Nuk fliste aty ku duhej të heshtej,nuk heshtte aty ku duhej të flitej

Emri dhe vepra e akademik Fehmi Aganit janë,padyshim,emër dhe vepër që nuk mund tw harrohen.Prandaj,sot,në pesëvjetorin e vrasjes së tij,  kujtohet  me pietet të madh emri  i dijetarit që mbërthente në vete guximin politik, të politikanit që mbillte në mendimin e tij gjykimin shkencor dhe  të eseistit sociologjik,  filozofik dhe politik që parashikonte ardhmeninë dhe vepra e tij prej një pedagogu të respektuar,shkencwtari të dëgjuar dhe njw metodologu të afirmuar.

Më bëhet pothuajse e pamundshme që,me një paraqitje,sado përmbledhëse që mund të pretendonte qw  të jetë kjo,të shprehë gjithë atë që do të duhej të shprehej për një emër dhe për një vepër,çfarë ishin emri i Fehmi Aganit dhe vepra e tij.

Kam pasur fatin dhe nderin që të isha me te dhe pranë tij.Një kohë kemi drejtuar së bashku revistën shkencore “Përparimi”.Mandej,kemi vepruar së bashku në Seksionin e Shkencave Shoqërore të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.Më në fund,edhe në Grupin Negociator,të njohur si G -15.Kam mësuar nga mënyra e tij e të menduarit dhe të gjykuarit,veçanërisht nga mënyra e tij e të konkluduarit.Mendimtari si ai, ”me të drejtë,i përkiste çerthullit kulminant të burimit të dijes”.  


Po përsëris atë që kisha thënë me rastin e marrjes së lajmit për vrasjen e tij.Në Fehmi Aganin ishin mbledhur bashkë:

F(isnikëria);

E(ntuziazmi);

H(umaniteti);

M(ençuria);

I(ntuita);

A(ngazhimi);

G(uximi);

A(utoriteti);

N(uhatja)dhe

I(nvencioni).


Fehmi Aganin “e shquanin shumë tipare të larta që krijonin shëmbëlltyrën e kompletuar të një profesori universitar:akribia e thellë shkencore dhe erudicioni ndërdisiplinar i shkencave shoqërore”.Ishte “me mendje në gjuhë”,i aftë për “reagime të atypëratyshme”,kur e kërkonte nevoja.Përndryshe,nuk fliste aty ku duhej të heshtej,nuk heshtte aty ku duhej të flitej.

Do të veçoja veçanërisht edhe një tipar të tij:ai nuk ka shkruar vetëm për t’i botuar shkrimet e veta;ai ka shkruar që t’i shkëpusë nga vetja mendimet, idetw,pikëpamjet.Këtë nuk ka mund t’a bëjë ndryshe, veçse duke “e depushtuar veten” në të mirë të kombit të tij.Prandaj,edhe mendimin e tij e profilizoi për çështjen e kombit të tij.Si njohës i shkëlqyër i proceseve politike u gjind “në ballë”të ristrukturimeve politike në Kosovë “dhe bashkë me akademik Gazmend Zajmin, u bënë themelvënësit kryesorë  të formimit të parimeve”mbi të cillat filloi të ngrihej pavarësia e Kosovës.Ndërsa,tiparin ende më të veçantë të tij e përbënte maturia në vlerësime.Për të,çështja e Kosovës ështe “njëkohësisht çështje shumë e lehtë dhe shumë e vështirë për t’u zgjidhur”.Eshtë çështje e lehtë,shprehet Fehmi Agani, ”sepse Kosova,me përbërjen e popullsisë dhe deklarimin e saj është definuar qartë,ndoshta shumë më qartë se të gjitha njësitë federale të Jugosllavisë së dikurshme.Dhe ky definim thotë qartë se Kosova s’është,s’mund të jetë aty ku po përpiqen t’a vendosin,kundër vullnetit të popullit të saj.Por,nga ana tjetër,për shkak të ndërlidhjes së çuditshme të interesave dhe raportit të forcave,çështja e Kosovës del shumë e ndërlikuar”.

Kritika e një vepre nuk mund të bëhet ndryshe përveç se deklarim për vlerën e saj.Njeriu nuk e vlerëson vepren vetëm kur ta ketë lexuar,por veçanërisht  kur ta ketë (ri)zbuluar atë.Në punishtën e tij kam ndeshur shumë dorëshkrime të papërfunduara, shkrime të posafilluara,po sikurse edhe skica dhe projekte globalisht të ndërtuara që më krijojnë mundësinë e rizbulimit të vepres së akademik Fehmi Aganit.Shqyrtimet e tij,pa marrë parasysh kohën e lindjes dhe krijimit të tyre,lidhen ngushtë me çështjen e Kosovës dhe ruajnë aktualitetin. Kështu,në një shkrim me titull:”Për ke punon koha?” përgjigjet:”Që të mund ta bëjmë kohën që të punojë për ne,lëvizjes politike shqiptare,më duket,në këtë fazë të luftës pozicionale, të sprovave të mëdha,mbi të gjitha i nevojiten uniteti dhe qëndresa”.Vështruar nga ky gjykim i tij,mirënjohja më e madhe që do të mund t’i bëhej emrit dhe vepres së tij do të ishte përballimi i ndarjeve në skenën politike,ndarje që mund të jenë më pasoja shumë të rënda për çlirimin përfundimtar të Kosovës.Nuk ka dyshim se liria e Kosovës është më e kushtueshme se çdo karrierë politike.

Historia ka përvetësuar parimin se vlera e një vepre nuk vërehet vetem me ndikimin që bën ajo në vepra të tjera,sa me praninë e saj të përhershme.Vepra e akademik Fehmi Aganit  “do të jetojë përherë”për derisa “dëgjohet zë shqiptari”.Vepra e tij  është  frymëzim për të tashmen dhe nxitje për të ardhmen.

Pesë vjet nga vrasja e akademik Fehmi Aganit kanë krijuar “një boshllëk”të mendimit dhe të veprimit politik këtu ndër ne.Skenës politike në Kosovë i mungon një mendimtar i zgjuar dhe një politikan racional,veçanërisht në kohën kur Kosovës “po i serviren” dokumente,në hartimin dhe në shqyrtimin e të cilave nuk po marrin pjesë shqiptarët e Kosovës.Akademik Fehmi Agani përherë zgjidhjen e çështjes së Kosovës e kundronte mbi bazën e të drejtës së vetëvendosjes së shqiptarëve,madje edhe atëherë kur “qarqe të caktuara diplomatike” gjysëmdemokratizimin e Sërbisë   “  e paraqisnin si “zgjidhje për Kosovën”. Përndryshe,akademik Fehmi Agani “qysh në vitet e 60 ishte shquar me seriozitetin dhe guximin e argumentimeve për Republikën e Kosovës,ndërsa në vitet 90 me elaborimet dhe mbrojtjen e pavarësisë së Kosovës”.

Pavarësinë e Kosovës,të përceptuar si domosdo për çlirimin kombëtar, “përkrye të gjitha vështirësive”,akademik Fehmi Agani e parashihte dhe e supozonte.

Demokracia,kombi dhe vetëvendosja përbëjnë boshtin e mendimit politik të akademik Fehmi Aganit.Gjithë atyre që e kanë dashur dhe e kanë çmuar mendimin e tij u sugjeroj vepren e tij të kompletuar nga “Dukagjini”i Pejës.Ai në të mjaftë ka dhënë dhe mjaftë ka thënë.