Në këtë kongres janë shtruar tema me interes për popuj,shtete dhe kombe në Evropën Juglindore gjatë shekujve.Diskurset teorike për këto tema janë të vlefshme dhe ato mund të ndihmojnë dhe, shpresoj se do të ndihmojnë, për të ndriçuar përmasat e proceseve dhe zhvillimeve në Evropën Juglindore.Shqyrtimet për çështjen e Kosovës, të tashmën dhe të ardhmen e saj, veçsa i rrumbullakësojnë ato diskurse,duke pasur parasysh faktin se në udhëkryqet historike nëpër të cilat po kalon sot çështja e Kosovës,e vështruar si dimension integral i çështjes së pazgjidhur shqiptare,vetëvetiu nxiten  persiatjet mendore për të.


1.Kur bëhet fjalë për Evropën përgjithësisht, komponentë e  parë është ajo e  papërcaktimit të qartë të saj,prandaj në të ndodhin rritje,zhvillime e ndryshime “që nënkuptojnë një ndryshim sistemi ose strukture me kalimin e kohës”.Pikërisht, Bashkimi Evropian paraqet një shembull “të integrimit ekonomik dhe politik rajonal” dhe kanë të drejtë gjithë ata që shprehen se,si organizatë ndërkombëtare, Bashkimi Evropian, kapërcen “caqet e organeve ndërqeveritare dhe ka elemente të rëndësishme të mbikombësisë”.

2.Organizatorët e kongresit e kanë vënë si temë të parë “të madhe” Evropën Juglindore-një koncept gjeopolitik dhe menjëherë pas saj proceset dhe zhvillimet në të.Konceptet janë,si të thuash,”instrumente për të kuptuar zhvillimet”.Gjeopolitika nënkupton “qasjen ndaj politikës”,që vënë në dukje “përcaktimin që i bëhet politikës”.Gjeopolitika është,në fakt,”shprehje e vazhdimësisë në realizimin politik”.Mirëpo,nëse të përkufizosh dukurinë do të thotë të shpjegosh ç’do të thotë vetë fjala dhe se me këtë problemi është zgjidhur,është pikëpamje e gabueshme,sepse përkufizimi i dukurisë është një problem shumë më kompleks,sepse “midis fjalës dhe asaj që tregon ajo,midis emrit dhe objektit,largësia është e madhe”.Prandaj,një sërë studimesh në fushën e politikës dhe të teorisë politike janë përqëndruar në Evropën Juglindore.

3.Edhe pse është më “e parapëlqyeshme”që më shumë të flasim për të ardhmën, se sa për të kaluarën,ia vlen që “t’i kthehemi” historisë politike të çështjes së Kosovës për ta vënë atë në shërbim të ndriçimit të së tashmës dhe të parashikimit të së ardhmës së saj.Në histori janë përgjithësisht të njohura lakmitë e shteteve fqinje ballkanike për t’u zmadhuar në dëm të trojeve shqiptare dhe gjithashtu janë përgjithësisht të njohura programet e tyre që mohonin ekzistencën e kombit shqiptar.Vështruar nga ky kënd,çdo analizë serioze e çështjes së Kosovës do të ishte e mangët pa shqyrtimin paraprak historik të vetë problemit të Kosovës.E theksojmë këtë fakt veçanërisht për shkak se historia politike asnjëherë nuk u doli zot shqiptarëve  dhe qenies kombëtare të tërësishme të tyre.Historia politike e shqiptarëve është,në fakt,histori e ndrydhjes së qenies kombëtare të tyre.Kështu është edhe me Kosovën,si pjesë e copëzuar e çështjes shqiptare.Çështja e Kosovës si njëri,në mos edhe përbërësi kryesor i çështjes së pazgjidhur shqiptare,nuk ekziston prej sot.Çështja e Kosovës u sajua me copëtimin e trungut etnik shqiptar dhe të trojeve të shumicës së tij në Ballkan.

4.Prej atëherë,çështja e Kosovës lidhet me boshtin themelor “të aspirimit të popullit shqiptar të Kosovës që të jetë vetë zot i fatit të tij politik”.Zhbërja e ish-Jugosllavisë i dha “një impuls të ri të fuqishëm në kontekst të ri gjeopolitik” çështjes së Kosovës në Evropën Juglindore dhe më gjerë.Në të vërtetë,dekompozimi i ish-Jugosllavisë e shtroi “në një dritë tjetër institucionale, politike dhe ndërkombëtare” çështjen e Kosovës dhe të ardhmën e saj dhe i dha asaj përmasa ballkanike dhe evropiane.

5.Çështja e Kosovës është sot shumë e rëndësishme për zgjidhjen e udhëve të paqes dhe të bashkëpunimit në Evropën Juglindore dhe më gjerë.”Së fundi”,siç shprehet akademik Gazmend Zajmi,Vepra 1,Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës,Prishtinë,1997,faqe 59,”për të kuptuar rëndësinë e çështjes së Kosovës si sot,si nesër,duhet kuptuar tërë rëndësia e raporteve ndërmjet kombit serb dhe kombit shqiptar në Ballkan,si dy ndër kombet e mëdha në relacione ballkanike,me peshë jo më të vogël se raportet e popujve të tjerë në Ballkan për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin në këtë pjesë të Evropës Juglindore”.

6.Karakteri etnik,historik,politik dhe ndërkombëtar i Kosovës sot e profilizon pozitën e saj politiko-shtetërore nesër.Çështja e Kosovës paraqet,në thelb,çështje të vetëvendosjes.Ajo,në fakt,është,një e drejtë natyrore dhe historike e popullit shumicë të Kosovës e cila duhet respektuar jo vetëm “mbi bazën etnike”,por edhe mbi bazën “e çdo rezoni demokratik”,si e drejtë “e prononcuar edhe në shkallë të së drejtës pozitive ndërkombëtare”.

7.Qëndrimet posesive serbe ndaj Kosovës që i referohen historisë janë të pathemelta,qoftë në aspektin metodologjik të cilësimit të karakterit kombëtar të territorit,qoftë në aspektin e të vërtetës materiale historike,meqë Kosova,me gjithë pohimet me karakter të tillë,nuk është as “djep i popullit serb”,as “djep i shtetit serb”.(Me gjerësisht shih:Dr.Gazmend Zajmi,Dimensions of the question of Kosova in the Balkans,Academy of Sciences and Arts of Kosova,Kosova Information Center, Prishtina,1994).

8.Dosja e ish-Jugosllavisë nuk mund të quhet “e mbyllur”pa valorizimin e drejtë dhe të plotë ndërkombëtar të trungut etnik të Kosovës dhe vullnetit politik të popullit të saj.Ekzistimi i Shqipërisë,si shtet shqiptar,nuk mund të qëndrojë si pengesë për statusin shtet të Kosovës.E vërteta flet për të qenët shtet i të gjitha nacionaliteteve që jetojnë në Kosovë. Përndryshe, ekzistimi i dy shteteve shqiptare në Ballkan përpara do të paraqitej si hendikep se sa përparësi gjeopolitike e popullit shqiptar në Ballkan,duke pasur parasysh aspiratat shekullore  të tij për të jetuar në një shtet të vetëm.

9.Evropës Juglindore i duhen vizione më të thelluara dhe më largpamëse për të siguruar paqen stabile dhe bashkëpunimin midis popujve në të.Zhvillimi humanist i Evropës Juglindore “do të ngelte i gjymtë” pa humanitetin ndëretnik.Ky fakt do të duhej të përbënte komponentën themeltare në vrojtimet për të ardhmën e Kosovës në të.Jo duke “e mveshur”Kosovën me “mantelin e përbashkët” dhe duke e anëtarësuar “pa emër”në mekanizmat evropiane,por duke i krijuar mundësitë e funksionalizimit të shtetit. 

10.Një gjë është shumë e dukshme:mungesa e statusit në Kosovë lë të bllokuara shumë procese zhvillimore dhe “e mban peng Kosovën”.Në Kosovën pa status të përkufizuar,vazhdojnë të bllokohen proceset e tranzicionit,si ato ekonomike, ashtu edhe ato politike;vonohet procesi i privatizimit;vonohet vendosja e parimeve të ekonomisë së tregut;vonohet përkufizimi i qartë i pronësisë; mbahen të kufizuara kompetencat e institucioneve të përkohshme të qeverisjes;mungojnë ligjet që do të funksionalizonin shtetbërjen;pamundësohet integrimi rajonal, kombëtar e ndërkombëtar i Kosovës dhe përgjithësisht Kosova nuk mund të rrumbullakësojë as sistemin ekonomik dhe as atë politik.

11.Gjendja dhe pozita e tashme e Kosovës nuk mund të ngelë dhe të qëndrojë gjatë si e tillë.

12.Kosova trashëgon shumë probleme të një shoqërie postaparteidit,me shumë probleme të tjera nga administrimi mbi pesëvjeçar i UNMIK-ut.Kosovës i mungojnë politikat e zhvillimit dhe,për pasojë,ritmi i jetës ekonomike është shumë i ngadalshëm,ka mungesë të operacionalizimit të politikave.

13.Kosova përballet me kufizime të cilat e vështirësojnë qeverisjen institutucionale.Qytetarët e Kosovës nuk janë as shtetas dhe as qytetarë në kuptimin demokratik të fjalës,për shkak se ata “votojnë për institucione që të drejtën dhe arsyen e ekzistencës së tyre e derivojnë jo nga ato,por nga një autoritet tjetër”.

14.Nëse i kërkojmë jo vetëm shkaktarët e gjendjes,por edhe instrumentët për të përballuar atë,atëherë nuk do të mund të mos theksonim nevojën për ngritjen e cilësisë së qeverisjes,po sikurse edhe të jetesës së përgjithshme;për kultivimin e partneritetit funksional midis UNMIK-ut, në cilësinë e vëzhguesit, dhe të institucioneve vendëse me kapacitete vendimmarrëse;për ndërtimin e mëtejshëm dhe kompletimin e institucioneve demokratike që nuk do të mund të bëheshin pa bartjen e kompetencave të rezervuara të UNMIK-ut në këto institucione;për të kaluar përgjegjësitë në institucionet vendëse për të qeverisur Kosovën;për të siguruar dhe garantuar sigurinë administrative të Kosovës dhe shtrirjen e kompetencave të institucioneve vendëse në tërë territorin e Kosovës; për hapjen e institucioneve, ndërkombëtare dhe vendëse, për qytetarët e Kosovës,në emër të të cilëve dhe për të cilët, veprojnë ato;për të qartësuar synimin e standardeve për Kosovën dhe për t’i ndërlidhur ato me nevojën e funksionalizimit të një shteti sipas kritereve të përparuara evroperëndimore,që nga ndërtimi i institucioneve demokratike, përfaqësimi dhe gjithëpërfshirja e tyre,sundimi i ligjit e deri tek marrëdhëniet e mira fqinjësore.

15.Kosova dhe çështja e saj “prekin një fushë etnike shumë më të gjëra se sa vetë territori i Kosovës dhe popullsia e saj,ndonëse si madhësia e territorit,si madhësia e popullsisë së saj,nuk janë aspak vlera të papërfillshme në krahasim me mjaft shtete në Evropë”.

Vrojtimet përfundimtare

Mbështetur në një mozaik të gjerë argumentesh reale etnike, historike,gjeopolitike,politiko-kushtetuese dhe politiko-ndërkombëtare,  Kosova si rajon dhe si entitet gjeografik, demografik dhe politik,me tiparet e saja etnike,me tiparet themelore rrethore të saj,është një nga nyjat ndëretnike në kuadër të Ballkanit;një nga nyjat gjithnjë më të rëndësishme interetnike në Evropën Juglindore dhe me gjerë,zgjidhja e  drejtë dhe e plotë e së cilës që nënkupton shtetin e pavarur,në kuadër të realiteteve të kohës,konfliktet dhe tensionet ndëretnike do t’ia lënte së kaluarës e historisë,ndërsa humanizmin,miqësinë  dhe respektin midis popujve do t’ia falte së ardhmës.