Tridhjetepesë vjet më parë,në vitin 1970,doli para studentëve të vitit të parë të Fakultetit Juridik të Prishtinës një djalosh që,me fjalat e para,përfitoi auditorin e madh.I ri,po me qëndrim burri,asistent,po me dukje profesori, demonstrues, po me përgatitje ligjeruesi.Ishte ky Bardhyl Çaushi.

 

U lind me 15 gusht 1936 në Gjakovë.Në vendlindje e kreu shkollën fillore,ndërsa në Prishtinë atë të mesme.Mbaroi studimet për drejtësi në Universitetin e Shkupit.Ishte ndër studentët më të dalluar,me prirje të profesionistit që,shumë i ri ”do të ndajë drejtësi”,më parë si gjyqtar në Gjykatën Komunale të Gjakovës,mandej në atë të Qarkut në Pejë,për të përfunduar  karierën gjyqësore si kryetar i Gjykatës Komunale në Gjakovë në vitin 1969,kur u shkarkua nga pushteti serb.Mirëpo,ai u riorientua  në  thellimin e njohuritë  nga fusha e shkencave juridike. Studimet pasuniversitare i kreu në Universitetin e Beogradit,kurse për doktor të shkencave juridike u promovua në Universitetin e Zagrebit.

Ushtroi detyra me rëndësi brenda dhe jashtë Fakultetit Juridik të cilit i priu si dekan në periudhën më sfiduese të tij me regjimin serb.Ishte kryetar i parë i Shoqatës së Pavarur të Juristëve të Kosovës.Ia doli që të afirmohet edhe si veprimtar politik.Me fillimin e punës në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, filloi edhe veprimtaria e tij botuese që,për nga vëllimi nuk është e madhe,po për nga rëndësia shumë e vlefshme.”Shkurorëzimi për shkak të jetës së padurueshme të bashkëshortëve”ishte shkrimi i tij i parë serioz,i botuar në Revistën “Përparimi”(nr.6-1970)që e profilizoi si një studiues që i ka pasion traditën dhe zakonet.Bardhyl Çaushi, në disa prej shkrimeve të veta të mëvonshme,i bëri një vështrim me interes historiko-krahasues autonomisë së vullnetit dhe interpretimit të kontratave dhe “doli në sipërfaqe”si një analist i thellë i problemeve nga fusha e të drejtës civile të cilës,në fakt,i takoi,sepse në shumë artikuj dhe studime trajtoi aspekte të ndryshme të  së drejtës së parablerjes sipas së drejtës zakonore shqiptare;kontratës së dorëzanisë në të drejtën romake;kontratës së huasë sipas të drejtës romake;kontratës së shitblerjës në të drejtën romake,etj.

Bardhyl Çaushi mbahet në mend si një studiues i besës, të cilën e kualifikoi ndër mbështetjet e vazhdimësisë iliro-shqiptare.Besës iu referua nga domethënia e vetë “fjalës të dhënë për diçka të rëndësishme”, kuptimi dhe qëllimi i saj si “premtim që jepet me dëshirë dhe me sigurinë se do të mbahet”deri tek “fjala e nderit për të plotësuar medoemos një detyrim që  merret përsipër”.Në paraqitjet e veta e afirmoi në mënyrë të veçantë “besën shqiptare”dhe “në emër të saj”u dallua si veprimtar në faljen e gjaqeve në rrethin e Gjakovës dhe me gjerë,me ç’rast arriti të pajtojë shumë familje që vuanin nga një brengë e kohës.Bindja në “çiltërinë e ndershmerinë e tij” ndihmoi shumë familje që të shtrijnë “dorën e pajtimit”,duke i kontribuar drejtpërsëdrejti “besëlidhjes”që në vitet e nëntëdhjeta u ngrit në një lëvizje me përmasa shumë të mëdha në të gjitha viset shqiptare,veçanërisht në Kosovë.
Arsimimi juridik i Bardhyl Çaushit shkrinte në vete qoftë arsimimin si informacion,qoftë arsimimin si kompetencë që,do të thotë se ai nuk ishte vetëm i inoformuar për të drejtën në përgjithësi dhe të drejtën romake në veçanti,po ishte dhe njohës kompetent i tyre.Bardhyl Çaushi e kishte kuptuar shumë herët se “zotërimi i njohurive nga e drejta romake parakupton informacion”,po e kundërta jo:informacioni nuk jep në vetvete atë dituri “që siguron të kuptuarit e problemit”,prandaj dhe,në një moshë më të shtyer se kolegët e tij,iu përkushtua punës shkencore.Sfidë të madhe e kishte hartimin e tekstit universitar nga “E Drejta Romake”.Nuk u vonua,po e kuptoi si detyrë që “nuk kapërdihet lehtë”.Ndihej “i hendikepuar”me respektin që i bënte figurës së madhe të profesorit të tij,Ivo Puhan,dhe vepres së tij të papërsëritshme nga “E Drejta Romake”,të cilën e shqipëroi dhe u la studentëve si “një kujtim të paharrueshëm”.Por,me këtë rast,i sugjeroj familjes së të ndjerit dhe përgjegjësve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës që të bashkërendojnë veprimet në botimin e dorëshkrimit në përfundim nga “E Drejta Romake”të profesor Çaushit.

Bardhyl Çaushi shquhej me zërin e matur,ndonjëherë edhe qortues,për padrejtësitë që ndodhnin me shqiptarët,me theksin e mprehtë dhe fjalën përmbajtësore, argumentuese dhe bindëse,njëkohësisht.E mbaj në mend si njeriun e epur për të mësuar për drejtësi,po edhe më të epur për të ligjeruar për të.E mbaj në mend si njërin ndër profesorët më elokuent të Fakultetit Juridik dhe të gjithë universitetit tonë.Nuk është vetëm e drejta romake që e kishte “pajisur me dije”të sekuencave latine,po është prirja e zhvilluar e tij për t’i përdorë “aty ku e kanë vendin”.”Citatet latine”,shprehej profesor Çaushi,i përkasin “bibliotekës së urtësisë”dhe të gjithë juristët “duhet të kalojnë nëpër të”.E pëlqente shumë thënien e Senekës:”Aliena vitia in oculis habemus,a tergo nostra sunt”.

Ballafaqimi me të vërtetën përherë është treguar i hidhur.U tregua edhe me rastin e kumtimit të lajmit se profesor Çaushi,si qindra e mijëra viktima të “mbajtura peng”në Serbi,nuk është ndër të gjallët.Besimi në të pamundshmën u tregua i pathemeltë dhe si të ishte i themeltë kur dinim se kishim të bënim me një regjim që ndoqi,torturoi,vrau dhe masakroi njerëz të pafajshëm dhe të cilëve,pa të drejtë,”iu dha ofiçin”e terroristit,edhe pse më asgjë nuk u dëshmua se ata kishin bërë ndonjë vepër të dënueshme.Kështu ndodhi edhe me profesor Çaushin,njeriun që të tjerët i mësoi për  drejtësi, e vrau padrejtësia.

Ngushëllim i vetëm për profesor Çaushin mbetet kujtimi për të.Nënshkruesi i këtij përkujtimi impresionohej me besimin e madh që kishte në të ardhmen e Kosovës, të cilën nuk e priti,po mban në mend edhe  shprehjen e ndonjë zhgënjimi me rrjedhat e kohës për të cilat përfundonte se “do të bëhet mirë”.Do të bëhet mirë tha edhe ditën kur me 9 korrik 1991 morëm informatën për ndërprerjën e marrëdhënies së puënës në Fakultetin Juridik,me një arsyetim të çoroditur juridik(lexo politik)se “pa arsyetim mbajmë mësimin dhe provimet”dhe se,”në vazhdimësi kundërshtojmë masat e ndërmarra nga organet e autorizuara serbe”.Iu përgjigjesha me atë “latinën e tij”:Per multum cras omnis dilabitur aetas(“Koha kalon në përsëritjen e vazhdueshme të fjalës:nesër,nesër”.

Dëshiroj që këtë fjalë përkujtimore për një koleg dhe mik ta përfundoj me dy sentenca latine,jo vetëm për shkak se profesor Çaushi i përdorte me vend dhe i theksonte kuptueshëm,po për shkak se ato,ndoshta,do të mund të shprehnin “lehtësimin”e ndarjes  prej tij:1.Amicitiae immortales, mortales inimicitiae esse debent(Miqësitë duhet të jenë të pavdekshme, e armiqësitë të vdekshme);2.Nemo sua sorte contentus est(Askush nuk është i kënaqur me fatin e vet).