Ruajta e tërësisë së çështjes shqiptare,me gjithë përcaktimet e tashme të pjesshme të saj,paraqet detyrë mbi detyrat tona kombëtare. Prandaj,vendosjen e çështjes shqiptare mbi një tryezë e konsiderojmë si një veprim të parë të rëndësishëm të mbrojtjes së tërësisë së saj,në kohën kur nga njëra anë,po rritemi si popull dhe,nga ana tjetër,po rrudhemi si komb,në kohën kur ende po sugjerohen zgjidhje të pjesshme të çështjes sonë që edhe më shumë mund ta cungojnë tërësinë e saj.E konsiderojmë si një obligim kombëtar ngritjen e plotë,të pandashme,pra të pashkoqur të çështjes shqiptare dhe ç’është e vërteta,me ndodhitë e fundit në hapësirat shqiptare sikur tërësia e çështjes sonë po paraqitet në sipërfaqe me shumë mundësi të arsyetimit të saj si një dhe e bashkuar dhe atë,qoftë nga pikëpamja politike,qoftë nga pikëpamja konsitucionale-juridike.Siç është e njohur,në Ballkan ende nuk është rrumbullakësuar  procesi i krijimit të shteteve kombëtare.Pikërisht shqiptarët paraqesin shembullin më tipik për këtë.

Këtyre ditëve, me rastin e 90-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, po organizohen sesione shkencore të rëndësishme dhe manifestime të tjera festive të rëndësishme, për nga përmbajtja,dhe  për nga koha e mbajtjes së tyre.Mirëpo,e konsideruam se gjendja në të cilën ndodhet sot çështja shqiptare,90 vjet prej shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë,e arsyeton një qasje nga një kënd tjetër,më shumë politik se historik,më shumë sintetizues se analizues,më shumë meditues se verbal,më shumë kritik se oportunizues.

Për diplomacinë shqiptare nuk është dhe nuk duhet të jetë kjo kohë e heshtjes, por është dhe duhet të jetë kohë e fjalës

Detyrat më të mëdha dhe me më përgjegjësi shtrohen për diplomacinë shqiptare. Po qe se ajo deri më dje “ka heshtur” pozitën e shqiptarëve jashtë kufijve të tashëm administrativë të Shqipërisë, këtë nuk mund dhe nuk duhet ta bëjë edhe sot. Diplomacia shqiptare do të duhej  në mënyrë aktive “të përkujdesej” për fatet e shqiptarëve të shkëputur “nga trungu kombëtar”. Ajo do të duhej që,më në fund,të kuptojë “se nuk ka fqinjësi të mirë në Ballkan”,por të kundërtën,ajo do të duhej të ruhej prej kurtheve të vendeve fqinje.Prandaj,për diplomacinë shqiptare nuk është dhe nuk duhet të jetë kjo kohë e heshtjes,por është dhe duhet të jetë kohë e fjalës.