Gjendja me shqiptarët kudo që ndodhen nuk është pa shqetësime.Ajo gjendje është si mungesë e konsolidimit kombëtar.Edhe pse kanë një gjuhë, shqiptarët nuk përdorin një fjalor.Në mungesë të projekteve të përbashkëta,ata i mjaftojnë “vetvetes”.Në mungesë të vizionit për të ardhmen,ngelin “peng i së kaluarës”.  

Politika që bëjnë sot shqiptarët është më shumë e shthurrur se sa e thurrur,më shumë e ndarë dhe e copëtuar se sa e ngjitur dhe e bashkuar,po sikurse që të tilla janë trojet shqiptare.


Ajo që dhemb është mungesa e strategjisë “për të ecur bashkë të ndarë”,në kohën kur në Ballkan ende kryqëzohen interesat nga më të ndryshmet,kur skenarët me shqiptarët ende nuk kanë përfunduar,kur ende vizatohen harta në dëm të tyre.
Gjëja tjetër që dhemb është se hapësira shqiptare nuk është “e rrethuar me fqinjësi të mirë”.
Shqipëria ka nevojë për demokraci,si “për bukën dhe ujin”. Sa më shpejtë që vendoset rendi demokratik  në Shqipëri,aq më shpejtë do të krijohen kushtet që çështja shqiptare në përgjithësi dhe ajo e Kosovës në veçanti të vështrohen dhe të shtrohen si interes kombëtar.Në Kosovë,një kohë tjetër,një botë tjetër kërkon.Një botë tjetër kërkon një forcë që e nxjerrë nga gjendja në të cilën ka rënë.Ekonomia dhe zhvillimi duhen të jenë alfa dhe omega e asaj force.Heret është thënë se pa stabilitet ekonomik,nuk ka stabilitet politik.Këtë askush nuk e ka demantuar deri më sot.
Shqiptarët në Maqedoni sikur “ndihen më mirë”të ndarë se të bashkuar dhe kjo u shkon për shtati sllavomaqedonasve që jetën me shqiptarët ende më shumë e konsiderojnë si fatkeqësi se si fat.
Shqiptarët në Kosovën Lindore vazhdojnë të “sillen në rreth të mbyllur”,pa përkrahjen e bashkombësve në pjesët e tjera të trungut.
Shqiptarët në Mal të Zi “iu gëzuan pavarësisë së vendit”,pa përfituar “asgjë për vetën e tyre”.
Ata në Camëri nuk po i  përmendim sa “ndërgjegje për të larë”.
Ardhmenia e kombit nuk mund të ndërtohet pa një strategji të veprimit të përbashkët.Konica shkruante me dhimbje “se tragjedia si komb e shqiptarëve fillon te kulti i tyre për heroizmin vetjak,duke mos vlerësuar domosdonë në kohët moderne të heroizmit të bashkuar si një popull i vetëm”.Sa afër që jemi,sa larg. Një porosi për fund:të veprosh i pabashkuar,nuk është produktive;të bashkohesh pa vepruar,nuk është e efektshme.Pra,të ecim bashkë me të tjetër,e jo vetëm kundër të tjerëve.