Duke shfletuar ditarin 2011

Ndryshe nga Petro Marko që, në “Intervistën me vetvetën”(2000), nuk kishte shfletuar, “as dokumente, as shkresa, as shkrime”, sepse “nuk kishte mbajtur kurrë shënime”, që nuk kishte shkruar “ç’kishte parë e ç’kishte dëgjuar, ç’kishte qarë e ç’kishte kënduar, ç’kishte thënë e ç’i kishin zënë veshët”, ndryshe nga ai, që “i kishte nxjerr nga kujtesa”, e cila “ende nuk e kishte lënë”, mbresat e “jetës së tij”, unë kam ecur nëpër një rrugë tjetër të jetës që, në mos asgjë tjetër, më ka mundësuar që, më lehtë, “t’i nxjerr nga kujtesa”  ngritjet, lëkundjet, përmbysjet dhe shembjet që kanë ndodhur brenda kohës që kam jetuar, sepse kam mbajtur një evidencë, shumë të rregulltë, të përpikët e të vazhdueshme, në formë ditari. Ditëve të pushimit, në ndërrimin e moteve, shfletova ditarin 2011 dhe iu ktheva disa prej ngjarjeve që kisha përshkruar në të.

Në fund të vitit njerëzit këmbejnë urimet dhe, si rregull, i urojnë  njëri-tjetrit “jetë më të mirë”.Si jetuam në vitin që po kalon dhe si do të jetojmë në vitin që po e presim? Kjo është pyetja. Thonë se njeriu jeton, ashtu siç e “meriton të jetojë”. A thua nuk “merituam” të jetojmë më mirë se ç’jetuam? Ndoshta ishim aq shumë “të preokupuar” me jetën, sa që “harruam” të jetojmë.

Mendohet se kurrë nuk është folur më shumë dhe se kurrë nuk është shkruar më shumë se sot. A thua pse? Një e dhënë flet për rritjen e vazhdueshme të “prodhuesve të ideve”. Secili “prodhues i ideve” ka filozofinë e vet të të menduarit. Prandaj, “na bie hise” që të dëgjojmë fjalë nga më të ndryshmet dhe të lexojmë  shkrime nga më të ndryshmet., sepse potencialet e “prodhuesve të ideve” janë, poashtu, nga më të ndryshmet.
Asnjëherë nuk është folur dhe nuk është shkruar më shumë se sot për “fjalën e lirë” dhe asnjëherë nuk është kërkuar më shumë se sot mbrojtja e saj. Por, sa më shumë që flitet dhe shkruhet për “fjalën e lirë” dhe sa më shumë që kërkohet mbrojtja e saj, sikur lihet në harresë keqpërdorimi i saj.

BE-ja bëri bilancin e fundvitit të raporteve Kosovë- Serbi dhe nuk ndau asnjë shpërblim për asnjërën prej palëve negociatore. Kosova nuk qe fare në listë të të shpërblyerve të mundshëm, ndërsa Serbisë iu tha se çmimin “mund ta marrë” në pranverën e vitit 2012, nëse do të ketë një angazhim më të madh në “lojën shtesë” me Kosovën.

Me një shkrim, sado përmbledhës që pretendon të jetë, njeriu e ka shumë të vështirë të flas dhe të thotë gjithë atë që do të duhej të thoshte për  një njeri të madh  me të cilin  e lidhin kujtimet më të mira qysh nga njohja e parë me të. Njohja me të kishte ndodhur në kohën e draftimit të Kushtetutës së Shqipërisë kur, pikërisht me iniciativën e tij, ishte ftuar një grup ekspertësh juridikë nga Kosova që të shprehen rreth zgjidhjeve që ofroheshin në dokumentin më të lartë juridik të shtetit. Nuk ishte ftesë kurtoazie, por ftesë shumë e sinqertë për vendosjen e urave të bashkëpunimit Shqipëri- Kosovë dhe në fushën  e hartimit të akteve kushtetuese. Herën e fundit takimin me te e kisha ne Tetovë kur u zhvillua një debat rreth Enciklopedisë së Akademisë maqedonase të Shkencave dhe të Arteve.