Dje shqiptarët iu (ri)kthyen historisë,një të kaluare të bujshme,por të hidhur.Iu (ri)kthyen “me sy përpara”,jo për ta harruar atë,por për të mos e shijuar të hidhurën e saj.U përballën me pyetjen më të pakëndshme për ta:si “të jetojnë bashkë” të ndarë për gjashtë ?(Ri)kthimi historisë së tyre është vetvetiu një thirrje për ta (ri)shkruar atë,sepse historia e popullit shqiptar pjesërisht ende mbahet “e shkrirë” në historinë e shteteve që sundonin në trojet e tij ose në historinë e marrëdhënieve me popujt e tyre fqinjë.Dje shqiptarët festuan 94 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë,por të cilës Shqipëri: të Shqipërisë së 1912-tës apo të Shqipërisë në të cilën jetojnë sot?Natyrisht se Shqipëria e 1912-tës mbetet objektivi i tyre.

 

Këtij objektivi ata i (ri)kthehen për çdo 28 Nëntor,pa vra mendjen për mënyrën dhe udhët e përmbushjes së tij që në fazën e parë,domosdoshmërisht do të thoshte “ecjen bashkë”,e jo ndaras prej njëri-tjetrit.Një gjë që duhen ta kenë parasysh është se ata në këtë rrugëtim të gjatë mund të mposhten nëse do t’u mungojë “qëndresa e përbashkët”,në lidhje me të cilën po kujtoj një mendim të Konicës se “tragjedia si komb e shqiptarëve fillon te kulti i tyre për heroizmin vetjak,duke mos vlerësuar domosdonë në kohët moderne të heroizmit të bashkuar si një popull i vetëm”. Prandaj,shqiptarët duhet të vetëdijësohen që  kryefjalë e mendimit të tyre politik të kenë të kuptuarit e çështjes shqiptare si një çështje dhe jo sjelljen e tyre sikur të ishin gjashtë popuj dhe të kishin gjashtë çështje!Eshtë 28 Nëntori që përpara tyre kërkon të përgjigjen në,më së paku këto tri pyetje:e para,sa janë të angazhuar për integrimet brendakombëtare?;e dyta,sa kanë kuptuar se pa integrime brendakombëtare nuk mund të kenë as integrime rajonale dhe as ndërkombëtare?;e treta,sa kanë përhapur idenë se pretendimet e tyre nuk shpërthejnë kufijtë e hapësirës së tyre etnike?Shqiptarëve u mungon strategjia mbrojtëse kundruall shpifjeve të fqinjëve të tyre për një “Shqipëri Etnike”apo “Natyrale”?Politika e bashkimit kombëtar për asnjë komb nuk është quajtur dhe nuk quhet “shtetomadhe”,përveç se për shqiptarët.Nuk janë quajtur “shtetomadhe”as “Naçertania”e serbëve dhe as “Megalideja”e grekëve që,në thelb,përbëjnë “doktrina tipike”të “Serbisë së Madhe”dhe të “Greqisë së Madhe”.Shqiptarët duhen të ecin nëpër një proces të konsolidimit të tyre të brendshëm dhe këtë nuk e kanë vetëm për detyrë,por edhe për borxh kombëtar.Ata duhen të jenë të ndërgjergjshëm se çështja shqiptare nuk është zgjidhur as si tërësi dhe as në pjesët e copëzuara të saj.Cështja e Kosovës është shkëputur nga tërësia,por fatet e saj varen prej tërësisë,po sikur që tërësia varet prej saj. Prandaj,zgjidhja e paralajmërua e statusit të Kosovës,veçanërisht poqese do të prodhojë ndarje dhë nëndarje të reja të shqiptarëve,nuk e përmbyllë kapitullin e zgjidhjes së çështjes shqiptare.Cdo zgjidhje e çështjes së Kosovës nuk mund të jetë tjetër vetëm se kalimtare;mund të jetë “zgjidhje e balancuar e kohës”,por jo dhe zgjidhje përfundimtare.Nëse shqiptarët  këtë nuk e theksojnë sa herë që flasin për çështjen shqiptare,atëherë së paku nuk duhen ta harrojnë çdo 28 Nëntor,ditën e vetme kur ata bashkohen pavarësisht nga ideologjitë,krahinat dhe konfesionet.Kushtet dhe rrethanat nga të cilat varet e ardhmja e kombit shqiptar nuk janë të pandryshueshme.Ato variojnë në kohë.Një kohë tjetër një botë tjetër do të kërkojë.Ajo që nuk duhen të lejonin që t’ju ndodhë brenda kohës është që të mos rriten si popull,e të tkurren si komb.