjes së Kosovës nuk do të mund të quhej e përkufizuar po qe se ajo nuk do të shoqërohej me njohjen e plotë të subjektivitetit politik-juridik dhe ndërkombëtar, po sikurse që statusi nuk do të mund të quhej përfundimtar po qe se në të do të vazhdojë të ketë një prani ndërkombëtare,jo vetëm ushtarake, por edhe civile relativisht të theksuar,me fuqi ekzekutive,dhe po qe se Mitrovica dhe Veriu i Kosovës do të kenë një status të veçantë( 30.9.2006).
         28. Qëllimi është që Kosova të bëhet shtet funksional.
Bashkësia ndërkombëtare duhet të ketë nxjerrë mësime nga Bosnja.
E ndërtuar mbi parimin etnik, ajo është bërë një shtet jofunksional. Përveç se nuk është Bosnjë, Kosova nuk është edhe mozaik nacional sikur Bosnja,në mënyrë që të ndërtohet sipas recetave të saj(27.10.2006).
29.Serbët pretendojnë që të marrin sa më shumë që munden prej territorit të Kosovës  ose të instalojnë instrumentet e ndarjes së mëvonshme, sado që edhe sot Veriu i Kosovës faktikisht mbahet i ndarë(10.11.2006).

30.Nuk do të dëshironim që vetë statusi i ri i Kosovës të jetë sfida më e madhe në Kosovën e passtatusit.
Zgjidhja  e paqartësuar mirë dhe e parrumbullakësuar  në pikëpamje politike dhe juridike ndërkombëtare nuk do t’i ndihmonte shumë Kosovës që të dilte nga “një rreth i mbyllur” në të cilin mbahet prej se është vendosur nën Administrimin e Përkohshëm Civil Ndërkombëtar (10.11.2006).
31. Historia e shteteve “mëson” se një vend ose është ose s’është shtet; ose ka ose nuk ka pavarësi; ose ka ose nuk ka sovranitet.
Kosova mund të krijojë kontratualitet me OKB-në, BE-në dhe NATO-n vetëm si shtet i pavarur dhe sovran, me ulëse në OKB, i barabartë me shtetet e tjera(8.1.2007).
32. Kosova, e cila, edhe ashtu ka bërë mjaftë koncesione në procesin negociator nëpërmjet të përfaqësuesve të saj, do të mund të detyrohej që “e shtyer për muri” të miratojë zgjidhje që do të cungonin vetëqeverisjen e saj, po qe se oferta ndërkombëtare nuk do të përkojë e tëra me kërkesat e saj.
Nëse  do të ndodhte kjo, atëherë Kosova do të ballafaqohej me shumë sfida të vetë statusit dhe të zbatimit të tij,e vetëdijshme  se qoftë  edhe pavarësia e shpallur prej saj, nuk do të jetë çelësi i vetëm i përballimit të tyre(8.1.2007).
33.Në emër të “pavarësisë së kushtëzuar” synohet vendosje e një statusi i cili, nga njëra anë, hap mundësinë e shtetbërjes dhe krijon ndjenjën  e “të qenët shtet”, por, nga ana tjetër, kufizon mundësitë e funksionimit të tij në kuptimin e plotë, duke pasur parasysh përveç vështërësimit të shtrirjes së qeverisjes dhe zbatimit të ligjit në të gjithë territorin, edhe faktin e vazhdimit të një pranie të fuqishme dhe shumë të ndieshme të Bashkimit Evropian, nga e cila  kërcënon rreziku që në Kosovë të krijohet   një mentalitet i ri vartësie(27.1.2007).
34. Pakoja e Ahtisaarit duhet të kundrohet si tërësi, parimet e përgjithshme bashkë me shtojcat që përmban dokumenti e të cilat janë pjesë përbërëse e tij. Çdo këndvështrim i pjesëshëm i dokumentit është i mangët dhe shoqërohet me pasaktësi të mundshme(4.2.2007).
35.Çfarë,në të vërtetë,ofron Pakoja e Ahtisaarit?Nëse  do të shikoheshin dy anë të medaljes së një propozimi,    përmbledhja më e shkurtër e ofertës do të mund të shprehej në këtë mënyrë.      
Një,rrugën eventuale të shpalljes së pavarësisë,por jo dhe garancinë për qëndrimin konsensual të bashkësisë ndërkombëtare për ta njohur atë;
Dy, mundësinë e ecjes nëpër pavarësinë eventuale, por edhe kufizimet e ndieshme të ecjes nëpër të.
Së treti,mundësinë eventuale e “të qenët sovran”, por edhe sovranitetin e deklaruar, të pjesëtuar me tre.
Së katërti,hapjen e procedurës për shfuqizimin e Rezolutës 1244,por jo dhe garancinë për miratimin e një rezolute të re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Së pesti,mundësinë e bërjes së Kosovës me kushtetutë dhe me simbole,por jo edhe të drejtën e plotë të saj  për të përcaktuar përmbajtjen dhe zgjidhjet konkrete të tyre.
Së gjashti, prani ndërkombëtare  civile,të udhëhequr nga BE-ja,por me ndërhyrje dhe fuqi ekzekutive të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar.
Së shtati,mundësinë e krijimit të një Force të Re të Sigurisë, por edhe  shpërbërjen e emblemës së luftës, TMK-së(19.2.2007).
36. E kemi shumë të qartë se palët që pranojnë negociatat, njëkohësisht pranojnë edhe kompromisin që,si rregull,bëhet me to.
Prej Delegacionit të Kosovës është kërkuar që të bëjë shumë kompromise dhe ai,duke ushqyer vetën me premtimin e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare për pavarësi, ka qenë i shkujdesshëm për një numër zgjidhjesh që ofrohen në Pakon e Ahtisaarit në lidhje me decentralizimin, zonat e mbrojtura për monumentet serbe dhe të drejtat shtesë për komunitetet.
Përherë kemi tërhequr vërejtjen se “në emër të kompromisit,mund të bëhen “pazarllëqe të mëdha”dhe se më të dëmshmet mund të ndërlidhen me territorin e Kosovës, me vizatimin e hartave të reja për vendbanimet serbe ose me shumicë serbe dhe me nivelin shumë të lartë të administrimit të tyre që mund të çojë edhe tek ndarja e Kosovës në dy entitete që, në fakt, është koncepti  i territorializimit të çështjes serbe(19.2.2007).
37.Kosova po jeton një kohë në të cilën askush nuk mund të qëndrojë indiferent për zhvillimet që po ndodhin në të,pa thënë atë që ndien.
Një gjë duhet ta kemi parasysh të gjithë:tashmë është hedhur në letër e ardhmja e Kosovës.
Populli i Kosovës dëshiron që ajo të vijë në përputhje me vullnetin e  saj për të qenë zot i vetvetes,pa e ngulfatur atë,as  në formë dhe as në përmbajtje(12.3.2007).
38.Meqë Kosova është aneksuar nga Serbia në udhë jolegjitime, pavarësia e Kosovës,në asnjë mënyrë nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar.
Prandaj,përpara se pavarësia e Kosovës të kualifikohej si “një rast klasik i secesionit të një pjese të një shteti sovran”, do të duhej të kundrohej,në fakt, si  një “anulim aneksimi”.
Në të vërtetë,ndesh me ligjin ndërkombëtar kishte rënë vetë Serbia, e cila me 1912 e aneksoi Kosovën nëpërmjet pushtimit ushtarak, pas një agresioni të saj në Perandorinë Osmane, ”edhe pse qysh prej kohësh kishte identitetin e vet historik dhe etnik, të shoqëruar me legjitimitetin e çlirimit të vet, qoftë nga pushtimi osman(1912), qoftë nga pushtimi fashist(1944), edhe pse kishte integritet gjeografik, demografik dhe kulturor të saj”.
Sëkëndejmi, në vend se të hesht veprimin e saj ilegal që ka bërë duke shkelur “me të dyja këmbët” ligjin ndërkombëtar,me aneksimin e Kosovës, Serbia tash përdor një argument të paqëndrueshëm për të “ruajtur sovranitetin mbi Kosovën”të cilin, si dëshmojnë faktet, e mbajti në mënyrë jolegjitime për një periudhë shumë të gjatë,pa pyetur asnjëherë popullin shumicë të Kosovës dhe pa i marrë atij pëlqimin. Kosova është pushtuar gjatë luftërave ballkanike(1912-13), ”në kundërshtim me aspiratat e shqiptarëve që kishin shprehur në Lëvizjen Nacionalçlirimtare 1878-1912”(30.3.2007).
39.E ardhmja e Kosovës nuk mund të kundrohet e krahasueshme me secesionizmin në disa nga vendet e botës. Këtë duhet ta kenë parasysh ato vende që ende mbahen të rezervuara ndaj pavarësisë së Kosovës.
Ato do të duhej që t’i kërkojnë dhe t’i gjejnë “pikat e përbashkëta” të Kosovës me disa shtete të botës  që janë pajtuar me heqjen e sovranitetit mbi vende të tjera.Kështu,raportet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës janë, për shembull, të krahasueshme me ato ndërmjet Indonezisë dhe Timorit Lindor.
Siç dihet,Timori Lindor ka qenë i pushtuar dhe aneksuar nga Indonezia në vitin 1975 dhe atë “kundër vullnetit të Portugalisë si sovran i jashtëm”, fakt ky që e ka bërë aneksimin ilegal.
Me 1998, qeveria indoneziane njohi të drejtën e vetëvendosjes për popullin e Timorit Lindor.
Singapori është një shembull tjetër që duhet marrë parasysh.Ky vend u nda nga Malejzia me 1965, madje me “inkurajimin e vetë malejzianëve”.
Edhe shembulli me Eritren është domethënës për Kosovën. Eshtë qeveria etiopiane që në vitin 1991 i njohi të drejtën e vetëvendosjes.
Rasti i Kosovës ka ngjashmëri edhe me atë të Namibisë. Ndarja nga Afrika e Jugut dhe pavarësia e Namibisë ndodhën më 1991.
Prandaj,rastin e Kosovës nuk duhet krahasuar me secesionizmin në disa anë të tjera të botës,ku lëvizjet secesioniste “nuk janë duke vepruar në territore të  aneksuara që në mënyrë të njëanshme(kundër vullnetit të popullit dhe të sovranëve të mëhershëm)u janë bashkuar shteteve aktualisht ekzistuese, por ato janë duke operuar në territore që kanë qenë pjesë e këtyre shteteve në kohën kur këto shtete kanë filluar së ekzistuari”. Kështu është edhe me lëvizjet separatiste në Transdnjestrovle (Moldavi), në Osetinë Jugore dhe në Abkhazi (Gjeorgji) që nuk kanë bazë etnike çfarë ka çështja e Kosovës dhe që nuk kanë pasur status autonom ose federal kur u shpërbë ish-Bashkimi Sovjetik,siç ka pasur Kosova kur u shpërbë ish-Jugosllavia.
Më në fund,Kosova nuk është e krahasueshme as me katalonët,  uelsianët ,baskët ,skocezët, korsikanët…,sepse ata nuk u përballën, sikur shqiptarët e Kosovës, me dëbim masiv,nga shtetet që i   kontrollojnë(30.3.2007).
40. Kosova i përmbush të gjitha kriteret e qenies shtet i pavarur dhe sovran.Nëse bëhet fjalë për territorin,në OKB janë të anëtarësuara 34 shtete me territor më të vogël se sa Kosova.
Nëse bëhet fjalë për popullatën,në OKB janë të anëtarësuara 58   shtete me popullatë më të vogël se sa Kosova.
Nëse bëhet fjalë për pranimin ose jo të shteteve të reja në OKB,  në periudhën prej 1990-2002,në OKB janë pranuar 34 shtete të reja(30.3.2007).
41.Këshilli i Sigurimit i OKB-së,duhet t’i flasë qartë të tashmes së Kosovës dhe t’i përgjigjet kërkesave  të drejta të popullatës së saj.
Nëse Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk do të kuptojë qartë të tashmen e Kosovës, kërcënon rreziku që t’a lë të paqartë të nesërmen dhe të pasnesërmen e saj(16.4.2007).
42.“As shpallja e pavarësisë dhe as njohja e jashtme e kësaj  shpalljeje, nuk e bën një entitet të pavarur”.
Kushti kryesor për pavarësinë  është që “autoritetet e entitetit që pretendon të jetë i pavarur kanë vendosur një kontroll efektiv të territorit, për të cilin  autoritetet pretendojnë t’i takojë shtetit të tyre të pavarur”(16.4.2007).
43.Zgjidhja e çështjes së Kosovës nuk do të mund të quhej e rrumbullakuar nëse nuk do të shoqërohej me përcaktimin e qartë të identitetit shtetëror të Kosovës  dhe me njohjen e subjektivitetit politik-juridik dhe ndërkombëtar të saj.
Zgjidhja nuk do të mund të quhej e rrumbullakuar nëse qeverisja e institucioneve të Kosovës nuk do të mund të shtrihej në gjithë territorin e saj.
Më në fund, zgjidhja nuk do të mund të quhej e rrumbullakuar nëse në Kosovë nuk do të mund të zbatoheshin  ligjet, në mënyrë unike, në gjithë hapësirën e saj,përfshirë pra, edhe ”komunat serbe” ose me ”shumicë serbe” të cilat,në emër të një decentralizimi asimetrik, etnik dhe territorial, do të mund të kërcënonin  me rrezikun, së pari, të disfunksionalitetit të qendres, e më vonë,ndoshta, edhe të shkëputjes së  pjesëve me të.
E ardhmja e Kosovës do të duhej që  t’i sigurojë asaj, jo vetëm një subjektivtet politik-juridik dhe ndërkombëtar të njohur,por edhe një kontratualitet me OKB-në,Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
E ardhmja e Kosovës do të duhej  “t’ia rikthejë” asaj   sovranitetin , edhe ashtu të cunguar, në një pjesë të territorit të saj,për shkak të një pranie relativisht të fuqishme të bashkësisë ndërkombëtare. Më në fund,e ardhmja e Kosovës do të duhej që  t’i sigurojë  asaj  kalimin nga një gjendje e pushtimit të një pjese të tokës së saj në një gjendje të çlirimit të saj dhe të qeverisjes me të(14.5.2007).
44.Për diplomacinë shqiptare nuk është kjo kohë e heshtjes, por është  kohë e fjalës.
U kërkua, më shumë të drejtë prej saj, që të bëhët “zë i fuqishëm” për pavarësinë  e Kosovës dhe atë, “jo vetëm në Ballkan , por edhe në Nju-jork, në Bruksel, në Stamboll e në Zagreb” e gjithandej nëpër botë.
      Shqipërisë iu  tërhoq vërejtja se bëhët fjalë për “minutat kritike”.
      Dihet ç’ duhet bërë në “minutat kritike”(14.5.2007).
45. Droj se disa përgjigje po merren me heshtje.Popullit nuk bën  t’i premtohet se “nuk do të lejojmë të ndodhë diçka që veç po ndodh”(24.5.2007).
46.Serbia dhe aleati i madh i saj, Rusia, “po trimërohen” gjithnjë e më shumë me neglizhimet e bashkësisë ndërkombëtare për “të marrë një vendim për Kosovën”.
Bashkësia ndërkombëtare vazhdon të mos e valorizojë drejt çështjen e Kosovës: si çështje të  vetëvendosjes së popullit të saj.
Ajo, në fakt, qe nga fillimi i “marrjes me Kosovën” nuk e kishte konsideruar çështjen e Kosovës, si çështje e vetëvendosjes.
Përderisa nuk do ta bëjë këtë, përderisa verdiktin e popullit shqiptar nuk do ta përfillë si faktorin përcaktues kulminant dhe përderisa do të përpiqet që, me çdo kusht, “të pajtojë të papajtueshmit”, do të bëjë një investim joekonomik në Kosovë nga i cili dëmin më të madh do ta pësojë pikërisht Kosova. Kosova nuk është rajon heterogjen nacional dhe sa më herët që për këtë të vetëdijësohet bashkësia ndërkombëtare, aq më lehtë do të “gjindet formula për Kosovën”.
Për Kosovën nuk mund të ketë as dy të vërteta dhe as dy bindje(13.7.2007).
47.Idetë, propozimet dhe projektet për ndarjen e Kosovës nuk janë të reja, prandaj nuk duhet të befasojnë as këto të fundit.
Brengosës është vetëm fakti se “projektit të vjetër serb” po i bashkëngjitën, gjithnjë e më shumë,edhe  zyrtarë ndërkombëtarë, ndër ta, edhe ata që kishin gojën plotë se “nuk do të ketë ndarje të Kosovës” ose se “nuk do të  lejohet ndarja e Kosovës”, edhe pse paralajmërimet,në fakt,janë  shumë të hershme(15.7.2007).
48.Nuk e di sa kam pasur të drejtë, por në lidhje me “armiqtë” e Kosovës dhe të shqiptarëve,  në paraqitjet e mia publike, disa herë, kam përsëritur se “Shqiptarët, ‘andej dhe këndej kufirit’, do të duhej të mendonin për faktin se skenarët me ta dhe për rreth tyre ende nuk kanë përfunduar”.
Natyrisht se këtu kisha parasysh oreksin për gllabërime të reja tokash të shqiptarëve, qoftë nga Serbia, qoftë nga Maqedonia, dhe përpjekjet për tkurrjen e vazhdueshme të territoreve shqiptare, madje edhe me miratimin e bashkësisë ndërkombëtare ose me “heshtjen e saj”(15.7.2007).
49.Isha shprehur, në disa raste, se institucionet tona nuk duhet “të shtiren” sikur “asgjë  nuk po ndodh me ne dhe për rreth nesh”.
Mungonte guximi i forcave politike, si në Shqipëri, ashtu dhe në Kosovë, që të reagojnë në mënyrë adekuate në ndodhitë me ta dhe për rreth tyre, sepse gjendja faktike në Kosovë fliste se Mitrovica është e ndarë; se enklavat serbe mbajnë lidhjet me Beogradin dhe refuzojnë integrimin e tyre në jetën institucionale në Kosovë; se krerët politikë të Evropës i referohen Kosovës si “pjesë e RFJ-së“ së paqenë.
Meqë bashkësia ndërkombëtare “ende nuk i bënte një qasje të drejtë dhe të plotë çështjes së Kosovës”, gjykoja për një përfundim se “institucionet e Kosovës që heshtin, në kohën kur duhet të reagojnë, nuk mund të amnistohen nga përgjegjësia” (15.7.2007).
50.Tendenca e Misionit të OKB-së që Kosovën “ta shohë dhe ta paraqesë si mozaik nacional” ,me gjithë faktin se Kosova nuk paraqet rajon heterogjen nacional, qysh në start, prodhoi pasojat e veta në dëm të shqiptarëve etnikë.
Ajo tendencë vazhdon të prodhojë pasoja të reja në dëm të shqiptarëve etnikë.
Realiteti se popullatën e Kosovës e përbën shumica e theksuar shqiptare u anashkalua, kështu që u pretendua që “në emër të një egaliteti” të paqenë, të ketë një “paqe formale”, të krijohet një “shoqëri multietnike”, jashtë gjitha standardeve,vlerave dhe parimeve  demokratike.
Në emër të “egalitetit” të paqenë, pati përpjekje për “përligjjen e enklavave serbe” dhe pretendime për “përthekim të dhunshëm” politik të një pjese të territorit të Kosovës, edhe pse në kundërshtim të thellë “me entitetin burimor politik të atij territori”.
U bënë shumë përpjekje të bashkësisë ndërkombëtare për “t’i rikthyer serbët në institucione”, edhe pse abstenimi i tyre nuk ishte dhe,nuk është edhe sot, i rastësishëm, por i porositur nga Beogradi zyrtar.
”Mbajtja peng” e zhvillimeve në Kosovë  nga (ri)kthimi i serbëve në institucione i kushtoi  dhe vazhdon t’i kushtojë shumë shtrenjtë të ardhmes politike,juridike dhe ndërkombëtare  të Kosovës.
Realitetet jetësore në Kosovë do të duhej të ishin bazë e rivitalizimit të institucioneve dhe të mekanizmave të tjerë institucionalë të Kosovës.
Mbrojtja e të drejtave të pakicave, veçanërisht të asaj serbe në Kosovë, mund të bëhet dhe duhet të bëhet në përputhje me respektimin e identitetit të tyre nacional dhe të të drejtave qytetare, e jo me ruajtjen e privilegjeve që kanë krijuar me dhunë dhe me shtypje(15.7.2007).
51.Vetë çështja e Kosovës “është sajuar” si çështje e veçantë me pushtimin serb të trojeve etnike shqiptare dhe me copëtimin e trungut etnik shqiptar dhe   ky fakt duhet të shërbejë si komponentë nisëse për të kuptuar esencën e çështjes së Kosovës(15.7.2007).
52.Janë të papranueshme, në pikëpamje logjike dhe konstitucionale, përpjekjet për përthekimin e dhunshëm eventual të territorit të Kosovës nga ana e Serbisë.
Serbia nuk ka asnjë të drejtë legjitime që  të mbrojë posesivizmin e saj ndaj Kosovës, posesivizëm ky që është i pathemeltë, qoftë ”në pikëpamje metodologjike të shtruarjes së tij”, qoftë ”në pikëpamje historike të mbrojtjes së tij”.
Më në fund, ”përthekimi (eventual) i dhunshëm politik” i një pjese të territorit të Kosovës nuk do të ishte ”në përputhje me entitetin burimor politik të atij territori”(15.7.2007).
53.E drejta e shqiptarëve për vetëvendosje është e ligjshme, juridikisht dhe politikisht.
Kjo do të duhej të ishte komponentja nisëse e çdo argumentimi e faktimi të problemit të Kosovës dhe të shqiptarëve sot,pra edhe e çdo analize e shqyrtimi për të.
Argumentimi dhe faktimi i të drejtës për vetëvendosje i  shqiptarëve është i nevojshëm dhe i rëndësishëm, për shkak  të aplikimit të  standardeve të  dyfishta në lidhje me të nga ana e  bashkësisë  ndërkombëtare.
Ajo, në njërën anë,  përligj ndryshimin e kufijve me dhunë e gjenocid në mjediset heterogjene etnike dhe, nga ana tjetër, mohon   vetëvendosjen e shqiptarëve në hapësirën e tyre homogjene etnike(15.8.2007).
54.Duke u interesuar, me të drejtë, dhe duke u marrë, me arsye, me çështjen e Kosovës, padyshim përbërësin më të rëndësishëm të çështjes shqiptare, ne shqiptarët, nga vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, sikur “kemi lënë në harresë” tërësinë e çështjes.
Ajo ose nuk është përmendur dhe nuk përmendet fare ose, edhe atëherë kur është përmendur dhe përmendet, qasja është e sipërfaqshme dhe fragmentare.
Kanë munguar dhe mungojnë edhe sot analizat dhe shqyrtimet gjithëpërfshirëse për fatet e kombit dhe të ardhmen e tij, analiza dhe shqyrtime që,padyshim, do të mund të shërbënin si “teza shtesë” për argumentimin e kërkesës për pavarësinë e Kosovës, projektit aktual kombëtar të shqiptarëve (16.8.2007).
55.Bashkësia ndërkombëtare,  në vend se “zgjidhjen e çështjes” së Kosovës “t’ia linte vetë popullit të Kosovës”, që vetë ai të vendoste për të ardhmen e tij,  sipas një parimi të deklaruar dhe të verifikuar ndërkombëtarisht, të vetëvendosjes së popujve, të prononcuar edhe në të drejtën ndërkombëtare,  zgjodhi një rrugë tjetër për të cilën dihej vetëm fillimi, e jo edhe fundi.  
Qasja e bashkësisë ndërkombëtare që, nëpërmjet të negociatave, “të arrihet një marrëveshje” ndërmjet palëve ishte, fund e krye, e gabueshme, madje dhe një “investim joekonomik” i saj, aq më parë kur dihet se, edhe brendapërbrenda saj, janë dëgjuar zëra se nuk ekzistojnë gjasa për afrim pikëpamjesh, duke pasur parasysh skajshmëritë e ndryshme të tyre(20.8.2007).
56.Qasja e bashkësisë ndërkombëtare ishte e gabueshme qysh në start: ajo nuk mori fare parasysh realitetin e ri të krijuar në Kosovë pas luftës dhe “nuk lejoi” që ai të përligjet  nëpërmjet të një referendumi të popullit të Kosovës, akt deklarimi ky që,në fakt,  ishte përmendur dhe  ”ishte premtuar”, në Konferencën e Rambujesë për Kosovën.
Sot,  më shumë se tetë vjet më vonë, populli i Kosovës nuk ka kërkesë tjetër : veçse t’i njihet e drejta e vetëvendosjes dhe që ai, në mungesë të gatishmërisë dhe fuqisë së bashkësisë ndërkombëtare që të marrë një vendim që do të korrespondonte me vullnetin e plotë të popullit të Kosovës, të deklarohet për të ardhmen e vet(20.8.2007).
57.Nuk jam i mendimit se ndër ne ekziston ndonjë strategji e përpunuar në lidhje me opsionin e ndarjes së Kosovës dhe pasojat që do të mund të prodhonte ajo për interesat tona kombëtare, duke pasur parasysh faktin se shqiptarët janë të shpërndarë gjithandej në disa shtete të Ballkanit, pa ndonjë status të zgjidhur ose, së paku, pa një status të kënaqshëm kombëtar të tyre.
Pa pritur gjykimet e kohës, qysh sot mund të thuhet se, për shembull, vetëm  me këmbimin eventual të territoreve të Pjesës Veriore të Kosovës me të ashtuquajturën”Luginën e Preshevës” (më drejtë Kosovën Lindore) nuk do të “vendosej rezultat i barabartë”(20.8.2007).
58.Ne në  Kosovë do të duhej të ndërgjegjësoheshim  se, për Kosovën nuk mund të vendosë askush tjetër përveç se vetë dhe vetëm Kosova; se pavarësia kurrë nuk falet, por se ajo duhet të fitohet dhe se është shumë i gabuar gjykimi se me Kosovën dhe rreth saj “gjithçka ka përfunduar” dhe se ne duhet të presim vetëm ditën “kur do të festojmë” pavarësinë dhe sovranitetin e plotë, në gjithë territorin e Kosovës”, pa vra mendjen, së paku për Pjesën Veriore, se atje serbët “jetojnë krejtësisht të veçuar nga shqiptarët; se shpalosin tjetër flamur; se përdorin një tjetër valutë; se përdorin një tjetër gjuhë dhe se marrin urdhra nga një tjetër qeveri”; pa vra mendjen se bashkësia ndërkombëtare po i privon shqiptarët dhe vetëm shqiptarët, nga njohja, garantimi dhe mbrojtja ndërkombëtare e të drejtës së tyre për vetëvendosje, që është një e drejtë e natyrshme etnike, historike e politike, e ligjshme, qoftë juridikisht, qoftë politikisht dhe pa vra mendjen se shqiptarët, duke mos qenë vetë asnjëherë pushtues, pretendimet e veta nuk i kanë jashtë hapësirës së tyre etnike(29.8.2007).
59.Me gjithë tonet optimiste të zyrtarëve dhe analistëve , çështja shqiptare vazhdon të paraqitet me shumë të panjohura të cilat, secila veç e veç, por edhe të gjitha bashkërisht, tërësinë e çështjes shqiptare e bëjnë përgjithësisht ende të panjohur.
Një gjë duhet ta kemi parasysh: skenarët me shqiptarët ende nuk kanë përfunduar, andaj nuk përkon me realitetin pikëpamja sikur çështja shqiptare “ka marrë fizionominë e çështjes së zgjidhur”.
Po t’i hidhet “një sy” pozitës së shqiptarëve, kudo që ata sot janë të shpërndarë dhe “të bërë pikë e pesë”, do të mësojmë për padrejtësitë që vazhdojnë të bëhen në kurriz të tyre prej vendeve me të cilat qeverisen dhe për mungesën e gatishmërisë të qeverive të po atyre vendeve për të avancuar statusin kushtetues e juridik të tyre.
E gjithë kjo flet se shqiptarët ende përballën me një pozitë denigruese nga e cila mund të dalin vetëm nëse  do të ndodhnin ndryshime rrënjësore në qëndrimin e vendeve ku mbahen të sunduar shqiptarët dhe atyre u njihen, sigurohen dhe mbrohen të drejtat kolektive kombëtare të tyre, në mënyrë që të mos trajtohen si qytetarë të “rendit të dytë” ose si “qiraxhinj në pronat e tyre”. Pozita aktuale e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë, në Serbinë Jugore dhe në Mal të Zi, me gjithë gjoja “përpjekjet për ta ndryshuar në më të mirë atë”, flet për një neglizhim të qeverive në këto tri vende që të veprojnë në përputhje me premtimet me të cilat, shpesh paraqitën para bashkësisë ndërkombëtare, për ta përfituar atë  për vetën e tyre(24.9.2007).
60.Një varg i tërë rrethanash, të brendshme dhe të jashtme, shtrojnë nevojën për një mobilizim të shtuar kombëtar brendashqiptar.
Ruajtja e tërësisë së çështjes, edhe me rastin e pavarësimit eventual të Kosovës, do të duhej të ishte bazament i çdo përcaktimi të pjesshëm, qoftë ai edhe kalues, siç do të jetë, sipas të gjitha gjasave, edhe statusi i ardhshëm i Kosovës.
Ajo që do të duhej të ndërgjegjësonte shqiptarët sot është që të kuptojnë ndërlikueshmërinë e proceseve  politike që po ndodhin me ta dhe rreth tyre, ndërlikueshmërinë e shkaqeve që sollën këtë gjendje në të cilën ndodhen dhe ndërlikueshmërinë e masave që duhet ndërmarrë për përballimin e saj dhe për kushtet dhe për rrethanat në të cilat duhet të ndërmerrën ato masa.
Shqiptarët do të duhej të përfitonin nga disa rrethana lehtësuese në favor të zgjidhjes së çështjes shqiptare, qoftë në segmente të veçuara të saj, siç është rasti me Kosovën, qoftë në tërësinë e saj(24.9.2007).
61.Shumë ndërhyrje të Serbisë kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin në Kosovë.
Shqiptarët janë  treguar shumë indiferentë , ndërsa UNMIK-u shumë tolerantë ndaj tyre.
Pra, është shumë indikative që UNMIK-u , në mënyrë të tërthortë, ndihmoi “kthimin e kontrollit të Serbisë mbi Kosovën”, në pjesën e veriut të saj, duke lejuar që ato ndërhyrje të ndodhin, qoftë “para syve” të tij, qoftë me miratimin e tij.
Neglizhimet  e UNMIK-ut   inkurajuan dhe  fuqizuan institucionet paralele serbe në Veriun e Kosovës në fushat e ndryshme të jetës politike, ekonomike dhe shoqërore, veprimin e të cilave institucione tash UNMIK-u “e sheh si të dëmshëm” dhe me mundësinë që të prodhojë pasoja për “ndarjen e Kosovës”, ndërkohë që ndarja është një gjendje faktike dhe me këtë gjendje, institucionet e Kosovës nuk u morën pothuajse asnjëherë(15.10.2007).
62.Prej bashkësisë ndërkombëtare kërkohet  që “të sqarojë mirë punët“ me Beogradin përpara se të merret një vendim për statusin e Kosovës, për shkak të tendencave të vazhdueshme të tij për të kontrolluar Veriun e Kosovës dhe, për të gllabëruar një pjesë të terrtorit të saj.
Ndryshe, do të marrë përsipër përgjegjësinë të cilën pjesërisht e pranon në prononcimin e paradisaditshëm të UNMIK-ut se nuk ka ndërmarrë veprime për të ndaluar institucionet paralele serbe në emër “të ruajtjes së stabilitetit” në këtë pjesë të territorit të Kosovës.
Edhe sot flitet për “ruajtjen e gjendjes së tashme”, pa vra mendjen se ruajtja e saj, në fakt, përligj një gjendje që kërcënon me rrezikun e shndërrimit të saj edhe në gjendje juridike(15.10.2007).
63.Me gjithë pretendimet që të mos “i kthehemi historisë”, por të shikojmë “me sy përpara”, kthimi historisë, qoftë edhe fragmentarisht, është i themeltë, për shkak se ne shqiptarët patëm një të kaluar të bujshme dhe se historia jonë nuk ishte tjetër veçse histori  e ndrydhjes së qenies sonë kombëtare.
Nëse do të përmblidhej, qoftë edhe me një fjali të vetme, e kaluara jonë e hidhur, do të mund të nxirrej përfundimi vërtet i parrëzueshëm se Evropa  cënoi rëndë tërësinë tonë territoriale dhe  bëri përpjekje që të na shlyejë nga harta gjeopolitike e saj.       
Përfundimi i dytë, gjithashtu i parrëzueshëm, që do të mund të nxirrej në lidhje me pushtimin e tokave tona nga Serbia, Mali i Zi dhe Greqia, është se as  Serbia, as Mali i Zi dhe as Greqia “nuk kishin mbështetje historike për të përligjur lakmitë e veta ndaj trojeve shqiptare”.
Copëtimi i trojeve shqiptare dhe aneksimi i më tepër se gjysmës së tyre ndodhi nga ana e monarkive fqinje.
Serbia qe e para që bëri pastrimin etnik që në luftën ruso-turke(1877-78), ndërsa pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër(1913), qeveritë e Beogradit, Cetinës dhe Athinës, filluan dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike dhe i dërguan të mërgonin në Turqi, sa më larg prej kufijve të tyre.
Edhe pas vitit 1918, Jugosllavia vazhdoi për dekada, fushatën e dëbimit të shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.Edhe pse gjatë Luftës së Dytë Botërore, prej aleatëve të mëdhenj shqiptarëve iu premtua  respektimi i parimit të vetëvendosjes, procedurat ndodhen ndryshe. Kthimi i shkurtër në histori është në të vërtetë, një thirrje që “t’i kthehemi vetës sonë dhe përgjegjësive tona, në mënyrë që të nxjerrim mësim nga e kaluara, që të mos pësojmë në të ardhmen si komb”(06.11.2007).
     64. Çfarë nuk kemi mësuar nga e kaluara?
Nga e kaluara jonë e hidhur nuk kemi nxjerr mësim në mënyrë që sot të ndërgjegjësohemi që, jo vetëm të mendojmë, por edhe të shprehemi dhe të veprojmë, si një popull dhe si një komb politik.
Në fjalët dhe në fjalimet tona ende ka shumë porosi folklorike , pa vra ndërgjegjën se, si jam shprehur dhe ndonjë herë tjetër,  po të bëhej me sharki a me çifteli, ne shqiptarët të parët në Hënë do të kishim mbërri!
Duhet të pushojmë ta fajësojmë historinë dhe Evropën për padrejtësitë ndaj nesh, sepse ato janë të pakontestueshme.
Neve na duhet konsolidimi kombëtar pikërisht që të mos na përsëritet e kaluara.   
        Na duhen qëndrime të përbashkëta për çështje të përbashkëta.
Ne, sikur, ende nuk e ndiejmë nevojën që të funksionojmë si një tërësi kombëtare.
Prandaj, energjinë tonë krijuese do të duhej ta shpenzonim dhe ta shteronim në rrafshin kombëtar, në projekte kombëtare (06.11.2007).
65.Kemi para vetës shumë detyra për të cilat duhet të përcaktojmë edhe rendin, edhe procedurat, edhe bartësit, edhe afatet për përmbushjen e tyre.
Duhet të mblidhemi rreth një qëndrimi që të mos miratojmë kërkesa për sakrifikimin e interesit kombëtar “për hir të paqes ballkanike”, ndërkohë që në zhvillimet e dekadës së fundit në Evropën Juglindore jemi parë si “pjesë e krizës së përgjithshme” dhe si “shkaktarë të jostabilitetit dhe kërcënim potencial të paqes dhe zhvillimit në Ballkan”, edhe pse ç’është e vërteta, shqiptarët, edhe në fundshekullin e kaluar dhe në fillim të këtij shekulli, po përballen me mungesën e pavarësisë politike në hapësirën e tyre etnike dhe se kanë shtetin e tyre që përfshin më pak se gjysmën e popullatës shqiptare në Ballkan.
Prandaj, politika dhe diplomacia shqiptare duhet të hulumtojnë dhe të gjejnë udhët për kundrimin dhe shtruarjen e çështjes së pazgjidhur shqiptare si një dhe e bashkuar.
Çështja shqiptare ende nuk cilësohet dhe nuk njihet si çështje e një populli dhe një kombi të ndarë padrejtësisht.
Atomizimi i çështjes shqiptare është një pozicion politik që ka mbajtur Evropa në të kaluarën e shqiptarëve.
Sot ka përpjekje të Evropës për të bërë një, të thuash, korrigjim me rastin e Kosovës dhe njohjes së pavarësisë eventuale të mbikëqyrur të saj,  por nuk do të dëshironim që drejtësia e vonuar të na dalë “drejtësi e cunguar”(06.11.2007).
66.Përkundër angazhimit të deritashëm, ende nuk i kemi thënë dhe nuk i kemi dhënë Evropës  të vërtetën tonë historike etnike se cilët ishim, cilët jemi dhe cilët duam të jemi(06.11.2007).
67.Opinionit ndërkombëtar duhet vazhdimisht t’ia bëjmë me dije se:
E para, Kosova “administratvisht, në mënyrë të imponuar”, u bë “pjesë e Serbisë”, ndërsa “shpirtërisht e mendërisht ajo ka qenë gjithë pjesë e Shqipërisë”;
E dyta, Kosova, një prej katër vilajeteve shqiptare, “u kthye në një territor të pretenduar mes shqiptarëve dhe serbëve” që prej Kongresit të Berlinit më 1878, kur ajo, më një vendim të Fuqive të Mëdha Evropiane “u la brenda  shtetit të saponjohur të Serbisë”;
E treta, me vendim të Fuqive të Mëdha Evropiane viset shqiptare iu dhanë  Malit të Zi dhe Greqisë;
E katërta, koniukturat ndërkombëtare, deri më sot, nuk e vranë mendjen për t’iu këthyer shqiptarëve padrejtësinë e bërë;
E pesta, rrethanat e reja të krijuara në Evropë sollën “kërkesën e moderuar” të shqiptarëve për pavarësinë e Kosovës, duke menduar kështu se ky opsion do të gjente “mbështetjen ndërkombëtare”.Ky kompromis i shqiptarëve nuk u kuptua nga serbët(06.11.2007).    
68.Angazhimi ynë ende nuk është në përputhje me detyrat që kemi për të avancuar statusin e kombit tonë.
Ndryshimi në mes asaj që po bëjmë për çështjen tonë dhe asaj që jemi në gjendje të bëjmë për çështjen tonë ende është shumë i madh.
Nuk ka dyshim se “është më lehtë të mbash fjalime, se të mbash fjalën”.
Ne shqiptarët mbajmë shumë fjalime, premtojmë, zotohemi, ama rendimentet tona janë ende shumë të ulta(06.11.2007)
69.Duhet të ecim nëpër një proces të konsolidimit të brendshëm kombëtar.
Kjo nuk përbën vetëm një detyrë, por edhe një borxh kombëtar që duhet paguar.
Veprimi i parë që do të duhej të bënim ne shqiptarët sot është që të ndryshojmë raportet nëpër të cilat kemi kaluar deri më tash.
Jemi sjellur dhe vazhdojmë të sillemi në mënyrë komode përballë çështjes sonë të pazgjidhur kombëtare, sikur, siç shprehem ndonjëherë, të ishim gjashtë popuj dhe të kishim gjashtë çështje(06.11.2007).
70. Shumë shpejt do të ballafaqohemi me pyetjen tjetër: Çka pas?
Pa i zbërthyer, po përmend disa nga detyrat që do të dalin para nesh.
        Së pari, veprim i harmonishëm  yni.
        Së dyti, vendosje e tërësisë së çështjes me një tryezë.
        Së treti, vështrimi kritik i udhës së kaluar.
Së katërti, projektimi i qartë i së ardhmes, me kalimin nga spektatorë në farkues të fatit tonë.
Së pesti, mbledhje e potencialit shumë të madh krijues kombëtar, shkrirje e tij dhe ecje në drejtimin e duhur(06.11.2007).
71. Duhet të ecim nëpër një proces të konsolidimit të brendshëm kombëtar.
Kjo nuk përbën vetëm një detyrë, por edhe një borxh kombëtar që duhet paguar.
Veprimi i parë që do të duhej të bënim ne shqiptarët sot është që të ndryshojmë raportet nëpër të cilat kemi kaluar deri më tash.Jemi sjellur dhe vazhdojmë të sillemi në mënyrë komode përballë çështjes sonë të pazgjidhur kombëtare.
Veprimi i dytë që duhet të bëjmë është që të bashkohemi në projekte kombëtare që do të thotë: të ulemi në sofra kombëtare, përpara se të bisedojmë në tryeza ndërkombëtare.
Sot përballemi me pyetjen: a duhet të pëlqejmë atë që kemi, nëse nuk kemi atë që pëlqejmë?
Paraprakisht, duhet t’i përgjigjemi pyetjes: Si “të ecim bashkë të ndarë ?”.
Një gjë është e sigurt: do të mund të mposhtemi vetëm nëse do të na mungojë qëndresa e përbashkët.
Trauma e çështjes shqiptare ishte përherë “kornizimi i zgjidhjes së çështjes që e kanë imponuar Fuqitë e Mëdha”.
Edhe vendimi eventual për “pavarësi të mbikëqyrur të Kosovës”, i projektuar nga Ahtisaari, nuk i shpërthen kornizat e zgjidhjes së çështjes së Kosovës,që imponojnë Fuqitë e Mëdha.
Edhe kësaj rradhe, për Kosovën, të shprehem figurativisht, edhe tekstin, edhe muzikën, edhe aranzhmanin, po e bëjnë të tjerët.
Përcaktimet dhe zgjidhjet e pjesshme të çështjes, përfshirë aty edhe çështjen e Kosovës, do të duhej, nga shqiptarët, të kualifikoheshin dhe trajtoheshin si udhë kaluese dhe të merren përgjegjësitë nga bartësit e tyre që të mos lejojnë invalidimin për jetë të tërësisë së çështjes ose edhe ndalimin  e saj.
Nuk mund t’ i qëndrojnë gjatë kohës qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare për moslejimin e bashkimit të pjesëve të popujve dhe të shteteve.
Kosova është shkëputur nga tërësia, po fatet e saj ndërlidhen me fatet e tërësisë : tërësia varet prej saj.
        Duhet të theksohet edhe një fakt tjetër, shumë i rëndësishëm.
Pa nënçmuar kontributin shumë të çmueshëm të bashkësisë ndërkombëtare, SHBA-ve, NATO-s dhe BE-së, duhet të kemi parasysh se nuk mund të amnistohemi nga përgjegjësia për të nesërmen tonë për të cilën po vendoset sot.
E theksojmë këtë  që të jemi shumë të kujdesshëm për veprimet tona të mëtejshme, në mënyrë që, siç thuhet ndonjëherë figurativisht, duke “i hequr vetullat, të mos i heqim edhe sytë”.
        Sot po shkruhet një histori e re e popullit shqiptar.
        Eshtë histori të shkruash historinë me dorën tënde.
Të gabosh, e të mos korrigjohesh, do të thotë të gabosh, me të vërtetë(6.11.2007).
72.Nëse do të bënim një “listë veprimesh” që kanë ndodhur në Veriun e Kosovës prej përfundimit të luftës në Kosovë deri më sot dhe nëse do të përpiqeshim që të gjejmë një “emërues të përbashkët të tyre” nuk do të mund të anashkalonim gjykimin se ndaj atyre veprimeve institucionet e Kosovës kanë “reaguar ashpër”, ndërkohë që ndërkombëtarët ato “i kanë miratuar me heshtje”.
Fjalori i tyre edhe sot, ndaj veprimeve më të fundit në Veriun e Kosovës,  mbetet i njëjtë(15.12.2007).
        73. Eshtë kohë e fundit që edhe ndërkombëtarët, edhe vendorët, të kuptojnë skenaret që po luhen në Pjesën Veriore të Kosovës dhe në enklavat serbe në brendi të saj.
        Veçanërisht duhet të jenë syçelë institucionet e Kosovës.
Ato nuk guxojnë që nga „pavarësia e mbikëqyrur“ e premtuar, të mos shohin „dromcat“ që atë, në fakt, do ta bënin të gjymtuar.
Çdo neglizhim i veprimeve që po ndodhin dhe që do të mund të ndodhin në Veriun e Kosovës do të mund të prodhonte pasoja të dëmshme për Kosovën dhe të ardhmen ndërkomnbëtare të saj.
Të merresh me shkaqet është shumë më lehtë se të merresh me pasojat.
Sa më heret që do ta kuptonin këtë institucionet e Kosovës, do të ishte më mirë.
       Çdo reagim i paskohshëm do të ishte irracional (15.12.2007).
74.Vetë statusi i ri i Kosovës, “pavarësia e mbikëqyrur” e saj do të përbëjë njërën prej sfidave më të mëdha për  Kosovën.
Edhe pse thuhet se nuk ekziston mundësia e “përsëritjes së UNMIK-ut nëpërmjet të BE-së”, është fakt i pamohueshëm se në Kosovë do të ketë një prani të fuqishme civile ndërkombëtare e cila, për kohën se sa do të jetë “e instaluar” në Kosovë, do të mund të krijonte  “një mentalitet të ri vartësie të saj”.
Nuk do të dëshironim që në Kosovë “të përsëritet shembulli i Bosnjës” dhe që ajo prani civile ndërkombëtare “të krijojë” nga Kosova një shtet jofunksional dhe, në mungesë të sovranitetit, në Kosovë “të krijohet ndjenja e të qenët shtet”, pa mundësinë e funksionimit të tij në kuptimin e plotë; “të krijohet ndjenja e të qenët i pavarur”, pa mundësinë e shprehjes së pavarësisë  në kuptimin e plotë; “të krijohet ndjenja e “të veshurit me pushtet”, pa mundësinë e ushtrimit të tij në kuptimin e plotë(02.02.2008).
75. Kosova do të ballafaqohet me problemin e shtrirjes së juridiksionit të institucioneve të saj, qoftë në Veriun e Kosovës, qoftë në enklavat serbe, për shkak “të presionit të pushtetit të Beogradit” për “padëgjueshmëri” ndaj të parave që do të mund të shpienin në “izolim të territoreve të Kosovës” ku jetojnë dhe ku do të jetojnë serbët në bazë të projektit territorial dhe etnik të decentralizimt, duke “ruajtur vartësinë nga Beogradi” dhe  duke “mos e përmbyllur kapitullin” e pozicionimit politik të Serbisë ndaj Kosovës.
Pra, sfidë më vete do të jetë si të vendoset zbatimi i ligjeve unike të Kosovës në ato “pjesë të territorit të Kosovës”, nëse popullata në to do “të vazhdojë të jetë e kthyer me sy e veshë nga Beogradi”, e jo nga “qendra” në Prishtinë(02.02.2008).
77.Misioni i OKB-së në Kosovë (UNMIK), që prej vitit 1999 “synon të krijojë institucionet shtetërore në Kosovë”, edhe pse edhe vetë është ndodhur përballë kontradiktave lidhur me statusin e mandatit të vet.
Në pyetjen se si  “të pajtohen” këto dy skajshmëri, bashkësia ndërkombëtare mund dhe duhet të përgjigjet me kalimin e pushtetit në institucionet e Kosovës dhe, kështu, të përmbush njërin ndër kushtet themeltare për bërjen e shtetit në Kosovë.
“Rezervimi i pushtetit” në duar të bashkësisë ndërkombëtare dhe ushtrimi i një pjese shumë të rëndësishme të tij nga një mision i ri civil ndërkombëtar që do të zëvëndësojë UNMIK-un, do të ngadalësojë dhe vështirësojë bërjen e shtetit në Kosovë.
Pra, vetëm marrja e përgjegjësive të plota nga ana e institucioneve të Kosovës dhe ndërtimi demokratik i tyre do të mund “t’i jepnin kuptimin e plotë” shtetit të Kosovës.
Një problem tjetër që mund të ngadalësojë dhe vështirësojë bërjen e shtetit të Kosovës është ai i dëmtimit të mundshëm të tërësisë territoriale të saj, nëse do të mungojë shtrirja dhe kontrolli i institucioneve të shtetit të Kosovës, qoftë në Veriun e Kosovës, qoftë në “enklavat serbe”, të etabluara si “komuna me shumicë serbe”.
Në bërjen e shtetit, Kosova do të përballet me “një numër rregullash” që, gjithashtu, mund ta ngadalësojnë dhe vështirësojnë atë.
Ato rregulla, në formë parimesh, të përmbledhura në Pakon e Ahtisaarit, dhe të zbërthyera si “të drejta dhe detyra” të institucioneve vendore në ligjet e Kuvendit të Kosovës me të cilat do “të mbikëqyret”pavarësia, nuk i sigurojnë Kushtetutës së Kosovës primatin e “aktit të parë dhe themeltar juridik”, veçanërisht jo të aktit burimor të shtetit me të cilin shprehet vullneti i shtetasve të tij,në kuptimin e  plotë.  
Mungesa e funksionalizimit të shtetit mund të përbëjë sfidën tjetër që mund të ngadalësojë dhe vështirësojë bërjen e shtetit të Kosovës.
Kosova ndien nevojën për shtet funksional, e jo për një shtet të “tipit të Bosnjës”, që funksionon më shumë ngadalësi dhe vështirësi.
Në Kosovë nuk do të mund të qëndronte  një shtet i cili do “të prodhonte” kontradikta politike e shoqërore, por vetëm një shtet ligjor, thellësisht demokratik, në të gjitha përmasat e tij.
Prandaj, në funksionimin e tij, shteti i Kosovës do të duhej të mbështetej në “bërthamën e demokracisë” e cila “balancën e koparticipimit të pakicës demografike” në pushtetin politik, do të mund “ta vendoste me respektimin e realitetit demografik të të gjithë territorit”.
Një shtet që “nuk vishet me sovranitet” kërcënon me rrezikun që të prodhojë dhe të thellojë kundërthënie të ndryshme politike e shoqërore.
Gjendja e sovranitetit, në fakt, konsiderohet si “pavarësi faktike e shtetit në marrëdhëniet politike me shtete tjera”.
Edhe pse sovraniteti sot nuk ka një “vlerë absolute” , çfarë e kishte më parë, atë e karakterizojnë “pavarësia ndaj pushtetit të çdo shteti tjetër”; “mungesa e çdo kufizimi formal për pushtetin shtetëror në nxjerrjen e ligjeve” ; “epërsia e pushtetit shtetëror, në territorin ku ai shtrihet, mbi çdo pushtet tjetër”.
Në të vërtetë, sovraniteti nënkupton kërkesën e shtetit për vetëqeverisje të plotë. Kosova do të përballet me “mungesën e sovranitetit” , të shprehur në tri karakteristikat e tij,  sepse institucionet e saj nuk do të jenë “autoritet i fundmë politik që nuk i nënshtrohen asnjë pushteti më të lartë përsa i përket marrjes dhe zbatimit të vendimeve politike”, duke pasur parasysh një prani, relativisht të fuqishme ndërkombëtare, ushtarake e civile në Kosovë, me fuqi ekzekutive dhe me fuqi të interpretimit të mandatit të vet(02.02.2008).
77.Edhe më parë, madje shumë herët(Revista “E drejta”, Prishtinë,nr.1-2/2003), jemi shprehur skeptik ndaj projektit të decentralizimit dhe jemi deklaruar kundër decentralizimit territorial dhe etnik.
Decentralizimi në Kosovë, “është menduar” të bëhet “me qëllim të integrimit të pakicës serbe në institucione”, por “veshja e tij” me “petkun etnik” kërcënon me rezikun që “të shpie nga   çintegrimi”.
Modeli  i decentralizimit  do të duhej të ishte: shoqërisht i pranueshëm; politikisht i përshtatshëm; profesionalisht racional; organizativisht funksional, dhe, para së gjithash, dhe, mbi të gjitha, etnikisht i hapur.
Pikërisht për shkak të projektit të decentralizimit, të ndërtuar mbi parimin territorial dhe etnik, Mitrovica dhe Veriu i Kosovës, do të mund të përbënin një problem më vete, pavarësisht nga statusi i ri i Kosovës.
Gjendja në terren do të mund të kërcënonte  me rrezikun e “përligjjes së saj”.Nuk do të dëshironim që aty të ndodhte ndonjë “Republika Srpska” tjetër.
Shembulli i Bosnjës është ende shumë i freskët dhe sinjifikativ(02.02.2008).
78.Kosova do të ballafaqohet me problemin e shtrirjes së juridiksionit të institucioneve të saj, qoftë në Veriun e Kosovës, qoftë në enklavat serbe, për shkak “të presionit të pushtetit të Beogradit” për “padëgjueshmëri” ndaj të parave që do të mund të shpienin në “izolim të territoreve të Kosovës” ku jetojnë dhe ku do të jetojnë serbët në bazë të projektit territorial dhe etnik të decentralizimt, duke “ruajtur vartësinë nga Beogradi” dhe  duke “mos e përmbyllur kapitullin” e pozicionimit politik të Serbisë ndaj Kosovës.
Pra, sfidë më vete do të jetë si të vendoset zbatimi i ligjeve unike të Kosovës në ato “pjesë të territorit të Kosovës”(02.02.2008).
79. Mungesa e një rezolute të re të Këshillit të Sigurimit të OKB- së, me të cilën do të zëvëndësohej Rezoluta 1244 e tij do të mund ta ngadalësojë dhe vështirësojë “veshjen e Kosovës” me subjektivitet të plotë politik, juridik- kushtetues dhe ndërkombëtar dhe, për pasojë do të mund të zvarritej gjatë anëtarësimi i Kosovës në OKB, Bashkimin Evropian dhe NATO, që përbëjnë synimet e çdo shteti të ri.
Mungesa e atij subjektiviteti, vetvetiu, do ta bënin pavarësinë, më shumë “të varur” se “të mbikëqyrur”, dhe sovranitetin, më shumë “të synuar” se “të realizuar”(02.02.2008).
8O.Inkosekuencat e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë do të mund të përmblidheshin dhe të sistemoheshin në disa më kryesore:
së pari, në reduktimin e çështjes së Kosovës në dimensionin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut dhe preokupimin me të si “zonë shpërthimi”, pa e shtrirë interesimin e saj për ta kuptuar dhe për ta shtruar atë si çështje e vetëvendosjes së popullit të saj;
së dyti, në përqëndrimin e vrojtimeve të veta në marrëdhëniet aktuale të shqiptarëve e serbëve, pa vra mendjen për çështjen e vjetërsisë dhe të përparësisë së shqiptarëve në këto troje;
së treti, në kualifikimin e çështjes së Kosovës, si “çështje e brendshme e Serbisë”, pa marrë parasysh faktin e pakontestueshëm historik për aneksimin e saj nga ana e Serbisë;
së katërti, në trajtimin e çështjes së Kosovës “në kuadër të temave për minoritetet”, pa u bazuar në faktin se shqiptarët jetonin  në trojet e veta etnike dhe se,as përnga numri, dhe as përnga ndjenja e tyre, nuk ishin dhe  nuk mund të trajtoheshin “pakicë kombëtare”;
së pesti, në moskualifikimin e pozitës së Kosovës në ish-Jugosllavi, si njësi federale e saj, pa analizuar mirë e thellësisht zgjidhjet kushtetuese në aktin më të lartë të këtij vendi të vitit 1974;
së gjashti, në mospërfilljen e vullnetit të popullit shumicë të Kosovës për shtet sovran dhe të pavarur, ndonëse të deklaruar në kushte dhe rrethana të veçanta, pa llogaritur se deklarimi i popullit përfaqëson faktorin suprem për përcaktimin e të ardhmes së tij;
së shtati, në mospërfilljen e aktit të zhbërjes së ish-Jugosllavisë dhe mosndërlidhjen e tij me çështjen e Kosovës, edhe pse, në të vërtetë, populli shqiptar, si popull josllav, nuk kishte  asnjë arsye më shumë, madje se vetë popujt sllavë, që të qëndronte  brenda një krijese artificiale shtetërore me të cilën nuk e lidhnin  as e kaluara dhe as e tashmja;
së teti, në mospërfilljen e së vërtetës se çështja e Kosovës paraqet vetëm një anë të çështjes së pazgjidhur shqiptare, pa u ndërgjegjësuar se as “pavarësia  e Kosovës” nuk do ta zgjidhë çështjen shqiptare tërësisht;
së nënti,në mosnjohjen e “realitetit nacional demografik dhe territorial të popullit (mbi) dymilionësh shqiptarë në Kosovë”, pa menduar se ai realitet as nuk mund as të ndryshohet, as të nënçmohet dhe as të anashkalohet;
së dhjeti, në mospranimin e “individualitetit  historik, gjeografik dhe nacional- strukturor e politik të Kosovës”, pa vra ndërgjegjën se pikërisht ai individualitet është një ndër faktorët më përcaktues për të ardhmen ndërkombëtare të Kosovës (17.02.2008).   
81.Përgjithësisht, u eksperimentua shumë gjatë me Kosovën, kështu që ajo “u vendos në një rreth”, nga i cili , edhe pas përcaktimtit të statusit, “nuk do të dalë  plotësisht ”, e mbërthyer me disa zgjidhje që, në segmente të caktuara, “arsyetojnë posesivzmin serb mbi Kosovën”, edhe pse ai posesivizëm, mbi bazën e argumenteve dhe fakteve të pakontestueshme, nuk e ka bazën e duhur etnike.
Bashkësia ndërkombëtare, për një kohë të gjatë, nuk u tregua një “historiane e mirë” që të mësonte të vërtetën për Kosovën,   sado që edhe e tashmja mjafton të mësohet për të.
Pra, bashkësisë ndërkombëtare iu desht, një periudhë e tërë, që pjesërisht të ndërgjegjësohej,  për t’iu qasur problemit të Kosovës, në përputhje me realitetin e saj, por edhe në përputhje me përgjegjësitë që “ka marrë përsipër” për “t’a dërguar Kosovën në stacionin e duhur”, aty ku e ka vendin dhe ku i takon të qëndrojë(17.02.2008).  
82.Vështrimi dhe trajtimi i Kosovës si “nevojë e decentralizimit” me qëllim “të përballimit të konfliktit shqiptaro-serb” hapi rrugë për “ndërhyrje”  të Serbisë në Kosovë.
Kërkesat e Serbisë për decentralizim u shtruan në kuadër të kërkesave  për ta vështruar dhe shtruar çështjen e Kosovës në rrafshin e “rajonalizimit të saj”, për të mbajtur “lidhjet me Beogradin”, që përbënin  përpjekje “për të dëshmuar” se jeta institucionale në Kosovë nuk mund të ndërtohet “pa lejën e tij”.
Difektet e projektit  të decentralizimit u vërten shumë herërt.U synua  që decentralizimi të identifikohet me ndarjen territoriale; që decentralizimi të  ofrojë territorializim etnik dhe  që decentralizimi të  shpërfaqet me komuna mbi baza etnike, në ç’mënyrë u vu në pyetje  karakteri unik i Kosovës.Qeveria serbe mbështeti idenë për territorializimin e çështjes serbe në Kosovë, prandaj Kosova u ballafaqua  me obstruksionin serb të veprimit të “organeve paralele” dhe të enklavave në baza etnike(17.02.2008).
83.Pa pritur gjykimin e kohës, mund të thuhet se UNMIK-u dhe OSBE-ja,  lejuan procese të paligjshme të cilat nuk  qenë në përputhje as me Rezolutën 1244 dhe as me Kornizën Kushtetuese, sado që të dyja këto dy dokumente, nuk janë akte të favorshme për Kosovën, për të qenë “pikë referimi” në “mbrojtje” të saj(17.02.2008).
84. Nën parolën e UNMIK-ut dhe të OSBE-së se “Ne as nuk përkrahim dhe as nuk i ndalojmë” veprimet serbe, kanë ndodhur shumë “ndërhyrje të Serbisë” në Kosovë dhe në “punët e brendshme të saj” dhe ky fakt nuk mund të injorohet.
Ato veprime kanë prodhuar dhe vazhdojnë të prodhojnë pasoja politike për Kosovën dhe të ardhmen e saj(17.02.2008).
84.Kai Eide, në raportin e tij për Kosovën(2005), me të cilin “u hapen bisedimet” Kosovë- Serbi, qe shprehur, ndër të tjera, se “çështja e Kosovës do të zgjidhet ndryshe nga ajo e ish – republikave të Jugosllavisë”, prandaj dhe ndodhi që Kosova të privohet  nga e drejta që vetë ajo të vendosë për të ardhmen e vet, mbi parimin e vetëvendosjes, me gjithë faktin se kjo e drejtë u takon shqiptarëve të Kosovës, qoftë si e drejtë kombëtare, qoftë si e drejtë e një territori të individualizuar.                                                  
Po në këtë raport, Kai Eide “sugjeroi” autonomi të zgjeruar për serbët e Kosovës, dhe i hapi rrugë “procesit të decentralizimit” i cili, më shumë se “integrimin”, synon “dezintegrimin” e Kosovës(17.02.2008).
85.Kosova priti gjatë propozimin e ish-presidentit finlandez, M.Ahtisaari.
        Me arritjen e propozimit, arritën dhe dilemat rreth tij.
Edhe pse dokumenti la për “të kuptuar” zgjidhjen,  e bëri atë të interpretueshme.
U shfaq droja se një dokument i interpretueshëm, mund “të prodhojë” një “zgjidhje të interpretueshme”.
 
Pjesa tjetër e Planit të Ahtisaarit që “nuk iu referua  statusit” qe shumë e qartë.
Në të vërtetë, Plani i Ahtisaarit përmblodhi statusin e pakicave, veçanërisht atë të pakicës serbe dhe mbrojtjen e interesave të saj.
Kosovës iu kërkua që të hyjë në negociata me Serbinë e hendikepuar, për shkak se  territori i Kosovës nuk ishte ende i unifikuar; për shkak se  Kosova mbahej me Rezolutën 1244 ende e përthekuar; për shkak se në institucionet e përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës ende nuk ishin bartur autorizimet  që ishin premtuar; sepse ato ende vazhdonin të vepronin, në masë të madhe, nga të huajt të kontrolluar.
Kosovës, pothuaj se “iu imponua”, që të diskutojë dhe miratojë projektin e decentralizimit, planin për „trashëgiminë serbe“ dhe kornizat e legjislacionit mbi të drejtat politike të pakicës serbe, në mënyrë të veçantë, si “çështje teknike”, edhe pse që të gjitha ato preknin në çështjet e statusit, çështje këto që u detajizuan në Planin e Ahtisaarit(17.02.2008).
86.Adresimi i statusit të ri politik, juridik – kushtetues dhe ndërkombëtar të Kosovës, shoqërohet me një numër shqetësimesh që mund të paraqiten në lidhje me jetësimin e tij.
E para, është (pa)qartësia e plotë politike dhe legale e statusit.Historia e shteteve mëson, si u tha dhe me një rast tjetër, se një vend ose është ose s’është shtet; ose ka ose nuk ka pavarësi; ose ka ose nuk ka sovranitet. Adresimi i statusit të Kosovës nuk shoqërohet me një kontratualitet  me OKB-në, BE-në dhe NATO-n, me ulëse në OKB, i barabartë me statusin e shteteve të tjera.
E dyta, një prani e theksuar e BE-së në Kosovë, me fuqi ekzekutive dhe me fuqi të interpretimtit të mandatit të vet, mund të krijojë një mentalitet të ri vartësie.
E treta, vështërësimi  i shtrirjes së institucioneve të Kosovës në pjesën veriore të saj.Pavarësia e Kosovës do të kishte kuptim vetëm nëse institucionet e Kosovës do të mund të vepronin dhe të ndikonin edhe në Pjesën Veriore të Kosovës, e cila mbahet e ndarë prej kohës së vendosjes së trupave ndërkombëtare që, nuk përjashton mundësinë, të ketë ndodhur, ndoshta edhe si “pjesë e projektit të asaj vendosjeje të tyre në Kosovë”.
E katërta, mundësia e izolimit të territoreve të Kosovës ku jetojnë dhe ku do të jetojnë serbët, në bazë të projektit territorial dhe etnik të decentralizimit dhe vartësia e tyre prej Beogradit.Pavarësia e Kosovës do të  kishte kuptim vetëm nëse edhe në ato territore do të zbatoheshin ligjet unike të Kosovës dhe nëse ato do të kontrolloheshin prej institucioneve të Kosovës.
E pesta, mundësia e bllokimit të punës së institucioneve të Kosovës, veçanërisht e Kuvendit të Kosovës, me keqpërdorimin e të ashtuquajturit diskriminim pozitiv të minoriteteve , veçanërisht nga ana e pakicës serbe. Pavarësia do të kishte  kuptim vetëm nëse minoritetet faktikisht do të integroheshin në institucione dhe nëse do të pranonin realitetet e reja dhe do të jetonin me to(17.02.2008).
87.Vendosja e Misionit të BE-së në Kosovë, në bazë të Rezolutës 1244, të pashfuqizuar nga ana e Këshillit të Sigurimit, e cila rezolutë, në fakt, komponentë nisësë ka “ruajtjen e integritetit territorial” të RFJ-së(Serbisë), krijon një konfuzion në raportet “pavarësia e mbikëqyrur” e Kosovës, Rezoluta 1244 dhe  Misioni i BE-së.
Me gjithë “shpalljen e pavarësisë”, paqartësitë juridike do ta shoqërojnë Kosovën edhe për një periudhë relativisht të gjatë, përderisa nuk do të rrumbullakohet, përfundimisht, statusi i saj politik- juridik e ndërkombëtar(17.02.2008).
88.Vështirësitë në bërjen e shtetit të Kosovës janë të mëdha dhe ato, në asnjë moment, nuk duhet të nënçmohen.
Të kundërtën, duhet të merren shumë seriozisht, në mënyrë që të përballohen dhe, në një fazë më të gjatë, të mënjanohen.Vështirësitë më të mëdha do të jenë pasojë e ushtrimit të kufizuar të sovranitetit.
Kosova do të jetë e kufizuar në “një numër dimensionesh”që parashihen me Planin e Ahtisaarit.
Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar do të jetë pushtet kryesor përsa i përket zbatimit të çështjeve të “interesit vital” dhe do të ketë autoritete të gjera ekzekutive që do të jenë superiore përballë organeve të zgjedhura të Kosovës.
Sa i përket sovranitetit të brendshëm,që nënkupton organizimin e pushtetit dhe aftësinë e tij për të ushtruar kontrollin brenda shtetit,Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar do të jetë autoritet i fundmë në interpretimin e Planit të Ahtisaarit.
Sfida kryesore do të jetë kontrolli i plotë mbi territorin e Kosovës.UNMIK-u do të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë me mandatin e Rezolutës së pashfuqizuar 1244.Nuk ka mëdyshje se ai do të “rikonfigurohet”, sepse edhe rrethanat e reja në Kosovë, do të kërkojnë këtë prej tij.
Nga ana tjetër,do të kërkohet që EULEX-i “t’i përshtatet” rrethanave që krijohen me vazhdimin e misionit të UNMIK-ut.Në rrethanat e reja që do të krijohen në Kosovë, për shkak të shumësisë së pushteteve dhe të akteve juridike dhe përplasjes së tyre, mund të shfaqen zbrazëti, edhe pushtetesh,edhe normash juridike.
Sëkendejmi, Kosova, edhe për një periudhë, do të merret, nga njëra anë me përpjekjet për shtrirjen efektive të pushtetit, ndërsa, në anën tjetër, me shumë me interpretimin se me ndërtimin e rendit juridik(21.03.2008).
89.Statusi do të duhej që,  në mënyrë shprehimore, të shprehte  pavarësinë e plotë të Kosovës dhe shkëputjen përfundimtare territoriale të saj nga Serbia,por  jo te lumi Ibër, por te kufijtë natyrorë të Kosovës dhe Serbisë  dhe  që kufijtë e shënuar të tyre  të  pranohen  “në nivel ndërkombëtar.”
E vetmja zgjidhje e drejtë do të mund të ishte   njohja e shtetit,  me të gjitha atributet e tij, përfshirë dhe të drejtën që të jetë anëtare e OKB-së dhe e mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë(21.3.2008).    
9o.Vështirësitë në bërjen e shtetit të Kosovës janë të mëdha.Ato janë kryesisht pasojë e ushtrimit të kufizuar të sovranitetit.Eshtë Plani i Ahtisaarit, i përfshirë në Kushtetutën e Kosovës, ai që përbën bazën për kufizimin e sovranitetit. Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar do të jetë autoritet i fundmë në interpretimin e Planit të Ahtisaarit(9.05.2008).     
91.Sfida më e madhe do të jetë shtrirja efektive e pushtetit në gjithë territorin e Kosovës dhe zbatimi unik i ligjit në të.Për pasojë, mund të ndodhë krijimi i një regjimi të veçantë të administrimit për territoret e banuara me serbë.
Paqartësia e autoriteteve mund të krijojë dy realitete paralele të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, me pasojë mungesën e koordinimit të tyre dhe dobësimin e funksionimit shtetëror të Kosovës(9.05.2008).
92.Cilat janë sfidat më të mëdha në Kosovën e pavarur?
Sfida më e madhe:vetë statusi, zbatimi i tij.
Sfidat e tjera janë:
Një, paqartësia e autoriteteve. Kosova edhe për një kohë, do të jetë territor i “shumë  pushteteve”.
Dy, vazhdimi i pranisë së UNMIK-ut,edhe pas vendosjes eventuale)të Eulex-it.
Tre, mbrojtja dhe ruajtja e integritetit territorial dhe shtrirja e institucioneve të Kosovës në veriun e saj.
  Katër, zbatimi i ligjit unik të Kosovës në gjithë territorin e saj.
Pesë,  mundësia e dualitetit të administrimit: një, në Kosovën e banuar me shqiptarë dhe një tjetër, në Kosovën e Veriut dhe në enklavat serbe (30.05.2008).


93.Çfarë pasojash mund të ketë mostërheqja e OKB-së nga   Kosova?
E para, mund të shkaktojë dy realitete paralele të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë.
E dyta, mund të kontribuojë në mungesën e koordinimit  të pranisë ndërkombëtare në Kosovë.
E treta, mund të dobësojë funksionimin shtetëror në Kosovë (30.05.2008).
94.Në Kosovë janë ngadalësuar dhe vështirësuar procese që ishin parashikuar të ndodhnin:
       E para, ishte paraparë largimi i UNMIK-ut dhe kjo nuk ndodhi.
E dyta, ishte projektuar funksionaliteti i shtetit dhe ky nuk po ndodh(31.10.2008).
95.Mostërheqja e UNMIK-ut do të mund të shkaktonte jo vetëm “dy realitete paralele” të bashkësisë ndërkombëtare, por “do t’i kontribuonte mungesës së koordinimit të tyre” dhe, për pasojë, do të mund të rriste shkallën e mosfunksionimit shtetëror në Kosovë.
Për momentin në Kosovë ka përplasje autorizimesh në mes OKB-së dhe BE-së, pavarësisht se për të nuk flitet botërisht.
Në këto rrethana, më së vështiri e kanë dhe do ta kenë institucionet e Kosovës(31.10.2008).
96.Do të ishte e papranueshme për Kosovën po të ndodhte “dualiteti i administrimit” të saj, në mënyrën që për veriun të kishte një formë të administrimit, të mbikëqyrur nga UNMIK-u, ndërsa për pjesën tjetër një formë tjetër të administrimit, të mbikëqyrur nga EULEX-i.
Kjo padyshim  se do të ishte “hyrje” në përligjjen e ndarjes së Kosovës ose “do të sugjeronte” idenë për ndarje (31.10.2008).
97. Deklarata e Piter Fajt se “ nuk do ta vendosim me dhunë EULEX-i në Veriun e Kosovës” është indikative dhe tërthorazi, inkurajon veprimin e pushtetit të Serbisë dhe pamundëson zbatimin unik të ligjit të Kosovës në gjithë territorin e saj që përbën çelësin e problemit.
Të shprehësh se nuk do të ndodhë ndarja, e të mos ndërmarrësh asgjë për bashkimin , flet për një joparimësi të shkallës më të lartë(31.10.2008).
98.Pasi bëri një numër të madh kompromisesh për të arritur një pavarësi të kushtëzuar me  sovranitet të kufizuar, Kosovës tash po i kërkohet nga bashkësia ndërkombëtare që të deklarohet kundër atyre kompromiseve dhe kundër vetvetes dhe të ardhmes së saj.
Plani gjashtëpikësh i Ban Ki Munit është tërësisht i papranueshëm për Kosovën, jo vetëm për shkak se ai, në të vërtetë, paraqet një plan të Serbisë për përfshirjen e saj në rregullimin e brendshëm të Kosovës, por  edhe për shkak të legjitimimit ndërkombëtar të përfshirjes së saj  në garë për pushtet dhe ligj në Kosovë.

Sipas këtij plani, që Bashkimi Evropian negocioi me Serbinë, ai në fakt, pranoi të gjitha kushtet e vëna nga Serbia: e para, që EULEX-i të bazohet në Rezolutën 1244; e dyta, që EULEX-i  të jetë neutral karshi statusit të Kosovës dhe, e treta, që EULEX-i të mos ketë fare të bëjë me Planin Ahtisaari(12.11.2008).

99.Plani gjashtëpikësh duhet të kundërshtohet fuqishëm,  jo vetëm për shkak të anashkalimit të Kosovës në marrëveshje, por në rradhë të parë, se  prapa tij fshehet tendenca për ndarje, jo vetëm në vija administrative dhe politike, por edhe në rrafshin ekonomik, më dëme të mëdha për ripërtrirjen e saj në një zonë shumë të rëndësishme të ekonomisë së Kosovës(12.11.2008).

100.Në vend se të angazhohet për vënien në jetë të një projekti shumë të dëmshëm për të ardhmen ndërkombëtare të Kosovës, bashkësia ndërkombëtare do të duhej të angazhohej që t’i mundësojë institucioneve të Kosovës funksionimin në tërësinë e vet territoriale me një sistem të vetëm juridik që siguron zbatimin unik të ligjit në gjithë territorin e saj.
              
Eshtë koha e fundit që bashkësia ndërkombëtare të mobilizohet për të ndihmuar shtetkrijimin në Kosovë dhe për ta përfunduar atë.

Ndryshe, pasojat mund të jenë shumë të rënda dhe të pariparueshme, si  për të ardhmen e Kosovës, ashtu dhe për  çështjen shqiptare në përgjithësi, pjesë e pandashme e së cilës është Kosova(12.11.2008).