1.Edhe pa pritur gjykimin e kohës,mendoj se vepra dhe personaliteti i Ibrahim Rugovës do të zënë një vend të çmuar në historinë më të re politike të Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi,me gjithë pikëpamjet e rezervuara dhe të kundërta për veprën dhe personalitetin e tij që janë dëgjuar dhe që do të dëgjohen,veçanërisht pas vdekjes së tij,nga taborre politike dhe intelektuale.Ai do të mbahet në mend për qëndrimin e tij prej njeriu që,në emër të tolerancës,”nuk u përplasë”me asnjërin që mendoi ndryshe prej tij.

 

Ndoshta e ardhmja do t’i përgjigjet më së miri pyetjes se cila ishte vepra e Ibrahim Rugovës dhe se cili ishte ai vetë.Vepra e Ibrahim Rugovës mishërohet me përpjekjet e popullit shqiptar të Kosovës për të mbrojtur palcën kurrizore të tij dhe për të kërkuar identitetin e fuqishëm politik të tij,ndonëse në një rrugë e cila sikur nuk premtonte shumë dhe,e cila,me luftën çlirimtare u mbindërtua.Ndjekja e  rrugës politike dhe të dialogut  e  profilizoi personalitetin e Ibrahim Rugovës prej politikani të paqes dhe të tolerances,të mirësjelljes dhe të durimit,por para së gjithash, të besimit për një të ardhme që mund të vonojë,por që,sado vonë,do të arrijë.Në emër të durimit,ai dëgjoi dhe,në parim,u soll sipas këshillave që i bënë miqët e tij ndërkombëtarë,veçanërisht amerikanët;po sikurse që do të mbahet në mend për guximin e tij prej intelektuali për të qëndruar në krye të një lëvizjeje të shqiptarëve në kohë shumë të liga për ta.

2.Situata politike pas vdekjes së Ibrahim Rugovës mbetet me shumë të panjohura.Ai e la Kosovën në momentet më dramatike dhe më kritike të saj njëkohësisht,kur të thuash,më shumë se vetes, i duhej Kosovës,për të mos lënë një rrëmujë në skenën politike të saj,me mundësi për të prodhuar pasoja të pariparueshme,po qe se zhvillohet një garë e egër për pushtet,qoftë brenda “partisë së tij”,qoftë në rrafsh me të gjerë politik.    Kosova mund të mposhtet nëse do t’i mungojë “qëndresa e përbashkët”.Nuk do të dëshiroja që rruga e nisur të përfundojë me “heqjen e kafshatës prej gojës”.Për “ta gëlltitur”duhet bërë shumë përpjekje e sakrifica.

3.Se a do të ndiqet dhe se a duhet të ndiqet “rruga e Rugovës”do të varet nga shumë rrethana që do të krijojë e ardhmja dhe nëpër të cilat do të kalojë Kosova.
Sidoqoftë,vdekja e tij nuk do të ndryshojë kursin kah realizimi i pavarësisë së Kosovës,si solucion i vetëm i drejtë për të ardhmen e saj.
Kthesa mund të ndodhë nëse procesi i njohjes së pavarësisë ngadalësohet,vonohet,vështirësohet ose pamundësohet.Nuk përjashtoj mundësinë,madje parashoh  që kërkesat për të realizuar pavarësinë e plotë të Kosovës do të radikalizohen në rast të hezitimeve të qendrave ndërkombëtare për të vendosur një status të tillë për Kosovën.

Do të dëshiroja që Kosova të ecë e bashkuar.Vetëm e bashkuar ajo nuk do të befasohet nga të papriturat.Udhëheqjes së re i duhet më shumë afri dhe miqësi.Të sillesh armiqësisht ndaj tëndit është njësojë sikur “t’i vësh zjarrin shtëpisë sate”.