Odisejada me veriun e Kosovës nuk ka të ndalur. Projektet dhe skenaret serbe për këtë pjesë të territorit të Kosovës po dalin gjithnjë e më shumë në sipërfaqe. Ndarja është bërë një realitet të cilit i mungon vetëm përligjja. Në veriun e Kosovës valon një flamur tjetër, intonohet një himn tjetër, flitet një gjuhë tjetër, qarkullon një monedhë tjetër... Përgjithësisht bëhet një jetë tjetër.Institucionet e Kosovës tregohen të pafuqishme për ta ndryshuargjendjen, ndërsa ndërkombëtarët qëndrojnë të rezervuar, sepse ata, më në fund, mbajnë qëndrim neutral edhe karshi statusit të Kosovës. E gjithë kjo trimëron Serbinë për të vazhduar ndërhyrjet në këtë pjesë të territorit të Kosovës.

 

Vrasja e  dy shqiptarëve nga një polic maqedonas këto ditë të fundit nuk përbën lajm, sepse përdorimi i dhunës i maqedonasve ndaj shqiptarëve nuk po ndodh për herë të parë. Dhuna e maqedonasve ndaj shqiptarëve në Maqedoni është sistematike dhe e pandalshme. Nuk është lajm as heshtja e organeve të pushtetit dhe as arsyetimet e tyre kur  flasin për incidentet që ndodhin atje. Edhe kësaj rradhe u tha se nuk bëhet fjalë për konflikt ndëretnik.

Në kohën kur po afrohet 17 shkurti, katërvjetori i bërjes së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran, bashkësia ndërkombëtare po shton presionin mbi Kosovën që të pranojë koncesione të reja në raport me Serbinë, në mënyrë që kësaj të fundit  “t’i hapen dyert” për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ende nuk kanë përfunduar dilemat rreth mënyrës së prezantimit të Kosovës në takimet rajonale.Ndërkohë, qëndron i hapur opsioni i statusit të veçantë për veriun e Kosovës.

Në një shkrim të mëhershëm tërhiqnim vërejtjen për kujdesin që duhet të tregojë pala e Kosovës në bisedimet me Serbinë rreth termave që përdorën për shënimin e vendkalimeve kufitare, me theks se emri  dhe simbolet në vendkalimet kufitare me Serbinë në asnjë mënyrë nuk janë çështje teknike, si mendon t’i paraqesë dikush, por çështje politike dhe atë të rëndësisë së veçantë për Kosovën.Tash po tërheqim vërejtjen për kujdesin tjetër të madh që duhet të tregojë pala e Kosovës në bisedimet me Serbinë rreth termave që do të përdorën në marrëveshjen për pjesëmarrjen e Kosovës në takimet   rajonale dhe mënyrën e prezantimit të saj në to.

Tek dëgjoja folësit nga trojet shqiptare në çeljen e manifestimeve për shënimin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë në Kuvendin e Shqipërisë në datë 17 janar 2012, gjykoja se shqiptarët nuk kanë udhë tjetër, veçse udhën e bashkimit. Prandaj, detyrë parësore e tyre është ndërtimi i një strategjie të veprimit të përbashkët. Ajo strategji do të mund të ndërtohej, nëse do të bazohej në objektivat, në themelësinë praktike, në logjikshmërinë, në arsyeshmërinë, në konzistentitetin, në koheritetin dhe në realshërinë e veprimeve të përbashkëta të shqiptarëve.