Këtyre ditëve, me rastin e 90-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, po organizohen sesione shkencore të rëndësishme dhe manifestime të tjera festive të rëndësishme, për nga përmbajtja,dhe  për nga koha e mbajtjes së tyre.Mirëpo,e konsideruam se gjendja në të cilën ndodhet sot çështja shqiptare,90 vjet prej shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë,e arsyeton një qasje nga një kënd tjetër,më shumë politik se historik,më shumë sintetizues se analizues,më shumë meditues se verbal,më shumë kritik se oportunizues.

 

 

Edhe 90 vjet prej pavarësisë së Shqipërisë,zgjidhja e çështjes shqiptare është me shumë të panjohura.90 vjet prej pavarësisë së Shqipërisë,shqiptarët jetojnë të ndarë në disa shtete.90 vjet prej pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët nuk kanë strategji kombëtare si ta realizojnë aspiratën e tyre shekullore.Edhe 90 vjet prej shpalljes së pavarësisë, çështja shqiptare nuk shtrohet si një dhe  e bashkuar,edhe pse,në fakt, ajo nuk shtrohet prej sot. Çështja shqiptare është shtruar prej se „ekziston Lëvizja Kombëtare Shqiptare“,pra me Rilindjen Kombëtare Shqipatre. Atëbotë,çështja shqiptare shtrohej me qëllimin  themelor “që të krijohej shteti i pavarur shqiptar“,kurse sot çështja shqiptare do të duhej të shtrohej me qëllim që të bashkohet kombi i ndarë shqiptar.

Çështja shqiptare, jo vetëm që nuk është zgjidhur si tërësi,por as në pjesët e copëzuara të saj.Kosova është e lirë,por përfundimisht e paçliruar.Një pjesë e saj nuk mbikëqyret as nga ndërkombëtarët dhe as nga institucionet e Kosovës,ndërsa statusi i saj sugjerohet të zgjidhet në përputhje me Rezolutën 1244,e cila nuk është favorizuese për Kosovën.Marëveshja e Ohrit në IRJ të Maqedonisë,i hapi disa procese që mund të përmirësojnë pozitën e shqiptarëve atje,por nuk i përmbushi të gjitha kërkesat reale dhe të drejtat e tyre.Në Kosovën Lindore „lëvizi guri prej vendit“për “të korrigjuar“statusin e shqiptarëve,por kërcënohet rreziku që të „lëvizin gurët e kufirit“në dëm të tyre.Në Mal të Zi,shqiptarët “u bënë më të zëshëm“,por zëri i tyre sikur ndihet  në „veshë të shurdhër”.Për Çamërinë u tha ndonjë fjalë, por e gjithë sa “ndërgjegje për të larë“. Prandaj duhet të jemi të vetëndër-gjegjshëm për ndërlikueshmërinë e proceseve politike që po zhvillohen në hapësirën shqiptare,për ndërlikueshmërinë e shkaqeve që kushtëzojnë ato procese, si dhe për ndërlikueshmërinë e veprimeve që duhet të ndërmirren për përparimin e gjendjes dhe të pozitës sonë si popull dhe si komb.

Veprimi i parë që do të duhej të bënim është që të ndryshojmë raportet që deri më tash kemi kaluar si popull dhe si komb, në mënyrë që të mos vazhdojmë „të rritemi si popull,e të rrudhemi si komb“.Në lidhje me këtë duhet të kuptojmë ndërvarësinë e të gjitha segmenteve të çështjes shqiptare dhe ndërkushtëzimin e tyre që figurativisht,do të mund të shprehej kështu :pa qenë mirë në Shqipëri,nuk do të jetë mirë as në Kosovës dhe as në Çamëri;pa qenë mirë në Kosovë, nuk do të jetë mirë as me shqiptarët në IRJ në Maqedoni, as në Kosovën Lindore dhe as në Mal të Zi.Duke nxjerrë mësim nga e kaluara jonë do të duhej të vetëndërgjegjësoheshim që jo vetëm të mendojmë,por edhe të veprojmë si një popull dhe si një komb politik.“Të gabosh dhe të mos korigjohesh do të thotë të gabosh në të vërtetë“.Ai popull dhe ai komb që nuk mëson nga historia, është i dënuar që të pësojë sërish.Ndërkohë, zotimet tona sikur ende ju ngjajnë porosive të këngëve folklorike.Kërkoj ndjesë prej lexuesve  që po e ripërsëris vargun që nuk desha ta shkruaj:Në Kosovë dhe në Shqipëri, tetëdhjetë e katër parti;po të bëhej me sharki e me shumë parti, ne shqiptarët të parët në Hënë do të kishim mbërri!(25 nëntor 2002).

Do të  duhej të pushojmë ta fajësojmë historinë dhe Evropën, sepse ato nuk janë fare të kontestueshme.Pyetja që shtrojmë është se kë do të fajësojmë për mungesën e konsolidimit sot.Pse na mungojnë qëndrime të përbashkëta për çështje të përbashkëta? Energjinë krijuese do të duhej ta shpenzojmë dhe ta shterojmë në rrafshin kombëtar, në projekte kombëtare.Për derisa popujt e tjerë shkruajnë memorandume, elaborojnë programe dhe ndërtojnë strategji për të ardhmën e tyre,ne sikur ende pëlqejmë të përçahemi dhe të ndahemi në pikëpamje ideologjike, krahinore dhe konfesionale,edhe pse e kemi plotë gojën bashkim kombëtar.Sikur ende nuk e ndiejmë nevojën të funksionojmë si një tërësi kombëtare, me gjithë kufizimet që burojnë nga ndarjet faktike.Plasaritjetet dhe ndarjet  popullit dhe kombit shqiptar i kanë kushtuar shumë shtrejtë.Kërcënohet rreziku që këto të tashmet t’i kushtojnë edhe më shtrenjtë.

Skenarët me shqiptarët ende nuk kanë përfunduar.Një varg i tërë rrethanash,të brendshme e ndërkombëtare,shtrojnë nevojën për një mobilizim të shtuar kombëtar.Do të duhej të mblidhnim mendjen në projekte kombëtare,sepse skenarët me shqiptarët ende nuk kanë përfunduar. Ende synohen gllabërime të tokave shqiptare,vizatohen harta të reja dhe gjithë kjo ndodhë edhe “para syve të Bashkësisë Ndërkombëtare”,edhe “me miratimin e saj”.Me  çështjen shqiptare u takon që të merren të gjithë shqiptarëve.Ndihet nevoja për  bashkërendimin e veprimeve politike në pjesët e copëzuara të çështjes,në mënyrë që të mos pësojë më tutje tërësia e saj.Ka shumë mundësi të pashfrytëzuara dhe shumë hapësira të lira për t’i përmbushur me projekte të reja.Synim historik i shqiptarëve ishte edhe mbetet bashkimi.Synimi i shqiptarëve përballet me çështjen e kufijve,të cilët nga diplomacia botërore cilësohen si “të shenjtur”.Mirëpo,ka  shembuj shumë domethënës që flasin se kufijtë nuk janë më,sikurse ishin deri dje,të palëkundur.Prandaj,diplomacia shqiptare nuk ka asnjë arsye të heshtë tërësinë e çështjes.

Shqiptarët janë sot në udhëkryqin historik,po sikurse që në udhëkryqin historik që gjendet vetë çështja shqiptare,ende më shumë të panjohura për të ardhmën e saj.E konsiderojmë si një obligim kombëtar ngritjen e plotë,të pandashme,pra të pashkoqur të çështjes shqiptare.Ç’është e vërteta,me ndodhitë e fundit në hapësirat shqiptare sikur tërësia e çështjes sonë po paraqitet në sipërfaqe me shumë mundësi të arsyetimit të saj si një dhe e bashkuar, qoftë nga pikëpamja politike,qoftë nga pikëpamja konstitucionale-juridike. Siç është e njohur,në Ballkan ende nuk është rrumbullakësuar  procesi i krijimit të shteteve kombëtare. Pikërisht shqiptarët paraqesin shembullin më tipik për këtë. Pra,çështja shqiptare do të duhej të shtrohej si një problem real i shqiptarëve të ndarë (Shih për këtë:Giusepe Catapano-Nermin Vlora Falaschi-Skender Rizaj, ”Shqiptarët-popull i ndarë-The Albanians-A Divided Nation,1996).Për shqiptarët nuk ka asnjë fije dyshimi se zgjidhja e vetme e drejtë dhe e plotë e çështjes së tyre është bashkimi kombëtar.Mirëpo,koncepti i bashkimit kombëtar, pra i bashkimit të trojeve etnike shqiptare,u spekulua dhe vazhdon të spekulohet edhe sot e kësaj dite me konceptin e së ashtuquajturës “Shqipëri e Madhe”,me gjithë faktin se “Shqipëria Etnike”as nuk është dhe as nuk mund të konsiderohet “Shqipëri e Madhe”, përveç se,natyrisht,në qarqet diplomatike antishqiptare, në rradhë të parë dhe kryesisht,në ato serbe.Prandaj sugjerojmë që diplomacia shqiptare,duke e shtruar atë me mprehtësinë më të madhe dhe duke e arsyetuar bashkimin e trojeve etnike shqiptare si zgjidhje të vetme të drejtë dhe të plotë, t’i kundërvëhet spekulimit antishqiptar për ta kualifikuar “Shqipërinë Etnike”si Shqipëri e Madhe”(26 nëntor 2002).