Kemi hyrë në një fazë të zhvillimit kombëtar ,në të cilën marrim përgjegjësi të madhe për të ardhmen e kombit.Kushtet dhe rrethanat politike,nga të cilat varet e ardhmja e kombit,janë më shumë të panjohura.Para vetes  kemi mjaft detyra,për të cilat,nuk kemi përcaktuar as përparësitë,as bartësit dhe as afatet, për përmbushjen e tyre.Shkrimet e mia të viteve të fundit dhe të kohëve të fundit si kryefjalë të mendimit kishin çështjen e pazgjidhur shqiptare dhe të kuptuarit e çështjes shqiptare si një çështje.

 

 

Çështja shqiptare mund të shtrohet drejtë vetëm si një çështje dhe si një problem  real i shqiptarëve të  ndarë.Kthimi“në historinë e shkrimeve të mia”është,në të vërtetë, kthimi“në historinë e popullit shqiptar”,veçanërisht në historinë politike të tij.Ky kthim nuk është “i rastësishëm”.Megjithë sugjerimet e ndërkombëtarëve që të mos “i kthehemi historisë”,por që “të shikojmë me sy përpara”,kthimi së “kaluarës sonë” është “i themeltë”,me vetë faktin se shqiptarët patën një të kaluar të bujshme, edhe pse historia “asnjëherë nuk ishte në anën e tyre”.Po qe se do ta përmbledhnja me një fjali “të kaluarën e hidhur të shqiptarëve” do të nxjerrnja përfundimin,vërtetë të pakontestueshëm se,“Evropa ose cënoi rëndë tërësinë territoriale të shqiptarëve ose bëri përpjekje që t’i shlyejë ata nga harta gjeopolitike e saj”,edhe pse,as Serbia,as Greqia dhe as Mali i Zi,“nuk kishin mbështetje historike për të përligjur lakmitë e veta ndaj trojeve shqiptare”. Ndodhja e copëtimit të trojeve shqiptare dhe aneksimi i më tepër se gjysmës së tyre u bë nga ana e monarkive fqinje dhe kjo ishte një padrejtësi e madhe që iu bë shqiptarëve,të cilët ishin të pambrojtur,meqë nuk i takonin asnjë familjeje të madhe evropiane.Serbia qe e para që filloi pastrimin etnik që në kohën e luftës ruso-turke të viteve 1877-1878.Ndërsa,pas nënshkrimit të vendimit të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913),qeveritë e Beogradit,Athinës dhe Cetinës,filluan dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike,duke i detyruar të mërgonin në Turqi,sa më larg kufijve të tyre.Edhe pas vitit 1918,Jugosllavia e vazhdoi për dekada me rradhë fushatën e dëbimit të shqiptarëve nga Kosova,Maqedonia dhe Mali i Zi.Ndërkaq,gjatë Luftës së Dytë Botërore,shqiptarëve u premtua,prej aleatëve të mëdhenj,si këtej dhe andej kufirit, respektimi i parimit të vetëvendosjes.Por,pas luftës,procedurat ndodhen ndryshe. Kthimi “në historinë e shkrimeve të mia”,sikurse edhe kthimi “në historinë e popullit shqiptar”është,në të vërtetë,një thirrje që”t’i kthehemi vetes sonë dhe përgjegjësive tona,në mënyrë që të nxjerrim mësim nga e kaluara që të mos pësojmë në të ardhmen si komb”.Ta duash atdheun është gjëja më elementare që kërkohet prej shtetasit shqiptar.Për mungesë të atdhedashurisë,jo vetëm që është  përdhosur  sovraniteti i Shqipërisë,por edhe të qenët e shtetit dhe të kombit shqiptar.Jam me përshtypjen se ne  shqiptarët nuk e kemi  parasysh peshën e problemit që e rëndon sot popullin dhe kombin shqiptar.Përgjithësisht është kjo kohë kur në Shqipëri ndihet nevojë për një rirreshtim forcash në rrafshin kombëtar. Ardhmenia e popullit dhe e kombit shqiptar mund të ndërtohet mbi një strategji të formësuar mbarëkombëtare.Në këtë rrafsh burojnë shumë detyra për diplomacinë shqiptare e cila do të mund të arsyetojë veten vetëm po qe se edhe vetë vepron si një dhe e pandarë.Ndarja  dhe parcializimi i interesave  i ka sjellë dëme popullit dhe kombit shqiptar.Ne ende nuk e kemi vënë në një tryezë çështjen shqiptare.Vetëm po qe se  do ta bënim këtë, do të mund ta ruanim tërësinë e çështjes,pavarësisht nga përcaktimet e tashme të pjesshme të çështjes të cilat do të duhej të vendoseshin “në një bosht me aspiratat gjithëkombëtare”.Shqipërisë i takon të dëshmohet si faktori me më ndikim për pozitën e shqiptarëve në Ballkan.Prandaj,ajo do të duhej fuqishëm të angazhohej jo vetëm për ta vështruar,por edhe për ta shtruar,çështjen shqiptare si një çështje.Pa e bërë këtë Shqipëria, nuk do ta bëjë askush tjetër.Këtu dhe qëndron arsyeja pse shqiptarët ndjejnë nevojën për një Shqipëri më të formësuar  politikisht,më të ndërtuar demokratikisht dhe më të pranueshme kombëtarisht. Një përfundim i veçantë që do të mund të nxirrej nga    meditimet për çështjen shqiptare sot është se “nuk mund të ndërtojmë të ardhmen,pa punuar në të tashmen”.Këtë e kemi për detyrë kombëtare,sepse shqiptarët sot do të duhej të mendonin për shqiptarët nesër.Ky është borxh gjeneratash që duhet ta paguajmë, pa pyetur për çmimin.Në zhvillimet e dekadës së fundit në Europën Juglindore, shqiptarët,që ishin “pjesë e krizës së përgjithshme”,”janë parë si shkaktarë të jostabilitetit dhe kërcënim potencial të paqes dhe zhvillimit në Ballkan”,mirëpo në qarqet politike dhe në qendrat e vendimmarrjes nuk është vrarë sa duhet mendja për shkaqet,sa për pasojat e kësaj gjendjeje,fakt ky që ka stimuluar më shumë se zgjidhjet e përhershme të çështjes shqiptare,marrjen me pjesët fragmentare të saj,duke e lënë kështu të hapur ngritjen e problemit etnik të shqiptarëve.Shqiptarët,edhe në fundshekullin e kaluar,edhe në këtë shekull,shoqërohen me përpjekjet për të dëshmuar orientimin e vet properëndimor.Mirëpo,pozita e   tyre e përgjithshme sot flet se ata nga ato përpjekje ende “nuk kanë  nxjerrë përfitimet sa kanë dashur”.Shqiptarëve ende u mungon pavarësia politike dhe ky fakt nuk u mundëson “që ta rregullojnë jetën e tyre ashtu si duan vetë,për shkak se ende nuk kanë përkrahje konkrete në aspiratat e tyre kombëtare”.Prandaj,kërkohet  një angazhim i shtuar i shqiptarëve në rrafshin politik dhe kombëtar.Nga ai angazhim do të varet edhe fati historik i tyre në të ardhmen.Për të realizuar integrimin e vet në “qytetërimin perëndimor”, shqiptarët duhet të përmbushin shumë kërkesa që shtrohen para tyre,prej asaj të “demokratizimit kombëtar”e deri te ajo e krijimit “të vlerave të shoqërisë civile dhe të shtetit ligjor”.Proceset e tashme politike në Shqipëri,përfshirë aty dhe problemet e shfaqura në lidhje me to,të shoqëruara me shumë dukuri negative,janë bërë digë e fuqishme për integrimin e shqiptarëve në qytetërimin perëndimor.Shumë dukuri negative e kanë vendosur Shqipërinë në “listat e zeza”.Shqipëria është rradhitur në vendet më problematike në botë për shkak të trafikimit të mallrave dhe qenieve njerëzore.Në kohën,përderisa “në Shqipëri problemet janë të shumta e të mëdha”,e“e gjithë kjo ka të bëjë me stabilitetin politik të vendit por edhe me përshtypjen që le Shqipëria në arenën ndërkombëtare”, nuk mund të jetë mirë me shqiptarët,as në Kosovë,as në Maqedoni, as kudo që janë të ndarë dhe të shpërndarë ata.Jetoj me përshtypjen se Shqipëria ende nuk është ndërgjegjësuar për peshën e kohës në të cilën vendoset për fatet e bashkëkombësve të saj.Përgjithësisht, për ne shqiptarët sot shtrohet një pyetje me shumë domethënie:a jemi në gjendje të kuptojmë rëndësinë e momentit historik nëpër të cilin po kalojmë?Dihet se shqiptarët nuk jetojnë në një shtet,si shumica e popujve të tjerë.Ata sot e kanë shtetin që përfshin vetëm gjysmën e popullsisë shqiptare në Ballkan.Një periudhë shumë të gjatë kohore ata janë të ndarë në disa shtete të Ballkanit dhe të privuar  nga të drejtat themelore kombëtare.Shqiptarët janë të ndërgjegjshëm se”e vetmja zgjidhje e drejtë e çështjes së pazgjidhur shqiptare është bashkimi kombëtar”. Mirëpo,sot shtrohen shumë pyetje në lidhje me shqiptarët në proceset e reja politike në Evropën Juglindore,ndër të cilat edhe ajo se çështja shqiptare paraqet çështje komplekse dhe të rëndë për zgjidhje të drejtë të saj.Pikërisht aty qëndron arsyeja që,në mungesë të kontributeve konkrete se si të arrihet deri tek ky synim shekullor i shqiptarëve,ata në këtë fazë të zhvillimeve në rajon,së paku të angazhohen për shpërfaqjen e çështjes shqiptare si një dhe të bashkuar  dhe të argumentojnë,si në gjerësi,ashtu dhe në thellësi, favoret e saj.Ç’është e vërteta,shpërfaqja e çështjes shqiptare si një tërësi paraqet argument më vete për faktin se shqiptarët në hapësirën e ish-Jugosllavisë jetojnë në trojet e tyre etnike,të shkëputura padrejtësisht nga trungu kombëtar.Shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe krijimi i shteteve të reja prej ish-republikave të saj,me të cilat shtete,në fakt,u krijua një realitet i ri në Ballkan,nuk paraqet rrethanë rënduese për pozitën e shqiptarëve, por të kundërtën.Prandaj,politika shqiptare e ka për detyrë që,me forcën e argumenteve,të arsyetojë të drejtën historike dhe etnike për trojet shqiptare në të cilat ata jetojnë,sikurse që e ka për detyrë që,po me atë forcë të argumenteve,të flasë  për popullin e ndarë më dysh,e jo për “Shqipërinë e Madhe”,sintagmë kjo që,në qarqe të caktuara,në të shumten e herave proserbe,përdoret sa herë që pretendohet  t’i bëhet një qasje e drejtë çështjes shqiptare dhe nevojës së trajtimit të saj si një tërësi.Çështja shqiptare ende nuk njihet si çështje kombëtare e një populli të ndarë padrejtësisht. Prandaj,politika shqiptare duhet të hulumtojë udhët që shpiejnë në kuptimin e drejtë të problemit shqiptar.Vetëm në atë mënyrë mund të krijohen parakushtet për ta shtruar drejtë çështjen e pazgjidhur shqiptare dhe për të arsyetuar faktin se zgjidhja e drejtë e çështjes shqiptare ka rëndësi jo vetëm për popullin shqiptar,por edhe për gjithë popujt e Ballkanit si dhe për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë në rajon.Në Ballkan ende vizatohen harta të reja.Nuk shuhen orekset për gllabërime të reja të tokave shqiptare.Politika shqiptare do të duhej të aftësohej që të kuptojë ato skenare dhe që të veprojë si një “tërësi e pashkëputur”.Të vetëdijshëm se përballen me çështjen e pazgjidhur kombëtare,shqiptarët në angazhimet e veta për integrimet gjithëshqiptare,njëkohësisht duhet të angazhohen që shoqërinë shqiptare  ta shpënë kah integrimet euroatlantike.Zgjidhjet e tashme të pjesshme të çështjes shqiptare ata i konsiderojnë vetëm si “zgjidhje kaluese”,prandaj ata do të duhej që të angazhoheshin që ato zgjidhje “të mos i mbyllin udhën”zgjidhjes së plotë të saj.Pikërisht për këtë,ata do të duhej të hartonin  një program strategjik afatgjatë në të cilin do të parashiheshin udhët, kahet dhe mundësitë e avansimit të çështjes shqiptare drejt  zgjidhjes së saj të plotë.Ai program do të duhej të shtrihej në të gjitha fushat e jetës dhe do të duhej të kishte pikënisje integrimin e shqiptarëve  dhe krijimin e mundësive për ecjen e tyre drejt bashkimit kombëtar.Në ecjen e tyre përgjatë këtyre proceseve,ata do të duhej që të angazhoheshin për sundimin e ligjit,për demokracinë politike,për ekonominë e tregut,parime këto që do të mund të përshpejtonin përfshirjen e tyre në proceset integruese në Evropë.Integrimet brendashqiptare do të duhej të ishin “çelës”i hapjes së përbashkët të dyerve në integrimet euroatlantike.Ajo që do të duhej të ndërmerrnin shqiptarët sot do të duhej të ishte “ecja me kohën”,e jo ecja pas kohës ose jashtë kohës.Vetëm “ecja me kohën”do të mund t’u siguronte shqiptarëve ndërmarrjen e veprimeve më racionale,më efektive dhe më perspektive për qenien e tyre si popull dhe si komb.Problemet me të cilat përballet sot çështja shqiptare kërkojnë prej shqiptarëve që,në mos asgjë tjetër, për këtë fazë,atëherë së paku,të bëjnë ”lidhjen e fijeve të shkëputura”të tyre.Nevoja  “për të vepruar të bashkuar”është një imperativ i kohës.Veprimi i bashkuar i shqiptarëve do të mund “të parandalonte” miratimin e kërkesave për sakrifikimin e interesit kombëtar të popullit shqiptar “për shkak  të paqes ballkanike”.Veprimi i bashkuar i shqiptarëve do të mund “të kundërshtonte” kushtëzimin që i bëhet atyre për integrim ndërkombëtar “me pranimin e status quosë së çështjes shqiptare”.Më në fund,veprimi i bashkuar i shqiptarëve do të mund “të mos pranonte”imponimin e zgjidhjeve hibride në Kosovë dhe të pafavorshme për shqiptarët,qoftë në Maqedoni,qoftë në Kosovën Lindore dhe në Mal të Zi,zgjidhje këto që do “të mbyllnin”udhët për zgjidhje të drejtë të çështjes shqiptare në përgjithësi.Të mos harrojmë se hapësira etnike shqiptare është një njësi kombëtare,  historike, gjeografike,  ekonomike e kulturore.
Unë e di se “Një fjalë e mirë mund të ngrohë tre muaj dimër”,por e di edhe atë tjetrën se “Më lehtë është të mbash fjalim, sesa të mbash fjalën”.E ardhmja jonë,si popull dhe si komb,nuk do të varet nga fjalime të mëdha, të zjarrta e patriotike,por nga zotime,angazhime e këmbëngulësi të mëdha për t’i bërë  ato realitet.Duhet t’i çojmë gjërat “deri në fund” dhe t’i lëmë që ato “të bërtasin vetë”.Nëse do të bëhemi të fortë,forca jonë “do të flasë vetë”.Nëse do të tregohemi të dobët,”fjalët nuk do të ndihmojnë dot”.Sado që “guri ka lëvizur prej vendit”,me hapjen e çështjes së Kosovës,lëvizjet  në gjithë hapësirën shqiptare nuk janë në përputhje me realitetin që na rrethon,sepse e vërteta flet se ende nuk është mirë,as në Shqipëri dhe as në Kosovë,as me shqiptarët në Maqedoni dhe as me shqiptarët në Mal të Zi…,as në Preshevë,Bujanoc e Medvegje.Për Çamërinë thuhet ndonjë fjalë,sa “ndërgjegje për të larë”.Jam i ndërgjegjshëm se popullit më së lehti mund t’i shitet “diçka që flet për atë që i pëlqen”.Prandaj,sot më së shumti mund të shitet ndër ne zotimi me të cilin “nuk do të lejojmë që të ndodhë …  ” diçka që,në të vërtetë,mund të ndodhë,nëse veç nuk po ndodhë.E para,sado që në deklaratat e organeve,partive dhe liderëve në Shqipëri “mësojmë se nuk ka ndarje dhe përçarje ndërmjet tyre”,ato janë fakt.E dyta,sado që në deklaratat e organeve,partive dhe liderëve në Kosovë ka zotime se “nuk do të lejohet as ndarja dhe as enklavizimi i Kosovës”,ato janë fakt.E treta,sado që në deklaratat e partive dhe liderëve të shqiptarëve në Maqedoni ka angazhime “për unifikimin e veprimit”, ndodhin përplasjet,madje edhe vrasjet brendashqiptare dhe ato janë fakt.Nuk do të vazhdoj as me deklaratat tjera dhe as me faktet tjera,por do të përpiqem që të vrajë ndërgjegjën e organeve,partive dhe liderëve shqiptarë,për mobilizim kombëtar dhe arritje të një konsensusi brendashqiptar për veprimet e mëtejshme.Nëpërmjet të ndërgjegjësimit të tyre ata,në fakt,do të ndërgjegjësoheshin për momentin historik,në të cilin ndodhemi dhe për faktin se “mbajmë në duar tona fatet tona”.Mendoj se vërtetë është kohë e fundit për “këndelljen kombëtare”të krerëve të politikës shqiptare për të dëshmuar gatishmërinë “për t’u marrë vesh”.Në kohën kur Shqipëria,po sikurse edhe Kosova,po përballen me vështirësi,nga më të ndryshmet,mungojnë hapat konkretë dhe veprimet konkrete.Në mungesë të nismave konkrete vazhdojmë të jetojmë sikur të ishim “dy botë”që i “mjaftojnë vetevetes”,sillemi si të ishim pesë popuj dhe sikur të kishim pesë çështje.Sikurse në Shqipëri,po ashtu dhe në Kosovë,mungon implementimi i reformave institucionale dhe,për pasojë,Shqipërisë “I LARGOHEN DYERT E EVROPES” dhe Kosovës “I ZVARRITET PROCESI I NDERTIMIT TE SHTETIT ME VETE” dhe bashkësia ndërkombëtare sikur ka “formuluar qëndrimin për shqiptarët”se “as nuk janë në gjendje ‘të mbajnë shtet’ dhe as nuk janë në gjendje ‘të bëjnë’ shtet”.  Megjithë idetë,mendimet dhe pikëpamjet e ndryshme që mund të kenë për rrugët e daljes nga një “gjendje në rreth”,shqiptarët do të duhej të arrinin një “minimum uniteti”për “veprimet e përbashkëta”,të ndërgjegjësuar se skenaret me ta ende nuk kanë përfunduar,prandaj ata nuk guxojnë “të shtiren”se me ta dhe për rreth tyre sikurse nuk po ndodhë asgjë.Mund “të shprehem dakord” që “të mos dramatizojmë”ngjarjet në Shqipëri dhe në Kosovë,por nuk mund të miratoj ngurrimet e forcave politike,si në Shqipëri,ashtu dhe në Kosovë,që të mos reagojnë,në mënyrë adekuate,në ndodhitë me ta dhe për rreth tyre.Kur kemi parasysh gjendjen faktike në hapësirën shqiptare dhe përballjen e çështjes shqiptare me rreziqe të mundshme,një konsensus shqiptar bëhet i domosdoshëm “për të dalë si popull dhe si komb i konsoliduar në përpjekjet për ta mbrojtur palcën kurrizore të tij”.Konsensusin  shqiptar e konsideroj të nevojshëm për shkak të ndërtimit të një strategjie kombëtare konkrete dhe të zbatueshme për të përballuar gjendjen në të cilën jemi gjendur si popull dhe si komb.Rrethanat e tashme politike në Ballkan nuk janë të qarta.Përgjithësisht,raporti momental politik i forcave në hapësirën e ish-Jugosllavisë dhe në Ballkan nuk e qartëson shthurrjen e konflikteve të mundshme në të.Edhe pse mund të ndryshojnë kushtet, rrethanat, interesat, motivacionet dhe pikëpamjet e Fuqive të Mëdha evropiane në aspektin global të politikës ndërkombëtare,kur është fjala për këtë pjesë të Evropës,nuk duhet pritur as ndryshime të mëdha dhe as ndryshime të shpejta në hartën gjeografike të saj.Pa ndryshime të mëdha në hartën gjeografike të Ballkanit,siç kemi deklaruar edhe më parë,çështja shqiptare do të vazhdojë  të jetë e hapur dhe e pazgjidhur.Zhvillimi i ngjarjeve politike në Ballkan do të kushtëzohet, nga dy grupe faktorësh:një,nga zgjimi politik i popujve të Gadishullit dhe dy,nga shtrirja aty e interesave dhe rivaliteteve të Fuqive të Mëdha.Nga kjo ndërvarësi nuk mund të bëjë përjashtim as çështja shqiptare.Shpërbërja e ish-Jugosllavisë ka nxjerr në pah çështjet e pazgjidhura kombëtare në këtë pjesë të Evropës,veçanërisht ka nxjerrë në pah çështjen e pazgjidhur të kombit shqiptar. Prandaj, çështja shqiptare në përmasat ballkanike kërkon përfillje të veçantë. Në të vërtetë,çështja shqiptare kërkon përfillje adekuate,me përgjegjësi të plotë historike e politike,kërkon vetëdijësimin e plotë ndërkombëtar për pozitën kombëtare të shqiptarëve sot dhe për falsifikimin e historisë së tyre nga pushtuesit fqinjë.Shqiptarët nuk duhet të vëhen “para aktit të kryer”që “të miratojnë” kërkesat për sakrifikimin e interesit kombëtar të popullit “për shkak të paqes ballkanike”.Në zhvillimet e reja politike në këtë anë të Evropës shqiptarëve u duhet mundësuar integrimi kombëtar i tyre.Integrimi i tyre mund të jetë “çelësi”,jo vetëm i krijimit të lidhjeve më të fuqishme të tyre,por edhe i paraqitjes së përbashkët të tyre në integrimet evropiane dhe veriatlantike.Edhe  pse nga historia”kishim nxjerrë mjaft mësime”se Evropa nuk ishte angazhuar,as globalisht dhe as pjesërisht,për ta zgjidhur çështjen shqiptare;së paku,për t’i korigjuar padrejtësitë në dëm të saj;edhe pse politika e Evropës në  lidhje me krizën në ish-Ju-gosllavi nuk ishte treguar e suksesshme;së paku,jo në lidhje më Kosovën dhe shqiptarët në hapësirën e saj; edhe pse angazhimet e Evropës nuk kishin dëshmuar gatishmërinë e saj për të preventuar gjendjen e rëndë në Kosovë dhe në hapësirat e tjera të banuara me shqiptarët në ish-Jugosllavi,ne sikur na kishte kapluar iluzioni se çështja  jonë do të zgjidhet shpejt,madje në përputhje me vullnetin tonë.Iluzionet e krijuara se çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare do ta zgjidhin të tjerët ,sollën si kundërpeshë zhgënjimin në popull.Subjektet e përgjegjësisë  së lartë ndërkombëtare priten që me Kosovën dhe me shqiptarët të merren pasi  “shpërtheu lufta”.Ato nuk u treguan të suksesshme as me diplomacinë preventive,dhe as me diplomacinë e presioneve.Ndërgjegjësimi ndërkombëtar arriti bashkë me atmosferën e ethshme në Kosovë dhe për rreth saj.Me ndërhyrjen e trupave të NATO-s dhe me kontributin e luftëtarëve të lirisë,Kosova “u lirua”,por përfundimisht nuk u çlirua.Më vonë, ndodhi Kosova Lindore,ku gjendja “u qetësua“,por nuk u përmirësua.Ndërkohë, shpërtheu konflikti në FYROM.Edhe aty gjendja “u relaksua”,por pozita e shqiptarëve nuk u avansua.Gjithë kjo flet se shqipëtarët janë ende në udhëkryq,në të cilin gjendet edhe vete çështja shqiptare, me plotë të panjohura për të ardhmen e saj.Prandaj,një varg i tërë rrethanash,të brendshme dhe të jashtme,shtrojnë nevojën për një mobilizim të shtuar kombëtar brendashqiptar.Diplomacisë shqiptare i rekomandojmë që çështjen  shqiptare ta vendosë mbi një tryezë.Vetëm në atë mënyrë dhe me atë kusht do të ruhej dhe do të mbrohej tërësia e çështjes shqiptare,megjithë përcaktimet e tashme të pjesëshme të cilat do të duhej të lidheshin më një bosht të përbashkët.Ruajtja dhe mbrojtja e tërësisë së çështjes shqiptare do të duhej të ishin bazament i çdo përcaktimi  kalues të shqiptarëve.Padyshim se do të ndihet nevoja që,në ecje e sipër,të bëhen plotësime të përcaktimeve të pjesshme,në mënyrë që të mos pësojë tërësia e çështjes shqiptare si një dhe e bashkuar;që edhe vete diplomacia shqiptare të ndërtohet dhe të konsolidohet si një tërësi,po sikurse që edhe vete çështja shqiptare që përben një tërësi.Vetëm në atë mënyrë dhe me atë kusht do të mund të mënjanoheshin mundësitë që “në emër të interesit të pjesëshëm”të dëmtohej” interesi i përgjithshëm;që të nxiteshin  dhe të kultivoheshin  integrimet brendashqiptare në shumë fusha të jetës.Vetëm në atë mënyrë dhe më atë kusht do të mund të krijoheshin urat e bashkimit  shpirtëror  të shqiptarëve,si pararendëse të formave të tjera të bashkimeve të tyre.