Serbia, me sjelljet e veta kohëve të fundit, sikur ndërgjegjësoi bashkësinë ndërkombëtare për një pozicionim (sa më ndryshe) ndaj kërkesave të saj.  Në të vërtetë, vetëm brenda një dite, Serbia mori dy përgjigje prej bashkësisë ndërkombëtare: të parën në lidhje me kërkesën e saj për të rikthyer gjendjen në kufijtë me Kosovën të para 25 korrikut 2011 dhe, të dytën, në lidhje me kërkesën e saj për një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së rreth zhvillimeve të fundit në veriun e Kosovës. 

Një vendim i Qeverisë së Kosovës që “me mjete legale e ligjore” të shtrihet autoriteti i pushtetit të Kosovës në gjithë territorin e saj “i bëri bashkë” shqiptarët dhe ata folën më “një zë”. Mbështetja që “i erdhi” pozitës nga opozita, por dhe nga shoqëria civile, vërtetoi faktin se prapa një veprimi të drejtë e racional, dallimet në pikëpamje zbehen deri në masën sa që, në të vërtertë, shndërrohen në një qëndim të përbashkët të të gjitha forcave politike dhe shoqërore.Inkurajimi nga ana e Shqipërisë veçsa e rriti “shkallën e unitetit në pikëpamje”.

Edhe pse Kosova qysh në 17 shkurt 2008 kishte shpallur pavarësinë, tek  në 25 korrik 2011 “filloi t’i vie era shtet”. Në të vërtetë, përpjekja për t’i futur nën kontroll dy pikat kufitare, 1 dhe 31, në veriun e saj, shënuan fillimin e shtrirjes së sovranitetit në veri që përbën gurin e themelit të shtetit në kuptimin që i jep atij e drejta ndërkombëtare. Bëhet fjalë për një ditë të shënueshme, sepse shteti serb për 12 vjet rresht e mbante nën kontroll atë pjesë të Kosovës, përkundër instalimit të forcave ndërkombëtare atje.

(Me rastin e paraqitjes së 1050 publike për Kosovën dhe shqiptarët)

Në fokus të shqyrtimeve: analizimi i rrjedhave dhe parashikimi i tyre

Për vite të tëra në periudhën e pasluftës, nuk kam parapëlqyer heshtjen rreth aktualitetit që rrethonte  Kosovën dhe përgjithësisht shqiptarët kudo që ata jetonin. Të kundërtën,kam reaguar, me fjalë dhe me shkrime, pothuajse për çdo ngjarje me interes që ndërlidhej me Kosovën dhe me shqiptarët. Kam parapëlqyer që t’i analizoj rrjedhat, që mundësisht, edhe t’i parashikoj ato; t’i flas së tashmes, ‘duke komunikuar edhe me të ardhmen’. Kam mbajtur parasysh këshillën: koha moderne nuk kërkon prej intelektualit që ai ‘t’ia gjejë asaj kuptimin e vërtetë’, por të kundërtën, për intelektualin është sot çështje sa do të jetë ai  ‘në nivelin e atij kuptimi’. Paraqitjet e mia publike të viteve të fundti dhe të kohëve të fundit dëshmojnë më së miri se sa kam qenë ‘në nivelin e atij kuptimi’. 

Ndonëse shtet i pavarur dhe sovran, që nga 17 shkurti 2008, Kosova ende  bashkëqeveriset. Në Kosovë ka një prani të theksuar ndërkombëtare qe vetvetiu pavarësinë e saj e bën të kufizuar dhe sovranitetin e saj e bën të cunguar. Përveç kësaj, në një pjesë të territorit të Kosovës, qeveria e Serbisë “bën garë” me institucionet e Kosovës për pushtet, ligj dhe kontroll.