Sot përkujtojmë emrin dhe veprën e Gazmend Zajmit, me rastin e dhjetëvjetorit të vdekjes


Vrojtimet hyrëse

Njohës i shkëlqyer i sistemeve politike,analist  i thellë i rendeve konstitucionale, dijetar  në fushën e gjuhës dhe kombit,historian i çështjes shqiptare,mësimdhënës e pedagog ndër më të mirët,kreator i dokumenteve me vlerë për Kosovën dhe të ardhmen e saj,eseist politik,me formë të veçantë të shprehjes dhe me mendim dhe rezonim të themeltë shkencor.

Kështu do të mund të përshkruhej,në mënyrë përmbledhëse, figura e Gazmend Zajmit dhe prirja e tij e lindur dhe e zhvilluar për t’u profilizuar në studiues të pasionuar,me kulturë të gjerë,me rreptësi të shkencëtarit,me sens të profesionistit dhe me qartësi të idesë dhe të këmbënguljes së depërtimit të gjerë të saj.

 

Krijimtaria e Gazmend Zajmit është e gjerë dhe shumëdimensionale.    Ne që përmblodhëm veprën e tij,e sistemuam në pesë fusha:shqyrtime kushtetuese-juridike;refleksione politologjike; studime dhe ese për gjuhën dhe kombin;reagime dhe polemika dhe paraqitje publike në Universitet dhe Akademi,dy institucione të larta,të cilat i administroi me rendiment të lartë.               
Shqyrtimet tij kushtetuese-juridike zbuluan talentin prej studiuesi të shquar të sistemeve kushtetuese – juridike krahasuese;refleksionet e tij politologjike nxorën në sipërfaqe prirjen e tij prej një analisti të rrallë të fenomeneve politike;studimet dhe eset e tij për gjuhën dhe kombin shpaluan aftësinë e tij prej një lëvruesi të thellë të pozitës së gjuhëve në rrafshin kushtetues-juridik komparativ dhe prej një projektuesi të teorisë së kombit;reagimet dhe polemikat e tij e afirmuan sensin prej një reaguesi dhe polemisti me ton dhe theks të mprehtë politik,ndërsa udhëheqja nga ana e tij e Universitetit dhe Akademisë e maddhëruan emrin e tij prej një drejtuesi,i cili këto dy institucione i orientoi në ujëra kombëtare dhe ndërkombëtare.                
1.Edhe pse në fokus të trajtesave të tij ishin shqyrtimet kushtetuese-juridike të çështjes së Kosovës,Gazmend Zajmi e quajti, me të drejtë, të merret me kontinuitetin historik të saj.Historia e çështjes është e pashmangshme për çdo analist të problemit të Kosovës.Kësaj fushe Gazmend Zajmi i qaset me fakte dhe argumente dhe për te flet në mënyrën më bindëse. 
Statusin e Kosovës Gazmend Zajmi e vështron si një dimension të çështjes shqiptare në Ballkan.Cështjen e Kosovës,sikurse edhe çështjen e shqiptarëve në ish-Jugosllavi,i trajton në dy këndvështrime:si çështje të barazisë së plotë politiko-institucionale të popullit shqiptar në ish-Jugosllavi dhe si çështje të unitetit kombëtar shqiptar në Ballkan.Duke konsideruar se këto dy opcione,nga aspekti teoriko-shkencor,”nuk janë në kundërshtim njëra me tjetrën”,ai pohon se “ ato paraqesin opcione komparative të zgjidhjes së çështjes shqiptare në Jugosllavi,ku vlerësimi real dhe përparësia praktike e njërës apo qasjes tjetër,njërit apo solucionit tjetër,varet nga kushtet konkrete gjeopolitike dhe historike”.Megjithatë,sipas tij,”nuk ka kurrfarë dyshimi se uniteti kombëtar shqiptar,nëpërmjet rrugëve demokratike të një rendi të ri të organizimit dhe të integrimit të Evropës,ka përparësi parimore”.Lidhur me këtë përkujton se “gjithsaherë ka qenë e drejtë natyrore e çdo populli të jetojë bashkë,ose të paktën të tentojë të jetojë bashkë,në hapësirën unike shtetërore-kulturore dhe natyrisht në territorin unik” .Në këtë frymë shkruan se “sikur vetëdija evropiane dhe vetëdija e gjithë shteteve në to të ishte në nivelin më të lartë të pranimit të vullnetit të lirë të popujve që të ndjekin parimin etnik me konsekuencë …”,”kishte për të qenë tejet i natyrshëm dhe i drejtë opcioni i bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës,si dhe i trevave të tjera me shumicë etnike shqiptare…” Mirëpo,meqë sot për sot ende nuk ekziston një Evropë e tillë,e aq më pak,siç shprehet Gazmend Zajmi,një Ballkan i tillë,zgjidhja më e balansuar sot e çështjes së Kosovës,do të ishte zgjidhja ndërkombëtare që do ta pranonte dhe do ta garantonte Kosovën si shtet të ri të pavarur evropian…” 
Duke mbështetur fuqishëm pavarësinë e Kosovës,Gazmend Zajmi thekson këto argumente në favor të saj:së pari,strukturën etnike të Kosovës,me shumicë dominante demografike shqiptare;së dyti,vullnetin politik të popullit shumicë të Kosovës,të shprehur nëpërmjet mekanizmave institucionale demokratike të Kosovës;së treti,të drejtën për vetëvendosje të popullit shumicë shqiptar në Kosovë,e cila i takon edhe si e drejtë e vetëvendosjes kombëtare edhe si e drejtë e vetëvendosjes së popullatës së territorit të individualizuar; së katërti,mosqenien e Kosovës në përbërjen e Serbisë,as me rastin e lindjes dhe konstituimit të njësisë federale të Serbisë,në kuadër të konstituimit të federalizmit të Jugosllavisë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe menjëherë pas saj;së pesti,Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të Kosovës të datës 2 korrik 1990,me vendimin në kuadër të saj,për të dalë nga struktura komplekse kushtetuese e Serbisë;së gjashti,qenien e Kosovës me status të njësisë konstitutive të ish-Jugosllavisë;së shtati,dekompozimin e ish-Jugosllavisë;së teti,mosmarrjen pjesë të Kosovës,me asnjë akt konstitucional të saj, në themelimin e Federatës serbo-malazeze(do t’i shtonim edhe të Unionit Serbi-Mali i Zi);së nënti,mosndryshimin e kufijve,meqë edhe Kosova kishte kufijtë e saj interfederalë që nuk mund të ndryshoheshin pa pëlqimin e saj,sikurse që edhe kufijtë e jashtëm të ish-Jugosllavisë nuk mund të ndryshoheshin pa pëlqimin edhe të Kuvendit të Kosovës.
Duke pohuar “se si Serbia,ashtu edhe Kosova,kishin,në esencë,një pozitë të barabartë konstitucionale dhe plotësisht të pavarur nga njëra –tjetra në funksionimin e shtetit,dikur të përbashkët,në aspektin konstitucional”, raportin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës e sheh si”raport më vete që meriton vështrim të veçantë si makroproblem ndëretnik”. Nisur  nga premisat fundamentale të filozofisë politike mbi marrëdhëniet ndëretnike, të cilat i ka njohur në thelb,me shumë të drejtë e shtron pyetjen se“si mund të jetë fati politik i një populli çështje e brendshme politike e një populli tjetër”,aq më parë nëse Kosova përbënte dhe përbën një tërësi etnike,politike dhe territoriale.Populli autokton në Kosovë,me koncentrim të lartë etniko-territorial,Kosovën e profilizon dhe e përcakton,siç shprehet Gazmend Zajmi,si territor të gjerë,me individualitet të fuqishëm demografik,politik dhe kombëtar dhe,i njëjti fakt,sipas tij,”në transverzalën e tij makroekonomike,territorin e Kosovës e dallon dhe e ndan plotësisht nga territori i Serbisë.

Në një dritë të re e vështron çështjen e Kosovës pas dekompozimit të ish-Jugosllavisë që nënkupton zhbërjen e saj. Kosova dhe populli shqiptar në përgjithësi,sipas Gazmend Zajmit,parimisht janë dhe,realisht,duhet të jenë, subjekt i vetvetes,”subjekt i vendosjes për fatin e vet historik në rrethana të reja historike,sipas principit të vetëvendosjes kombëtare,i cili si e drejtë i takon si kombit,ashtu dhe pjesës së kombit parimisht,ndërsa, parimisht dhe praktikisht, pjesës së kombit,i cili paraqet shumicë territoriale etnike në një rrip të pandërprerë tokësor të shumicës etnike”.                

2.Duke studiuar çështjet ndëeretnike në Ballkan dhe,në këtë kuadër çështjen e pakicave kombëtare,Gazmend Zajmi përqafon një filozofi të re politike ndaj pakicave dhe,në mënyrë të veçantë,ndaj gjuhëve dhe shkrimeve të tyre.Kam pasur fatin të marrë pjesë në mbrojtjen e disertacionit të tij të doktoratës dhe,me atë rast,të dëgjoj vlerësimin më të lartë të mundshëm të jurisë profesionale,për kontributin e tij shkencor nga kjo fushë e mendimit të tij.Si njeri “me mendje në gjuhë”bëri shqyrtime vërtetë të thella shkencore dhe magjepsi jurinë me përfundime të themelta dhe të padiskutueshme.Në këtë pjesë të fjalës sime po shkoqis edhe një fragment nga një paraqitje e tij në konferencën ndërkombëtare ”Pakicat në territorin e Jugosllavisë së mëparshme,rastet e Kroacisë dhe Serbisë”,që dëshmojnë për refleksin e zhvilluar të tij politologjik,me ç’rast, qysh në fillim të fjalës së tij, theksoi se”Në këtë Konferencë marrë pjesë vetëm në cilësi të punëtorit shkencor që merret me teorinë kombëtare,me çështjet ndëeretnike dhe,në këtë kuadër,edhe me çështjet e pakicave kombëtare;pra nuk marrë pjesë në nomenklaturën e përfaqësuesve,e aq më pak hiq e hiq si përfaqësues i ‘pakicës kombëtare shqiptare’,meqë shqiptarët në Kosovë nuk janë pakicë kombëtare,por janë popull-popull nën okupim”-ishin këto fjalë të argumentuara mirë e mirë prej Gazmend Zajmit.

3.E theksova më heret se reagimet dhe polemikat e Gazmend Zajmit e afirmojnë sensin prej një reaguesi dhe polemizuesi me ton dhe theks të mprehtë politik.Në vëllimin e katërt dhe të fundit të veprës së tij janë përmbledhur reagimet dhe polemikat.Duke iu bërë një analizë të thellë politologjike rrjedhave në Kosovë dhe me gjerë,në lidhje me shqiptarët, Gazmend Zajmi është autor dhe koautor i shumë nismave për vlerësimin e kushtetutshmërisë së akteve ligjore,me të cilat janë bërë shkelje evidente të lirive dhe të të drejtave kombëtare të shqiptarëve në fushën e realizimit të barazisë së gjuhëve dhe të shkrimeve;në fushën e përdorimit të toponimeve gjuhësore;në fushën e zbatimit të politikës popullative;në fushën e realizimit të mësimit të gjuhës shqipe në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë etj.Vlen të theksohet se në të gjitha këto nisma,si nga aspekti i teorisë kushtetuese,ashtu dhe nga aspekti i praktikës komparative të gjyqësisë kushtetuese,është mbrojtur qenia kolektive e shqiptarëve nga dërrmimi i lirive dhe të drejtave kombëtare në aktet kushtetuese dhe ligjore  të caktuara.

4.Gazmend Zajmi u angazhua për shndërrimin e Universitetit të Prishtinës dhe të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës prej vrojtuesve pasivë në subjekte aktive të jetës politike në Kosovë dhe me gjerë.Duke qëndruar në postet e rektorit të Universitetit dhe të kryetarit të Akademisë,bëri shumë për njohjen sa më të gjerë të opinionit,të brendshëm dhe të jashtëm,me të vërtetën tonë.

Jam i ndërgjegjshëm se është shumë vështirë të thuhet me një fjalë,sado përmbledhëse qoftë ajo,gjithë ajo që do të duhej të thuhej për veprën e Gazmend Zajmit.Gazmend Zajmi nuk ngelë në periferi të trajtimit të asnjë problemi me të cilin merret.Përkundrazi,mendimi i tij është i thellë për secilën temë veç e veç, të cilat bashkërisht, përbëjnë anatominë dhe fiziologjinë e çështjes së Kosovës dhe të shqiptarëve. Këndvështrimet e tij të çështjes së Kosovës janë gjithëpërfshirëse dhe analitike.Eshtë me interes të veçantë që ai çështjes së Kosovës i qaset në dimensionin e saj ballkanik,si njërës nga transverzalet e çështjes më komplekse shqiptare,por në shqyrtimet e veta nuk e le jashtë tërësinë e saj,me gjithë larmërinë dhe ndërlikueshmërinë me të cilën ajo paraqitet dhe mund të paraqitet për zgjidhje të drejtë.                

Në ligjërimin e tij nuk ka trajtim të sipërfaqshëm,por ka qasje studimore.Konkluzionet të cilat i nxjerrë, në lidhje me fenomenet që i studion, janë konçize,e porositë që dalin nga to, janë fare të qarta,madje edhe sugjeruese për veprimin praktik të subjektit politik shqiptar në kohë dhe rrethana të caktuara.                

Fjalia e tij është e ngjeshur,me përmbajtje të plotë dhe e argumentuar mirë,kështuqë studiuesve të saj i lënë hapësirë të mjaftueshme për shqyrtime,edhe pse ndonjëherë nuk mund të bëjë më shumë se një përfolje të thjeshtë me qëllim të shkoqitjes së mendimeve dhe pikëpamjeve të tij në lidhje me temën e shtruar,duke dashur që ta ruaj deri në fund dhe me korrektësi autonominë e mendimit apo të pikëpamjës së tij.                

Gjuha dhe stili që përdorë Gazmend Zajmi në shkrimet e veta janë të llojit të veçantë dhe të një niveli të lartë,jo vetëm shkencor,por edhe artistik,për aq sa janë të llojit të veçantë dhe të një niveli të lartë shkencor e artistik punimet e tij përgjithësisht.               

Vrojtimet mbyllëseShqyrtimet e Gazmend Zajmit,pa marrë parasysh kohën e lindjës dhe krijimit të tyre,paraqesin kontribut të rëndësishëm për mendimin shkencor në Kosovë dhe me gjërë.Ai kohës së vet mjaftë i ka thënë dhe mjaftë i ka lënë.                

Kritika e një vepre nuk mund të jetë tjetër përveç se deklarim për vlerën e saj.Njeriu bëhet kritik jo vetëm kur ta ketë analizuar vlerën e një vepre,por edhe kur ta ketë zbuluar atë.Ai ka shkruar që “t’i shkëpusë  nga vetja mendimet,idetë,pikëpamjet.Këtë nuk ka mundur ta bëjë ndryshe veçse duke e depushtuar vetën në të mirë të kauzës kombëtare.               

Vepra e tij flet më së miri se Gazmend Zajmi kishte zgjedhur një detyrë jetësore që t’i dalë zot çështjës së kombit të vet.Ai me kohë kishte vërejtur se detyrë mbi detyrat e intelektualit dhe shkencëtarit shqiptar është që energjinë e vet krijuese ta shpenzojë edhe ta shterojë në të mirë të kauzës kombëtare.                

Vepra e Gazmend Zajmit i bën nder kombit,po sikurse edhe emëri i tij të cilin po e përkujtojmë me rastin e dhjetëvjetorit të vdekjës.                

Nuk ia vlen që të përsëritësh fjalët që i ke shqiptuar njëherë,por sot, më duket se, ia vlen të përsëris atë që kam thënë me rastin e vdekjës së tij.                 

E kisha thënë me rastin  e vdekjes së Gazmend Zajmit,në rrethin e familjës së tij:ai nuk vdiq papritmas;papritmas e morëm lajmin për vdekjën e tij;në të ishin mbledhur vuajtjet e një populli të pambrojtur,e Gazmendi nuk mund t’i përjetonte ndryshe prej tij;në të ishin mbledhur ndrydhjet e qenies së një kombi të ndaluar,e Gazmendi nuk mund t’i ndiente ndryshe prej tij;në të ishin mbledhur presionet në trurin e ngritur shqiptar,e Gazmendi nuk mund të ndahej prej tij.                

E kisha thënë me rastin e vdekjes së Gazmend Zajmit,në rrethin e kolegëve të tij:ai ishte një dhe i pari ndër ne;aty ku ne merrnim fjalën,atij i takonte ta thoshte kryefjalën;aty ku ne mbanim referate,atij i takonte të mbante kryereferate.                

E kisha thënë me rastin e vdekjes së Gazmend Zajmit,në rrethin e studentëve të tij:edhe pas tij do të ligjërojnë docentë dhe profesorë,por të  gjykojnë dhe të shprehen si ai,do ta kenë zor.               

Gazmend Zajmi është orvatur dhe ia ka dalë që,me sukses të përballojë vështirësitë gjatë shkrimit të së vërtetës,sipas një mendimi të shfaqur të Berholt Brehtit.E para,”ai që dëshiron të luftojë gënjeshtrën dhe injorancën,duhet të ketë guxim të shkruaj të vërtetën, edhe pse ajo shtypet nga të gjitha anët.E dyta,”mençurinë për ta dalluar atë,edhe pse ajo është e mbështjellë nga të gjitha anët”.E treta,”artin për ta bërë të përdorshëm(sikur një armë)”.E katërta, ”mendimin e qartë për ta zgjedhur atë të vërtetë,e cila në duart e çdonjërit,bën efektin e duhur”.E pesta,”dinakërinë për ta shpërndarë atë nëpër këto duar”.                  

Kam lexuar shumë aforizma për librin.Po e përmbyll fjalën time për Gazmend Zajmin dhe veprën e tij me njërin ndër aforizmat më të mirë për librin:”Libri është për autorin më i vlefshëm  se çdo përmendore,sepse ai vet i ngrit  përmendore atij”.